BESA” SHKOLLË E KRENARISË SHQIPTARE .

23
Nov
2024
Nga: Petrit Aliaj


Besa, fjala e dhënë, mbetet gjithmonë një koncept kulturor për të cilin populli ynë është shprehur mjaft bukur dhe saktë se “ku është besa, është edhe shpresa”. Dhe një shpresë të tillë e ngjalli stafi i shoqatës “Krenaria Shqiptare”, i mbështetur si kurdoherë në të gjitha shkollat nga ëngjëjt e gjuhës shqipe.Të tillë janë edhe mësueset Mimoza Bixheku, Donika Gjoka dhe mësuesi veteran Avni Mehmeti, që falë angazhimit të tyre e kthyen në ditë feste këtë takim me pjesëmarrjen e prindërve, bashkëatdhetarëve tanë si edhe fëmijëve, të cilët thërrisnin njeri – tjetrin e salla gumëzhinte nga bisedat e tyre.
– Çuditërisht të gjitha bisedat ishin në gjuhën shqipe, përfshirë edhe një vajzë të vogël e shoqëruar nga mëma e saj italiane. Është kënaqësia e mirëkuptimit dhe integrimit të ndërsjelltë kur prindërit merren vesh me fëmijtë e tyre. Pasi në këto raste ndihmon edhe atmosfera e takimit të vogëlushëve, me biseda pa fund midis tyre. Se sa vlera kanë për fëmijët këto takime dhe të mësuarit e gjuhës së mëmës, pse jo edhe gjuhën e origjinës së babait, kur çiftet nuk kanë një prejardhje, mbetet një investim për të gjithë fëmijët.
Me krenari dhe me të drejtë themi se kudo mësuesit janë njerëzit që sakrifikojnë, e shmangin lodhjen me durim dhe me këmbëngulje e dashuri, i përkushtohen profesionit të tyre të nderuar dhe aspak të lehtë për mësimdhënësit në Diasporë. Shpesh herë ata ftohen në seminare e konferenca dhe mirë bëjnë, pasi u jepet rasti të takohen me kolegë të së njejtit ideal dhe nga trajnuesit u rekomandohet zbatimi i programeve, të bëjnë kujdes se roli i tyre është ashtu e kështu, pa harruar edhe për punën bindëse që duhet të bëjnë me nënat për frekuentimin e nxënësve.
Pra qartësisht kësaj mase të madhe vullnetarësh të angazhuar në Diasporë u ka munguar realizimi i një konference ,simpoziumi ekonomik apo seminar tregues që t’i dedikohet shpenzimeve personale që bën çdo mësues vullnetar për të gjithë vitet në këto shkolla, për t’u mundësuar minimalisht një vlerë, një vlerësim në nder të tyre të përcaktuar në buxhetin e shtetit .
Pothuajse jemi kthyer në kohën e Migjenit, i cili me trastën e librave në dorë dhe mbi një bicikletë, shkonte çdo ditë me diell apo me shi, t’u mësonte vocrrakëve të tij gjuhën shqipe. Jemi të humbur në kohë dhe në një dalje pa krye, të përçmimit ndaj mësuesve atdhetarë, të cilët e vendosin gjuhën tonë të bukur të parën që duhet zhvilluar, trashëguar e ruajtur atë, identitetin tonë kombëtar.
Shkolla “Besa” i hapi dyert e saj me datë 16 nëntor 2024 në mjedisin e dhënë tek “Casa dello Studente” komuna Azzano Decimo, në provincën Pordenone me një seri masash sensibilizuese, me takime veprimtarësh e prindër si edhe me publikime në rrjetet sociale, për të pasur sa më shumë pjesëmarrje e nxënës .Presidenti i kësaj shoqate z.Ndricim Kercuku, prej kohës kishte kontaktuar presidencën e Federatës së Shoqatave Shqiptare(FNAI), për hapjen e kësaj shkolle, si edhe kishte kontaktuar direkt me dr.Luljeta Cobanaj, oficere e Min së Jashtme të Rep.së Shqipërisë për Diasporën pranë Konsullatës së Përgjithshme në Milano. Zonja Cobanaj arriti në kohë ti siguronte librat për dy shkolla për faktin se këtë ditë do të vinte në ceremoninë e hapjes së shkollës “Besa”vetë presidenti i shoqatës “Vatra”z.Dritan Ferhati së bashku me stafin e tij .Me këtë rast z Ferhati së bashku me urimet e tij ai i ftoi të gjithë në festën e flamurit me dt 28 nëntor në Ravena.
Me këtë rast dua të përmend edhe Arditin (ish president i org.InterAction), i cili mori në dorëzim librat në konsullatë për të dyja shkollat. Së bashku me Arditin ishte me ne edhe i papërtuari mësuesi, atdhetari dhe zëdhënësi i Federatës “FNAI”, prof.Ndue Shabaku i cili në përshëndetjen e tij lavdëroi ata që mendojnë, punojnë dhe sakrifikojnë për të arritur një rezultat si ky që ne po e përjetojmë në sallë sot.
Jashtë në koridor dhe brenda në sallën ku do të zhvillohej ceremonia e përurimit të shkollës dhe dorëzimit të librave, një dorë e kujdesshme kishte menduar që në plan të parë të ishte dekori në ballë me shqiponjën dykrenare, tavolinën e zbukuruar me librat e rreshtuar mbi të, gati për t’u shpërndarë si edhe për vendosjen e fëmijëve dhe prindërve në bankat e shkollës së tyre të ardhshme. Mbizotëruan përshëndetjet e shumta. Për kënaqësinë e prindërve që falenderonin dhe pozonin së bashku me fëmijët, mendoi fotografi i ri, Florian Fusha.
Ceremoninë e hapi drejtuesja e kësaj dite festive të shumëpritur, sekretarja Shoqatës, zj.Elvana Fortuzi, e cila u kalonte radhën për të përshëndetur të ftuarve, kolegëve, prindërve dhe recitimeve që disa vogëlushë i kishin pregatitur për të recituar përpara bashkëmoshatarëve të tyre. Me këtë rast përshëndeti edhe zj.Lumturi Fortuzi si shkrimtare, poete, piktore por edhe më e moshuara e këtij takimi. Fjala e mësuesve u duartrokit pa masë edhe nga vogëlushët të cilët me kërshëri i shikonin ata që do t’iu mësonin shkronjat e para.
Me shumë dashuri dhe respekt në përshëndetjen time falenderova të gjithë ata që kishin mbushur sallën: prindër, mësues, aktivistë të ftuar dhe organizatorët me urimin për suksese në vazhdimësi e begati në familjet e tyre .Petrit R.Aliaj.
Azzano Decimo-Pordenone(It.) 16.11.2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk