Beteja e Kumanovës – 1912
Një faqe e gjakosur e historisë, por një nder i paharruar për trimërinë shqiptare
Në fund të tetorit 1912, në fushat e Kumanovës, u përplasën dy botë: Perandoria Osmane në rënie, dhe ushtria serbe në ngjitje, e etur për të zgjeruar kufijtë në kurriz të tokave shqiptare.
Rreth 70 mijë forca osmane, mes tyre edhe mijëra luftëtarë shqiptarë, qëndruan ballë për ballë me 135 mijë ushtarë serbë, të pajisur më mirë dhe të mbështetur nga aleatët e tyre ballkanikë. Pavarësisht numrave dhe teknologjisë më të avancuar të armikut, shqiptarët luftuan me trimëri të rrallë, jo për sulltanin, por për tokën e tyre, për nderin, për kullat, për gjuhën, për atë që s’duhej të shkelet: identitetin shqiptar.
Ata që ranë në Kumanovë, nuk u thirrën kurrë zyrtarisht “heronj”, por në zemrat tona janë dëshmorë të gjallë të historisë. Luftuan krah osmanëve sepse, për ata burra, kërcënimi serb ishte më i afërt dhe më i rrezikshëm për vendin. Ata e dinin se humbja e Kumanovës nuk do të thoshte vetëm humbje ushtarake,por fillimi i copëtimit të trojeve shqiptare, ashtu siç ndodhi më pas në Konferencën e Londrës.
Sot, ne nuk mund t’i kthejmë ata burra pas…
por mund të ecim me ballin lart duke kujtuar se kjo tokë është larë me gjakun e tyre.
Ata nuk vdiqën për një flamur të huaj – vdiqën me besimin se brezi që do vinte, do e kuptonte sakrificën.
Dhe ne jemi ky brez.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!