BETEJA E PAQENË NË FUSHË TË MËLLENJAVE (Fushë Kosovë) MË 1389. E vërteta: Nuk pati betejë

25
Jun
2023
Shkruan: Aristotel Petro

Ngjarja në rrjedhë të poshtme të lumit Llap në verë të vitit 1389 ishte moment historik pa asnjë
ndikim për ndryshime të marrëdhënieve ekzistuese në vendet e përfshira në ngjarje. Ajo ngjarje në
historiografi depërtoi ngadalë dhe u ngulitë me emërtimin Beteja [e Parë] në Fushën e Mëllenjave
(Kosovo Polje, në serbisht) e 28 Qershorit 1389, duke e mveshur me përmasa fantastike.
Lënda burimore udhëpërshkruese, folkloristike, anuare dhe kronikale, që i bënë jehonë asaj
ndodhie është e vëllimshme, por shumë kundërthënëse njëra me tjetrën deri në absurd. Botimet letraro-
kronikale me origjinë sllave, osmane, persiane, bizantine, latine, shqiptare, hungareze, frënge e të tjera,
janë ngritur më vonë për qëllime politike të palëve të interesuara. Domethënë, për afirmimin e hapave
të rinj pushtues perandorak osman dhe Islamit drejt Perëndimit dhe Lindjes së krishterë, nga njëra anë,
dhe përmbushjes së kërkesës për krijimin dhe forcimin e një muri kundra-osman të gjithë krishterë, në
anën tjetër. Motivet fetare të krishtera kundra-islame në kronikat e shkruara europiane do të
forcoheshin veçanërisht pas shekullit XVI, pikërisht si produkt i lëvizjeve të reja kulturore e politike
nën çatinë e Humanizmit, të Renesancës, të Reformacionit dhe të Kundër formacionit. Përfundimisht
deri në këtë kohë ndodhi kalimi masiv në Islam i shqiptarëve ortodoksë shën savianë e shën
klimentianë në ish-provincat romake-bizantine të Dardanisë dhe të Maqedonisë, që pati për pasojë
edhe depërtimin e motiveve fetare islame në kujtesën historike shqiptare për Ndodhinë në Fushë të
Mëllenjave në vitin 1389.
Në këtë kumtesë jepen kronikat lindore dhe perëndimore të krijuara në rrjedhë të historisë nga
fundi i viteve të 80-ta të shek. XIV deri në fillim të viteve të 70-ta të shek. XVII. Këto dokumente, që
mund të studiohen nga çdokush, provojnë mos ndodhjen e të ashtuquajturës “Betejë në Fushë të
Mëllenjave” më 1389.
Për burim të parë me origjinë osmane, i pari i njohur deri tashti, ku zuri fillin versioni zyrtar
osman për Ndodhinë në Fushë të Mëllenjave, është poema “Iskender-name” e poetit Ahmedije të
Anatolisë e përfunduar më 13 Mars 1390. Ndërkaq trajtimi kohor i ngjarjes në Fushë të Mëllenjave më
1389 nisi me veprën “Bāzm u râzm” persisht të Azis ibn Ardäshira Astrābādija, e përfunduar më 1398.
Ky krijues jetoi në oborrin e një emiri të pavarur, ndaj e dha dritën e gjelbër për komplotin ushtarak në
taborin e Sulltan Muratit. Sipas tij Murati I, si dhe biri i tij, Jakubi, u likuiduan me komplot nga i biri,
përkatësisht vëllai, Bajaziti I. Kjo dritë më vonë do të mjegullohet me versionet zyrtare për vrasjen e
Muratit I, shkruar nga kronistë dhe historianë oborrtarë, nisur me veprën “Menakib-name” të Jahshi
Fakih-ut, shkruar nga bashkëkohësi i ndodhisë. Fakih ishte i biri i Iljasit, imam i Bajazidit I dhe vdiq
para vitit 1413.
Vepra e Fakihut u bë bazë e fortë për pretendimet e tjera historiografike osmane për Ndodhinë
në Fushë të Mëllenjave më 1389. Pasoi historia e Mulla Shukrullah-ut: “Behxhet-ut Tevarih”, e
përfunduar më 2 nëntor 1459. Versionin zyrtar osman e shpini edhe më tutje kronisti i quajtur Enver,
në veprën “Düstür-name” të viti 1464. Tri vjet më pas u përfundua vepra historiografike madhore:
“Tevarih-i al-i osman” e Uruxh-it, e shkruar deri në vitin 1467, i cili u mbështet kryesisht në veprën e
Fakihut, të cilën e përfilli edhe historiani zulmëmadh, Ahmed Ashik-pasha Zade, në veprën e njohur
me emrin “Menakib“ ose “Tevarih-i al-i Osman”, të shkruar deri në vitin 1484. Pasha Zade jetoi dhe
veproi në Shkup në vitet 30-50 të shek. XV, ndaj veprën e pasuroi edhe me të dhëna nga kujtesa
historike e rajonit që përfshinte Fushën e Mëllenjave. Mirëpo, me ndikim të madh në historiografinë
botërore do të bëhet “Kitâb-i Cihan-nümâ” i Mehmet Neshriut, e shkruar midis viteve 1484-1493, e fryrë me të dhëna fantastike …
Të plotë këtë shkrim e keni tek linku 👇

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk