Bie kushti i VLEN-it për ndryshimet kushtetuese!

30
May
2024
Shkruan: Medai Shaholli


Në një prononcim për “Daily Click” besëpreri i Vlenit Besar Durmishi, tha se OBRM-PDUKM-ja për ndryshimet kushtetuese duhet të bisedojë me deputetët e saj dhe faktorin ndërkombëtar.
Kjo ishte tërheqja e parë e premtimit të vlenistëve për ndryshimet kushtetuese para hyrjes në qeverinë e koalicionit.
Çfarë duhet të kuptojnë votuesit shqiptarë që kanë votuar vlenistët më 8 maj, për premtimin famoz të tyre lidhur me ndryshimet kushtetuese se bashkë me të do ta sjellin ndryshimin dhe hapjen e derës europiane?
Deklarimi i z.Mexhiti javë më parë kur tha se ne duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos lëndojmë ndërgjegjen e maqedonasve, ku kushtet tona mos kuptohen si shantazh dhe ultimatum për ndryshimet kushtetuese ndaj komitëve të VMRO-së dhe ndaj mandatarit Micko, ishte kthesa e parë e bishtërimit të një amaneti për ndryshim!
Të dya këto deklarime të vlenistëve mbi heqjen dorë të kushtit për hyrje në qeverinë e koalicionit pa i votuar ndryshimet kushtetuese, janë shenjat e para të devijimit të qëndrimeve dhe premtimeve të tyre për ndryshim.
Me këto prononcime publike të vlenistëve që ndryshojnë me ato të fushatës zgjedhore duket qartë se janë devijim dhe mosmbajtje premtimi i këtij grupimi qylaxhinjësh mes rrymës turkomane të pabesë dhe pseudonacionalistëve të njërit krah të ASH-së, kanë mbi të gjitha një vardisje pas interesave të ngushta meskine të pushtetit.
Këto qëndrime servilizmi dhe vasaliteti të vlenistëve para formimit të qeverisë së re të koalicionit dhe para mandatarit Micko, lidhur me ndryshimin që do të vinte bashkë me ta, janë demagogji e pastër mashtrimi dhe gënjeshtre e “ndryshimit” që nuk do të vij kurrë.
Një tjetër proçkë e vlenistëve është edhe deklerata e
deputetit Bekim Qoku, ku përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se në Parlamentin e “drzhavës Severna” do të jetë i përfaqësuar programi shoqëror dhe kombëtar i Vetëvendosjes.
“Në këtë mandat të legjislaturës së re të Kuvendit republikan të MV, programi shoqëror e kombëtar i VV do të jetë i përfaqësuar në shtëpinë ligjvënëse. Falënderoj votuesit dhe simpatizuesit e VV që mundësuan ndryshimin në këtë vend. Dihet se ata janë shumë më shumë se sa votat që duhen për një deputet. Përveç si numër, ata reflektojnë dhe frymë në këtë ndryshim historik të demokracisë së re në vend. Bashkë do të rritemi!”, ka shkruar Qoku.
Por, z.Qoku nuk tha më tutje sesi do ta zbatoj atë program si majtist i VV apo si djathtist vlenist në qeveri, siç janë koalicioni i tij i VLEN-it, një grupim i djathtë pa ideale dhe të etur për pushtet.
Edhe nëse mund të ndodhin ndryshimet kushtetuese nga presioni ndërkombëtar, për t’i futur bullgarët në preambulë, 20% i famshëm i përdhosjes së identitetit tonë gjuhësor nuk do të ndodh. Nuk do të ndodh pasi vlenistët nuk kanë dëshirë ta “lëndojnë” premierin e tyre të ardhshëm Micko me çështje që presin ditë më të mira për t’u zgjidhur.
Me këto qëndrime vlenistët po dëshmojnë se nuk kanë asnjë pikë dinjiteti dhe atdhetarizmi në bagazhin e tyre propagandistik përballë votuesve shqiptarë.
Me këtë entuziazëm të paparë të vlenistëve duke u pispillosur dhe kullandrisur si të përdala pa shkelur akoma mbi pragun e pallatit të bardhë qeverisës, i doli era lakrorit të “NDRYSHIMIT” të gatuar në kuzhinat e VMRO-së për naivët shqiptarë dhe shumë shpejt do t’i dalë edhe boja e logos së tyre për NDRYSHIM, si maskë e pseudopatriotizmit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk