Broçkullat dogmatike të këngëtareve

20
Oct
2023
Shkruan: Beqir Elshani


Deklaratës së këngëtares gjakovare, Shkëndije Muja, se një mashkull që nuk i fal pesë vakte namaz, nuk mund të kontaktojë me të, më së miri i përgjigjet deklarata e djaloshi katolik, i cili prej vajzës (…) do të kërkonte që rregullisht të shkonte në kishë dhe të mbajë kryqin në qafë. Këto janë akrobacione dogmatike, ngjashëm siç vepron edhe me paraqitjen e saj gjysmëzhveshur. Duket qartë, deklarata e Shkëndijës, (ani me emër dhe mbiemër shqiptar), është epokë e vonuar, pikërisht ajo duhet të bëhet vajzë bashkëkohore dhe të thotë se e dashuron shqiptarin pa dallime fetare. Qëndrimi i saj konservator pengon bashkimin e djaloshit mysliman me vajzën katolike, ndonëse të dy shqiptarë, që të kujton vetëvrasjen e djaloshit në Studençan, i cili për shkak të pengimit nga ana e paragjykimit familjar shtrëngohet të vetëvritet. Prandaj me konvertimin e saj fanatik pengon martesën e dy të rinjve shqiptarë pa dallime fetare. Sa i përket paraqitjes së këngëtares bardhezi, herë me rroba, herë pa to, e cila deklaron se gjatë muajit ramazan anashkalohet të dalë pa rroba, ajo i mohoi të dy palët: të parën kulturën kombëtare, dhe të dytën kulturën fetare, pasi që broçkullat rreth (zh)veshjes nuk i shiten, si nga jofetarët, ashtu edhe nga besimtarët e fesë myslimane.
Për fat të keq, këngëtarja gjakovare nuk është vetëm, të njëjtin veprim e bën edhe këngëtarja nga Drenica, Leonora Jakupi. Më bëri përshtypje vendimi i këngëtares që në trupin e saj nuk pranon tatuazh. Megjithatë kundërshtimi i tatuazhit nuk është çështje fetare, siç e pandeh ajo, por është çështje karakteri që njeriu pa dallime fetare nuk pranon ilustrime tatuazhi në trup. Vlerësimi i saj se tatuazhi nuk duket i mirë dhe është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, është i drejtë, të tjerat, sipas bindjes fetare, nuk kanë rëndësi. Tatuazhi është ceremoni rituale, burimin e ka nga kultura polineziane. Këtë e ilustron edhe këngëtarja tjetër, Dafina Zeqiri, po ashtu besimtare e fesë, megjithatë trupi, siç thuhet prej thembrës deri në qafë, është mbuluar me tatuazh. Pikërisht unë jam jofetar, por e urrej tatuazhin. Aq shumë e urrej tatuazhin, saqë me ëndje do të zgjidhja vdekjen. Them kështu, sepse dëshiroj t’i mbes besnik nënës Fatime që më ka lindur. Tatuazhi nuk më pëlqen as në trup të kalit që vrapon, jo më një trup të njeriut. Prandaj tatuazhi në trup të njeriut është bukuria që vret.
Kompjuteri dhe tatuazhi
Të drejtën, të them, kur e hapa faqen “Realiteti” më doli këngëtarja – Dafina Zeqiri, menjëherë m’u fik kompjuteri. Kur amvisja e shikon qumështin për të valuar, mirëpo sapo ia kthen shpinën, qumështi grafullon dhe shporeti nxihet, pastaj era e pushton kuzhinën. Si të mos shkyçet kompjuteri, kur këngëtarja me rrathë në buzë e në hundë dhe me njollat e tatuazhit e ka trallisur kompjuterin, prandaj prej sikletit aparati i “mençur” është fikur. Sidomos këmbën e djathtë këngëtarja e ka ilustruar me tatuazh, që duket sikur këmbë e transplantuar në trup të shëndoshë. Një gjë duhet pasur parasysh, kompjuteri im është aparat “i zgjuar”, është sikur qeni shtëpiak që i detyrohet pronarit, nuk i duron dot tatuazhet. Fikjen e aparatit tim e kuptova: ose ishte faji i ndërprerjes së rrymës, ose virusi në formë tatuazhi ka sulmuar kujtesën kompjuterike. Shtypi këngëtaren e quan “vajzë të turpshme”, mirëpo të turpshme e ka bërë tatuazhi i dorës së huaj, i cili bukurinë natyrore e ka shndërruar në mall tregu. Jam e lumtur që fëmija lindi pa njolla tatuazhi në trup, kështu psherëtiu një gjinekologe pas lindjes së fëmijës nga e ëma e mbuluar me tatuazh në trup. E ëma ishte e bukur, mirëpo me gdhendjen e trupit kishte marrë pamje të tmerrshme. Prandaj, ta nxjerrësh fëmijën prej barkut të nënës së veshur me tatuazh, ishte sikur të nxirrje pëllumbin prej baltës.
Pak gramatikë në zhargonin rrugor
Emrat e gjinisë femërore, kurva dhe kuçka si dhe emrat e gjinisë mashkullore kurvani dhe kuçkani janë fjalë të pista, njëkohësisht edhe fjalë metrike. Janë sharje që kumbojnë njësoj, prandaj në poezi, si asnjë varg tjetër, pëlqehen njëra me tjetrën. Kurse sipas këngës lirike “Bilbil me pika-pika; a të kam than mos rri me çika se ato janë kopilica” nuk ka të bëj me përbuzjen dhe fyerjen morale, përkundrazi ka kuptimin e vajzave çapkëne, që janë paksa të shkujdesura dhe gazmore, të zgjuara e finoke.
Një shkrim satirik për toponimet të çuditshme në Shqipërinë Etnike kam bërë edhe unë, të cilin e kam botuar në albaniapress, të mikut tim. Faik Smajli, megjithëse në faqet shqiptare gjenden disa toponime fshatrash që nuk janë provokuese, mund të jenë me kuptime popullore, siç janë: Bubullimë, Bithuq, Grupçin, Kuqan, Kurvelesh, Leshnje, Makresh, Mizë, Neperbisht, Ngucat, Qyqelag, Skorobisht, Symizë dhe Vithkuq. Ngjashëm edhe në Suedi gjenden me dhjetëra fshatra dhe vende me toponime të çuditshme. Me rëndësi është emrat e huaj, siç janë emrat me parashtesën / prapashtesën turke “kar” dhe me mbaresën sllave “qi” të mos figurojnë në toponomastikën shqiptare, pasi që janë provokuese. Edhe sipas tregimeve të Anton Çehovit, në Rusi gjenden fshatra me emra të harbutëve dhe hyzmeqarëve të pushtetit carist.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk