Bytyçi – Antishqiptarizmi i TV-Klan Kosova nuk mund të kalojë!

04
Aug
2023
Shkruan: Enver Bytyçi


“Liria ime përfundon aty ku fillon liria jote”! Ky është postulati i përkufizimit të lirisë. Dhe nëse e analizojmë këtë formulë, atëherë vemë re se liria, përfshirë dhe lirinë e medies, nuk është e pakufizuar, pra, nuk mund të cënojë lirinë e dikujt tjetër, aq më pak shtetësinë, integritetin territorial, vlerat e trashëguara dhe konceptin e të mirës e të së drejtës. E di se këto koncepte janë relative. Megjithatë ato ekzistojnë. Prandaj dhe mediet kanë lirinë e tyre të përballen me realitetin në frymën e të mirës, të drejtësisë, të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Në pikëpamje përmbajtësore TV Klan Kosova së paku që prej kur ra në dorën e Devollëve, u bë një televizion si SRS e Beogradit. Përçoi dhe përçon në opinionin publik shqiptar kryesisht tezat, idetë, projektet, mesazhet dhe programet serbe kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Si i tillë ky televizion ishte dhe mbeti një instrument në duart e politikanëve dhe analistëve pro-serbë në Kosovë e në Shqipëri. Ai ishte komod dhe i mbrojtur nga Hashim Thaçi. Mbetet gjithashtu i vetmi TV ku vëllau shqiptar i Aleksandër Vuçiç shpalos urrejtjen e tij kundër liderëve, institucioneve, lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Pra ishte një televizion nën komandën e Beogradit për të përçuar kryesisht idetë serbe të shqiptarëve pro-serbë.
Nw fakt kësisoj ndërtohet në të gjithë botën rrjeta e shërbimeve sekrete dhe shërbimeve politike anti-kombëtare. Në dhjetë vitet e fundit, thoshte një avokat në Serbi, presidenti i Serbisë dhe qeveria e këtij vendi kanë harxhuar 8 miliard dollarë amerikanë për të destabilizuar Kosovën. Gjurmoni këto para dhe do të shihni se ato kanë pushtuar shumë skena televizive dhe mediet online të gjuhës shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Po t’i shtojmë këtij buuxheti të Serbisë edhe paratë e miellit e drithit të kontaminuar që devollët na e sjellin ne shqiptarëve nga Serbia, atëherë shifra është marramendëse.
Parimi serb është paraja si mjet për të krijuar Serbinë e Madhe. Paraja ka qenë instrument i kahmotçëm i Beogradit për të korruptuar politikanë, liderë, medie, përfshi televizione, analistë, kontrabandistë, kriminelë e mafiozë, në radhët e shqiptarëve. Dhe të gjithë këta tashmë janë bërë shumë, aq shumë sa është vështirë të përballohen. Gati sa nuk bëhem skeptik për atë se qeveria e zotit Kurti, presidentja e vendit dhe institucionet e Kosovës do t’ia dalin ta evitojnë ndikimin e gjithë kësaj lubie makutërie e korrupsioni që ka përhapur Beogradi ndër ne.
Aq larg ka shkuar shërbimi ndaj shtetit serb të TV Klan Kosova e ndonjë medie tjetër, sa të regjistrohen me emrin “Kosovo-Metohi”! Njësoj si në kohën e Rankoviçit! Mediat shqiptare, pronarët e tyre, kësisoj kanë pranuar de jure e de facto sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Peja, Gjakova, Gjilani, e qytetet e tjera shqiptare të Kosovës tashmë figurojnë si qytete që shtrihen në territorin e shtetit të Serbisë. Kjo nuk është vetëm shkelje e kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj. Kjo është tradhti ndaj atdheut. Tradhti ndaj shtetit! Cili shtet në botë, marrë dhe atë më demokratikun, do të lejonte që mediet e atij vendi të kontestonin lirinë, pavarësinë, integritetin territorial dhe shtetësinë?!
Kjo është vija e kuqe e shkeljes së lirisë së qytetarëve të Kosovës për demokraci, shtetësi e pavarësi. Në këtë moment Klan Kosova duhet të përgjigjet. Sepse ka shkelur lirinë e të tjerëve. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës rregullojnë pikërisht lirinë e sjelljes së qytetarëve dhe të të gjitha subjekteve që veprojnë brenda këtij territori. Klan-Kosova edhe formalisht është regjistruar si mediumiI Serbisë dhe përmbajtësisht i ka shërbyer dhe i shërben vetëm asaj.
Çfarë duhet bërë me të? Unë mendoj se duhet disiplinuar. Duhet paralajmëruar. Ndoshta duhet ndëshkuar sipas ligjit. Nuk e di nëse ligji parashikon vetëm mbylljen e tij si masë ekstreme. Por ai duhet disiplinuar. Nëse kanë shkelur ligjin, këtë e kanë bërë pronarët e tij, moderatorët, drejtuesit, administratorët. Këta duhen vënë rë radhë të parë para ligjit. Në fund duhet të shkojmë te mbyllja e medies. Unë besoj, nëse do të ketë drejtësi, se shumë prej atyre që i kanë kontribuar politikave serbe në Klan-Kosova kanë lënë dëshmi në emisione televizive për tradhti ndaj atdheut. Deri këtu duhet kërkuar hetimi. Pa ndërhyrjen e shtetit.
Ndoshta do të duhet që të reagojë edhe shoqëria kosovare. Ne kemi parë sa shumë protesta bëjnë disa shoqata që drejtohen nga shqiptarë të formatit të pronarëve të Klan Kosovës. Kemi parë se si përpiqet p.sh zoti Dardan Molliqaj që edhe përmes protestave të kërkojë ndarjen e Kosovës. Por nuk do të thotë kjo që Vetëvendosja të jetë në opozitë për të sensibilizuar opinionin kundër tentimeve për zhbërjen e shtetit nga elementët mediatikë e të tjerë që punojnë në interes të Serbisë. Eshtë koha e reagimit qytetar. Nëse nuk reagojnë qytetarët, atëherë ka mundësi që të lindin grupe radikale, të cilat nuk pajtohen me “sovranitetin e Serbisë në Kosovë”, as me ndarjen e saj, as me praninë e ndikimit serb në këtë vend!
Rasti i Klan Kosovës është radikalizëm ekstrem pro-serb. Natyrshëm ky lloj radikalizmi në funksion të politikave të Serbisë në Kosovë do të sjellë të kundërtën e vet. Ka helm, por edhe anti-helm! Ka plumb, por edhe anti-plumb! Ka djaj, por edhe engjëj që i dalin zot atdheut, familjes dhe vetes së tyre! Ka maskarenj, por ka edhe njerëz të ndershëm e të përkushtuar për të mirën e shoqërisë e të atdheut! Mos prisni që e keqja të rrëshqasë si në vaj e pa kundërshti!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk