ÇAJUPI; R O B Ë R I A!

14
Dec
2024
NGA: ANTON ZAKO ÇAJUPI

DY POEZI –
dashura Mëmëdhé,
të dua dhe kështu si je!
po, kur të të shoh të lirë,
Do të të dua më mirë.

Qajni pyje, fusha, gurë,
qajni male me dëborë!
Shqipëria mbet e gjorë
dhe nukë sheh dritë kurrë:
një mjergull e keq’ e shkretë
e ka mbuluar përjetë!

Një gazep, një errësirë!
Vetëtit dhe gjëmon!
Rojmë me zëmër të ngrirë,
nga frika kurkush s’gëzon!
Njerëzit kurrë s’këndojnë
dhe bilbilatë vajtojnë!

Qiameti, shkretëtira!
Zogu vete zë folenë,
njeriu lë Mëmëdhenë
se mbretëron egërcira!
Për Shqipëri dëshërojmë
se në vënt të huaj rojmë.

Robërinë si duron,
o moj Shqipëri e mjerë?
Shpëtove vënde të tjerë,
vetë nën zgjedhë ron!
Shqipëtarë, bëni benë
të lëftoni për Atdhenë.

E dashura Mëmdhé,
të dua dhe kështu si je!
Po kur të të shoh të lirë,
do të të dua më mirë.
—–
2. BESA – BESË

Gjithë vëndetë gëzojnë,
ti Shqipëri pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti Shqipëri pse rënkon?

Gjithë duan Lirinë
dhe pa të njeriu s’rron;
ti Shqiptar Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?

Zgjohuni, o Shqiptarë,
erdhi dita për Liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!

Të krishterë e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
Gegë, Toskë, Dibranë,
gjithë Shqiprtarë jemi.

Mblidhuni të bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
të duam Mëmëdhenë
edhe malet me dëborë.

O malet e Shqipërisë,
që në Prevez’ e në Krojë,
egërsira e Azisë
ngjerë kur do t’u zotojë?

Që ditën që u shkeli
Robëria dhe ngjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot!

Male me krye në qiell,
si duroni Robërinë?
Ju që shihni drit’ e diell,
pse s’ndrini dhe Shqipërinë?

Ku janë vaftet e parë
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o Shqiptarë,
pse s’dëgjonet një dyfer?

Apo humbi trimëria,
apo s’doni Mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?

Pse rini lidhur me lak?
Pse s’shpëtoni vëndë tuaj?
Apo s’u mbeti më gjak,
se e derthtë për të huaj?

Mirni pushkët duar
edhe bëni besë-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
kokë Turku të mos mbesë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk