-Gazeta SOT, datë 17 Mars 2025-
Poliikanët dhe pushtetarët tanë, që u kooptuan në pushtet në sistemin e ri antipopullor e antikombëtar, i cili u instalua në fundvitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluan, për të fituar mbështetjen e borgjezisë ndërkombëtare, krahas luftës kundër socializmit gjysëm shekullor në vendin tonë, ngritën dhe një farë Instituti me emërtimin “Instituti i krimeve komuniste”, në drejtim të të cilit vendosën pinjollët e ish ballistëve, zogistëve dhe kolaboracionistëve të kohës së luftës.
Ish drejtori i parë i institutit në fjalë, me mbiemrin “Tufa”, së bashku me tufëzinjtë e tjerë që kishte mbas vetes, midis të tjerave, zbuluan, shkruan, vulosën dhe emërtuan plot 265 kuadro të larta të Ushtrisë Partizane, të cilët sipas tyre, kishin bërë vrasje e krime të panumurta mbi qytetarët dhe patriotët e vërtetë të kombit, gjatë periudhës së LANÇ. Kjo shifër, përbënte pothuaj shumicën e kuadrove të Ushtrisë Partizane, çka linte me kuptue, se LANÇ nuk ishte luftë çlirimtare, por një “luftë civile”. Qëllimi i pinjollëve ballistë, të mohonin LANÇ të popullit Shqiptar, dhe njëherësh të “zbardhnin” faqen e baballarëve të tyre. Po, a mund të zbardhet faqja e zezë sterrë e ballisto-zogisto-kolaboracionistëve, kur ndonëse u vetëquajtën “Balli i Kombit”, realisht u katandisën në “bishtin e pëgërë të kombit”!.
ÇELO HOXHA DHE MANIPULIMI I HISTORISË
Para disa vitesh, për arsye të paarsyeshme, Drejtor Tufa i “Institutit të Krimeve të Komunizmit”, u arrastis dhe mori azil politik në Zvicërr. Vendin e tij e zuri Çelo Hoxha, i cii shumë shpejt ia mori “zanatin” ish shefit të tij, madje duke e tejkaluar atë në sasinë dhe cilësinë e shpifjeve dhe mashtrimeve kundër LANÇ. Në vijim të “misionit” të tij antikombëtar, këto ditë Çelo ballisti ka nisur një fushatë sulmesh edhe ndaj shtypit, sidomos ndaj gazetës SOT, vetëm se kjo e fundit ka zbardhur të vërtetat mbi bashkëpunimin dhe pazarllëqet e tij me kryeministrin Rama, i cili ka marrë edhe detyrën e Kryetarllëkut të Ballit Kombëtar. Ky maskarallëk duket ashiqare edhe tek disa televizione publike, si “TV ABC News”, etj. ku me porosi të kryeministrit, nuk guxojnë që në emisionin e mëngjesit, të lexojnë artikujt e gazetës SOT, njëra nga gazetat më popullore e më pluraliste, për ata që duan të evidentojnë problemet themelore të shoqërisë së sotme shqiptare.
Veprimtaria më e fundit e ballist Çelos, si drejtor i “Institutit të Krimeve Komuniste” ishte ajo e zhvilluar në prag të 29 Nëntorit të vitit të kaluar në zyrat e Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit, për promovimin e një paçavureje të botuar nga një Akaemi private, për llogari të Institutit dhe të taksave të qytetarëve, me titullin; “Të rënët e Luftës së Dytë Botërore”. Në këtë botim paçavure, kërkohet që të gjithë të rënët, Dëshmorë apo tradhëtarë qofshin, të përmblidhen në një botim të përbashkët me titullin e mësipërm! . . .
Pas gjithë këtyre marifeteve mashtruese e shpifëse të Institutit në fjalë, dhe veçanërisht të Çelo ballistit, natyrshëm lind pyetja: Ku e merr kurajon dhe pafytyrësinë pinjolli i ballistëve të Luftës, të shpifë e sulmojnë me teneqe të ndryshkur vlerat kombëtare të LANÇ dhe Heronjëve e Dëshmorëve të saj?
KRYEMINISTRI RAMA, MERR DHE KRYETARLLËKUN E BALLIT KOMBËTAR!
Është absolutisht e sigurtë se, asnjë soj ballisti, zogisti apo kolaboracionisti, i kohës së luftës apo pinjoll i tyre i paqes, nuk do të guxonte të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër LANÇ, dhe Dëshmorëve të kësaj lufte, nëse nuk do të gjenin mbështetje tek disa prej institucioneve tona poli¬tike, shkencore dhe shtetërore, si dhe individëve të zgjedhur apo të emëruar në krye të tyre, siç është realisht Kryeministri ynë i “së majtës socialiste”. Për argumentimin e këtij konkluzioni, le të cekim disa nga sjelljet dhe veprimet e Kryeministrit në fjalë, sjellje e veprime të dukshme nga të gjithë, lidhur me LANÇ dhe Dëshmorët e saj:
. Në prolog të fitores se Partisë Socialiste të vitit 2013, Edi Rama iu premtoi Veteranëve të LANÇ dhe Familjeve të Dëshmorëve statusin e tyre të veçantë, që ishte raduktuar apo anulluar nga Berisha gjatë qeverisjes së dytë 2005 – 2012. Por pas fitimit të pushtetit në vitin 2013, Rama, jo vetëm nuk e mbajti premtimin, por kësaj kërkese iu përgjigj ironikisht: “Nuk do të vijojmë të paguajmë edhe nipat e stërnipat e Dëshmorëve . . .!” – kur ishte fjala për fëmijët dhe jo nipa e mbesa, dhe për më tepër, masa e shpërblimit ishte teper simbolike, që ishte miratuar e dhënë nga viti 2000 e gjar në vitin 2005, kur e hoqi Berisha.
. Sapo zuri karriken e kryeministrit, në një takim me socialistët e tij, Rama komunikoi e tha se ai ishte “përtej të majtës dhe të djathtës”, ç’ka dëgjuesit socialistë nuk deshën ta kuptonin se “përtej të majtës dhe të djathtës”, nuk është gjë tjetër veçse fashizmi.
. Në vitin 2018 në kodrat e kryeqytetit, me një ceremoni zyrtare, u vendos busti i ish Kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri. Me këtë rast, Kryeministri, Edi Rama, mbajti fjalën e rastit, ku midis të tjerave paralajmëroi veteranët e LANÇ, të ulnin kokën e mos të bëzanin, sepse Mit’hat Frashëri kishte vlera kombëtare . . .
. Po në vitin 2018 qeveria Rama, në vend të stadiumit gjysëm shekullor me emrin “Qemal Stafa”, ngriti stadiumin e ri, duke e zëvendësuar emrin e Qemalit me “Air Albenia.
. Më 1 Shkurt 2022 në krah të Ministrisë së Drejtësisë dhe përballë shtatores së mbretit Zog, vendoset shtatorja e Nënës Mbretëreshë, Geraldina.
. Përkundër këtyre veprimeve, shtatorja e permasave muzeale e Ismail Qemalit, pasi u muar nga Muzeu Kombëtar, u vendos diku në ish lulishten “Rinia”, prapa një muri të improvizuar dhe i pavlerë. Pa bërë fjalë për buste, pllakata, apo basorelieve kushtuar Dëshmorëve dhe eventeve historike, të cilat u zëvendësuan me inversin e tyre historik.
Por qëndrimet më të qarta e të drejtpërdrejta të Kryeministrit duken në respektimin e datave historike kombëtare, ku përveç në 29 Nëntor tek Varrezat e Kombit, dhe në 28 Nëntor në Vlorën e Pavarësisë, këmba e tij nuk duket në asnjë event tjetër të LANÇ, e as të Historisë sonë Kombëtare. Në 70 vjetorin e çlirimit të Mirditës, në 26 Tetor 2014, mirditorët kishin marrë të gjitha masat për të pritur Kryeministrin. Për pritjen e tij ishin planifikuar jo vetëm mbledhja solemne, por edhe koncerti i Ansamblit “Mirdita”, homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, dhe doemos edhe një drekë e thjeshtë, apo koktejl. Kryeministri Rama erdhi në kohë në qytetin e Rrëshenit, por për çudinë e pritësve, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, pasi kaloi në një “revistë” rrotull sheshit të mbushur me qytetarë, shkoi tek muzeu etnografik në fund të qytetit dhe nuk u kthye më tek qytetarët, por ia theri drejt Tiranës, duke lënë me gojë hapur e të habitur mikëpritësit.
Akoma më interesant është rasti i 80 Vjetorit të Konferencës së Pezës. Kur ishte në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ishte hapur fjala se Edi Rama çdo të shtunë shkonte në Pezë, për të kaluar fundjavën me shokun e tij Dash Pezën, djalin e Myslim Pezës. Në 80 vjetorin e Konferencës në fjalë, që shënonte një përvjetor jubilar, jo vetëm nuk erdhi, por siç duan të thonë, urdhëroi të mos vinin as Presidenti Begaj, e as Kryetarja e Parlamentit, Nikolla. Dhe të mos harrojmë: distanca Tiranë – Pezë është vetëm 12 Kilometra.
KRYEMINISTRI RAMA PËR VETERANËT E KOMUNISTËT, PËR LANÇ
DHE PËR PARTINË SOCIALISTE”
Por më interesantet dhe më të rëndësishmet, janë thëniet me gojë e me shkrim të Kryeministrit Rama për LANÇ, për Veteranët dhe komunistët, si dhe për Partinë Socialiste, me të cilën ka fituar tre mandate qeverisjeje, dhe përgatitet të fitojë mandatin e katërt:
. Për Veteranët dhe komunistët: Ka shkruar shumë qartë e shumë shkurt në vitin 1990 kur luftonte të merrte kreun e Partisë Demokratike. Në ato ditë, apo pak më vonë, së bashku me të ndjerin Ardian Klosi, botoi librin “Refleksione”, ku diku aty nga mesi i librit shkruan e zeza mbi të bardhë: “Komunistët në litar, Veteranët në hanxhar”, tog – fjalësh që deri tani nuk i ka mohuar qoftë dhe formalisht me gojë.
. Për LANÇ: Nga paragrafi i tretë i faqes 180 të librit të mësipërm po citoi: “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile . . . Historia e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë (Po si t’ia merrte pushtetin nazifashistëve, me lutje?!), që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm, që ajo luftë e nisur kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile . . .!”
. Për Partinë Socialiste: Po në këtë libër, në faqen 182, Edi Rama, kryetar i saj sot, degjeneron PS për origjinën dhe historinë: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit, është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PS –ja, për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare. . . . Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”.
Këto konkluzione të fundit, tregojnë se Edi Rama, tre mandatet që kaluan, i paska marrë me pa të drejtë, sepse ato i ka fituar me një parti të paligjshme. Të paktën të japë dorëheqjen në këtë raundin e katërt, që të rregullohet disi “biografia politike” e karierës së tij.
. . .
Siç shihet edhe nga këto pak argumente, nuk ka faj Çelo Ballisti, kur kryetar i Ballit bëhet Kryeministri. Asnjë ballist, zogist apo kolaboracionist, nuk mund të nxjerrë as majën e veshit kundër LANÇ të Popullit Shqiptar, njohur dhe vlerësuar nga Aleanca e Madhe Antifashiste Botërore, nëse nuk gjen mbështetje tek pushtetarët e korruptuar politikisht. Ajo që mund të shkruhet në këtë fund shkrimi, është THIRRJA:
TË MBROJMË ME ÇDO ÇMIM VLERAT E LANÇ DHE GJAKUN E DËSHMORËVE!
Mbrojtja e vlerave historike e kombëtare të LANÇ e të Dëshmorëve të saj, është detyrë e të gjithë shqiptarëve, por veçanërisht detyrë morale, atdhetare e ligjore e Organizatës së Vetëranëve dhe pasardhësve të LANÇ “Nderi I Kombit”! Kjo mbrojtje duhet të realizohet jo vetëm me fjalë, me shkrime e deklarata, por edhe me rrugë ligjore, duke kërkuar dënimin penalisht të personave, apo dhe institucioneve që prekin Luftën tonë Çlirimtare, EPOKËN MË TË LAVDISHME TË HISTORISË SË SHQIPTARËVE. Ajo është histori e shkruar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të popullit shqiptar, dhe askush nuk mund të shkellë mbi këtë gjak të shenjtë.
FLAMURI, GJUHA DHE HISTORIA, NUK MUND TË PREKEN!
—————————-
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!