Ansambli “Bresana” të shtunën më 28 dhjetor 2024, kremton 25-vjetorin e riaktivizimit. Ky çerekshekull i aktivitetit të pa ndërprerë kulmoi me rezultate kulmore duke e shndërruar këtë Ansambël në ambasador të kulturës opojane!
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
I themeluar shumë vjet më parë dhe i riaktivizuar në vitin 1999, Ansambli “Bresana”, nga fshati i Opojës me po të njëjtin emër, tashmë ka bërë emër, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ky Ansambël, i cili tubon rreth vetes talente të reja, të cilët kanë vullnet dhe optimizëm, ka për synim që sa më denjësisht t’i paraqes para publikut vlerat e mirëfillta kulturo-artistike, të ruajtura me fanatizëm në trevën e Opojës, që nga kohërat më të lashta e deri më sot.
Tradita jonë kulturore kombëtare, me gjithë vështirësitë e mëdha të jetës së popullit, nën okupimin shekullor, nuk u shua kurrë. Përkundrazi, vazhdoi të jetë ushqim shpirtëror për edukimin e brezave për të bukurën e artit popullor dhe për vlerat që reflekton ai edhe në traditat kulturore të përbotshme.
Ruajtës dhe kultivues i kujdesshëm nëpër kohë i këtyre vlerave, qe edhe Opoja, si burim i pashtershëm i talentëve dhe talenteve të reja. Energji e theksuar krijuese në këtë frymë është reflektuar, madje edhe gjatë okupimit të fundit klasik. Sidomos vlen të përmenden vitet e 80-ta, kur vepronte një numër i madh shoqërish amatore në këtë trevë, duke zënë vende meritore edhe në festivale të ndryshme kombëtare. Në këtë mes, me traditë mbeti Ansambli “Bresana”, nga fshati Bresanë, i cili për mbi gjysmë shekulli mban gjallë frymën artistike në këto hapësira.
Ideja dhe koncepti i këtij Ansambli, kryekëput ka qenë ruajtja dhe kultivimi i vlerave kombëtare, në lëmin e folklorit autokton të trevës së Opojës. Është ende i freskët prezantimi dinjitoz i këtij Ansambli në “Qytetin e Shpëtimit”, në Kukësin emblematik, kur koncertin e titulluar “Faleminderit Kukës”, e përcollën afro 10 mijë njerëz, të tubuar në sheshin përpara Shtëpisë së Kulturës të këtij qyteti. Krahas paraqitjeve nëpër manifestime të ndryshme kulturore, ka pasur edhe shumë paraqitje në festivale folklorike, të organizuara në Gjonaj të Hasit, në Revistën e folklorit burimor shqiptar “Drenasi”, në festivalin mbarëkombëtar “Rapsha”, në Tuz të Malit të Zi etj. Sukses të madh kjo shoqëri ka arritur në dy edicionet e fundit të festivalit të njohur të Gjirokastrës, ku e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrë të denjë, duke e marrë madje në këtë festival çmimin e tretë (2004) dhe çmimin e dytë (2009).
Jo vetëm këtu, por nga secili aktivitet që ka marrë pjesë, ka bërë një prezantim dinjitoz të vlerave burimore të trevës që e ka përfaqësuar dhe është kthyer i shpërblyer. Shumë çmime, mirënjohje e lëvdata, stolisin sot vitrinat e këtij Ansambli.
Zanafillën e krijimit të këtij Ansambli, duhet kërkuar në fund të viteve të 60-ta, kur në shkollën fillore të fshatit Bresanë, që atëbotë mbante emrin “29 Nëntori”, disa arsimtarë entuziastë përgatisnin korin e shkollës.
Nga ky grup muzikor i shkollës, falë edhe ndihmës së arsimtarëve, si Salajdin Tafili, Sejran Ademi, Hajdar Çekaj etj., lindin talentë të rinj, të cilët shumë shpejt bëhen të njohur për publikun lokal, por edhe më gjerë. Vlen të përmenden kompozitori, Rami Ymeri, pastaj Nuridin Kuteli, Myzafer Lutfiu, Agim Spahiu, etj. Pikërisht këta do ta mbajnë gjallë për gjysmë shekulli jetën kulturore, duke përgatitur gjenerata të tëra talentësh të muzikës.
Gjatë viteve të shtatëdhjeta, grupi artistik i shkollës përgatit programe kulturore dhe merr pjesë aktive nëpër manifestime të ndryshme që organizoheshin për festa shtetërore, shënime të përvjetorëve, ditëve të shkollave etj. Pothuajse nga të gjitha këto aktivitete, shkolla e Bresanës kthehej me çmimet e para. Në këtë periudhë, me angazhimin e tyre janë dalluar: Myzafer Llutfiu, Musli Rasimi, Salajdin Hajredini, Bashkim Muharremi, Agim Hamza, Sejran Ademi, Nuridin Kuteli, Sefidin Kalanderi etj.
Përvoja e krijuar nëpër këto aktivitete dhe shtimi i talenteve të rinj nga radhët e nxënësve të shkollës, të cilët në atë periudhë, me të madhe, mësonin ekzekutimin e veglave muzikore, si dhe vallet dhe këndimin, e bën të domosdoshme nevojën e krijimit të një shoqërie artistike, ku kontributin e tyre do të mund ta jepnin edhe ata anëtarë, që tashmë nuk ishin nxënës të shkollës. Kështu, në fillim të viteve tetëdhjeta, krijohet SHKA “Aradha e Sharrit”, që mund të quhet me të drejtë, pararendëse e Ansamblit “Bresana”.
Kjo shoqëri, krahas pjesëmarrjes në aktivitetet komunale, merr pjesë edhe në Festivalin tradicional të folklorit, që organizohej në Drenas, ku me paraqitjen dinjitoze bie në sy dhe përfiton simpatinë, jo vetëm të publikut por edhe të ekspertëve të ndryshëm të muzikës.
Edhe SHKA “Aradha e Sharrit”, pothuajse ka të njëjtin fat me pararendësen e saj “Avni Rrustemi”. Në vitin 1984, 14 të rinj nga fshati Bresanë, shumica prej të cilëve anëtarë të SHKA “Bresana”, dënohen nga Gjykata komunale për Kundërvajtje, për arsye se një shoku të tyre (Afrim Shyqeriut), me rastin e martesës i dërgojnë peshqesh një pikturë të kryeheroit kombëtar, Skënderbeut, të stolisur anash me dy flamuj kombëtar. Sikur të mos mjaftohej me këtë dënim absurd edhe Demir Reshiti, autori i këtij shkrimi, dënohet me 90 ditë burg, ndërsa 13 të tjerë me të holla. Komiteti i LKJ-së, i cili mbikëqyrte çdo aktivitet, kërkon nga udhëheqja e kësaj SHKA-je që “nacionalistët” t’i largonte nga gjiri i vet. Largimi i tyre, nënkuptonte edhe shuarjen e Shoqërisë, meqë përbënin gati gjysmën e saj. SHKA “Aradha e Sharrit” ka mbajtur të gjallë jetën kulturore në fshat e më gjerë, gjatë dekadës së tetë të shekullit të kaluar. Në këtë periudhë, vlen të përmendet pjesëmarrja e saj në Festivalin e Drenasit, por edhe të disa anëtarëve në festivale të ndryshme të folklorit, që janë organizuar atëbotë në Zagreb, Ohër etj.
Fundi i viteve tetëdhjeta dhe fillimi i viteve nëntëdhjeta, që karakterizohen më grevën e minatorëve të Trepçës dhe protestat e mëdha gjithëpopullore, në përkrahje të minatorëve, bënë që të krijohej një frymë e re entuziazmi. Rënia e komunizmit dhe lindja e sistemit pluralist, dalja në skenë e nacionalizmit serb, në krye me Milosheviqin, bënë që shqiptarët ta marrin në dorë fatin e tyre. Presioneve që vinin nga Beogradi, mbyllja e shkollave dhe institucioneve kulturore, shqiptarët iu përgjigjen me organizimin paralel. Në këtë periudhë, shqiptarët shquhen për një entuziazëm të pashoq. Pothuajse nëpër të gjitha fshatrat e Opojës qenë themeluar shoqëri kuluro-artistike e grupe të ndryshme muzikore e teatrale, të cilat tubonin rreth vetës talente të reja. Edhe në Bresanë ringjallet jeta kulturore, e bashkë me të edhe talentet e muzikës që tashmë kishin një përvojë nga organizimet e mëhershme. Në këtë periudhë shquhen Masar Sinani, Bardhyl Abazi, Vajdin Asllani, Ylber Vehbiu, Ymet Tosuni, Qemal Ibrahimi e të tjerë, të cilët shfaqin programe artistike, me rastin e festave të ndryshme kombëtare. Këta njerëz e kanë mbajtur gjallë jetën artistike, pothuajse gjatë tërë dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, deri në vitin 1997, ku si pasojë e luftës në Kosovë, qe ndërprerë çdo aktivitet kulturor. Në këtë periudhë, madje edhe dasmat bëheshin pa instrumentet karakteristike, lodrat dhe cyrlet!
Çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999, bëri që sërish të ringjallet jeta kulturore, e bashkë me të, edhe të formohet Shoqëria Kulturo-Artistike, e cila do ta mbaj emrin “Bresana”. Kjo, në fakt, ishte vazhdimësi e SHKA-së “Aradha e Sharrit”, por tani me një vizion të ri, me njerëz të rinj dhe shumë më e kompletuar. Kuvendi themelues u mbajt më 12 dhjetor 1999. Menjëherë të nesërmen filluan ushtrimet dhe koncerti i parë u dha në manifestimin “Flaka e Janarit” në Sharr, të organizuar nga Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” nga kjo komunë. Prezantimi dinjitoz në këtë manifestim dhe duartrokitjet e gjata të shikuesve, e shtuan besimin dhe entuziazmin e anëtarëve. Kjo bëri që shoqërisë t’i bashkëngjitën edhe më shumë anëtarë, jo vetëm nga Bresana, por edhe nga fshatrat përreth.
Një koncert i mbajtur në Bresanë dhe një tjetër në Sharr, ishin një përvojë relativisht e mirë, që ndikoi në shtimin e vetëbesimit të anëtarëve dhe përgatitjen për prezantime në aktivitete më serioze. Në prill të vitit 2000, konkretisht në njëvjetorin e dëbimit masiv të opojanëve për në Shqipëri, Ansambli “Bresana” udhëton për në Kukës, ku shfaq koncertin “Faleminderit Kukës”, i cili u përcoll nga rreth 10 mijë njerëz, të tubuar në sheshin përpara shtëpisë së kulturës të këtij qyteti. Ishte grupi i parë artistik nga Kosova që po kthehej pas një viti, për ta falënderuar Kukësin për mikpritjen që u bëri atyre një vjet më parë, kur ua hapi dyert dhe zemrat. Edhe sot është i freskët në mendjen e kuksianëve defilimi nëpër rrugën kryesore të Kukësit, që i parapriu këtij koncerti, kur vallëzonin bashkërisht opojanë e lumjanë. Ishin ato momente të papërshkruara gëzimi. Prezantimit dinjitoz të bresanasve në Kukës, iu dha hapësirë e madhe publicitare në mediat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky koncert shërbeu si një ogur i mirë për Ansamblin “Bresana”, i cili më pas do të ftohej në secilin festival që organizohet në Kosovë dhe jashtë saj. Në secilin festival “Bresana” bëri paraqitje dinjitoze duke u shpërblyer me çmime, medalje e mirënjohje, dhe brenda pak vitesh u shndërrua në njërën nga ansamblet më të suksesshme kulturo-artistike, jo vetëm në Kosovë por në mbarë hapësirën shqiptare.
Ansambli “Bresana” ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e pasluftës të festivalit të folklorit burimor “Hasi Jehon”, që organizohet nga SHKA “Malësori”, në fillim të muajit maj në fshatin Gjonaj të Hasit, ku në të marrin pjesë afërsisht 20 shoqëri, ansamble, grupe rapsodësh dhe grupe muzikore nga mbarë hapësira shqiptare. Festivali ka karakter garues dhe ndanë tri çmime kryesore; “Malësori”, “Malësorja” dhe “Lahuta e Malësisë”. Ansambli “Bresana” është laureate e të tri këtyre çmimeve, madje dy të parat i ka fituar disa herë, ndërkohë që ka fituar edhe disa çmime speciale që ndahen në këtë festival. Ansambli “Bresana” ka qenë pjesëmarrëse e rregullt edhe në Festivalin tradicional që është mbajtur në Prizren, nga viti 2000 deri në vitin 2007. Në të gjitha këto edicione, është prezantuar denjësisht dhe është shpërblyer me çmime të ndryshme, medalje e mirënjohje të shumta.
Në Tuz të Malësisë së Madhe, çdo të dytën vjet organizohet Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha”. Në këtë Festival marrin pjesë Grupet, SHKA-të dhe Ansamblet Folklorike kombëtare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj., përfshirë edhe ato të ngulimeve të vjetra e të reja jashtë trojeve kombëtare dhe të mërgatës së përkohshme, të cilat kultivojnë folklorin burimor, në bazë të ftesës së organizatorit. Koncepti i Festivalit ka përcaktimin rajonal të vlerave, prej nga vijnë pjesëmarrësit. Përmbajtja e programit duhet të jetë sa më burimore dhe kërkohet që çdo pjesëmarrës të prezantohet me folklor të rrethit nga ai vjen. Poashtu, kërkohet që veshja (kostumet) e pjesëmarrësve të jenë sa më origjinale. “Bresana” është prezantuar pothuajse në të gjitha edicionet e e këtij festivali, ku ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme, duke fituar një mori çmimesh që ndan organizatori i këtij festivali.
Kulmin e suksesit Ansambli “Bresana” e ka arritur në dy edicionet të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Vetë pjesëmarrja në këtë festival, ishte një sfidë e madhe për “Bresanën”. Siç dihet, Festivali Folklorik i Gjirokastrës është një nga evenimentet më të bukura të muzikës popullore shqiptare. Kjo veprimtari shumë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore kombëtare, zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të këtij qyteti muze. Në edicionin e VIII-të të këtij festivali, i cili është mbajtur nga 29 shtator deri më 5 tetor 2004, “Bresana” është paraqitur me ritet pagane, karakteristike të zonës, si dhe me elemente të dasmës opojane. Nga ky edicion, “Bresana” është kthyer me çmimin e tretë të festivalit, të cilin e ka ndarë me grupet e Fierit dhe Elbasanit.
Ndërkaq, në edicionin e nëntë të festivalit të Gjirokastrës, i cili është zhvilluar nga 24-29 shtator, “Bresana” është prezantuar me elemente të Dasmës së Opojës. Paraqitja e saj është vlerësuar lartë, si nga publiku ashtu edhe nga juria. Këtë radhë, “Bresana” ka fituar çmimin e dytë (në shkallë qarku), në kuadër të Grupit Kosova 2.
Ansambli “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit “Sharri këndon” në Tetovë, si mysafire speciale. Festivali është mbajtur në qershor të vitit 2005, ndërsa “Bresana” është prezantuar në natën e tretë finale. Qysh me rastin e defileut që është organizuar nëpër rrugët e qytetit të Tetovës, bresanasit kanë përfituar simpatinë e publikut dhe paraqitja e tyre në skenën e shtëpisë së kulturës në Tetovë, është pritur me duartrokitje të gjata. Nga organizatori i festivalit, “Bresana” është nderuar me çmim special.
Ansambli “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në Festivalin e XVII-të të Shoqërive dhe Ansambleve Kulturo-artistike “Kaçaniku 2006”, ku në mënyrë dinjitoze ka shpalosur vlerat e folklorit burimor opojan.
Në Revistën e Folklorit Burimor Kosovar (RFBK), që dikur ishte i vetmi festival folklorik në Kosovë, “Bresana” ka marrë pjesë në disa edicione. Në vitet e tetëdhjeta në RFBK janë prezantuar kryesisht grupe valltarësh nga ky fshat, ndërsa në dy edicionet e pasluftës (2002 dhe 2006), ku edhe fillon të mbahet çdo katër vjet me emër të ri, si Revista e Folklorit Burimor Shqiptar e Drenasit, Ansambli “Bresana” është paraqitur e kompletuar dhe është mirëpritur nga të pranishmit. Në RFBSH “Drenasi 2006”, ku kishte një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të shoqërive të ndryshme kulturo-artistike nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva dhe Kosova, “Bresana” është vlerësuar ndër shoqëritë më të mira.
Nga data 1 deri 5 gusht të vitit 2009, Ansambli “Bresana” e ka përfaqësuar Kosovën në edicionin e pestë të Festivalit Folklorik Mesdhetar “Vlora 2009”. Në këtë festival kanë marrë pjesë katërmbëdhjetë grupe folklorike nga Bosnja, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Festivali është zhvilluar në skenat verore, në tre sheshe të qytetit. Në secilën nga pesë paraqitjet që i ka pasur, “Bresana” është përcjellë nga një numër i madh i publikut vendës dhe të huaj, si dhe i është dhënë hapësirë e madhe mediale, ngase po e përfaqësonte shtetin më të ri në botë.
Ansambli “Bresana” ka marrë pjesë gjithashtu edhe në festivale të rinisë që janë organizuar në Prishtinë, Prizren, Sharr dhe Bresanë. Ky Ansambel me programet e veta është paraqitur, pothuajse në të gjitha edicionet e manifestimit tradicional letrar “Ora e madhe letrare e Ymer Prizrenit”, që organizohet çdo vit në fshatin Zgatar, si dhe ka dhënë koncerte me rastin e festave të ndryshme. Vlen të përmendet këtu edhe pjesëmarrja në aktivitetin e organizuar në Prishtinë, me rastin e Ditës së çlirimit të SHBA-së, pastaj me rastin e hapjes së Muzeut Etnologjik, etj.
Ansambli “Bresana”, gjatë këtij çerekshekulli të riaktivizimit, ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha edicionet e festivaleve të ndryshme që mbahen në komuna të ndryshme të Kosovës prej nga është kthyer gjithmonë me çmime e shpërblime të ndryshme për Ansamblin por edhe çmime individuale për disa nga anëtarët që kishin performancë të shkëlqyer. Sot në vitrinat e këtij Ansambli janë qindra plaketa, mirënjohje, kupa e medalje të fituara nga paraqitja nëpër koncerte, festivale e manifestime të ndryshme kulturore.
Sukseset e pamohueshme të Ansamblit “Bresana” kulmuan me organizimin e festivalit mbarëkombëtar “Opoja Vallëzon” të organizuar në fshatin Bresanë në vigjilje të kremtimit të 20 vjetorit të riaktivizimit të këtij Ansambli.
Edicioni i parë i këtij festivali u organizua në datat 25, 26 dhe 27 korrik të vitit 1999 me pjesëmarrje të ansambleve dhe shoqërive kulturo-artistike nga të gjitha trojet shqiptare. Ky festival është mbështetur nga MKRS dhe Kuvendi Komunal i Dragashit.
Festivali u organizua në ambient të hapur në oborrin e shkollës “28 Nëntori” në Bresanë, dhe zgjati nga dy orë, për secilën mbrëmje – duke filluar nga ora 19:00. Në festival morën pjesë grupe të njohura nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, etj.
Zhvillimi me sukses i edicionit të parë të këtij festivali ishte një ogur i mirë dhe e mobilizoi edhe më shumë Ansamblin “Bresana” për të vazhduar me suksese dhe pa humbur kohë vazhduan me përgatitjet për organizimin e edicionit të dytë.
Edicioni i dytë për shkak të pandemisë Covid-19 u organizua në rrethana të jashtëzakonshme në datat 10 dhe 11 tetor, në fushën e sporteve “Qëndresa” në Kapre duke i respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik.
Ansamblet pjesëmarrëse në edicionin e dytë të festivalit “Opoja Vallëzon” krahas Ansamblit “Bresana” ishin SHKA “Anamorava” Viti, SHKA “Jahi Hasani” Çegran – Gostivar, Ansambli “Plus Dans” Elbasan, Ansambli “Rugova” Pejë, SHKA “Zëri i Kosovës” Fushë Kosovë, SHKA “Katarina Josipi” Zym – Has, SHKA “Kosova” Prishtinë, SHKA “Malësori” Gjonaj – Has, AFKV “Mati” Burrel, SHKA “Minatori i Ri” Kishnicë – Prishtinë, SHKA “Shqiponja” Saraj – Shkup dhe SHKA “Bajram Shabani” Kumanovë.
Ndonëse i organizuar në rrethana të jashtëzakonshme edhe ky edicion përfundoi me sukses dhe u vlerësua lartë nga të pranishmit.
Edicioni i tretë i Festivalit “Opoja Vallëzon” u rikthye në ambient të hapur në oborrin e shkollës në Bresanë, më datat 10, 11 dhe 12 gusht 2021. E veçanta e këtij edicioni ishte se krahas grupeve artistike nga trojet shqiptare, ishin të pranishme edhe grupe nga vendet ballkanike. Ky organizim u pasurua edhe më shumë nga prezenca e këngëtareve nga estrada jonë. Pjesëmarrëse në edicionin e dytë të festivalit “Opoja Vallëzon” krahas Ansamblit “Bresana” ishin: AKV “Hajvalia” – Hajvali, SHKA “Mirqe Acev” – Prilep (Maqedonia e Veriut), AKV “Deçani” – Deçan, Ansambli “Visaret e Krrabës” – Tiranë, Ansambli “Jonuz Ramadani” – Smirë-Viti, Ansambli “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë, SHKA “Duga” – Podgoricë (Mali i Zi), SHKA “Komorani” – Komoran, Drenas, SHKA “Maja e Karafilit” – Vuthaj (Mali i Zi), SHKA “Qendra Kulturore” – Kaçanik, SHKA “Bajram Shabani” – Kumanovë, dhe Ansambli “Vaçe Zela” – Fier.
Edicioni i katërt i Festivalit “Opoja Vallëzon” u mbajt në datat 11, 12 dhe 13 korrik të vitit 2022. Për të katërtin vit radhazi, Bresana e Opojës u kthye në kryeqendrën e valleve folklorike e burimore mbarëkombëtare. Në oborrin e shkollës fillore “28 Nëntori” në qendër të fshatit Bresanë, banorët dhe miqtë e ardhur nga Opoja dhe vende tjera shijuan dhe përcollën më shumë endje këtë festival. Në festival morën pjesë Ansamblet, SH.K.A-të dhe Grupet më të mira mbarëkombëtare nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut: SHKA “Zëri i Kosovës” – Fushë Kosovë, AKV “Hajvalia” – Hajvali, Prishtinë, Grupi Artistik “Alba Folk” – Tiranë, Qendra Kulturore “Kaçaniku” – Kaçanik, SHKA “Dufla” – Saraj-Shkup, SHKA “Maja e Karanfilit” – Vuthaj (Mal i Zi), AKV “Zëri i Kamenicës” – Kamenicë, SHKA “Kastriotët” – Ferizaj, SHKA “Minatori i ri” – Kishnicë, Ansambli “Visaret e Krrabës” – Tiranë, SHKA “Malësori” – Gjonaj, AKV “Deçani” – Deçan, AKV “Shqipet Drenicës” – Drenas, SHKA “Bajram Curri” – Prishtinë, SHKA “Katarina Josipi” – Zym, dhe nikoqiri Ansambli “Bresana”.
Juria profesionale e përbërë nga Dilaver Kryeziu, prof. dr. Ukë Xhema, dr. Valon Shkodra, Sami Pira, kanë përcjell gjatë tri ditëve prezantimin e këtyre shoqërive kulturore e artistike dhe ka vendos që t’i ndaj këto çmime: Vendi i parë iu nda SHKA “Bajram Curri” nga Prishtina; Vendi i dytë iu nda Ansamblit “Kastriotet” nga Ferizaj, Vendi i tretë iu nda SHKA “Malësori nga Gjonajt, dhe Çmimi i diasporës iu nda Ansamblit “Deçani” nga Deçani. Organizatori ka nda edhe çmime për kostumet më të mira, valltaren më të mirë, valltarin më të mirë, dyshja e valltareve më të mirë, vallja burimore dhe debutuesi më i mirë. Festivali u mbyll me mesazhin se edicioni i pestë do të këtë karakter ballkanik.
Edicioni i pestë i Festivalit tashmë tradicional “Opoja Vallëzon” u organizua me pjesëmarrje të grupeve nga mbarë gjeografia kulturore shqiptare por edhe nga vende tjera të Ballkanit dhe jo vetëm. Festivali u mbajt në ambient të hapur në oborrin e shkollës “28 Nëntori” në Bresanë, në datat 21, 22 dhe 23 korrik 2023.
Në këtë edicion të festivalit mysafire ishte antropologia e njohur amerikane Janet Reineck, e cila solli me vete një grup prej 11 amerikanësh të cilët do të mësojnë më shumë për kulturën dhe rajonin e Opojës në përgjithësi. Në kuadër të festivalit u hap edhe ekspozita me titull “Lehtësia e jetës” e autores Lena Marku nga Rijeka e Kroacisë.
Pjesëmarrës në këtë edicion krahas ansamblit nikoqir “Bresana” ishin: Folk Dance Ansamble “KVITY UKRAYINY” nga Ukraina, Folk Group “IZVORA” Elin Pelin nga Bullgaria, CAA “BIHOR” Petnjica nga Mali i zi, AKV “DEÇANI” nga Deçani, Ansamble “MOSTENITORII” Nisporeni nga Moldavia, CAA “MLADIH” Novi Pazar nga Sanxhaku, CAA “GOCE MARKOSKI” -Shkup, Mazurian Song and Dance Ensamble “ELK nga Polonia, CAA “TEKSTILAC” Bijelo Polje,-Mali i zi, “15 TEMMUZ ŞEHITLERI ANADOLU LISESI” nga Turqia, Ansambli “DIBRA” Peshkopi dhe në cilësinë e mysafirit ishte Ansambli Nacional i Këngëve dhe Valleve “Maqedonia e Veriut”.
Juria e festivalit vendin e parë ia ndau Ansamblit “KVITY UKRAYINY” nga Ukraina e gjithashtu u ndanë edhe çmime tjera për grupet pjesëmarrëse dhe individët më të suksesshëm.
Edhe edicioni i gjashtë i festivalit “Opoja Vallëzon” i shndërruar për të dytin vit me radhë në festival ballkanik, u realizua me sukses nga Ansambli “Bresana” në cilësinë e organizatorit dhe me mbështetje nga MKRS dhe Kuvendi komunal Dragash. Festivaliu organizua në datat 29, 30 dhe 31 ditë në oborrin e shkollës “28 Nëntori” në Bresanë me pjesëmarrje të grupeve nga Kosova, Shqipëria si dhe shtete Ballkanike e Evropiane: Ansambli “Bresana” Ansambli “Visaret e Krrabes” Shqipëri; GSK “Dernegi” (NAKEM) – Turqi; KKTC “Iskele” – Qipro; Ansambli “Kapantsi” Bullgari; Ansambli “Suwalszczyzna” Poloni; CUD “Textilac” Mali i Zi; SHKA “Konaku i Rrajcës” Shqipëri; KUD “Kiril i Metodi” Maqedonia Veriore; Ansambli “Rozhaje” Mali i Zi; Ansambli “Zëri i Kosovës” Kosovë; AKV “Deçani” Kosovë; dhe “Qendra Kulturore Kaçaniku” Kaçanik.
Simbol i edicionit të gjashtë të Festivalit Ballkanik të Valleve “Opoja Vallëzon” ishte shamia e verdhë e vajzave.
Në natën e fundit të Festivalit u dhanë çmime për valltarin më të mirë, valltaren më të mirë, valltarët më të mirë, koreografinë më të mirë, instrumentistin dhe orkestrën më të mirë, kostumin më të mirë, paraqitjen artistike më të mirë. Çmimi kryesor i Festivalit, iu nda GSK “Dernegi” (NAKEM) nga Bursa e Turqisë.
Vlen të theksohet se në të gjitha edicionet e festivalit “Opoja vallëzon” moderatore ishte gazetarja e mirënjohur opojane Valbona Musliu-Sinani.
Organizimi me sukses i këtij festivali dhe hapësira mediale që iu dha, ndikuan që Ansambli “Bresana” të bëhet i njohur dhe i respektuar jo vetëm brenda kufijve kombëtarë por edhe në rajon, Evropë e më gjerë. Pothuajse nuk ka asnjë festival e ngjarje kulturore të organizuara në vend që nuk është ftuar Ansambli “Bresana” dhe prej andej është kthyer me çmime të para, medalje, dekorata e vlerësime. Krahas pjesëmarrjes në manifestime kulturore e festivale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, Ansambli “Bresana” mori pjesë edhe në Bullgari, Turqi e vende tjera.
Aktualisht, Ansambli “Bresana” udhëhiqet nga kryesia e përbërë nga anëtarë që në periudha të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e punës. Drejtor i Ansamblit, që nga viti 1999, është Fejsal Shaqiri, sekretar Salim Salihu, ndërsa udhëheqës artistik, Myzafer Lutfiu. Disa nga anëtarët e kryesisë në periudha të ndryshme ishin: Demir Reshiti, Shaban Shabani, Naser Nesimi, Gjelal Ibrahimi, Gursel Idrizi, Muhamet Sinani, Vajdin Asllani, Qazim Muhameti, Qemal Kasami, Nexhat Ramadani, Daut Rakipi, etj.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!