Veç ditëlindje ka Enveri
———————–
Enver Hoxha.
Kur flasim për Kosovën dhe kosovarët nuk kemi
parasysh vetëm atë, si krahinë gjeografike, por çështjen
e të gjitha tokave dhe të të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve aktualë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ngjitur me kufijtë e atdheut mëmë, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Në kuptimin më të gjerë e më të plotë, këtu është fjala për Shqipërinë dhe për shqiptarët si komb që përbën një problem historik, politik, ekonomik dhe etnik të vetëm.
Populli shqiptar ka etnogjenezën dhe formacionin e vet kombëtar të përcaktuar në shekuj, të gjitha tiparet e duhura të një kombi, ka historinë, zhvillimin ekonomik, kulturën dhe zakonet e veta kombëtare shumë-
shekullore, politikën e tij etj.
Ky është një realitet i pakundërshtueshëm si në planin historik, ashtu edhe në atë politik. Problemi i shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, nuk është problem i një “minoriteti” i ardhur apo i vendosur diku në një zonë vakuum si emigracion ekonomik, as i shkaktuar nga dyndja e Perandorisë Osmane dhe as nga rritja e natyrshme demografike e shqiptarëve që i shqetëson Maltusët e rinj serbomëdhenj.
Shqiptarët në Jugosllavi përbëjnë një etni, një popull të formuar në shekuj, që ka historinë, gjuhën, kulturën e vet, një popull autokton, të cilin, siç dihet, fuqitë e mëdha imperialiste e copëtuan, e shkëputën nga mëmëdheu i vet dhe ia aneksuan Jugosllavisë. Këtë, askush nuk mund ta fshehë. Çdo interpretim tjetër i këtij problemi e i kësaj çështjeje është arbitrar, është një shtrembërim, një falsifikim i rëndë e i dëmshëm i historisë.
Prandaj, problemi i kombit shqiptar, i popullit shqiptar dhe veçanërisht i shqiptarëve në Jugosllavi, që janë një pjesë e madhe përbërëse e popullit shqiptar, ka qenë dhe është një problem i vetëm historik. Populli shqiptar ka luftuar pa pushim e në shekuj kundër armiqve të egër e shumë më të mëdhenj në numër.
Në të gjitha këto luftëra shekullore, humbjesh e fitoresh, vite robërie, populli shqiptar asnjëherë në historinë e tij nuk e humbi qenien e vet si komb. Përkundrazi, në çdo rrethanë e ka manifestuar atë me një vitalitet të jashtëzakonshëm e shembullor.
Ai nuk e humbi as unitetin e tij dhe as qenien e vet si një shtet në formim dhe në zhvillim. Perandoritë botërore dhe fuqitë e mëdha nuk e zhdukën dot etninë kompakte të shqiptarëve, as nuk mundën ta asimilonin, t’i ndërronin kulturën, gjuhën, doket dhe zakonet. Këtë e vërteton vetë qenia e popullit shqiptar. Historia tregon se, i vetëm, pa asnjë përkrahje nga fuqi të huaja, të cilat i ka pasur kurdoherë kundër, ai ka rezistuar dhe ka luftuar me sukses për lirinë e kombit të vet dhe për kompaktësinë e tij, ka luftuar për mbrojtjen e pavarësisë si shtet sovran, të kulturës së tij dhe të të drejtave të tij të natyrshme e të ligjshme. Kurdoherë vetëm lufta dhe gjaku i tij i derdhur kanë bërë që të arrihej fitorja.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!