ÇFARË ËSHTË KJO GJËMË MBI SHQIPTARËT?!

04
Jan
2024
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti


Ku i kemi dhe si i kemi sot trojet etnike, numrin e banorëve dhe nivelin e sigurisë kombëtare?
Shqiptarët, të sorollatur pas interesave të veta, duke shikuar përfitimet personale nga pushtetet e huaja, duke vënë besimet fetare mbi interesat kombëtare, të fundit arritën ta krijojnë shtetin e tyre kombëtar në një pjesë të territoreve të veta etnike, pasi popujt fqinj, grekët, serbët, bullgarët dhe malezezët arritën t’i okupojnë pjesën më të madhe të trojeve etnike shqiptare, pas shkatërimit të Perandorisë Osmane dhe forcimit të ndikimit të Rusisë në rajon.
Përderisa nga teoritë mbi shtetet, tri janë elementet kryesore që i përcaktojnë dhe dallojnë ato mes vete: territori, popullsia dhe forcat e sigurisë për mbrotjen dhe sigurinë e sovranitetit (në këtë analizë nuk ka rëndësi rendi shoqëror), atëherë shtrohet pyetja, pse gjithmonë shqiptarët janë goditur dhe vazhdojnë edhe sot të goditen në këto tri elemente thelbësore për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit?
Që llimi ynë me këtë rast është, të reflektojmë sot, si ndodhi që edhe pas kaq tkurrjeve të territoreve etnike shqiptare, edhe sot pushtetet shqiptare të lejojnë dhënien (shitjen) e territoreve shqiptare në favor të shteteve fqinje?
Cila është arsyeja që pushtetet e derisotme, të periudhës tridhjetëvjeçare të demokracisë, lejuan largimin nga vendi të së paku 1/3 së banorëve shqiptarë nga shteti i tyre dhe trojet etnike?
Historia më e re njeh maskra dhe dëbime me dhunë të shqiptarëve, si zbrazja me dhunë e krahinave të tëra shqiptare, Toplica më 1878 dhe Çamëria më 1944, masakrimi i mbi 500 mijë shqiptarëve në luftërat ballkanike dhe qindra mijëra të tjerëve në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, dëbimin me dhunë të mbi 500 mijë shqiptarëve të tjerë nga ish-regjimi komunist kriminal i ish-Jugosllavisë, por si mund të shpjegohet që në rrethana të paqes pushtetet shqiptare të lejojnë shpërnguljen e miliona shqiptarëve nga vatrat e veta etnike, nga shtetet e tyre, nën qeverisje nga pushtete të ashtuquajtura demokratike?
Kur flasin numrat dhe statistikat, bashkë me ato edhe pasojat që krijojnë, duhet të hesht politika, propaganda e pushtetit dhe mediet mercenare!
Politikanët dhe pushtetarët që lejojnë gjatë qeverisjes së tyre, të cenohen rëndë këto tri elemente të shtetit, territori, numri i banorëve dhe siguria kombëtare (rastet konkrete i din gati secili shqiptar), çfarë mund të jenë tjetër këta politikanë dhe pushtetarë, përveçse sharlatanë e injorantë, apo më zi se kaq, kuislingë e tradhtarë të përmasave groteske!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk