Çfarë paraqet 8 nëntori i 1944 për Strugën?!

08
Nov
2024
Shkruan: Medai Shaholli


Çfarë paraqet 8 nëntori i 1944 për Strugën?!
(nga kalendari i ngjarjeve dhe datave të historisë sonë kombëtare)
Si sot më 8 nëntor të vitit 1944, 80 vjet më parë Struga me rrethin do të çlirohet nga partizanët e brigadës së shtatë shqiptare prej okupatorëve nazistë të cilët më parë na kishin formuar gjoja ”Shqipërinë e Madhe” pa asnjë garanci ndërkombëtare që do të njiheshin këto kufij.
Naziskinët si “çlirimtarë” do t’i dhuronin shqiptareve ”Shqipërinë e Madhe”, pa njohje dhe garanca ndërkombëtare, por veç një shtet kukull të nazi-fashizmit si të përkohëshme sa vetë vetë jetëgjatësia e okupatorëve të rinj, pa Shkupin, Kumanovën, Manastirin, Mitrovicën, Kaçanikun,Vitin dhe pa Çamërinë, ajo nuk ishte Shqipëri Etnike, por demagogji ashtu siç bën edhe partizanët e ”druzhe” Titos që nuk mbajtën premtimin e Kartës së Atlantikut dhe vendimet e Konferencës së Bujanit për vetëvendosje të popujve pas luftës.
Ky ishte zhgënjimi i shqiptarëve ndaj pushtetit të ri komunist jugosllav, të mashtruar në emër të Luftës kundër nazi-fashizmit, ku pas saj shqiptarëve do t’i vëndojnë prangat e skllavërisë së re.
Këto fakte historike historianët shqiptarë nuk guxojnë as sot në të ashtuquajturën demokraci t’i quajnë me emrin e vërtetë.
Duke parë nga distanca kohore si sot e 80 vjet më parë në qytetin e Strugës do të hynin si fitimtarë formacionet e para të partizanëve shqiptarë në krye me komisar Qemal Agollin, qytet shqiptar që po çlirohet vetëm nga partizanët shqiptarë të cilët atë ditë e paguan shtrenjtë çmimin e lirisë, ndërsa brigadat sllave qëndronin larg zjarrit të frontit për Strugën dhe bënin sehir nga fshatrat përreth.
Menjëherë pas përfundimit të festës së çlirimit ku partizanët e brigadës së shtatë shqiptare do të vazhdojnë rrugën për beteja të reja, forcat destruktive të nacionalizmit dhe shovinizmit bullgaromadh po atë pasdite ngritën kokë me veprime të njëanëshme antishqiptare duke përdhosur identitetin kombëtar shqiptar me heqjen nga shtiza të shqipes dykrenare.
Kjo ishte paraqitja e parë e nacional-shovinizmit bullgaromadh me përdhosjen e flamujve shqiptarë në Strugë e rrethinë.
Lufta kundër nazi-fashizmit si thirrje e bllokut Antifashist botëror u manipulua nga titistët e asaj kohe ndërsa shqiptarët u përdorën në frontin e Sremit si mish për top.
Përmendorja e Revolucionit e ngritur apostafat në sheshin e qytetit kushtuar Luftës Antifashiste, nuk shkruan asnjë gërmë në gjuhën shqipe për kontributin e qeleshbardhëve në çlirimin e Strugës.
Kjo ishte maska e vëllazërim-bashkimit që po vazhdon edhe sot me pushtetarët e rinj.
Nëse gjatë Luftës Antifashiste shqiptarët e Strugës dhe më gjerë nuk ishin të arsimuar sa duhet kur u mashtruan pas demagogjisë sllave për ‘vëllazërim-bashkim’ të popujve dhe për barazi mes tyre, sot të arsimuar dhe me diploma Universiteti në demonkracinë e re sllave, shqiptarët sërish po e hanë përsëri sapunin për djathë, për gjoja arritje të madhe të statusit të shqiptarëve në demonkracinë sllavo-maqedone të proklamuar me zë të lartë nga liderët sharlatanë shqiptarë, si pasardhës të ujqërve të vjetër, duke na lënë sërish ‘në fund të pusit’ me status të përdhosur dhe si bashkësi etnike e 20%!
Atëherë, çfarë paraqet sot 8 nëntori i 44, çlirim nga nazi-fashizmi apo riokupim nga sllavët dhe pushteti titist, këtë duhet të na thonë hapur dhe pa hezitim historianët dhe liderët politik shqiptarë, ku një grupim gjasme hiqet si nacionalistë dhe një tjetër palë si të moderuar dhe liberalë?!
Nëse është riokupim atëherë çfarë kërkojnë partiçkat tona me pjesëmarrjen në bashkëqeverisjen e këtij qyteti me partitë okupatore sllave?
Dhe nëse është çlirim nga nazi-fashizmi, këtë le të na thonë hapur historianët dhe liderucët shqiptarë, mos të mbajnë qëndrime të dyzuara dhe të lëkundura sipas interesit të partisë dhe të pushtetit.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk