ÇFARË SIMBOLIZON FLAMURI FISNOR I BANORËVE TË REKËS SË DIBRËS?

31
Jan
2023

Shkruan: Akademik. Abdulla Mehmeti
Nga visaret e traditës kombëtare të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Flamuri fisnor dhe rajonal i banorëve të Rekës së Dibrës (emërtimi më i lashtë nga banorët vendës: bajrak), edhe i banorëve të krishterë (ortodoksë) dhe të besimit islam, si: Galicë, Fushë e Lazërit, Gare, Kiçinicë, Nistrovë, Tanushë, Nivisht, Rimnicë, Zhuzhnjë, Niçipur, Vollkovë, Krakarnicë, Beliçicë, Vërben, Bogdë, Sencë, Vërbjan, Bibaj, Grekaj, Vau, Brodec, Duf, Orqushë, Rostushë, Jellovcë, Tërnicë, Reç, Dubovë, Shtirovicë, Strezimir, Zavojcë etj., të cilin flamur banorët e këtij rajoni edhe sot e konsiderojnë simbol të tyre të përbashkët, që tradicionalisht e kanë përdorur në festa kombëtare dhe fetare, në dasma, ceremoni familjare dhe manifestime të tjera, bashkë me flamujt shtetërorë dhe kombëtarë, varësisht nga regjimet sunduese në periudha të caktuara në të kaluarën.
Në këtë flamur, i cili konsiderohet tepër i lashtë, dallohen disa simbole të lidhura bashkë mes tyre, jo siç ka qenë traditë me krijimin e shumë flamujve të tjerë, ku dominon zakonisht një simbol i vetëm. Në këtë flamur dominojnë 4 simbole kryesore: Dragoi, një simbol i lashtë ilir, mbrojtës i natyrës dhe i njeriut; Luani, një simbol i lashtë që haset edhe në stemën e Mbretërisë së Dardanisë; Shqiponja dykrenore, simbol i lashtë ilir, i cili është përdorur edhe në Perandorinë Romake Lindore (Buzani) dhe sidomos nga principata Arbërore e Kastriotëve; si dhe Gjysmëhëna dhe ylli me gjashtë cepa, një simbol i lashtë ilir, i cili është përdorur edhe në stemën e mbretërive ilire dhe simbol i qytetit të lashtë Buzani (më vonë: Kontandinia, Stambolli), kryeqyteti i lashtë i Perandorisë Romake Lindore (Roma e Re, Buzani) dhe i Perandorisë Osmane.
Të gjitha elementet në këtë flamur, të njohura si simbole ilire, disa studiues i shpjegojnë me faktin se, gjatë Mesjetës të gjithë banorët e Gadishullit Ilirik e kanë konsideruar veten ilirë. (Siç thonë disa studiues të sotëm, edhe fiset sllave, sidomos Mijakët, fisi më i madh ndër shqiptarët ortodoksë të Rekës).
Në mes të flamurit fisnor dhe rajonal të banorëve të Rekës, dominon një kryq në kornizë prej rrezeve të diellit (simbol i lashtë i kultit ilir të Diellit), në të cilin janë të shkruara 4 shkurtesa me nga dy shkronja të alfabetit Cirilik (ky alfabet nuk është sllav, por është përvetësuar prej tyre, fillimisht për nevoja të kishës, në shkrimet e gjuhës së vjetër kishtare), në dy radhë: ИС-ХР/НИ-КА, që sipas alfabetit latin lexohen: IS-HR/NI-KA. Këto shkronja disa arkeologë, studiues dhe njohës të hiraldikës thonë se kanë këtë përmbajtje: “IS-Jezu – HR-Krishti; NI-KA – Fitimtari”.
Përderisa dy shkurtesat me shkronjat e para kanë shpjegim të plotë, kjo nuk mund të thuhet për shkurtesat e radhës së dytë “NI-KA”, siç e shpjegojnë këta studiues, por, sipas supozimeve tona, shpjegimi i saktë dhe i plotë i tyre duhet të lidhet me shkurtesat e emrit e njërit nga princërit e parë të Arbërisë, nga fisi i Topiajve, i cili ka sunduar në rrethin e Krujës deri në krahinën e Rekës, gjatë shek. XIV-XV.
Sigurisht, përveç emrit të profetit Jezu Krishti, banorët e këtij rajoni e kanë lartësuar edhe prijësin e tyre, Nika-Niketë Topia (latin: Nicetas Thopia, i cili përmendet për herë të parë në vitin 1388 – vdes në 1415), i cili ka qenë një princ arbër i familjes Topia, zotërues i qytetit të Krujës në vitet 1392-1394 dhe 1403-1415. Këto shkurtesa me shumë gjasa lidhen me këtë emër, emrin e prijësit NI (keta) dhe i principatës së Kastriotëve, KA (strioti). Kjo tezë ka më tepër gjasa të jetë e saktë, meqë edhe stema e familjes dhe principatës arbërore të Topiajve ka pasur për simbol të vetin luanin, i cili është pjesë e këtij flamuri, dhe lidhet edhe me simbolet e tjera në këtë flamur, prijësin Nika të Topiajve dhe me familjen e Kastriotëve. Skënderbeu nga shumë studiues është cilësuar si “Dragoi i Arbërisë”. Me këtë lidhen këto 4 simbole bashkë, dragoi, shqiponja, luani dhe gjysmëhëna me yllin gjashtë rremësh, siç e ka pasur edhe stema e shtetit të Skënderbeut.
Supozimi i dytë, këto shkurtesa mund të kenë lidhje edhe me emrin e shenjtorit ilir, Shën Niketë Dardani ose Shën Niketa i Remesianës, i cili është nderuar si shenjt nga Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse. Ai konsiderohet si një nga etërit themelues të Kishës Ortodokse romane. Shën Niketë Dardani njihet si përhapës i parë i krishterimit ndër fiset ilire, sidomos te fisi i Besëve, të cilët ende ishin të lidhur me besimet e tyre të lashta pagane, të cilëve ua solli në gjuhën e tyre edhe Biblën Besika, një libër i veçantë i besimit të krishterë, të cilin më vonë fisi i Besëve e përhapën gjerësisht edhe ndër fise dhe popuj të tjerë, në Traki, Daki dhe më gjerë.
Supozimi i tretë është, se këto shkurtesa mund kenë lidhje me emrin e Perëndeshës Nika, e njohur në mitologji si perëndesha e fitores. Nga gjurmimet arkeologjike edhe në truallin e Maqedonisë së sotme (Pellagoni), janë zbuluar gjurmë materiale për besimet e lashta të banorëve vendës lidhur Perëndeshën Nika.
Sidoqoftë, mbështetur në traditën e banorëve vendës dhe raportin e tyre me besimet fetare (përhapja në masë edhe e lëvizjes Bogomile), shpjegimi i saktë i shkurtesave me shkronja në flamurin fisnor të banorëve të Rekës nuk ka shpjegim tjetër, siç thonë disa studiues, meqë nuk mund të lidhen të katër shkurtesat me një emër dhe me kuptimin e njëjtë, atë të Jezu Krishtit, por sigurisht kanë domethënie dhe simbolikë tjetër të veçantë, siç theksuam më lartë, që lidhet me traditat e lashta fetare edhe para krishterimit, me elemente vendëse të besimeve, që e dëshmon edhe sot këmbëngulësia e këtyre banorëve për ruajtjen me fanatizëm të vlerave të traditës kombëtare dhe fetare vendëse.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk