CILËSITË E ADMINISTRATORIT NË REPUBLIKËN TONË BORGJEZE

26
Jul
2023
Shkruan: Dilaver Goxhaj


– Sipas Balzakut –
Aktualisht Republika e Shqipërisë është Republikë Demokratike Borgjeze, formë e sundimit politik të borgjezisë, borgjezi e krijuar pas shëmbjes së ish-sitemit monist socialist. Ajo pjesë e borgjezisë që këta 33 vite ka pushtetin në Shqipëri, pavarësisht nga etiketat “e majtë” apo “e djathtë”, ka pak lidhje ose s’ka fare me imperializmin. Republika jonë demokratike borgjeze, diktaturën e saj e ushtron nëpërmjet organeve të zgjedhura, por që vetëm në dukje përfaqëson interesat e popullit, pasi të gjitha mjetet kryesore të prodhimit shoqëror i zotëron një shtresë e caktuar shoqërore, duke shfrytëzuar punën me mëditje të gjithë popullit dhe që i nxjerr fitimet nëpërmjet mbivlerës.
Themi se kjo lloj republike shqiptare borgjeze vetëm në dukje përfaqëson interesat e popullit tonë edhe për vet faktin se jemi e vetmia “republikë demokratike borgjeze”, e cila dallon edhe nga veçoria e pa-praktikuar nga republikat e tjera borgjeze; kjo për faktin se organe të zgjedhura qeverisëse në Republikën e Shqipërisë aktualisht janë vetëm Kuvendi Popullor si dhe Kryetarët dhe Kryesitë e Bashkive, ndërsa për të gjitha hallkat e tjera qeverisëse, (ish-komunat dhe minibashkitë), të cilat tashmë emërtohen “Njësi Administrative”, nuk zhvillohen më zgjedhje, administratorët e tyre emërohem me VKM ose direkt nga Kryeministri, (kryetari i partisë në pushtet), ose nga vetë Kryetari i Bashkisë që i ka nën administrimin e vet.
Cilësitë që duhet të kenë këta ADMINISTRATORË, (po ashtu edhe në gjithë hallkat e tjera drejtuese të administratës së republikës borgjeze), i ka përshkruar shkrmtari i madh francez Honore dë Balzak, “të cilin unë e quaj mjeshtër shumë më të madh të realizmit – e ka përcaktuar dikur Engelsi – i cili, në “Komendinë njerëzore” përqëndron gjithë historinë e shoqërisë franceze, prej së cilës unë edhe në kuptimin e detajeve ekonomike kam mësuar më shumë sesa nga librat e të gjithë specialistëve: historianëve, ekonomistëve, staticienëve të kësaj periudhe të marrë së bashku.”
Po ia lëmë fjalën Balzakut:
“Nga të gjitha detyrat që u besohen njërëzve, s’ka asnjë tjetër që të kërkoj më shumë përvojë dhe shkathtësi, sesa detyra e administratorit. Se sa vështirë është të jesh administrator, këtë e dinë vetëm pronarët e pasur, çifligjet e të cilëve ndodhen përtej ndonjë zone, nja dyzet lega jashtë kryeqytetit.
Një administrator duhet të marrë vesh nga marifetet për të mbrojtur interesat që i besohen atij, të dijë llogarinë tregëtare e të gëzojë shëndet të plotë, si dhe të ketë qejf për të ecur në këmbë. Administratori, që është i ngarkuar të përfaqësojë të zotin e të mbajë gjithnjë lidhje me të, s’mund të jetë një njeri i vegjëlisë.
Meqë janë të paktë ata administratorë që pranojnë të marrin një rrogë prej një mijë skudash në vit, zor të gjenden të tillë. Si mund të pranojnë një rrogë kaq të vogël administrator me kaq shumë zotësira në një vend ku njerëzit që i kanë këto zotësi, mund të zënë çdo punë? Të sjellësh këtu një njeri, që nuk e njeh krahinën (qytetin), do të thotë ta paguash shumë shtrenjtë përvojën që ai do të fitojë.
Ta stërvitësh një djalë të ri nga popullsia vendase, është shpesh herë tamam sikur të ushqesh një njeri mosmirënjohës. Prandaj duhet zgjedhur o një njeri i pazoti, por i ndershëm, që prish punë duke qenë i ngathët dhe jo largpamës; o një batakçi i aftë, që mendon për vete. Që këtej del ajo nomenklaturë sociale dhe historia natyrore e administratorëve, të cilën ja se si e ka përcaktuar një feudal i madh polak: “Ka tre lloj administratorësh: ai që mendon vetëm për vete dhe ai që mendon për ne dhe për vete; ai sa për atë që do të mendonte vetëm për ne, s’e kemi hasur kurrë. Lum ai çifligar, të cilit i bie në short administratori i dytë!”
Kemi parë deri tani një administrator që mendonte për interest e veta e për ato të të zot (shih Hapat e parë në jetë, në SKENAT E JETËS PRIVATE).
Të paraqitësh LLOJIN E TRETË të administratorëve, do të thotë të tërheqësh vemendjen e publikut mbi NJË NJERI QË NUK EKZISTON, megjithëse aristokracia e vjetër e ka njohur (shih Muzeu i Antikave, në SKENAT E JETËS SË KRAHINËS) e ai u zhduk bashkë me të.
Në qoftë se sot, në Francë, nuk gjen njëzet çifligje të mëdha të qeverisura nga administratorët, pas pesëdhjetë vjetësh s’do të ketë më as njëqind prona të mëdha me administrator, veç në mos ndryshoftë Kodi Civil. Çdo çifligar i pasur duhet të kudeset vetë për interest e tij.
Po ku do të arrijë kjo grindje e njeriut me njeriun, që sa vete e acarohet më tepër, kjo grindje midis të pasurit e të varfërit? Ky studim është shkruar vetëm e vetëm për të sqaruar këtë problem të tmerrshëm shoqëror.
Pothuajse gjithë banorët e qyteteve të vogla dalin kushërinj me njeri tjetrin. Administratorët e dalë nga mesi i kësaj shoqërie, të pajisur me atë shkathtësinë e sustës, bëjnë lëshime, po pastaj menjëherë kthehen te qëllimet e veta. Kjo veti gënjeshtare i ngjan paburrërisë, po, duke u stërvitur në zyrën e një noteri të krahinës (qarkut), mësohen ta fshehin këtë të metë duke u treguar nopranë e të ngrysur, kështu duken gjoja se kanë karakter të fortë.
Shumë administratorë hipokritë e fshehin poshtërsinë e tyre me një vrazhdësi sa për sy e faqe. Përgjigjjuni këtyre lloj njerëzve me të ashpër dhe do të shihni se do të ndodhë ajo që ndodh me një balonë kur e shpojmë me gjëlpërë.
Po, me që shumica e njerëzve nuk janë vëzhgues, e, midis vëzguesve, tri të katërtat vëzhgojnë pasi ka mbaruar puna, sjelljen noprane të tyre e marrin për çiltërsi të ashpër, për një cilësi që ia mburr padroni, e për një ndershmëri të vrazhdë, e cila nuk i është nënshtruar asnjë prove. Ka njerëz, të cilëve të metat e tyre u sjellin dobi, siç u sjellin të tjerëve cilësitë e tyre njerëzore.
Puna në kadastër nuk të nihmon të bësh karjerë. Kjo, si shumë detyra të tjera administrative, s’ka të ardhme, është një farë vrime në kulloren qeveritare. Ata që bien në këto vrima (topografia, administrimi i rrugëve dhe urave, arsime etj.), kujtohen njëçikëz vonë se njerëz më të zotë, që rrinë pranë tyre, thithin djersën e popullit sa herë që kullorja zhytet në llumin e taksës, nëpërmjet asaj makine që quhet buxhet.
Ndoshta lumturia jo e plotë është shkaku që i nxit administratorët për punë të këqija dhe poshtërsi të fshehta. Mbase njeriu pranon më lehtë një mjerim pa shpresë, sesa ato rezet e diellit e të dashurisë, që ndriçojnë përmes shirave të vazhdueshme. Ndërsa trupi merr sëmundje të ndryshme, shpirtin e zë gërbula e zilisë. Te njerëzit e pamësuar, ky ves kthehet në një lakmi herë të ulët dhe të vrazhdë, herë të guximshme dhe të fshehtë; ndërsa te njerëzit me kulturë, zilia zgjon pikëpamje antisociale të cilat ata i përdorin si një mjet për të sunduar padronët e vet.
Administratorët ziliqarë digjen nga dëshira për një vjedhje të ligjshme. Ata e hulumtojnë me dhelpëri karakterin e padronit, që mund të bëjnë ç’t’u kërkojë, veç të arrijnë të bëjnë pasuri. A s’mund të përdoret si fjalë e urtë mendimi: “Më thuaj ç’hall të mundon, të të them se çfarë mendon”.
Honore dë Balzak “Fshatarët”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1980, kreu VII, f.121

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk