ÇKA MUND TË MËSOJMË NGA STUDENTËT E BEOGRADIT?!

28
Dec
2024
Shkruan: Ali Sh. Mehmeti

,27.12.2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

A është rritur një gjeneratë e ra në Serbi, që nuk është informuar dhe edukuar, vetëm nga mediumet klerofashiste dhe sistemi arsimor i bazuar mbi gënjeshtra historike dhe fshehje të gjenocideve, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve tjera të luftës, të kryera prej tërheqjes së Perandorisë osmane nga trojet tona e deri në vitin 1999? Mbetet të shihet, edhe pse nuk mund të pritet ndonjë ndryshim kursi ndaj shqiptarëve?! Megjithatë, me një Serbi të demokratizuar do mund më lehtë të normalizohen marrëdhëniet.

Ajo që po ndodh sot në Serbi është përgjigje me e saktë ndaj autokracisë të presidentit të atjeshëm i cili kontrollon shumicën dërmuese të mediumeve elektronike dhe të shkruara dhe ka uzurpuar të gjitha kompetencat që nuk i takojnë sipas kushtetutës. Institucionet janë plotësisht të kapura, sa që autokrati vendos edhe “kur do bie shi”. Përgjigje ndaj korrupsionit ekstrem, i cili edhe ka shkaktuar tragjedinë në Novi Sad ku humbën jetën 15 njerëz duke pritur trenin, pasi u shemb streha e rikonstruktuar para pak muajsh. Pse është shkaktar korrupsioni? Sepse tenderin e fiton politikani ose njeriu i tij me çmim prej 10 milion euro, kurse punën pastaj ia le nënkontraktorit me çmim 6-7 milion euro. Ky i fundit, në shumicën e rasteve nuk është kompetent për punën që duhet bërë, por edhe nëse është kompetent ai mundohet të kursen në çdo pozicion të kontratës dhe punën nuk e bënë në mënyrë kualitative, as sipas rregullave profesionale/teknike as ato ligjore. 3-4 milionë euro tjera i merr pa u lodhur fare fituesi i tenderit, njeriu i afërt me pushtetin. Skemë e cila funksionon, jo vetëm në Serbi, por gjithandej në sistemin kapitalist, që shpesh e ngatërrojnë me sistem demokratik (numrat janë sa për ilustrim).

Ideatorët dhe bartësit e këtyre protestave janë studentët, që sipas moshës shumica e tyre janë të lindur në prag ose pas vitit 1999. Nuk e kanë jetuar socializmin vetëqeverisës as kohën e luftërave të përgjakshme të viteve 90-ta, respektivisht nuk kanë memorie për të krahasuar sistemin e sotshëm me atë paraprak. Megjithatë, identifikimi i problemit nga ana e tyre është për lakmi. Ata refuzojnë të bisedojnë me kryetarin autokrat duke e defaktorizuar kështu, duke e bërë të parëndësishëm dhe duke i thënë, kthehu në kompetencat e tua kushtetuese. Nervozizmi që manifeston autokrati, madje duke i kërcënuar studentët edhe me njësinë speciale ushtarake “Kobra”, që “mund ti thyej sikur thuprat”, tregon se ia kanë gjetur thembrën e Akilit. Nga ana tjetër, ata thjesht kërkojnë ushtrimin e funksioneve nga institucionet tjera. Para së gjithash nga kryeprokurorja, e cila thjesht nuk vepron në pajtim me kompetencat që ka, madje as në rastin e fundit tragjikë në Novi Sad. Ata kanë 5 kërkesa, asnjë politike, që godasin më fuqishëm sesa të kërkonin dorëheqjen e autokratit.
Çka mund të mësojmë ne në Kosovë nga kjo situatë, gjeneratat e reja para së gjithash, edhe pse gjendja është shumë e ndryshme. Nuk e kemi asnjë autokrat që mund të kontrollon mediumet që janë aq të lira saqë mund të shkruajnë edhe kundër vet shtetit dhe në favor të armiqve, kurse qeverinë mund ta akuzojnë edhe “pse po bie shi”. Institucionet janë të përbëra nga administrata që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe në shumë raste janë të gatshme ti nënshtrohen urdhrave të atyre që i pranuan në punë, duke bërë obstruksione në punën e tyre, duke akuzuar pastaj qeverinë për mossukses. Institucionet janë aq të lira, ato të drejtësisë sidomos, sa janë bërë selektive në përzgjedhjen e lëndëve për trajtim, gjithnjë në dobi të ish pushtetarëve dhe oligarkëve milionerë. Kallëzimet penale për korrupsion, ndaj ish pushtetarëve, edhe pse të mbështetura me dokumente që krijojnë bazë për dyshime të bazuara për përfshirjen e tyre në korrupsion mbahen nëpër sirtarë, kurse çfarëdo hamendje apo shpifje nga opozita apo kushdo tjetër ndaj qeveritarëve aktual, mbahet mbi tavolinë. Me këmbëngulje fanatike, në sinkron me opozitën, kundërshtojnë aprovimin e ligjit mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme (LKPP) dhe për veting në polci, prokurori dhe gjyqësi. Dërgimi për së dyti në Gjykatë Kushtetuese të LKPP, edhe pas harmonizimit të ligjit sipas kërkesës paraprake të GjK, por tani duke kontestuar tjera nene, duhet të refuzohet. Në të kundërtën, falë simbiozës mes opozitës, GjK dhe prokurorisë, loja mund të vazhdon në pakufi, duke kontestuar nenë për nenë dhe duke vazhduar të mbahen nëpër sirtarë të gjitha kallëzimet penale kundër ish pushtetarëve.

Pra, ajo që duhet të mësojmë nga studentët e Beogradit është se, duhet ta identifikojmë problemin, t’ia gjejmë adresën dhe presionin ta orientojmë aty. Nuk mund të kërkosh nga pushteti ekzekutiv (qeveria) të kryej punët e pushteti prokurorial dhe gjyqësor, ku nuk ka fare kompetenca. Kjo mund të ndodh vetëm në një sistem autokratik ku institucionet janë të kapura, siç është rasti në Serbi, por jo në Kosovën demokratike.

Vetëm presioni masiv që iu bë Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015 solli një vendim që kontestoi marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, përndryshe nën presionin e ndërkombëtarëve do nxirrte një vendim sikur ai për tokat e manastirit të Deçanit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk