Datë 9 shtator 2023, 0ra 09.30’
Unë i kërkoj kësaj gjykate që të marrë guximin dhe të ndërpresë pengmarrjen time të kryer nga prokuroria shqiptare nën argatllëk qorrazi për hesap të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale që quhet Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Gjykatës Speciale të Kosovës.
E konsideroj pengmarrje dhe heqje pa të drejtë të lirisë pasi institucioni i prokurorisë në Shqipëri, në injorancë të thellë në kërkesën e saj për arrestimin tim dhe mbajtjen në arrest me burg, në pikën 11 të asaj kërkese pretendon se unë mbaj përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Por, po të kishin marrë mundimin të lexonin vetëm faqen zyrtare të këtyre Dhomave, do kishin dalë nga injoranca e do kishin lexuar e zeza mbi të bardhë se këto Dhoma kanë juridiksion për të hetuar dhe ndjekur penalisht shtetas të Kosovës dhe/ose Republikës Federale të Jugosllavisë apo persona të cilët kanë kryer krime kundër shtetasve të Kosovës dhe/ose Jugosllavisë, për krime të nisura ose të kryera në Kosovë që lidhen me sjelljet dhe veprimet e përmendura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që njihet si Raporti i Dik Martit (Dick Marty) ose Rezoluta 1782, për krime të kryera gjatë periudhës 3 (tri) vjeçare nga viti 1998 deri në dhjetor 2000.
Unë kërkoj dhënien fund kësaj pengmarrjeje pasi, ashtu si shihet edhe në juridiksionin e ndërmarrjes kriminale që quhet Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, unë as kam qenë e as jam shtetas i Jugosllavisë. Për më tepër, veprat për të cilat ajo ndërmarrje e përbashkët kriminale më akuzon dhe kërkon ekstradimin tim sipas vetë atyre pretendohet se janë kryer në vitin 2023, ndërkohë që ata kanë juridiksion vetëm për periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Dhe mbi të gjitha, kjo ndërmarrje kriminale ka juridiksion të hetojë vetëm për “Trajtim çnjerëzor të personave”, ndërsa unë prej tyre akuzohem për dy vepra që nuk kanë lidhje me juridiksionin e deklaruar nga vetë këto Dhoma dhe kjo Zyrë e Prokurorit të Specializuar.
Kërkoj me zë të lartë dhe me gjithë të drejtën time juridike që gjykata të mos bëjë noterin për hesap të Institucionit të Prokurorisë por të lexojë ato që edhe unë lexova dhe ta ndërpresë këtë pengmarrje e të më rikthejë lirinë që më është hequr me pa të drejtë; të më rikthejë lirinë që ka 41 ditë që më është hequr pasi, edhe pse jam dakord me atë çfarë tha mbrojtësi im ligjor, dua të theksoj se në vetvete pengmarrja nuk mund të ketë si koncept përfundim afatesh (të pengmarrjes) pasi pengmarrja është vepër e jashtëligjshme prej momentit të parë që ajo ndodh dhe, në rastin tim, prej datës 31 korrik.
Ndaj, në përfundim të fjalës time, i kërkoj gjykatës që të më kthejë lirinë menjëherë e pa vonesë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!