Shkruan: Sherif Delvina
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Patrikana Ekumenike e dërgoi në Shqipëri Kozma Etolianin (1714-1779), pasi ai kishte kryer studimet në Malin e Shenjtë, Athos. Klerikët grekë, para se të vinin në vendin tonë, shpesh mësonin si t’i kryenin shërbesat fetare në manastiret e këtij mali.Misioni i Shën Kozmait ishte sa delikat, aq edhe i rëndësishëm për interesat greke. Prifti i ri, në atë kohë vinte në Shqipërinë e Jugut për të helenizuar të krishterët ortodoksë shqiptarë. Kozma Etoliani predikoi në Shqipërinë e Jugut ose Epiri, siç e quajti ai, Thesali dhe Maqedoni. Ndër kërkesat kryesore të tij gjatë predikimeve në Shqipërinë e Jugut, ishte të përbuzej dhe të braktisej shqipja dhe, në vend të saj, të flitej e të shkruhej vetëm greqisht. Tomadakis, profesor në Universitetin e Athinës, thekson: “Misionari i madh Kozma Etoliani punoi për fuqizimin e fesë krishtere dhe përparimin e arsimit në territorin e Vorio-Epirit dhe ra martir për epirotët e veriut dhe për kombin tonë”. Është për të vënë në dukje se historiani K. Amantos, anëtar i Akademisë së Athinës dhe profesor i universitetit, pohon: “Legjendari Kozma Etoliani punoi më shumë se kushdo për krishtërimin dhe shkollat …Ai qe ndër dëshmorët e parë që ra për helenizimin krishter të Epirit të Veriut”. Në librin “Vendet greke në histori, Epirus, analizë dhe histori greke”, me botues të përgjithshëm anëtarin e Akademisë së Athinës M.B.Sakelariou, Athinë 1997, fq. 317, shkruhet: “Përmes punës së tij, Kozma Etoliani e dëshmoi veten se ishte zëri më autentik i kombit grek gjatë periudhës së pushtimit osman”. Këtë shenjtor, akademiku në fjalë e quan martir të kauzës së kombit të tij grek, një nga figurat më të ndritura, i cili punoi me të gjitha forcat për përgatitjen e rilindjes së kombit grek.Vasil Krapsiti në “Historia e Paramithisë”, kapitulli III, flet për veprimtarinë e Shën Kozmait. Ky historian grek i ditëve tona, në faqen 37 të këtij libri, Shën Kozmanë e quan “shpëtimtar të etnisë greke në hapësirën e Thesprotisë”. Ndërmjet të tjerash, ai thotë: “Ky apostull i krishtërimit, kudo që shkonte në Epir, vendoste kryqe. Ishte luftëtar i flaktë i fesë së krishterë dhe i helenizmit”. Sipas këtij autori, merita më e madhe e tij ishte hapja e shkollave greke. Kështu, Shën Kozma Etoliani “zgjonte ndërgjegjen etnike të helenëve të skllavëruar, duke ngritur shkëmbinj rezistence për grekët”. Po ky autor, në faqen 38 të këtij libri, shkruan: “Ai ngrinte shkolla greke, duke u thënë njerëzve që të jenë të bindur ndaj Perandorisë Osmane. Për këtë arsye, ai kishte marrë leje të qarkullonte dhe të bënte punë sqaruese lirisht në të gjithë hapësirën e Paramithisë”.Po citojmë për këtë autorin, i cili na përmend fjalët e Shën Kozmait, të thëna në mbledhjen e Shën Donatos: “Le t’i shmangemi, vëllezërit e mi, mendjemadhësisë, që është krijesa e parë e shejtanit dhe që është rruga që të çon në katastrofë, prandaj duhet të jeni kokulur, kokultësia është rruga e engjëjve, ajo të çon në Parajsë”.Suliotët u tronditën kur dëgjuan fjalët e tij. Disa u egërsuan. Atëherë Kozmai u tha: “Më vjen keq për ju, për kryelartësinë që keni”. Dhe duke shkundur këpucët, vazhdoi me këto fjalë të ashpra: “Këmba ime këtu nuk do të shkelë herë tjetër. Nëse nuk i lini këto që bëni, do të shpërbëheni”. Më vonë, duke parë armët e suliotëve të varura nëpër pemë, Kozma Etoliani u tha atyre me mllef e cinizëm: “Kjo kokëfortësi që keni, do t’ju marrë në qafë. Në ato degë që ju sot varni jataganët, do të vijë një ditë që jevgjit do të varin sazet e tyre”.Autori i “Historisë së Paramithisë” shkruan: “Puna e Shën Kozmait me Sulin ishte një detyrë e pastër dhe etnike. Ai u përpoq t’i bindte suliotët që të largoheshin nga çdo veprim i armatosur”.Mirëpo suliotët nuk e dëgjuan Kozmain. Ata luftuan e nuk i braktisën traditat e tyre, ndaj dhe fituan pavdekësinë. Ja ç’na thotë për ta Bajroni: “E kush është aq trim sa sulioti zeshkan, me fustane të bardhë, të zi tallagan? Ia la tufën shqiponjës e bishës e zbret, poshtë fushës me sulm si rrufeja në det…”Suliotët ishin ashtu siç janë dhe sot, shqiptarë. Hobhausi thotë se “suliotët i zhvillonin luftërat sipas mënyrës shqiptare”. Po kështu edhe Liku e quante Sulin vend shqiptar, ndërsa Pukëvili, ndarjen e suliotëve në fara e quante zakon mbarë shqiptar. “Në Sul, çështjet gjyqësore, thotë Liku, rregulloheshin në atë mënyrë si në të gjithë Shqipërinë”. Suliotët ishin të krishterë. Dihet se Foto Xhavella qe vëllam me Ismail Pronjën e Paramithisë, kurse Marko Boçari shkroi një fjalor, me qëllim që shqiptarët të mësonin greqisht. Dhe Napoleon Bonaparti u detyrua t’i heqë komandantin grek regjimentit shqiptar në shërbim të Francës, në të cilin pjesa dërrmuese e efektivit ishin suliotë. Ata nuk pranonin të kishin në krye të tyre një komandant grek.Shën Kozmai kërkoi që suliotët t’i nënshtroheshin sulltanit dhe hapi shkolla greke në Paramithi, pranë kishës së Shën Kollit, në Zallong. Lind pyetja: Cili është krishtërimi i Shën Kozmait? Më së pari do të bëjmë të ditur kuptimin e fjalës “i shenjtë”. I shenjtë është besniku i kishës ortodokse, që ka vdekur dhe më pas është shpallur i shenjtë (i kanonizuar i shenjtë) nga Patrikana e Konstandinopojës, i denjë për nderim. Format e kultit lejohen për atë që shpallet i shenjtë. Shenjtorit i kujtohet emri në lutjet, me emrin e tij mund të emërohen kisha, mund t’i ekspozohet trupi në altar, gjithashtu ai mund të deklarohet zot i një shteti, i një qyteti ose një urdhri fetar. Shën Kozmai predikoi në shumë vende të Shqipërisë, që nga Suli e gjer në Krujë. Më poshtë po botojmë tekstin e marrë nga dorëshkrimet e tij dhe botuar nga Georges Freris. “Pasqyrë historike e letërsisë”, revista “Agora”, Janinë, 1984, fq.20 (A.Konstantokopulos, Ellenike glosa sta Balkania, Janinë 1988, fq.35).“Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, sesa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krisherë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t’i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri më sot, do t’i porosit të gjithë të krishterët që t’i flasin dhe do t’i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra” (Predika 1 drejtuar shqiptarëve të Epirit).Citojmë versionin e shpikur nga Arsakejo e Tiranës, kolegji greko-shqiptar, fondacioni “Filepkedhetiqi”ë mirë të kesh në vendin tënd shkolla…, sesa të kesh burime dhe lumenj, sepse burimi ujit trupin tënd, shkolla ujit shpirtin tënd. (Kozma Etoliani)Këtu shihet qartë se Shën Kozmai i ftonte shqiptarët dhe sidomos fëmijët shqiptarë, të krishterë dhe të rinj ortodoksë, që të mësonin greqisht, sepse kisha ortodokse, sipas tij, është greke dhe ajo nuk mund të bëhej kurrë shqiptare.Shën Kozmai thotë se “raca shqiptare është greke”. Antropologu me famë botërore, Pitardi, në librin e tij “Historia e racave njerëzore”, kur flet për shqiptarët, thotë: “Është e vështirë të gjesh një popull, ku tiparet antropologjike të jenë më të qarta”, ndërkohë që për Greqinë ai pohon në këtë libër, se “ajo është pasqyrë e popujve të Ballkanit”. Këtë gjykim të Pitardit mbi racën shqiptare e pranojnë dhe antropologë të tjerë, që kanë bërë matje mbi të gjallë e mbi të vdekur në Greqi e Shqipëri.Shën Kozmai theksonte me të madhe: “Atë shqiptar që nuk do të fliste shqip në Shqipërinë e Jugut, do ta bënte të lumtur sa të ishte zot i mijëra parave”. Ai i këshillon të krishterët që të mos preferojnë pazaret e çifutëve. Shpeshherë Kozma Etoliani na bën të qeshim me fjalët e tij. Po japim një nga thëniet: “Mos pini raki të prodhuar në fabrikat e Evropës, sepse me atë raki çifutët lajnë të vdekurit e tyre, që t’ju ndotin juve. Çifutët janë pogromet e antikrishtit. Mos blini te çifutët”. Parrulla të tilla të çmendura antisemite do të konkurronin edhe Gjermaninë e Hitlerit të viteve ’30, kur në vitrinat e dyqaneve të çifutëve, skuadrat e SS-ve shkruanin “Kauft nicht bei Juden” (Mos blini te çifutët). Por “i shenjti” Kozma nuk u ndal këtu në antisemitizmin e tij. Ai është i vetmi prift, që në mënyrë të hapur ka nxitur pogromet antiçifute. Më 22 gusht 1777, ai vizitoi Beratin. Atje këshilloi beratasit që të bëjnë pazar të shtunën (pse çifutët atë ditë e kanë pushim) dhe askush prej tyre të mos bëjë pazar të dielën te çifutët. Kështu që Shën Kozmai, për shkak të urrejtjes ndaj çifutëve, arriti t’u ndërrojë beratasve dhe ditën e pazarit.Në Samarinë, pjesa më e madhe e popullsisë ishte vllehe. Ai u fliste vllehëve kundër gjuhës së tyre. U thoshte se Perëndia e konsideronte veten të fyer kur dëgjonte lutje ose lavde në gjuhën vllehe. “Që Perëndia të dëgjojë lutjen e besimtarëve ortodoksë, ata duhet t’i bëjnë ato në greqisht”.Absurditete të tilla njihen plot te Shën Kozmai. Njerëzit vdesin, eksperienca e marrë në shkollë ruhet e transmetohet brez pas brezi. Shën Kozmai kërkonte që të transmetoheshin brez pas brezi vetëm mësimet e marra në shkollat greke. Shqiptari i Shqipërisë jugore duhej ta ndjente veten grek. Një nga historianët më me zë të Greqisë së sotme, Dr.Vakalopullos, në “Historinë e helenizmit të ri”, vëllimi 4, fq.442, shprehet kështu për Kozma Etolianin: “Ai ktheu rrymën e ngjarjeve dhe vulosi me kristianizmin e tij dukuritë shoqërore dhe kombëtare, (greke – Sh.D.), veçanërisht në Shqipërinë jugore dhe Epirin”. Me të drejtë rilindasit tanë lëshuan thirrjen patetike: “Jashtë gjuha greke nga shkollat tona, nga kishat tona”. Revista “La nazione albanese”, viti 1897, nr.9, fq.4, shkruan për priftin këto fjalë. “Prifti duhet të jetë sjellësi i vërtetë i qytetërimit dhe i progresit me ligjin e tij të dashurisë. Këtu, në Shqipëri, në shumicën e rasteve, ai i shërben prindvrasjes, ai është despot, më tiran se vetë pushtuesi. Ai, me armët e fuqishme të fesë, në vend që të ndriçojë masat me gjuhën e shenjtë dhe me dashuri për atdheun, është kthyer në një skllav që i shërben injorancës dhe paragjykimeve. Ai është bërë një instrument i verbër i një politike antipatriotike. Prifti është një dhelpër greke. Emrin e atdheut e ka zëvendësuar me atë të Greqisë. Prifti imponohet dhe sundon. Edhe pushkët vrasëse kanë zënë vend në kishë, kështu që është reformuar kulti i Jezu Krishtit”. Në predikën e parë, Shën Kozmai thekson: “Të gjitha fetë e botës janë mashtruese, vetëm feja ortodokse është pa të meta dhe e shenjtë”. Të vjen keq kur merr vesh se kryepeshkopi Janullatos është anëtar nderi i shoqatës “Miqtë e Shën Kozmait” dhe se ky “shenjtor” bën pjesë në kalendarin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Vlen të përmendet shprehja e antishqiptarit të tërbuar Sebastianos, ish-mitropolit drinopolit, i cili e quan Shën Kozmain “dishepull të vërtetë të Krishtit”. Për Vasil Krapsitin, Shën Kozmai ishte luftëtar i helenizmit. Po kështu dhe për historianët e tjerë grekë, që kanë nostalgji dhe kërkojnë të rikthejnë Perandorinë Bizantine. Nëse shenjtorët janë simbole të dashurisë e të humanizmit, Kozma Etolianin nuk e lidh asgjë me ta. Ky klerik grek ishte thjesht një emisar politik, që erdhi në Shqipëri për të mbjellë përçarjen dhe urrejtjen midis shqiptarëve dhe për të helenizuar kështu ortodoksët shqiptarë. Për shenjtërinë e Shën Kozmait, me të drejtë prof. Pëllumb Xhufi shkruan: “Me gjithë meritat e tij të padyshimta në favor të “helenizmit”, kisha greke u kujtua mjaft vonë për shenjtërimin e Kozma Etolianit, gjë që ndodhi në fund të viteve ’20 të shekullit XX. Pasi kishin dështuar për ta marrë të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, me luftë apo me marifete politike, qarqet nacional-klerike greke vendosën të shpallin “luftën e shenjtë” për Vorio-Epirin, nën flamurin e Shën Kozmait”. Për manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, historiani Pëllumb Xhufi është i mendimit se “manastiri në Kolkondas, i një antishqiptari, u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena”. Po kështu, prof. Xhufi na bën të ditur: “Mjafton që rajatë të rrinin urtë dhe t’u paguanin detyrimet feudalëve, Shën Kozmai nuk ua kursente ndihmën me predikimet e tij. Nga një logjikë e tillë dritëshkurtër nuk shpëtoi dot as Ali Pashë Tepelena”.Gazeta Ballkan
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!