DENONCOJMË TRADHËTINË, QË KA BURGUSUR TRIMËRINË!

14
Sep
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 14 Shtator 2023-
Ky ishte një nga sloganët e Protestës së organizuar me datën 10 Shtator 2023 përpara Kryeministrisë, për lirimin nga burgu të oficerit të Ushtrisë Shqiptare dhe Luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj. Ndalimi tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës me seli në Hagë, dhe ekzekutuar nga organet e violencës së dy Republikave shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë dyzet e kusur ditësh, që Luftatari në fjalë ndodhet i burgosur, në pritje të ekstradimit drejt Hagës, publiku shqiptar është njohur gjer në hollësi me shkeljet ligjore të të drejtave të qytetarit. Shkelja më e fundit: Ndalimi i luftëtarit u pasua nga vendimi i Gjykatës shqiptare për ndalimin e tij për 40 ditë. Pas këtij afati, i ndaluari duhej të ekstradohej në Hagë, ose të lirohej. Ky afat kaloi, por nuk ndodhi asnjëra nga këto veprime. Pse? Se ata që e kanë ndaluar, duke qenë në kundërshtim me procedurat ligjore përkatëse, presin urdhëra politikë nga institucionet e dy republikëve shqiptare, pse jo edhe nga ato të BE, që ka inicuar dhe ngritur Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale të Kosovës, pa asnjë jurist të Kosovës dhe me seli në Hagë!!!
Ky veprim ndaj Luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, bie erë tradhëtie, e cila synon të burgosë trimërinë, atdhetarinë dhe vetë Lirinë e luftatarit, e madje edhe të të gjithë popullit shqiptar, për të cilin ai shkoi vullnetar për ta çliruar nga regjimi gjakatar i Millosheviçit. Kjo erë tradhëtie shtrihet nga disa prej Kancelarive Europiane, e gjer tek organet shtetërore të Republikave shqiptare, këtej e matanë Drinit.
-Qytetarët shqiptarë, por edhe opinioni botëror, e dinë fort mirë se kur në vitin 1998 nisi hapur gjenocidi serbo-sllav mbi shqiptarët në trojet e tyre amtare, disa nga Kancelaritë europiane, jo vetëm nuk ndërhynë, por indirekt e nxitën këtë gjenocid të pashembullt, duke na treguar se në elitat politike e shtetërore të Europës, ka ende rudimente të kohës së Bismarkut. Megjithatë kur nisi bormbardimi i NATO-s mbi pushtuesin dhe gjenocidistin serb, shtetet e BE u detyruan t’i bashkangjiten SHBA, veçse “kontributi” i tyre, siç u pa dhe po shihet pas atij viti, paska patur dhe ka akoma disa “ndërkëmbësa”, që do të sillnin dhe po sjellin pasoja të dëmshme për ecurinë e Republikës së Kosovës, shpallur e tillë në vitin 2008 dhe njohur zyrtarisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Nga 27 shtete të BE, pesë prej tyre: Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ndonëse morën pjesë në “çlirimin” e Kosovës, nuk e njohin atë si Republikë të pavarur. Mirëpo, për ironi të politikës së BE, dy moderatorët, që prej dhjetë vitesh udhëheqin bisedimet e paqtimit midis Serbisë e Kosovës, janë pikërisht nga këto shtete që nuk e njohin Republikën e Kosvës. Kjo “vogëlimë” e fundit përbën “ndërkëmbësën” e parë të dukshme për fatet e popullit shqiptar të Kosovës. Më tej: Kancelaritë kryesore të BE, para disa vitesh, imponuan qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës për ngritjen e “Zyrës Speciale” të Kosovës, e cila do të prodhonte Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale, pa asnjë jurist nga Kosova dhe me seli në Hagë, me objektiv “të dënonin krimet” që komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së, paskan bërë gjatë luftës mbi serbët dhe Serbinë. Si rezultat i kësaj manovre, një pjesë e mirë e komandantëve të UÇK-së, kanë përfunduar në Hagë, në pritje të dënimit për “krimin” që paskan bërë, duke çliruar nga kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, trojet e tyre amtare. Kjo është “ndërkëmbësja” e dytë, e cila synon të barazojë agresorin me viktimën, si në përrallën e “Ujkut e të qingjit”, barazim që i jep mundësi zhvatjes së ndonjë cope të majme të trojeve të shqiptarëve në favor të Serbisë, kanakares shekullore të Europës. Vetë fakti që bisedimet për paqtimin midis Serbisë dhe Kosovës, i kaluan dhjetë vitet pa rezultate të dukshme, verteton “ndërkëmbësat” e mësiparmë të dukshme, dhe të tjera kësisoj të padukshme plotësisht.
-Por duhet pranuar se në këtë lojë “diplomatike, strategjike dhe hipokrite” të disa kancelarive europiane, kemi ndihmuar e po ndihmojmë edhe vetë ne shqiptarët, ose më saktë elita e politikanëve dhe pushtetarëve të të dy Republikave shqiptare. Ishin politikanët e shtetarët naivë të Republikës së Kosovës, që miratuan symbyllurazi “Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale të Kosovës” me seli në Hagë. Dhe rezultati: Hartuesit e miratuesit e këtij Institucioni “Special” u bënë vetë viktima të tij.
E njëjta gjë po ndodh edhe me pushtetarët e Shqipërisë “londineze”. Vetëm me një kërkesë formale të Prokurorisë Speciale të Hagës, përcjellur nga organet gjegjëse të Kosovës, organet e shtetit tonë, që nuk kanë asnjë lidhje organike dhe ndërvartësie zyrtare me Hagën dhe Prishtinën, arrestojnë dhe burgosin ish oficerin e Ushtrisë Shqiptare dhe Luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj. Dhe arsyeja? Se mori në sy rrezikun e jetës dhe shkoi vullnetarisht të luftonte për çlirimin e tokave shqiptare të Dardanisë sonë. Sigurisht, pas luftës, ai u kthye në Shqipëri, dhe kur iu dha mundësia, nëpërmjet intervistave dhe shtypit të ditës, nuk hezitoi të informonte publikun për disa ngjarje, që shumë kush kishte frikë t’i lançonte, pavarësisht se ato ishin fakte, të cilat dëmtonin interesat e shqiptarëve.
“Na paska nxjerrë sekretin e dëshmitarëve” – akuzojnë ndërkombëtarët e Hagës. Por nëse Haga dhe prokurorët e saj, sekretet i kanë lënë sheshit, aq më tepër kur bëhet fjalë për dëshmitarë të rremë e të kurdisur nga Shërbimi i fshehtë serb, çdo shqiptar e ka detyrë t’i demaskojë hapur në sytë e publikut. Kjo, në asnjë rast nuk përbën vepër penale, siç pretendojnë Prokurorët e Hagës. Vepër penale, është përgatitja dhe manipulimi i dëshmitarëve me akuzat monstruoze kundër luftatërëve të UÇK-së, si ato të tipit Karla Del Ponte dhe Dik Marty, për të cilat, edhe pse dolën fiasko, Parlamenti Europian nuk ka bërë ende një Rezolutë të re, që të përmbysë atë të parën, e cila u hartua mbi bazën e gënjeshtrave të të dërguarve të tij.
Qeveritarët, dhe politikanët tanë, jo vetëm nuk gëzuan “dafinën e fitores”, por nuk po përcjellin denjësisht as post-fitoren. Rreth 150 vullnetarë, midis të cilëve edhe Dritan Goxhaj, dolën nga të gjitha trevat e Shqipërisë, dhe pa “marrë leje” nga qeveria, shkuan e u rreshtuan me UÇK-në. 37 prej tyre ranë në fushën e betejës për Çlirimin e Kosovës, por fatkeqësisht, Organet e Pushtetit të Shqipërisë, sot nuk kanë të evidentuar as listën emërore të tyre. Pa le pastaj për ndonjë veprim tjetër, si vlerësim e nderim të këtyre Luftëtarëve vullnetarë dhe të Dëshmorëve nga radhët e tyre. Ama, me të urdhëruar ndërkombëtarët, pa asnjë argument ligjor, organet kompetente të shtetit tonë, arrestojnë dhe mbajnë në burg, edhe tej afateve ligjore, Luftëtarin e UÇK-së dhe qytetarëin e Republikës së Shqipërisë, Dritan Goxhaj, duke u bërë ortakë me tradhëtinë që synon të mbajë të burgosur trimërinë, atdhetarinë dhe lirinë.
Por kjo “skemë” nuk mund të ketë sukses. Lufta e lavdishme e UÇK-së nuk mund të denigrohet nga askush. Ajo ishte rezultantja e rrugës luftarake shumvjeçare e shqiptarëve për Liri e Pavarësi të vërtetë në tokat e tyre në Gadishullin Ilirik, që padrejtësisht dhe djallëzisht është quajtur “Ballkan”.
Luftëtarët e UÇK-së, në luftën dhe fitoren e tyre të madhe, patën në mendje e në zemër patriotizmin dhe atdhetarizmin e burrave të mëdhenj të Kombit tonë, si Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), Ismail Qemali, Enver Hoxha, dhe Adem Jashari; Patën në mendje e në zemër idealet e zjarrta të LANÇ; Patën në mendje e në zemër, Objektivin e Madh të Rilindasve tanë, për Ribashkimin Kombëtar.
Ky Ribashkim Kombëtar, do të arrihet, me hir apo me pahir, sepse është një e drejtë shekullore dhe legjitime e shqiptarëve, trojet e të cilëve u copëtuan padrejtësisht nga fuqitë e mëdha kapitaliste e imperialiste, për interesat e tyre ekspansioniste.
Dritani ynë, ashtu si gjithë “Dritanët” e tjerë shqiptarë, pjesëmarrës në Luftën e UÇK-së, do të dalin se s’bën në Liri e në Dritë. Ata dhe akti i tyre madhor, nuk mund të errësohen nga tradhëtia dhe mjegullnaja e shpifjes serbe, sepse Drita e tyre çlirimtare do të çajë çdo mjegull errësire.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk