Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Në 82 vjetorin e themelimit të PKSH
(Një shkrim i botuar në vitin 2015, por i aktualizuar lehtësisht në vitin 2023)
Pas tre dekadash “prova laboratorike”, që ju borgjezët e rinj, në bashkëpunim me mbeturinat e vjetra të kësaj klase të mykur, eksperimentuat me fatet e popullit shqiptar e të vendit, ja ku e çuat Shqipërinë tonë në parametrat e kohës së Pashko Vasë Shkodranit, fatin e së cilës ai e vajtonte që nga Libani me vargjet tronditëse: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni / Kush të ka qitun me krye në hi. . .” Nga humnera e këtij regresi të jashtëzakonshëm ku na keni hedhur, do të deshiroja të debatoja me ju, jo nëpër studiot e mykura televizive, që i mbushni kapicë me apologjetët e sistemit tuaj të kalbur, por në një auditor të stërmadh, mundësisht nga tribunat qytetare, ku të dëgjojnë të gjithë shqiptarët që kanë sy, veshë e mendje normale, për t’jua përplasur në surrat dy fraza të thjeshta, shoqëruar me sarkazmën që më del nga thellësia e shpirtit:
“DHE KENI GOJË E SHANI KOMUNIZMIN!
“DHE KENI FYTYRË E PËRGOJONI ENVER HOXHËN!
Bastardët e politikës e të pushtetit të këtyre viteve, duke u hequr si atdhetarët më të mëdhenj të historisë sonë, më ndihmën e ushtallarëve të tipit Rajerson, Elez Biberaj, etj., përmbysën sistemin socialist, dhe me parullat e tyre ultrademokratike i thanë popullit se do ta çonin në Europë. Dhe vërtet e çuan në Europë, veçse jo me zhvillim, por si refugjatë të mjerë. Nga ana tjetër, bastardët në fjalë, që uzurpuan pushtetin dhe fatet e vendit, ndërsa premtonin e premtojnë parajsën borgjeze, nuk rreshtIn asnjë sekond duke sharë e mallkuar sistemin monist (socialist) dhe liderin e atij sistemi, Enver Hoxhën. Antikomunizmi dhe antienverizimi i këtyre bastardëve, grumbulluar në tri parti politike “vajmedete”, ka qenë e mbetet një antikombëtarizëm i kulluar. Duke sulmuar e goditur sistemin socialist dhe arritjet e tij madhështore në vendin tonë, ata realisht goditën Shqipërinë duke e kthyer atë në vitet tridhjetë, kur zotëronin e lulëzonin fenomenet e mesjetës, të gërshetuara tashmë me degjenerimin e modernes.
Ju borgjezë të rinj, pjellë e skotës së vjetër, jo vetëm shkatërruat infrastrukturën moderne që socializmi kishte ngritur në bujqësi, në blegtori, në industri, në detari etj., por me politikat tuaja të çoroditura, çrrënjosët e po çrrënjosni tek shqiptarët traditat e mrekullueshme që u lanë të parët në këta sektorë, ku ata kishin ngulur themelet e jetës së tyre. Politikat tuaja antikombëtare, i detyruan fshatarët të braktisnin fshatin dhe tani pas tri dekadash, bijt e tyre të përhapur si zogjtë e korbit në dhera të huaja, e kanë humbur dhe po e humbin lidhjen organike me tokën dhe zejtarinë që lidhet me të, si aseti kryesor i jetesës për kushtet e vendit tonë. Po ashtu, duke shkatërruar objektet industriale dhe mbyllur apo shitur për pesë lek tek të huajt të vendburimeve minerale, ju eleminuat klasën vitale të punëtorisë, e cila sot është kthyer në një masë amorfe, pa kualifikim, pa specializim, por thjeshtë një krah pune i lirë për punë angarie, si çirakët e viteve tridhjetë.
Por shkatërrimet e mjerimet e politikanëve dhe pushtetarëve tanë të këtij çerek shekulli, nuk u mjaftuan vetëm në sektorin ekonomik. Batërdia e tyre është shtrirë në të gjitha sektorët e jetës e të veprimtarisë shoqërore. Epoka e socializmit i kishte siguruar vendit tonë një mbrojtje të sigurtë dhe një ushtri të fuqishme, që siguronte punën paqësore të popullit. Ju, jo vetëm e shkatërruat këtë ushtri e këtë mbrojtje me të gjitha asetet e saj, por edhe përgatitjen ushtarake të qytetarëve e keni nxjerrë jashtë ligjit, duke i lënë ata përpara rrezikut të mundshëm, si delet përpara thertores!
Epoka socialiste e Enver Hoxhës, Shqipërinë e analfabetizmit ekstrem, të malarjes, tifos e sëmundjeve ngjitëse të para çlirimit, për katër dekada e shndërroi në një vend ku arsimi dhe shëndetësia jo vetëm arritën parametrat europianë, por ishin krejtësisht falas për gjithë qytetarët. Ju bastardë na kthyet përsëri me spitale e shëndetësi të viteve tridhjetë dhe me arsim ku “lulëzon” jo vetëm analfabetizmi funksional, por edhe ai tradicional.
Epoka socialiste e Enver Hoxhës, nëpërmjet reformave të vërteta dhe politikave kombëtare në fushën e edukimit, të prodhimit, të arsimit e të kulturës arriti të krijonte një unitet të paparë midis krahinave, besimeve, klasave dhe grupeve shoqërore të vendit. Ndërkohë ju, brenda tri dekadave e shkallmuat këtë unitet dhe madje tentuat ta fusnit vendin në luftë civile, çka do ta kishit arritur, nëse nuk do ta mbronin “digat” që kishte ngritur pushteti popullor dhe Enver Hoxha në katër dekadat e sistemit socialist.
Arritja më sinjifikative e socializmit ishte zhdukja e gjakmarrjes dhe zakoneve të tjera mesjetare. Ju, me veprat tuaja “demokratike” rikthyet jo vetëm ritet e doket e mykura të mesjetës, por edhe plagën e tmerrshme të gjakmarrjes, me të cilën bota na tregon me gisht.
Një nga asetet simbol të shqiptarëve ka qenë familja, institucioni i së cilës edhe në rrethanat më të vështira historike, mbrojti e trashëgoi tradita të mrekullueshme e të dallueshme midis gjithë kombeve të tjerë përreth. Këto tradita e cilësi të mrekullueshme të familjes, socializmi i pasuroi dhe i ngriti në shkallën më të lartë, duke krijuar një familje solide dhe me parametra plotësisht modernë. Ju, politikano-pushtatarë bastardë, me propagandën porno dhe degjenerimin moral që impulsuat, me fenomene perverse që mbollët e vijoni të mbillni si bashkëjetesa, martesa brenda gjinisë etj., i vutë dhe po i vini kazmën familjes shqiptare, e cila është mbërthyer nga divorci, inçesti, vetvrasja e vrasja brenda gjirit të saj.
Në fillimet e ardhjes tuaj në pushtet, ju bastardë të borgjezisë së vjetër e të re, nuk latë gjë pa shpifur për socializmin dhe liderin e tij Enver Hoxha, që gjoja kishte shitur Kosovën dhe viset shqiptare në Jugosllavi, dhe me flamurin e leckosur të “demokracisë borgjeze” u zotuat se Kosovën do t’ia bashkonit Shqipërisë. Por sot pas 24 vitesh të çlirimit të Kosovës nga bijt e saj me ndihmën e ndërkombëtarëve, ju, jo vetëm nuk guxoni ta hiqni traun fallco në Morinë të Kukësit, por për një grusht paresh të qelbura, apo për marëveshje të ndyra kulisash, po falni e shisni jo vetëm pasuritë minerale, por edhe copa tokash për strehimin e refugjatëve të ardhur nga Magrepi apo Azia.
Fqinjët tanë shovinistë, dhe kancelaritë europiane të djeshme e të sotme, na kanë akuzuar ne shqiptarëve për paaftësi shtetformuese. Shqiptari i madh Enver Hoxha, me shtetin modern që ngriti në 45 vjetët e socializmit, u tregoi fqinjëve, Europës dhe botës mbarë, se shqiptarët dinë të bëjnë shtet dhe ta rreshtojnë atë krenarisht në sofrën e madhe të kombeve. Për fat të keq qeverisja juaj e çartur e ka kthyer përsëri “fyellin” e propagandës së fqinjëve dhe stërnipave të Bismarkut për paaftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Plot 33 vjet dhe ju politikanë e pushtetarë bastardë të sistemit borgjez, jo vetëm nuk e realizuat premtimin për “shtet demokratik”, për “shtet ligjor të së drejtës”, etj., por shkallmuat e po shkallmoni me themel gjithçka është ngritur me mundë, me djersë e me gjak, që nga viti i lavdishëm 1912 e gjer në fund të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Ndërsa Epoka Socialiste e Enver Hoxhës për katër dekada e veshi vendin me gjerdanë kurorash ndriçuese, ju bastardët e demokracisë së importuar në vitin 1990, në tri dekada i “dhuruat” vendit gjerdanë krimesh të errta, si shkatërrimet e viteve ’90 – ‘91, pragluftën civile të 1997-tës, grusht-shtetin e 1998-tës, bombën “atomike” të Gërdecit, vrasjet qeveritare të 2011-tës etj. Pa futur në këtë listë vrasjet prapa shpine të individëve “problematikë”, apo vjedhjet, krimet dhe korrupsionin e politikanëve e pushtetarëve, dosjet e të cilëve “shtërzojnë” prej 4 vitesh në zyrat e SPAK-ut e të GJKKO.
Kjo skotë gangsterësh që kanë uzurpuar politikën dhe shtetin, të mbështetur nga apologjetët e tyre, ndërsa llokoçiten në pellgun e korrupsionit, të krimit dhe të antishqiptarizmit, nuk mungojnë të përqeshin, shajnë e mallkojnë komunizmin dhe Enver Hoxhën, e vetmja mënyrë për të justifikuar në sytë e ustallarëve perendimorë karriken e pamerituar të pushtetit.
Është pikërisht kjo që më jep të drejtën të përsëris me zë të lartë:
DHE KENI GOJË TË SHANI KOMUNIZMIN!
DHE KENI FYTYRË TË PËRGOJONI ENVER HOXHËN!
I cili, jo vetëm tani pas tridhjetë e tetë vitesh që është ndarë nga jeta, por edhe pas treqind vitesh, edhe pas trimijë vitesh, me veprat që ai realizoi në dobi të vendit, do të mbetet simbol i atdhetarizmit, simbol i përparimit dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!