Bota njerëzore është në ndryshim të pandërprerë, falë zbulimeve të reja në shkencë e teknologji. Cilido që nuk ndjek ritmin e kohës, në një moment, e kupton se ka mbetur shumë mbrapa. Në transport njohim ende edhe sot: qerren, makinën, aeroplanin…
Në gjuhësi ka ndodhur ngjarja që nuk pritej: zbërthehet morfema në pjesë më të vogla të kuptimshme e që janë embriomorfemat unike të shqipes. Kjo ngjarje ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj morfologjisë dhe revolucionarizon krejt etimologjinë.
Është krejt e natyrshme të ketë ndjekës së gjuhësisë krahasuese e të përfaqësuesve të saj, sepse kështu ndodh çdo herë, pas të gjitha zbulimeve të mëdha. Askush nuk i detyron të prapambeturit, të ndjekin ritmin e shkencës, përpos kur i detyron sistemi ku ata janë pjesë. Kur të prapambeturit janë drejtues të një sistemi, bëjnë çmos që sistemi i tyre të ruhet, sepse e reja që vjen krijon një tjetër sistem, që nuk përshtatet me sistemin aktual. Sistemet e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe ai më përparuari, me kohë, bëhet sistemi sundues.
Në shkencën e etimologjisë faktohet se është zbuluar embriomorfema, si njësia më minimale që mbart kuptim dhe kjo po ndryshon krejt etimologjinë e shqipes. Tashmë ka fjalorë të tërë etimologjikë të ndërtuar konform referencës tek embriomorfema dhe metoda rrjedhëse prej saj.
Askush nuk mund të guxojë të mohojë ekzistencën e “tabelës së embriomorfemave të shqipes” dhe rolin e tyre në formimin e fjalës dhe këtë, sistemi i gjuhësisë krahasuese e ka kuptuar mirë, ndaj dhe i shmanget përballjes direkte me metodën etimologjike të mbështetur tek embriomorfemat.
Etimologimi i fjalës me motivim nëpërmjet embriomorfeve ka thjeshtëzuar të kuptuarit e procesit etimologjik në një masë të madhe njerëzish, sa është kthyer në një fenomen mbarëkombëtar të pakrahasueshëm me asnjë tjetër vend.
Fenomen i masivizimit të etimologjisë, në hapësirat shqipfolëse, ka ndodhur sepse metoda e etimologjizimit me anë të embriomorfeve është më e thjeshtë të kuptohet prej të gjithëve, përkundër metodës së krahasimit që “e kuptonte” vetëm Çabeji. Metoda e krahasimit nuk arriti kurrë të gjejë etimologjinë e fjalës dhe më së shumti u mjaftua të japë dokumentimin e historisë së shkrimit të fjalës.
Nuk pati kurrë masivizim të linjës etimologjike të gjuhësisë krahasuese, sepse ajo metodë nuk bindi as ata që e përdorën, të cilët “bënin etimologji” me rrënjë fjalësh të hamendësuara, shumica e të cilave as do të kenë ekzistuar ndonjë herë.
Në të kundërt të metodës së pakapshme të krahasimit, metoda e embriomorfeve në etimologim është lehtësisht e kuptueshme, por përdorimi i saktë i saj kërkon njohje të mirë të fonetikës. Një pjesë simpantizantësh të kësaj metode përfundojnë në rrokjezim fjalësh, njëjtë si me etimologjinë popullore dhe te kjo pjesë kapen kundërshtarët e metodës së embriomorfeve, për të bërë “identifikimin” me ta edhe të autorëve seriozë të kësaj metode. Stigmatizimi i grupit dhe “vrasja” në grup është metodë që e përdor vetëm shkenca sllavokomuniste e Tiranës. Shkenca e vërtetë merret me origjinalin e prototipin. Nuk mund të gjykohet Ajnshtajni (Einstein-i) pse një mësues fizike e interpreton jo mirë teorinë e tij dhe nuk mund të humbasë vlerat Verdi pse një trupë opere e baleti e vë dobët në skenë Traviatën.
I vetmi akademik, që u mor seriozisht me një etimologji timen, edhe pse më çuditi, ishte Ardian Vehbiu. Pas shumë sulmeve verbale në televizion (RTSh) dhe në revistën e tij “Pezazhe të fjalës”, ai tregoi profesionalizëm dhe vuri në diskutim etimologjinë time të fjalës LAGUNA dhe kjo ishte një dëshmi se midis dy rrymave mund të ketë një debat shkencor. Vehbiu nuk është etimlog, por njeh mirë metodën e krahasimit. Më e udhës do ishte që në atë debat të hynte prof. Albert Riska, i cili është njohësi më i mirë i gjuhësisë krahasuese dhe shumë më i ngjashëm me Çabejin, për nga produkti i tij etimologjik. Por, si duket, Riska i njeh kufijt e tij.
Do të ishte jo e udhës që në debat të futej A. Omari e B. Demiraj, pasi profesionalisht janë të dobët në gjuhësinë krahasuese, edhe pse kanë “produkt etimologjik” të botuar. Këta vlejnë vetëm për të organizuar peticione për të mbrojtur Çabejin, se nëse bie edhe zyrtarisht ai, bien edhe vetë të ngjashmit me të.
Një shtet i së drejtës, përsa financon zyrtarisht shkencën e albanologjisë, do të duhej ndërhynte për të moderuar institucionin e debatit shkencor, midis rrymave dhe jo të bëjë sehir se si i firojnë taksat për punë pa vlerë e shpesh edhe antikombëtare. Atë që nuk po e bën shteti, qartë po e bën publiku i gjerë, i cili është pajtuar me rrymën e re etimologjike dhe distancohet përherë e më shumë nga akademizmi gjuhësor i Tiranës.
Për albanologjinë zyrtare të Tiranës punët ishin “në rregull”, derisa u bënë publike idetë e Petro Zhejit. Gjërat ndryshuan skajshëm kur u anatemua publikisht vepra etimologjike e Çabejit. Publiku shqiptar ishte dëshmitar, se për 10 vjet asnjë akademik nuk guxoi të mbrojë etimologjitë e Çabejit dhe e vetmja “mbrojtje” e tij ishte përpjekja për të burgosur autorin e oponencës shkencore ndaj veprës etimologjike të Çabejit.
Albanologjia zyrtare e Tiranës, që nga momenti kur me anën e një peticioni u kërkoi instancave më të larta të shtetit t’u mbyllej goja njerëzve me mendim ndryshe në albanologji, konfirmoi botërisht se nuk është institucion shkencor dhe nuk ka lidhje me shkencën. Shteti është fuqi e madhe dhe kërkesa që ai të sillet dhunshëm ndaj palës që mendon ndryshe, tregon se albanologjia e Tiranës ka patur historikisht në ndihmë shtetin, për të denigruar albanologët e pavarur. Censura, burgu, dhuna fizike e psiqike (me ndihmën e shtetit) kanë qenë “parimet” në të cilat kjo albanologji ka siguruar vazhdimësinë e saj. Në krye të kësaj albanologjie janë të njëjtët njerëz që kanë drejtuar në diktaturë e që drejtojnë edhe sot. As edhe qimen nuk e kanë ndërruar, e jo më zakonet.
Me qëndrimet dhe veprat e saj albanologjia zyrtare e Tiranës ka dëshmuar se ishte dhe është një diktatologji sllave e mirëorganizuar.
E vetmja gjë pozitive, që është duke u rritur, është neveria gjithëpopullore ndaj kësaj albanologjie, që produkt albanologjik ka vetëm konfirmimin shkencor të tezave sllave, për identitetin e kombit shqiptar
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!