Dioguardi: Asociacioni nuk duhet të themelohet

24
Aug
2023

Ish-kongresisti amerikan me origjinë shqiptare, Joseph Dioguardi, ka mbërritur për vizitë në Kosovë, të parën që prej 14 vjetësh. Në një prononcim për KOHËN, ai e ka shprehur qëndrimin kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi ka thënë se ky mekanizëm mund të shkaktojë shumë probleme në të ardhmen. Por themelimin e kërkon Uashingtoni zyrtar, i cili në muajt e fundit ka ftohur raportet me Qeverinë e Kosovës. Megjithëkëtë, Dioguardi ka konstatuar se raportet mes dy shteteve kurrë nuk kanë qenë më të mira
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të shkaktojë më shumë tensione sesa të sjellë progres, ka vlerësuar ish-kongresisti amerikan me origjinë shqiptare, Joseph Dioguardi, i cili të shtunën ka mbërritur për vizitë në Kosovë, e para që pas 14 vjetësh.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Në një prononcim për KOHËN, ai e shprehu qëndrimin kundër Asociacionit, tek vlerësoi se nuk nevojitet krijimi i një mekanizmi për të konstatuar më shumë të drejta për serbët në Kosovë.

“Pse duhet t’i japim të drejta një vendi që është i afërt me Rusinë dhe Putinin? Pse duhet t’i japim mundësi Serbisë që të shkaktojë edhe më shumë probleme sesa që tashmë po shkakton? Serbët këtu i kanë të gjitha të drejtat. Kështu që, nuk ka nevojë për një Asociacion për të konstatuar më shumë të drejta, pasi që kjo mund të shkaktojë probleme në të ardhmen”, ka thënë Dioguardi pasi mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

DioGuardi, i cili ka ardhur në Kosovë me qëllim të promovimit të historisë së shpëtimit të hebrenjve te shqiptarët gjatë Holokaustit, është shoqëruar nga përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Këshilltarja për çështje të Ballkanit Perëndimor në këtë Ligë, Shirley Cloyes Diogardi, ka thënë se qëndrim të njëjtë lidhur me Asociacionin ndan edhe kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan, Bob Menendez.

“Senatori Menendez e ka bërë të qartë që Asociacioni nuk është hapi i ardhshëm që duhet të merret. Ju do të dëgjoni deklarata të ndryshme nga qeveria jonë, por është e rëndësishme që kosovarët të aktivizohen dhe të tregojnë se si dëshirojnë që të shkojë procesi”, ka thënë ajo.

Që prej trazirave të shkaktuara në veriun e banuar kryesisht me serbë, shkaku i vendosjes së kryetarëve të rinj në objekte komunale, Kosova është përballur me masa nga Shtetet e Bashkuara, duke mos u ftuar në stërvitje të përbashkëta ushtarake e përjashtuar nga projektet evropiane.

Por, sipas ish-kongresistit amerikan, raportet në mes të Wshingtonit dhe Prishtinës zyrtare kurrë nuk kanë qenë më të mira.

“Asnjëherë nuk kanë qenë më mirë raportet mes dy vendeve. Ne ende e kemi Bidenin, i cili është në anën tonë, pa marrë parasysh se çfarë mendimi politik keni për të. Nuk duhet ta harrojmë se Bideni është personi që na ka ndihmuar që t’i hedhim bombat në kohën e duhur. Biden tani është president i vendit dhe nuk presim që ai të veprojë ndryshe sesi ka vepruar gjatë kohës sa ishte senator”, ka thënë Dioguardi.

E masat që janë zbatuar ndaj Kosovës nga shteti i tij dhe nga Bashkimi Evropian, ai i kualifikoi si të pakuptimta.

“Sanksionet janë të pakuptimta dhe këtë e dinë edhe ata. Këto sanksione do të largohen shumë shpejt. Besoj që e keni parë letrën që është nënshkruar nga senatori Bob Menendes dhe nga Alicia Kearns e Mbretërisë së Bashkuar. Ne jemi shumë rehat, pasi që jemi të sigurt se SHBA-ja asnjëherë nuk do ta braktisë Kosovën”, ka theksuar ish-kongresisti amerikan, një prej mbështetësve më të mëdhenj amerikanë në dekadat e fundit.

E përderisa ish-kongresisti DioGuardi theksoi se raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës s’kanë qenë asnjëherë më të mira, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se trazirat në veri dhe çështja e Asociacionit kanë lënë pasoja.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri, ka thënë se është e nevojshme që Qeveria të ndërmarrë veprime serioze në funksion të forcimit të raporteve me partnerin kryesor strategjik të Kosovës.

“Unë konsideroj që Qeveria duhet të shohë secilin hap që të marrë veprimet strategjike, që të elaborojë si duhet pozicionin e Kosovës në këto raporte, por gjithashtu duhet që Kosova përmes Marrëveshjes së Ohrit që ka marrë disa obligime ndërkombëtare, t’i zbatojë, pasi shmangia apo përvijimi nga zbatimi i tyre natyrisht se do të ketë pasoja politike për vendin”, ka thënë Imeri.

E njohësi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA, Faton Bislimi, ka thënë se për Prishtinën zyrtare është me interes që ta ruajë partneritetin e saj me Washingtonin.

“Për ne nuk ka rrugë tjetër, pos rrugës së integrimeve euroatlantike, ku përsëri partneri jonë kryesor është SHBA-ja. Në ndërkohë, ne kemi parë situata të cilat lënë për të dëshiruar”, ka thënë Bislimi, i cili ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës. “Besoj që është obligim i secilit prej neve që këtë marrëdhënie ta çojë më përpara e ta forcojë sa më shumë, sepse nuk kemi partnerë që mund t’i zëvendësojnë ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Shtetet e Bashkuara përbëjnë partnerin kryesor strategjik të Kosovës. Roli i tyre ka qenë përcaktues në bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja, e që çoi në çlirimin e Kosovës, e më vonë edhe në shpalljen e pavarësisë dhe në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk