DITA E 4 QERSHORIT DUHET TË JETË FESTË KOMBËTARE E SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË.
KJO FESTË DUHET TË PËRFSHIHET ZYRTARISHT NË KALENDARIN E FESTAVE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË.
INSTITUCIONET NUK DUHET TË HESHTIN, AQ MË PAK STUDENTËT, SEPSE KJO FESTË I NDERON ATA DHE E NDERON ÇDO SHQIPTAR.
KJO DATË NGA HISTORIA JONË MË E RE I BASHKON TË GJITHË, I NDERON TË GJITHË, NA BËN TË GJITHËVE TË NDJEHEMI KRENARË!
Tekstin e Komunikatës mund ta lexoni në vazhdim:
K O M U N I K A T Ë
Me rastin e 15 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor të vitit 1994, Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni:
– duke marrë parasysh rëndësinë historike të kësaj date për shqiptarët e Maqedonisë dhe për kombin shqiptar në përgjithësi;
– duke konsideruar se ky Kuvend i hapi rrugë arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, me themelimin e Universitetit të Tetovës;
– duke konsideruar se ky hap i madh historik, nxiti dhe iniciativa të tjera për hapjen e institucioneve të arsimit sipëror, si: Fakulteti Pedagogjik, me mësim edhe në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit të Shkupit, Fakulteti i Shkencave Islame, i hapur një vit më vonë nga Qeveria e Maqedonisë, i cili ishte njëri nga 7 fakultetet e parapara në përbërje të UT-së, Universiteti i Evropës Juglindore, i hapur me iniciativën e komisionarit të posaçëm të OBSE, Van Der Shtul, në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, si dhe iniciativave të tjera, në interes të avancimit të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare;
– duke i pasur në konsideratë të gjitha sakrificat e popullatës shqiptare, rënien e dëshmorit Abdilselam Emini dhe të studentëve të këtij universiteti, të cilët në vitin 2001, u flijuan në altarin e lirisë, me idealin e madh të barazisë dhe sigurimin e të drejtave kombëtare, për flamur, gjuhë amtare dhe shkollë shqipe;
– duke i çmuar lartë sakrificat e profesorëve, sidomos nga qendrat universitare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilët nuk e kursyen potencialin intelektual dhe fizik për arsimimin e brezit të ri;
– duke e vlerësuar lartë sakrificën dhe përgjegjësinë e studentëve, për sigurimin e ardhmërisë së tyre dhe të perspektivës për gjeneratat e reja, me vite të tëra e mbrojtën Universitetit nga kthetrat e injorancës politike, shovinizmit dhe barbarisë antidemokratike;
– duke qenë të bindur se hapja e Universitetit, sigurimi i të drejtës së secilit për arsimim në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, pa dalim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare, i kontribuon zhvillimit të përgjithshëm, avancimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, paqes ndërkombëtare dhe progresit:
Datën 4 QERSHOR, si ditë më të ndritur nga historia e re e popullit shqiptar në Maqedoni propozon të shënohet si festë – DITA E STUDENTIT.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!