Kam kënaqësi që me rastin e këtij nderimi që po i bëhet sot Adem Demaçit të them disa fjalë për jetën dhe për veprën e tij.
Kam folur e kam shkruar për të edhe disa herë të tjera kur s’ishte ende në moshën në të cilën është sot. Por, tetëdhjetë vjet tashmë të kaluara dhe nderimi që po i bëhet më nxisin të them edhe diçka që nuk e kisha thënë atyre herëve.
Brezi im ka pasur fat të jashtëzakonshëm që prej natyrës të jetë i dhuruar me një vetje siç është Adem Demaçi. E thashë brezi im e do të duhej të thosha se Kosova, në të vërtetë populli shqiptar në përgjithësi, ka pasur fat të madh që ka rritur një vetje siç është Adem Demaçi.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu sepse Adem Demaçi është autoritet i madh, i pakrahasuar me askënd tjetër në Kosovë para tij dhe pas tij: autoritet politik, kulturor e moral.
Dhe, ky autoritet me kohë është bërë autoritet gjithëkombëtar dhe është bërë autoritet i tillë sepse është ndërtuar mbi përkushtimet e tij jo ndaj një, por ndaj disa veprimtarive kombëtare: ndaj krijimtarisë letrare, ndaj publicistikës, ndaj veprimtarisë politike.
Në të gjitha këto veprimtari ai do të merret me çështje thelbësore nga e shkuara, nga e përtashmja dhe nga e ardhmja e popullit shqiptar.
Shikimet e tij dhe shpjegimet e tij të fatit historik, politik, shoqëror, kombëtar të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve kurrë dhe kurrkund s’do të shprehen me mënjanëri mendore e ndjenjore, por me mospajtim të theksuar me gjendjen e përtashme dhe me padrejtësitë historike që i ishin bërë atyre, me mospajtime me pasojat që populli shqiptar po përjetonte për shkak të atyre padrejtësive të kryehershme, me mospajtime që do të ndërtojnë dhe frymëzojnë vetëdijen e re të rinisë sonë.
Ishin këto shikime dhe shpjegime që shpreheshin me gjuhë letrare artistike në prozën e tij: në romanet dhe në tregimet e tij.
Ishin këto shikime dhe shpjegime që shpreheshin me gjuhë intelektuale në shkrimet e tij publicistike.
Ishin këto shikime dhe shpjegime që shpreheshin qoftë edhe me programe kombëtare në veprimtarinë e tij të pandalshme politike.
Me këto shikime dhe shpjegime Adem Demaçi do të bëhet herët shqiptues i madh, më i madhi, në historinë shqiptare të Kosovës, i mendimit të guximshëm, të drejtë, të ndershëm, i mendimit çlirimtar shqiptar.
E gjithë kjo veprimtari e gjithanshme artistike, shoqërore dhe politike, që ishte plotësisht mospajtuese me politikën zyrtare kosovare, serbe e jugosllave dëshmon qartë se Adem Demaçi ia kishte dhuruar jetën Kosovës, se ia kishte dhuruar jetën lirisë dhe pavarësisë së saj, se ishte i gatshëm të flijohej për të.
Si do t’i përgjigjet Kosova kësaj gatishmërie flijuese të Adem Demaçit. Të shprehem më saktësisht: si do t’i përgjigjen udhëheqjet politike të Kosovës kësaj gatishmërie flijuese të Adem Demaçit?
Përgjigjja është dëshpëruese.
Në kohën e ish Jugosllavisë komuniste ato udhëheqje do t’i përgjigjen duke iu bashkuar udhëheqjeve serbe dhe jugosllave në burgosjet e gjykimet e tij tri herë për veprimtari armiqësore, që do t’ia shqiptojnë rreth njëzet e tetë vjet burgje?
Më vonë, në kohën e veprimtarisë së një vargu partish shqiptare në Kosovë prej fillimit të vitit 1990 e deri në vitin e çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, udhëheqjet partiake të këtyre partive, që po bënin të ashtuquajturën politikë paqësore, do t’i përgjigjen me drojë të madhe prej autoritetit të Adem Demaçit dhe me përpjekje të gjithfarshme me shkrime në gazetat e kontrolluara prej tyre dhe me propagandë gojore të palejueshme me çka synohej zhvlerësimi i autoritetit dhe i meritave të tij! Po të lexohen sot gjithë ato që në gazeta janë shkruar kundër tij do të mund të bindemi se sa e paskrupuj ishte droja prej mundësisë që Adem Demaçi të ngrihej në rolin që në sytë e popullit në të vërtetë ishte: në rolin e prijësit të Lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!
E tani, pas luftës çlirimtare, pas sendërtimit të idealit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të cilit ai ia kishte flijuar pjesën më të rëndësishme, më të vlefshme të jetës së tij, si do ta trajtojnë Adem Demaçin udhëheqjet politike të shtetit të Kosovës.
Kryetari i lavdishëm amerikan Xhon Kenedi ka thënë: “Mos pyet çka ka bërë atdheu yt për ty, por pyet çka ke bërë ti për atdheun”. Ky mendim aq shumë i cituar prej politikanëve e intelektualëve të ndryshëm në botë në të vërtetë është një ndryshim i kuptimit të mendimit të njohur të poetit të madh italian, Dante Aligeri, i cili mbas syrgjynosjes prej vendit të vet – prej Firences kishte thënë: “Nuk kam vetëm unë obligime ndaj atdheut, por edhe atdheu ka obligime ndaj meje”.
Është thënë se Adem Demaçi, si askush tjetër në historinë shqiptare, i ka kryer obligimet atdhetare ndaj Kosovës, por ende s’është thënë si i ka kryer obligimet e saj ndaj tij Kosova shtet?
Do të përgjigjemi ndershëm e drejt në këtë pyetje në qoftë se fatin e Adem Demaçit pas çlirimit prej burgjeve e krahasojmë me fatin e Nelson Mendelës pas lirimit të tij prej burgjeve të Republikës së Afrikës Jugore.
Mbas lirimit prej burgut, jo vetëm bashkëmendimtarët, por edhe kundërshtarët politikë do ta shpërblejnë Nelson Mendelën me nderime, të pamatshme: do t’i caktojnë këshilltarë, do t’i caktojnë shpura, do t’i caktojnë privilegje të ndryshme politike, shoqërore, materiale, do ta bëjnë protagonist në shumë institucione shoqërore, kulturore, shkencore. Dhe, në fund, do ta bëjnë kryetar shumëvjeçar të Republikës Jugafrikane.
Asnjë prej këtyre nderimeve politikisht larghedhëse që iu bënë Mendelës jugoafrikan nuk iu bënë Mendelës kosovar – Adem Demaçit.
As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, çmimi shtetëror i Kosovës për krijimtari mendore, që i është dhënë shumë kujt, kujt e meriton dhe kujt s’e meriton, nuk i është dhënë Adem Demaçit!
As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe vetje pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin!
As gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të Kosovës së çliruar Adem Demaçin nuk e bënë as deputet të përhershëm siç janë bërë në botë disa autoritete të mëdha kombëtare, nuk e bënë as deputet katërvjeçar, as kryetar të Kuvendit të Kosovës, as kryeministër e as kryetar të Kosovës! U bënë deputetë, kryetarë të Kuvendit, kryeministra, kryetarë të Kosovës vetje, që s’i kanë dhuruar asnjë pikë djersë lirisë së Kosovës, që s’i kanë kushtuar asnjë orë e asnjë fjali pavarësisë së Kosovës, por s’u bë Adem Demaçi!
Pse në Kosovë, për hir të nderimit të saj në botë, nuk u bë institucion shtetëror lavdia politike, morale, çlirimtare e 28 vjetëve burgje të Adem Demaçit?
Nuk ka dyshim se sjelljen e këtillë ndaj Adem Demaçit, që në thelb dëmtoi Kosovën e bënë arrivistët e pushtetshëm – ata që Adem Demaçin e xhelozuan dhe e xhelozuan për shkak të të gjitha atyre meritave historike, që ka ai për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, për shkak të autoritetit madhor me të cilin ai i bën gati të padukshëm gjithë të tjerët.
Por jo vetëm kaq. Sjelljet e këtilla përjashtuese ndaj Adem Demaçit ta themi kryetar i Kosovës i nxiti shumë më tepër droja prej etikës së tij politike me të cilën ai do të parandalonte privilegjet, korrupsionin, zhvatjet, lukset, pasurimin e lehtë, të shpejtë, të kundërligjshëm, e të këqijat e tjera në institucionet shtetërore, duke e bërë përgjegjshmërinë jo vetëm kulturë por edhe ligj të pashmangshëm në politikën shqiptare.
Sjelljet e këtilla, politikisht dhe moralisht të papranueshme ndaj Adem Demaçit dhe të dëmshme ndaj Kosovës i bënë ata që me asgjë, nuk i mbërrijnë atij as deri te gjunjët.
Lejohem të them se emrat e tyre do të harrohen ditën kur do të mbesin pa karriget për të cilat bënë dhe po bëjnë edhe krejt çka s’bëhet, kurse emri i Adem Demaçit, jetëshkrimi i tij, vepra jetësore dhe mendore e tij, do të jetë e përjetshme dhe përjetshëm do ta lëvizë dhe do ta ndriçojë historinë e popullit shqiptar.
(Ky shkrim i postuar sot në FB-un tim është folur në shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!