Si i pasuri ashtu dhe i varfëri i mbushin qerrkat me ushqim por, ndryshimi qëndron nga vendet që i marrin ushqimet, ku i pasuri e mbush qerrkën nga supermarketet ndërsa i varfëri nga kazanët e plehërave dhe mbeturinave që i hedhin të pasurit pasi i konsumojnë ato..
Kjo është shoqëria e sotme që qëllimisht quhet gabimisht demokraci, duke e mbuluar me dekor emrin e saj por jo brendësinë dhe shpirtit të babëzitur borgjez të demokracisë liberale.
Përse kemi kaq varfëri dhe skamje në trojet shqiptare pasi u instalua “demokracia” si rend ekonomiko-shoqëror dhe varfëria duhet të merrte fund ashtu siç proklamuan në vitet e para të ndërrimit të sistemeve nga socializmi në “demokraci”, ku u tha se të gjithë do të hanin me lugë floriri?
Si dje edhe sot shtresa e ulët mezi mbyll muajin nga rrogat minimale që i jep shteti apo oligarkët për të mbijetuar.
Me një shëndetësi të rrënuar pa patur mundësi për t’u mjekuar për të jetuar me dinjitet, ku një pjesë e madhe e shtresës së
ulët të varfanjakëve në të gjitha trojet shqiptare megjithse e zhgënjyer nga liderët tanë, vazhdon t’i votojë rrufjanët e politikës në çdo cikël zgjedhor.
Një paradoks shqiptar ky i pashpjegueshëm mes kusarëve të pushtetit dhe viktimave!
Përse “demokracia” nuk solli mirëqënie dhe barazi sociale për të gjithë njëlloj, por vetëm për liderët e politikës dhe oligarkët?
Përse liderët e partive të mëdha politike nuk janë të varfër por super të pasur?
Ku i gjetën paratë oligarkët shqiptarë?
Mos vallë i trashëguan nga familjarët e tyre?
Jo, oligarkët, liderët e partive të mëdha dhe pushtetarët janë pasuruar duke zhvatur qytetarët dhe pronën publike, ndaj janë pasuruar me grabitjen e pasurisë publike.
Demokracia liberale nuk e ka për zemër solidaritetin ndërnjerëzor me të varfërit pasi ajo lidhjet i mbanë me oligarkët dhe të padronët e mëdhenj, që nuk duan t’ia dinë për shtresën e ulët e cila përbën shumicën te shqiptarët si shtresë e varfër.
Demokrcia liberale apo kapitalizmi, përfundimisht rezultoi si rend që dështoi me mosarritjen e vendosjes së barazisë sociale dhe mirëqënies së bollëkut ekonomik për të gjithë në trojet shqiptare, pasi borgjezia shqiptare mbron dhe mbështet shtresën e lartë pakicë, ndërsa shtresa e ulët trokë, duhet të mbush qerrkat me kanaçe dhe ushqime të skaduara për të mbijetuar.
Ky është realiteti shqiptar me fotografi dhe me fjalë që dëshmon se pakica sundon shumicën jo vetëm me paratë dhe investimet nga burime jo të pastra, por duke u mbajtur në këmbë përmes levave të pushtetit siç janë organet represive të rendit dhe drejtësia e zezë, që mbysin çdo revoltë dhe pakënaqësi ndaj pushtetit kudo që shfaqet.
Një përkufizim mbi rolin e demokracisë liberale (kapitalizmin) si rend ka një shprehje monumentale të ish presidentit francez François Miterrand i cili ka thënë : “Nga Socializmi nuk doli gjë, por edhe kapitalizmi nuk është lule për të marrë erë”!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!