(Kushtuar Dëshmorëve të Atdheut, kapiten Fatmir Shehu dhe ushtar Arsen Gjini)
–
Kur nata zbriti mbi Bureto,
dhe hije shtriu mbi gur e shpat,
një dorë e zezë, pa dritë, pa zot,
e çau kufirin si bishë me nat’.
–
Në Peshkëpi, ku flamuri valon,
ku nderi rri mbi çdo ushtar,
erdhi pabesia si vdekje në thon’,
ta shuante dritën me plumb e zjarr.
–
Arsen Gjini, djalë nga Semani,
me zemër shqipe, me shpirt kapedani,
e ndjeu stuhinë që vinte vrull,
por nuk bëri mbrapa, kurrë s’u përkul.
–
Kallashi bosh, por shpirti zjarr:
“Pa plumba jam – po jam shqiptar!”
dhe u hodh si rrufe, mbi ta, në terr,
e ra i pari, po me lavdi e nder.
–
Në legjendë u ngjit pa pasur varr,
si yll që tretet në natë me mall;
por zëri i tij s’harrohet kurrë –
ai u përjetësua, lart në flamur.
–
Fatmir Shehu, burrë me besë,
ushtarak i fortë, me peshë e shpresë,
zbriti me armë e me flakë në sy,
me emrin “Atdhe” ngulitur në gji.
–
Në shesh të shkallëve e priti plumbi,
por kapitenin nga vendi s’e tundi;
se plumbat s’vrasin burrat me besë –
ata ndriçojnë Atdheun nga brezi në brez.
–
Ai s’kish frikë – s’e njihte kurrë;
ra për Shqipëri – për tokë e flamur,
për dy jetima me sy nga qielli,
për gjakun që s’jepet, veç me besë dielli.
–
Në çdo përrua ku rrjedh një plagë,
kënga e tyre s’fiket as me lagë.
Se kur bien trima për truall e nder,
ngrihet flamuri si diell mbi erë.
–
Në gurë të lirisë u skalit emri,
në zemra shqiptare rron si kujtim.
Arseni e Fatmiri – dritë në stuhí:
s’perëndojnë kurrë – dy yje në kufi.
———————————————————
Ish ushtarak e luftëtar në UÇK, UÇPMB,
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë!
I robëruar në emër të Atdhedashurisë 🇦🇱
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!