Përshëndetje miq!
E Diela Poetike sjell në vëmendjen tuaj sot një pendë të artë të poezisë shqipe. Autor i shumë e shumë teksteve të këngës së lehtë dhe popullore, i ndjeri Arben Duka ka skalitur me zjarr dhe ndjenjë poezitë e tij.
Sonte poezia titullohet “Një rrëfim i sinqertë!…”
Lexim të këndshëm!
* * *
Një rrëfim i sinqertë!…
–
Në greminë të kësaj jete,
unë shoh dritën dhe tek honi,
ndaj dhe nuk shkrova për vete,
po për juve që s’shikoni!
–
S’e kam jetën mjaltë blete,
dhe tani në fund kam mbërritur,
por nuk kam shkruar për vete,
po për ju, o të uritur!
–
Nëpër akull, nëpër vapë,
jeta s’më ka përkëdhelur,
por për veten s’shkrova prapë,
po për ju që jeni shkelur!
–
S’gjeta flori në minierë,
dhe nuk jam unë një i zgjedhur,
ndaj dhe shkrova kurdoherë,
veç për ju që jeni vjedhur!..
–
Gjer mes yjesh shikoj mirë,
edhe ditën, më besoni,
ndaj prapë shkrova me dëshirë,
veç për juve që s’shikoni!
–
Shpesh kam folur nëpër netë,
edhe me të madhin Zot,
ndaj shkrova në këtë jetë,
për juve që s’flisni dot!
–
Krimbi s’mund të fluturojë,
s’do shumë mend për ta kuptuar,
ndaj s’kërkoj që të më dojë,
kush mes llumit ka jetuar!
–
As prej djallit të mallkuar,
nuk jam trembur ndonjëherë,
po injorancë e harbuar,
më fut dridhmat dhe në verë!
–
Mbi dy brigje unë hedh urat,
po prapë shahem e mallkohem,
se të gjitha diktaturat,
mbi idiotët lartësohen!
—
Pushteti kafshon si gjarpër,
se është kohë e arrogantëve,
dhe në qofsh Sokrat i Varfër,
ke mllefin e injorantëve!…
–
Dhe gomari e kupton,
përse mbetëm kështu trokë,
se çdo popull meriton,
qeverinë që ka mbi kokë!
–
Shkrepën yje kuq e blu,
ne te bisht i urës mbetëm,
po unë prapë do jem kështu,
dhe në mbetsha Një i Vetëm!
–
Do shpëtojë Shqipëria,
dhe ky popull për ibret,
veç ditën që Drejtësia,
do të shpallet këtu Mbret!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!