E kaluara e zezë e partive opozitare është arsyeja pse Vetëvendosje mbetet akoma një dritë shprese për Kosovën

21
Dec
2024
Shkruan: Gëzim Mekuli


Sipas një sondazhi të fundit, Lëvizja Vetvendosje është duke udhëhequr me 47.1% të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Pas saj renditen PDK me 19.5%, LDK me 17.7%, ndërsa AAK ka 6.6% të mbështetjes. Të tjerët përbëjnë 9.1% të votave të mundshme.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Se a reflekton ky sondazh preferencat e publikut për partitë politike në prag të zgjedhjeve, dhe a mund të sjellë ndryshime të mëtejshme në balancën politike të vendit deri në ditën e votimeve, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot Online”, pikëpamjet e tij i ka shpalosur njohësi shkencave të medias dhe retorikës, Gëzim Mekuli.1. A është e mundur që Lëvizja Vetëvendosje të ruajë këtë mbështetje të lartë prej 47.1% deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, apo do të ndodhin ndryshime të papritura në balancën e forcave politike?

Gëzim Mekuli: Për Vetëvendosjen, një mbështetje prej 47.1% nuk mund të cilësohet thjesht si «e lartë», por si një rezultat i pritshëm. Ky numër (edhe pse jo besnik) nuk është ndonjë befasi për publikun; thjeshtë është reflektim i një lidhjeje shpirtërore mes popullit dhe një lëvizjeje që ka ndërtuar legjitimitetin e saj mbi integritetin, përkushtimin dhe një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës tonë të dashur. Pra, kur flasim për «mbështetje të lartë», duhet të kuptojmë që për Vetëvendosjen kjo është një vazhdimësi e natyrshme e një përkrahjeje popullore të fituar me punë, llogaridhënje dhe besim të ndërsjellë; jo sall me fjalë, jo sall me pallavra, jo vetëm me fotografi.

E sa për «ndryshime të papritura», ato janë larg të qenit reale. Vetëvendosja nuk e ka ndërtuar mbështetjen e saj mbi premtime boshe apo mbi gënjeshtra e manipulime, por mbi një projekt të drejtë kombëtar dhe një qasje të qëndrueshme ndaj qeverisjes së Kosovës. Prandaj, nuk priten «ndryshime të papritura», por pritet një fitore logjike, e pritshme, e merituar dhe demokratike; të bazuar në vlerat humane dhe arritjet konkrete politike e sociale që kjo parti ka sjellë në jetën publike të popullit të Kosovës.

Të nderuar,
Kjo mbështetje popullore nuk është hiq një rastësi; është rezultat i zhgënjimit që populli e ka përjetuar nga partitë e moçme të korrupsionit (PDK, LDK dhe AAK) dhe i një shprese të re të ushqyer nga Vetëvendosja si politikë, si mendësi, si filozofi e si mirëqenie sociale. Në një Kosovë ku demokracia dhe njërzillëku janë plagosur keq nga korrupsioni dhe nepotizmi, Vetëvendosja po ofron një alternativë që nuk është vetëm premtim, por edhe praktikë konkrete. Ky është shkaku pse populli i beson dhe pse çdo përpjekje për të bagatelizuar apo/dhe dehumanizuar këtë mbështetje popullore ndaj Vetëvendosje, është e dënuar të dështojë.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë thjesht një vërtetim i natyrshëm i një realiteti që po ndërtohet prej 4 vitesh në Kosovën tonë, në zemrën tonë. Po e përsëris kjo fitore nuk është rastësi, por meritë; një fitore që nuk është thjesht politike, por edhe morale.

Mos të harrojmë, sondazhet shpesh janë të paqëndrueshme dhe shpesh pasqyrojnë interesat e porositësve të tyre, në rastin tonë, struktura të njohura që sillen si “spin doctorë” të së kaluarës së errët politike. Por ajo që nuk mund të përbihet është realiteti: zemra jonë e shtrenjtë, Kosova jonë e sotme nuk është më ajo Kosova e moçme që e manipulonin këto 3 parti me një thes miell, vend pune të premtuar apo ndonjë copë toke të shitur nga hajnia e tyre. Nuk blihet askushi më për 10 euro.

Pra, mbështetja jo e lartë prej 47.1% është shumë më tepër se një numër; është një pasqyrim i një populli që e ka kuptuar se shpresa nuk mund të blihet, Kosova nuk shitet dhe humanja nuk dehumanizohet.

2. A besoni se mbështetja e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së është mjaftueshëm e fortë për të konkurruar me Lëvizjen Vetëvendosje, apo këto parti do të kenë nevojë për një koalicion pas zgjedhjeve?

Gëzim Mekuli: Kjo pyetje më sjell ndër mend një fjalë të urtë: “Nuk bën rrushi rrush me një degë të thyer.” As PDK-ja, as LDK-ja, e as AAK-ja nuk kanë degë të shëndosha për të mbajtur peshën e një konkurence kaq të madhe e kaq reale me Vetëvendosjen, jo më të mendojnë për një koalicion që do të rrëzojë një lëvizje që përfaqëson moralin, etikëm, shpresën dhe besimin e qytetarëve.

Këto tri parti të moçme, më shumë sesa të luftojnë për të konkurruar, luftojnë për mbijetesë. Si mund të konkurrojnë ata që janë barrikaduar në bunkerët e tyre të korrupcionit? Si është e mundur që përgjatë këtyre viteve nuk kemi anjë distancim nga anëtarët e kryesive të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për nënshkrimet kapituluese të parisë së partive të tyre? Si bëhet që nuk ka distancime nga kjo “udhëheqësi” për gjitha ato skandale, vendime të dëmshme për Republikën tonë të dashur, që aq fort e shumë shpesh i kanë rrënuar interesat kombëtare? Populli nuk harron, e këtë ata e dinë mirë, prandaj e përsëris se një mbështetje prej 47.1% nuk mund të cilësohet si «mbështetje e lartë», por si një rezultat i pritshëm dhe “aspak i lartë.”

Shkurt e shqip; ëndërra televizive mediatike se PDK, LDK dhe AAK mund të konkurrojnë me Vetëvendosjen është më shumë komedi sesa analizë serioze politike. E a e dini pse; sepse nuk kanë as kredibilitetin moral, as etik, as integritetin politik. Këto janë parti që përfaqësojnë të shkuarën e hidhur të Kosovës sonë të dashur, një të shkuar që ka rrëxuar demokracinë, që ka plagosur rëndë institucione dhe ka zhgënjyer fort popullin. Pra, përgjigjja është e thjeshtë: nuk mund të konkurrosh me moralin e një populli kur ti vet je simboli i shkeljes së moralit të tij.

Ja për shembull: Si mund të harrohet që PDK-ja, koka e saj, lideri i saj, u përkul para lapidarit serb, ku luftëtarët e UÇK-së quheshin “terroristë”? Si mund të harrohet “Zajednica” një-etnike e nënshkruar nga LDK-ja dhe PDK-ja? Si të harrohet falja e mijëra hektarëve të tokës së Kosovës sonë të vogël nga AAK-ja? Duhet theksuar se këto tri parti kanë pasur dekada për të “pastruar” veten, të paktën retorikisht; pra, një kërkimfalje publike dhe distancim moral nga veprat e liderëve të tyre. Dhe e vetmja gjë e madhe që kanë arritur ta bëjnë këta është të vrasin shpresën e qytetarëve; pa dallim etnie, religjioni apo statusi social.

Pra, pyetja nuk është nëse mund të konkurrojnë Vetëvendosjen, por nëse do të arrijnë të mbijetojnë si parti normale në një Kosovë që po e kupton se liria, qeverisja dhe demokracia nuk mund të qëndrojë mbi shantazh, korrupsion dhe marrëveshje të fshehta e të hapura kundër zemrës sonë, kundër Kosovës tonë të dashur.

3. Çfarë do të ndodhte nëse partitë më të vogla (me 9.1% të mbështetjes) bashkoheshin për të kundërshtuar dominimin e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe a do të mund të krijonin një opozitë të fortë?

Gëzim Mekuli: As bashkimi i partive më të vogla, as bashkimi i mediave të tyre, dhe as strategjitë e ndryshme të aleancave të tyre të pamoralshme nuk mund të sfidojnë sot Vetëvendosjen. Ajo që këto parti ende nuk kanë kuptuar është se qytetarët nuk janë më ai popull i mashtruar i viteve ’90, kur premtimet për një thes mielli dhe një vend pune u këmbenin vota. Sot, shqiptarët janë më të vetëdijshëm se kurrë. Ata nuk bien më pre e retorikave boshe dhe premtimeve të pamoralshme.

Nëse ndonjëherë ka pasur një rast që historia të përsërisë veten, është dështimi i të korruptuarve për të rrëmbyer pushtetin. Një shembull ndërkombëtar mund të gjendet në çdo shoqëri ku liderët e korruptuar nuk kanë pasur as mbështetje popullore, as moral për të kërkuar pushtetin. Kosova e sotme, e jona zemër, po e kalon këtë fazë të pjekurisë politike, duke refuzuar të bëhet peng i pisllëqëve, oligarkëve dhe propagandës së tyre destabilizuese. Për këtë arsye, çdo përpjekje retorike, a mediatike, për të krijuar një «opozitë të fortë» nga fragmentet e vockëla dhe të dështuara gjeo-politike, është e gjykuar të dështojë.

E fundit dhe, ndoshta më e rëndësishmja; e kaluara e zezë e partive opozitare është arsyeja logjike pse Vetëvendosje mbetet (akoma) një dritë shprese për Kosovën tonë të dashur.

Dhe kjo është mu arsyeja pse 47.1% nuk është «shifër e lartë» por, goxha e ulët.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk