“E vërteta triumfon e vetme, ndërsa gënjeshtra ka nevojë për bashkëpunëtorë” – filozofi romak Epikteti (rreth viti 50 – rreth viti 138)

08
Dec
2022

Shkruan: Xhemil Zeqiri

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

REAGIM

As që e kisha ndërmend të reagoja ndaj shpifjeve dhe trillimeve që i lëshon Xhemil Idrizi ndaj meje.

Para disa viteve, për fat të keq nuk kishte datë, më erdhi një letër “sekrete” nga Xhemil Idrizi, i cili hiqet si analist i BDI-së në një radio lokale në Danimarkë.

Nga i njëjti person, herë-herë më vijnë “selame”, si pas bisedave të tavolinave, ku luhet bixhoz. Besa edhe në rrjetet sociale, siç është FZB, thuhet: “Xhemil Zeqiri nuk ishte pranuar kurrë anëtar i LPK-së i Këshillit në Danimarkë”.

Nuk di se çfarë funksioni ke pasur ti mor “zotëri”, por di se ti ke qenë një shërbëtor i sjellshëm i Abdilhalim Kasamit, sa ishte gjallë, ndërsa tani e ndërrove padronin dhe u bëre shërbëtor i Ibrahim Xhemailit, sepse këta ishin në krye të LPK-së.

Pikërisht për këtë arsye doja t’i drejtohem këtij “aktivisti të madh” kombëtar se shpifjet e tij nuk qëndrojnë aspak. Personalisht, jam munduar me tërë qenien time, për ndërkombëtarizimin e kauzës kombëtare në përgjithësi dhe atë të Kosovës, në veçanti.

Përpjekjet e mia i dëshmoj me argumente, si në vijim:

Në themelimin e Këshillit gjysmë-legal në Kopenhagë, ku ishin të pranishëm mbi 30 vetë, unë u zgjodha në Sektorin për kontaktet me institucionet daneze. Data e mbajtjes së këshillit themelues nuk me kujtohet.

E them këtë, jo për ty personalisht, por për lexuesit dhe për opinionin shqiptar. Si veprimtar i LPK-së, e më pas si kryetar i Këshillit për liritë dhe për të drejtat e njeriut në Prishtinë, Dega në Danimarkë, drejtimin para Demaçit, në fakt e morët ju, por pas ca muajve patët rezultate zero me xhufkë.

I madhi Demaçi, ndjesë pastë, më tha: “Merre drejtimin dhe punoni diçka atje, me institucionet daneze”.

“Jo, bacë – i thashë – sepse gjithmonë kam qenë bashkë”. Ndërsa A. Kasami dhe kompania, brenda dy orëve që nuk isha aty, e gjetën rastin dhe e krijuan Këshillin tinëz meje. Pra, prapa shpine. Brenda dy orëve sa nuk isha aty, ata e kishin gjetur momentin dhe e kishin zgjedhur Këshillin – Sameti dhe Xhemil Idrizi.

Por, të thashë atëherë se këta nuk duan asnjë veprimtari, sepse këta dinë vetëm të flasin, siç thuhet: “Fjalët si Demushi, punët si kurrkushi”.

Më tej, Baca më tha: “Do t’u them atyre të të ngarkojnë me këtë barrë. Mendoj se vetëm ti – Xhemil Zeqiri – do mundesh ta lartësosh nëpër mediat dhe organizatat daneze”.

Më në fund dhe për nder tuajin do të pranoj dhe rezultatet jam në gjendje t’i argumentoj:

⦁ Po filloj mig formidle dansker. Çdoherë që ka pasur demonstrata, unë i kam shkruar komunikatat për mediat. Kërkoja personalitete nga kultura, persona të njohur të mediumeve dhe politikanë danezë që të vinin, të ishin pjesëmarrës dhe të solidarizoheshin me kërkesat e popullit shqiptar dhe kjo ka ndodhur. Madje në shumë raste, në protestat tona kanë qenë 5-6 folës. Po ashtu, para dhe pas demonstratave, ngjarja është pasqyruar në mediat daneze.

⦁ Organizimi i kontakteve në institucionet daneze – në Këshillin për politikë të jashtme në Kuvendin danez kam ftuar Ibrahim Kelemendin, veprimtar i jashtëzakonshëm i LPK-së, dega jashtë vendit; Dr. Muhamet Kelmendin, nënkryetar i LPK-së, dega jashtë vendit; Adem Demaçin; Xhafer Shatrin, ministër për Informata i Qeverisë së Kosovës; Hajrullah Goranin, kryetar i Sindikatave të Kosovës; Dr. Shaqir Shaqirin, ambasador i Kosovës në Suedi; Mevlan Shanaj nga Ambasada e Shqipërisë (londineze) në Stokholm; Arbën Xhaferin dhe Shaip Emërllahun nga PDSH dhe Radio Shkupi. Kur ishte këtu në Danimarkë, Hydajet Hysenin, të cilit i organizova takime të rëndësishme.

Në vizitë, këtu në Danimarkë, në vitet ’90, ishin poetët si Dritëro Agolli, Jakup Ceraja, kryetari i PSD në Shqipëri, Skënder Gjinushi. Pastaj, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të LVV në Danimarkë, dy herë e kam ftuar dhe ka ardhur Albin Kurti. Një herë ishte me Visar Ymerin. I kisha për vizitë me karakter pune, gjithnjë në shërbim të atdheut, Fadil Shytin, njëri ndër veprimtarët dhe organizatorët e parë të LVV jashtë vendit, në Malmë të Suedisë, Shqiptar Osekun nga LVV në Stokholm, Namik Doklen, ministri i mbrojtjes, Luan Hajdaraga dhe shumë të tjerë nga shteti amë.

Për tërë veprimtarinë tonë të përbashkët, kam shkruar në 6 librat e mia.

⦁ Kam organizuar dy Konferenca ilirike (ballkanike), ndërsa më vonë, shefi yt Ibrahim Xhemaili do të thoshte se “nuk kam organizuar unë”!!! Për më tepër, krejt i papërgjegjshëm, do të shtonte: “I organizuan danezët”!!!

Vallë, mos danezët shqetësoheshin më shumë se unë dhe shokët e mi, për fatet e atdheut tonë?!

Po pra, ishin edhe miqtë danezë kur i ftova unë dhe përkrahësit e mi dhe kjo ia shton akoma më shumë madhështinë veprimtarisë, sepse pa ata, gjithë ajo veprimtari nuk do ta kishte fuqinë e ndërkombëtarizimit të kauzës sonë kombëtare. Përveç kësaj, të mos harrojmë se miqtë tanë danezë na ndihmuan edhe financiarisht. Jo çdoherë unë kisha lekë për të gjitha këto veprimtari. Kisha organizuar dreka dhe darka dhe kërkoja të bëjmë diçka. Por, të gjithë këto lëvizje diplomatike, grupi juaj i harron, apo mbase nuk doni t’i pranoni?!

Veprimtarinë time, ndër vite e kam pasuruar dhe e kam plotësuar duke e ngritur zërin me argumente të fuqishme.

Në mediat daneze i kam prezantuar mbi 100 artikuj dhe intervista. Vetëm në Radio TV Avisen, kam 3 intervista në lajmet qendrore; 36 letra të hapura drejtuar Qeverisë dhe institucioneve evropiane – Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian, e deri në OKB.

Të gjitha këto mund t’i gjeni në arkivat e bibliotekës daneze. Mjafton të shtypni në korporatën google: Xhemil Zeqiri. Kjo mbase do t’ju ndihmojë që të kthjelloheni nga narcizmi dhe fanatizmi juaj i mjerë.

Pa i lexuar këto, ju vetëm shpifni për librat e mi, e sidomos për librin “E vërteta bën armiq”. Madje kam kënaqësinë t’jua bëj me dije se këtë libër, me kërkesën e lexuesve, e kam ribotuar. E ribotova ngase nga lexuesit dhe nga studiuesit e mirëfilltë u vlerësua tej mase.

⦁ Për veprimtarinë time politike dhe atdhetare kanë folur, kanë shkruar dhe e kanë vlerësuar tejet pozitivisht intelektualët shqiptarë dhe danezë.

Ja tani mor “zotëri”, po t’ i numëroj vetëm disa. Jo të gjithë, për arsye se janë shumë. Dr. Mina Skafte Jensen, kryetare e “Komitetit Miqtë e Kosovës”, ngase organizatën e krijuam unë, me vullnetin tim, bashkë me miqtë danezë; Jon Pedersen, kryetar i Partis Komuniste Marksiste-Leniniste daneze dhe sekretar i Komitetit. Madje nëpërmjet kësaj partie e hapëm edhe Radion “Zëri i Kosovës”, që ju dhe grupi juaj mundoheni ta mohoni. Nils Bafuld, kryetar i “PEN-it” danez; Robert Bundik, kryeredaktor i së përditshmes “Politiken”; Henrik Kaufoltz, sekretar i “Politikës”; Tue Magnusen, profesor i Roskilde; Toni Liverzajc, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Danimarkës; Matilda Felthaus e “Amnasdt” Intenacional”; Lizbet Kristensen, kryetare e “Ballkan Informacion”; Helen Baim, kryetare e grupit parlamentar të Socialdemokratëve; Sorn Risoj i Partisë Socialiste; Vigo Fisher i Partisë Konservatore; Sorne Sondegord i Hennishlistës, e shumë të tjerë.

Ndërkaq, prej intelektualëve shqiptarë, veç tjerësh, simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi. Kur bashkë me shokun dhe bashkëpunëtorin tim shumëvjeçar, Fadil Shytin, që në ditët e para të themelimit të LVV (2005) u bashkuam me Albinin në këtë organizatë atdhetare, pra në LVV, ndërsa përmes valëve të telefonit, i kënaqur me veprimtarinë tonë, Baca Adem, më tha:

“Ju lumtë, o Xhemil, djali! Ti dhe Fadil Shyti keni bërë një punë shumë të mirë, që zor e keni bërë ndonjëherë, kur keni vendosur t’i bashkoheni Albinit dhe LVV-së, prandaj mos kurseni asgjë në shërbim të atdheut, ndihmoni sa të mundeni!…”

Profesori i filozofisë, atdhetari Beqir Berisha, akademiku veteran i LANÇ-re, Hulusi Hako, poeti revolucionar, Hysni Milloshi, poeti Dritëro Agolli, poeti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Fadil Shyti, ish-i burgosuri politik, publicisti i njohur, Afrim Morina dhe zëvendëskryetari i UNIKOMBIT të Ukshin Hotit, koloneli dhe zëvendësshefi i Shtabit të UÇK-së, kolonel Dilaver Goxhaj, shkrimtari Avdi Ibrahimi, ushtaraku Sulejman Abazi, Prof. Mehdi Hyseni nga Amerika, Luan Baci nga Amerika. Syrja Etemi, pedagog nga Tetova, redaktori i “mekulipresit”, Gëzim Mekuli, profesoresha Shpresa Bjarkatari nga Tirana e të tjerë, që nuk do të mundem t’i përmend kësaj radhe.

Xhemil Idrizi dhe grupi i tij, të gjithë bashkë, a kanë mundësi t’i faktojnë dhe t’i “arsyetojnë” shpifjet dhe mashtrimet e tyre. Së paku publiku të dijë se ç’ kanë bërë për të mirën e kombit shqiptar gjatë këtyre 30-40 viteve në këto radio lokale, duke u hequr si “super patriotë” dhe duke mbledhur ndihma nga komuniteti shqiptar në Danimarkë. Për më keq, ata kurrë nuk kanë dhënë llogari para komunitetit, ndërsa prej të tjerëve, shumë herë kanë kërkuar llogari.

⦁ Xhemil Idrizi, më përmend  Abdilhalim Kasamin?! Po, është e vërtetë. Kurrë nuk i kam dashur intrigat e rrezikshme. Se kush është A. Kasami, për këtë i është dërguar edhe një komunikatë Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së.

Unë kam punuar me të në fabrikën e ngjyrave. Më kujtohet kur punëtorët shqiptarë që ishin aty thoshin se i ka dënuar demonstratat e pranverës së vitit 1981. Si aktivist i LKJ-së me Isa Mustafën e LKK-së nga Prishtina dhe një funksionar serb nga Beogradi në Ambasadën jugosllave në Danimarkë, kanë mbajtur mbledhje informative për situatën në Kosovë dhe i kanë dënuar demonstratat. Aty u mor një vendim që të hapet një klub shqiptar që u emërtua “Jugo Klub” dhe përhapën lajmin se shqiptarët e Danimarkës, njëzëri me zhurma dhe bla bla bla të tjera, i dënojnë demonstratat separatiste. Pra, unë e urreja.

Por kur erdhi Ibrahim Kelmendi dhe dëshironte që të organizohemi dhe të krijojmë një Këshill të LPK-së në Danimarkë, u tubuam te banesa e të ndjerit Xhevair Fetahu, nga Vorca, në rr. “Feledvej” të Norebros.

Të gjithë shqiptarët që ishim aty, u trishtuam kur e pamë Abdylhalimin K. Vallë, kush e thirri këtu këtë udbash, – thoshin.

Unë u thash: “Nuk di, po me siguri ata të Suedisë – Xhemal Duraku dhe Sherif  Gjonbalaj i LPK-së në Mallme, sepse ambasada e dërgonte të futet në këshillat tonë që t’u jepte informata”.

E vërteta është se unë gjithmonë u thosha shokëve të LPK-së kudo në Evropë: “Ky njeri është shumë i rrezikshëm dhe duhet pasur shumë kujdes”.

Ibrahim Kelemendi më thoshte: “Jo, mos u shqetësoni. Këtë element e kemi nën kontroll”!

Por, si duket, ky dhe udb-ja i kishin në kontroll, pasi që shumë aktivistë burgoseshin. Sidoqoftë, kjo u mbetet studiuesve të sinqertë të merren me këta aktivistë të Lidhjes Komuniste Jugosllave të cilët depërtuan nëpër këshillat e LPK-së.

⦁ Shpesh kur bisedonim, Kasami thoshte: “Mos thuaj unë, por ne”!

Unë fillova të dyshoj se ky luante rolin e personit që përhapte panik. Në fillim i mbështeste aksionet, por pastaj, pas 30 minutave fillonte me ca demagogji dhe anëtarët frikësoheshin, kështu që edhe aksionet mbeteshin pa u kryer. Megjithëkëtë, unë nuk dua t’ua mohoj aktivitetin. Keni shkruar parullën “Kosova Republikë” në muret e rrugës Norebrrogade të Kopenhagë në  Danimarkë, keni mbledhur mjete për gazetarët e pavarur dhe për minatorët. Por ju z. Xhemil Idrizi e mbështetnit atë demagogun A. Kasamin. Gjashtë muaj humbën vetëm nga presioni im mbi ju. Lekët dolën sheshit dhe u arsyetuat se kinse i keni dërguar në Kosovë, por askush nuk i ka pranuar me nënshkrim. Ky ishte argumenti juaj qesharak.

Po edhe lekët për UÇK-në askush nuk di se ku i keni dërguar. Kështu qe sabotuar UÇK-ja. Dihet se A. Kasami kishte borxh një milion korona, qëkur Ali Ahmeti e emëroi zëdhënës politik të UÇK-së. Ai pastaj u bë multimilioner dhe për poshtërsitë e tij kishte dëshirë të ndërtonte një xhami të madhe në Shkup, “për shpirt të babës”.

Gojëkëqijtë thonë se 17 milionë euro humbën, mirëpo për mjetet i bën atentat, me ç’rast ia dhanë tetë plumba si peshqesh, por atentatori kurrë s’u zbulua.

Madje edhe vdekja e tij ishte shumë e diskutueshme. Si ka mundësi që natën kur vdiq, e tërë lagja e tij ka qenë e bllokuar nga policë?!

Xhemil Idrizi, a ke harruar kur u fjalose me mua, kur më the se unë nuk di politikë, se ti paske studiuar ne Slloveni, se Ibrahim Rugova është njeriu më i mençur ndër shqiptarë dhe se ai do ta bëjë bashkimin kombëtar, pa u derdhur asnjë pikë gjaku!

Bile me kërcënove që unë të mos them asnjë fjalë kundër Ibrahim Rugovës. Kur në gazetën “Informacion” pata deklaruar se rruga paqësore në Kosovë ka dështuar, ju m’u vërsulët si bisha me lloj-lloj shpifjesh dhe akuzash, ndërsa një milion krunat u detyruat t’ia dërgoni qeverisë së B. Bukoshit në Bon. M’u vërsulët edhe ngase unë paskam zbuluar se disa qindra vetë kanë mbledhur ndihma për UÇK-në.

⦁ Kur doli në skenë famëmadhja UÇK, ai Rugova juaj i quante “grupe të frustruara”, “njerëz të dëshpëruar”, “dorë e zgjatur e Serbisë”, e të tjera epitete. Unë organizova që “Politiken-it” t’i japë intervistë përfaqësuesi ilegal i UÇK-së, luftëtari Nasim Haradinaj.

Pastaj, me disa organizata daneze organizova në Kuvendin Danez një debat publik, pikërisht për situatën e krijuar në Kosovë me daljen në skenë të UÇK-së. Prej shqiptarëve u ftuan Nasim Haradinaj si dhe Driton Lajçi i Unionit të Studentëve të Pavarur. Për arsye të obligimeve, që kishte pasur Nasimi nuk erdhi. Dritoni ndërkaq ishte dhe shumë bukur i shpjegoi rrethanat dhe UÇK-në e mbështeti publikisht dhe pa rezerva. Si argument e keni artikullin në “Politiken” të datës 30.03.1998: “Intervista e Driton Lajçit”.

⦁ Kur u themelua Partia Demokratike e Kosovës, përfaqësuesi Mehmet Bislimi erdhi nga Zvicra dhe m’u drejtua me fjalët: “O Xhemil Zeqiri, pse nuk hyn në radhët e Partisë sonë”?!

Unë qesha dhe i thashë: “Kjo parti nëse do të mund të mbledhë prej anëtarësisë 2000 korona në vit, do jetë sukses i madh, sepse i di njerëzit kush po anëtarësohet në radhët tuaja. Këta janë vetëm sabotues dhe qe besa, nuk kanë lidhje me këto punë”. Dhe ja, PDK-ja dështoi.

Pastaj, kur doli LV në skenë, sakaq unë e themelova nëndegën në Kopenhagë. Për të ecur punët mirë për LV, janë angazhuar shumë edhe Fadil Shyti në Malmë të Suedisë, Gëzim Mekuli në Oslo të Norvegjisë dhe Shqiptar Oseku në kryeqytetin suedez – Stokholm.

Por, është një e vërtetë e hidhur. Në fillim nuk kishim suksese për një organizim më të fuqishëm të emigracionit tonë, sepse partitë që e plaçkitën popullin, ishin krijuar dhe ishin konsoliduar më herët.

Mua më kujtohen fjalët e bashkëpunëtorit tim, Fadil Shytit, të cilit një mërgimtar mendjelehtë i kishte thënë: “A je në mend, o Fadil Shyti, përse nuk e vazhdon veprimtarinë”?! Fadili, duke i parë devijimet në PDK, kishte dhënë dorëheqje në vitin 2001, pra qe larguar nga PDK-ja e cila në atë kohë i kishte 5000 anëtarë.

Me fjalë të tjera, ky zotëri habitej dhe thoshte: “Si është e mundur që Fadili të angazhohet më kot, në LVV-në e Albin Kurtit, e cila s’i ka as 50 anëtarë”?!

Miku im Fadili, ia kishte kthyer përgjigjen me urti: “Mor zotëri, unë nuk llogaris sa anëtarë i ka një parti, por bazohem në programin dhe në statutin e saj politik, bazohem edhe në udhëheqësin e saj, prandaj angazhohem në përkrahje të Albinit dhe të LV”.

⦁ Vlen të theksohet edhe një fakt tjetër: Sa e sa gazetarë danezë i kam dërguar në Prishtinë, në Shkup dhe në Tiranë. Atyre unë ua organizoja përkthyesit, makinën, vendbanimin dhe ua jepja adresat e personave për të kontaktuar me të gjitha partitë.

Në vitin 1992 organizova delegacionin parlamentar dhe studiues danezë që ta vizitojnë Kosovën. Së bashku me gruan time, dola i përcolla me 4 fëmijë. Këta morëm buqeta me lule, Kur u kthyen, përsëri dolëm dhe i pritëm me nderime në aeroport.

O të mjerë! Sa e sa dreka e darka kam shtruar në shtëpinë time, me njerëz të politikës dhe të mediave daneze. As që e keni idenë. Jo rastësisht Danimarka e priti edhe kryeministrin e përkohshëm të Kosovës, Hashim Thaçin, ndërsa ju tani mundoheni edhe në këtë aktivitet të përfitoni pikë për vete. Ai demagogu, Bilall Sherifi donte që kushëriri i tij të figuronte si organizator. Atij i pata thënë: “Ibrahim Xhemaili është vetëm një kufomë politike. Në këtë rast ai nuk di për këtë organizim”.

Për t’i dhënë publicitet lëvizjes çlirimtare, “TV2”-shi bëri një dokumentar me dy ushtarët vullnetarë që shkuan nga Kopenhaga në luftë në malet tona, në Maqedoni. A e dini ju që edhe Nils Henrik Hooge u rekrutua nga unë. Pastaj e dërgova në “Politiken” ku dha intervistë. Po ashtu, në “Radio Danimarkë” u dha edhe një dokumentar në “TV2”, ku tregohej se si një intelektual danez shkon në luftë. A mos doni ta përvetësoni edhe këtë aktivitet timin?!

⦁ I indinjuar prej sojnikëve si ju, pata vendosur të veproj me moton time: “Do të punoj për shqiptarët, pa ‘shqiptarët’ “.

Pikërisht për faktin se tipat si A. Kasami dhe Ibrahim Xhemaili, vetëm se më pengonin dhe më dëmtonin ekonomikisht. Unë veproja si idealist, për t’u bashkuar, por më se njëherë bija në kurthe. Përpiqesha t’i tejkaloja ndërkëmbëzat për hir të unitetit tonë, por ishte e kotë. Ata e vazhdonin avazin e tyre të pabesive.

Ju më tradhtuat, pasi e ftova Arbën Xhaferin në Kopenhagë. Ai pati një mori takimesh në institucionet daneze. Gjithmonë kam qenë për unitet, kam menduar se veprimtaria jonë do të na bashkojë. Ju e përshëndetët në parim aktivitetin dhe kërkuat nga unë që të pranoja ”koalicion” me degën e PDSH-së në Danimarkë, me ata që nuk zhvillonin asnjë veprimtari. Pranova, përsëri për hir të unitetit. Ju më tradhtuat edhe me danezët. U detyrova të paguaja 6000 korona daneze nga xhepi im, pasi ai ”koalicion” i ofiqarit N. Ibishi, i cili njihet si bashkëpunëtor i qeverisë maqedonase, thoshte: “Do ta diskutoj… “ dhe kështu, “sot – nesër…”. Kur ia përmendnim, përsëriste: “… do e diskutojmë…”

Më skandaloz qe rasti me organizimin e vizitës së akademikut Rexhep Qosja. E kisha organizuar me PEN-qendrën daneze dhe Robert Bundikin e “Politikës”. Kishte edhe disa shpallje në gazetën “Politiken”. Ju m’u lutët që bashkë me Rexhep Qosjen të flasë edhe kryetari LPK-së, A. Kasami. Kjo vërtet ka qenë një nga dëshpërimet më të mëdha nga ana ime. Vallë, pse ia lashë në dorë këtë dhuratë të pamerituar, atij udbashi të rrezikshëm.

Nuk e di se ç’ka biseduar ai me të, por Rexhep Qosja nuk erdhi. Organizimi na dështoi.

Këtë “aktivitet” më vonë  e zëvendësova  me atasheun e Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm. Më kujtohet se erdhën Mevlan Shanaj, Isuf Kalo dhe Skënder Durrësi, i cili ndodhej rastësisht në Danimarkë.

⦁ Ju “o patriotë”, pështjellakë të LPK-së, që nuk e pranuat dhe nuk e pranoni burrërisht veprimtarinë time si të dobishme. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen dhe në karakteret tuaja të ulëta, si mosmirënjohës. Por unë jam në gjendje t’i argumentoj me fakte të gjitha këto që i shkrova dhe shumë e shumë të tjera. Po ju mor zotërinj që po më akuzoni, a keni ndonjë argument?!

Sa veprimtarë si ju më kanë paditur edhe në Gjykatën e Prishtinës. Me dëshirë pres të më ftojë gjykata dhe jo avokati i super “patriotëve”, që manipuluan me mjetet e mbledhura nga populli.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk