Shkruan: Gjon Bruçi
Nga /-Gazeta SOT, datë 20 Maj 2023-/
I pari Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe Kryeministri i Shqipërisë; i dyti, Çelo Hoxha, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Të dy ndryshojnë nga pamja, nga mosha, nga funksionet, nga përbërja shoqërore e familjare, por kanë një të përbashkët: TË DY JANË NEOBALLISTË. Çelo Hoxha pinjoll i “Ballit Kombëtar”, ndërsa Edi Rama, bastard i socializmit, konvertuar në neoballist i “dërrmërrkracisë”.
Pse po bëj këtë paralelizëm të dy figurave, në dukje krejt të kundërta? Pse unë po e vendos neoballistin “modern”, në një plan me pinjollin e ballistëve të kohës së LANÇ?
Sepse Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe Kryeministër i Shqipërisë, i cili ka në programin e partisë që drejton, mbrojtjen e vlerave të LANÇ, sot me datën 19 Maj 2023 kur erdhi për të “përuruar fitoren” e partisë së tij në Bashkinë e Shkodrës, si të ishte vetë Çelo Hoxha, vizitën e parë e bëri tek “Muzeu i Dëshmisë dhe i Kujtesës së Krimeve të Komunizmit”. Dhe jo vetëm e vizitoi, por dha edhe këshilla e udhëzime, se si duhet pasuruar e konkretizuar ky muze, që “nderon Shkodrën”; këshilla e udhëzime, të cilat i vijoi edhe në takimin e organizuar në Teatrin Migjeni, me socialistët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste.
Ndonjëri, mund të thotë se kryeministri Rama, është gjithpërfshirës, ndaj u kujdes edhe për të “persekutuarit e komunizmit”! Dakort, po e pranojmë.
Po, pse nuk u kujtua edhe për të persekutuarit e të vrarët nga nazifashizmi e bashkëpunëtorët e tyre, të cilët në vitet e LANÇ bënë tortura, vrasje e masakra të pashembullta mbi të rinjtë shkodranë, që ishin angazhuar në luftën për Çlirimin e Atdheut?
Si nuk i shkoi mendja Kryesocialistit tonë, të vizitonte Shtëpinë Muze të “Tre Heronjëve të Shkodrës”, ku shkodranët Jordan Misja e Branko Kadia, së bashku me vlonjatin Përlat Rexhepi, realizuan një nga epopetë më të lavdishme të LANÇ?
Më tej akoma: Si nuk bëri disa metra në veri të Shkodrës, për të përshëndetur 5 Heronjtë e Vigut, që megjithëse i kanë degdisur në rrethina të qytetit, rrezatojnë gjithë dritë e madhështi mbi qytetin e lashtë? Aq më tepër që këtë monument madhështor nga më të rrallët në Ballkan, e realizoi skulptori Shaban Hadëri, miku dhe shoku i babait të Ramës, Kristaq Rama?!
Po një tufë me lule, nuk mund ta vendoste tek intelektuali dhe patrioti i famshëm, Luigj Gurakuqi, aty në qendër të qytetit, për të mos folur për “Shtëpinë muze” të tij, e cila është shkatërruar, ashtu siç po shembet e shkatërrohet edhe shtëpia muze 300 vjeçare e Rilindasit të madh shkodran, Pashko Vasa!
Të gjitha këto që thamë, për mungesë kohe, edhe mund të anashkaloheshin, por kurrsesi jo, një nderim e një tufë me lule tek busti i Heroit të Popullit, Manush Alimani. Sigurisht ky Hero emblematik, as që i shkoi në mendje Kryeministrit, por edhe po ta kujtonte, nuk do ta gjente bustin e tij. Ai është shembur qysh në ditët e para të “gërrmërrkracisë”, pikërisht nga “të persekutuarit e komunizmit”, dhe pushtetet e “demokracisë fashiste” shqiptare, ku dy të tretat e kohës e kanë patur Socialistët e Ramës, nuk janë kujtuar ta rivendosin.
E quajta Manush Alimanin, emblema e Heroit, sepse i tillë ishte dhe i tillë do të mbetet në historinë e popullit tonë. Vetëm 20 pranvera kishte mbushur Manush Alimani, kur iu desh të përballej më nazizmin dhe bashkëpunëtorët e tij. Plot 5 ditë tortura vuajti Manushi nga krimineli Llesh Marashi, që ballisti Çelo Hoxha, i Instituitit të Krimeve të Komunizmit, me miratimin në heshtje të Edi Ramës, e quan patriot. Kur Llesh Marashi i Çelo Hoxhës, mbas pesë ditë torturash, nuk mundi të nxjerrë asnjë emër të shokëve të Manushit, ia dorëzoi atë majorit të Gestapos, Hauzding, i cili i vijoi turturat mbi djaloshin njëzet vjeçar, pa mundur ta detyrojë të riun të tregonte shokët e luftës.
Heroi i Popullit, Manush Alimani, për fat, mundi të nxjerrë nga qelia e burgut, letrën autentike të tij, e cila ishte dhe mbeti një mesazh i madh për luftëtarët e Luftës dhe të Paqes, për gjithë atdhetarët e vërtetë, për gjithë ata që në jetë kanë një ideal të lartë, siç ishte ideali komunist.
Po e riprodhojmë letrën e Heroit këtu më poshtë:
“Të dashur shokë!
Po ju shkruaj nga qelia e Gestapos për herën e fundit. Jam mjaft i ligështuem. Dhjetë ditë tortura, tri ditë e netë pa ngranë e kanë lodhun trupin tem. Por qëndroj nalt moralisht. Këtu që të gjithë më thërrasin “kriminel”. Ka tepër pak shpresa për mue. Qëndrimi im para vdekjes do të jetë”
Rroftë Lëvizja Nacional – Çlirimtare! Rroftë Partia Komuniste Shqiptare!
Ju vijoni punën me kujdes dhe përgatituni për hakmarrjen popullore!”
. . .
Pas kësaj letre, shefi i Gestapos, Hauzding, e torturon Manush Alimanin edhe 17 ditë të tjera, deri sa i tërbuar nga qëndresa e pashembullt e “komunistit 20 vjeçar”, i ngul në gjoks bajonetën, duke i marrë jetën. Këmisha e gjakosur e Manush Alimanit, rendi bulevard më bulevard, lulishte më lulishte, rrugicë më rrugicë të Shkodrës, duke u bërë flamur i Lirisë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.
Për fat të keq të atyre që e ëndërrojnë Shkodrën si “bastion të antikomunizmit”, ky Hero me emrin Manush Alimani, ishte shkodranë, shok i Vasil Shantos, i propozuar nga vetë Vasil Shanto si Sekretar i Qarkorit të Rinisë Komuniste të Shkodrës.
Vëtëm për këtë arsye, Kryetari i Partisë Socialiste dhe njeherësh Kryeministri shqiptar, biri i skulptorit të Populit Kristaq Rama, fjalën përuruese të fitores së socialistëve në Shkodër, duhej ta niste me veprën e Heroit 20 vjeçar të LANÇ, Manush Alimani, dhe jo tek “muzeu i të persekutuarëve nga komunizmi”, siç do të bënte ballisti me emër të nxirë, Çelo Hoxha.
Por këtë veprim atdhetar nuk mund ta bëjë Edi Rama, sepse, edhe pse i veshur me ngjyrën e PS-së, tashmë të kthyer në mavi, me kahje nga e zeza, nuk mund ta mbulojë autorësinë e Thirrjes: “Komunistët në litar, veteranët në hanxharë”, lëshuar me gojë e me shkrim në bashkëautorësi me të ndjerin Ardian Klosi, në vitet e para të “demokracisë” që po “lulëzon” sot.
Kam bindjen, se midis personazheve të sistemit aktual tridhjetë e tre vjeçar të “demokracisë borgjeze” në vendin tonë, Sali Berisha dhe Edi Ramna, do të mbeten figurat më kontraverse dhe më antikombëtare. I pari, Saliu – alias Hitleri shqiptar, si shkatërrues i Shqipërisë, ndërsa i dyti, Rama – alias neoballisti, si degjenerues i shoqërisë shqiptare.
Saliu, më në fund doli jashtë ligjit. Por edhe Rama, nuk do të vonojë të shkojë në “rrugën” e të parit. Asesi nuk mund të ndodhë ndryshe!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!