Elshani, BARSOLETA-ÇOHUNI BURRA

30
Dec
2022

Beqir Elshani: BARSOLETA
1. ÇOHUNI BURRA
– Unë nuk e kuptoj fjalën demolim në shtypin tonë? – u ankua një qytetar kur lexoi lajmin ditor.
– Me siguri është fjala për dëmtim, shembje dhe shkatërrim, – shpjegoi qytetari i dytë.
– Prandaj nuk shkruhet “Çohuni burra, ta demolojmë shtetin!”, por “Çohuni burra, ta mbrojmë shtetin!”, – e përmbylli i pari.
2. MARTESA
– A ka ndonjë gabim në fjalinë ”Faji i Bashës, pse u martua Saliu me Ilirin?” – e pyeti arsimtari studentin.
– Gabime gramatikore nuk ka, por ka gabime logjike, për shkak se kallëzuesin ”u martua” duhet mbyllur në thonjëza, pasi që bashkimi i tyre është partiak, jo homoseksual, – u përgjigj studenti.
3. KRITIKA
– A keni ndonjë kritikë drejtuar Sali Berishës? – e pyeti gazetarja qytetarin në qendër.
– Nuk kam kritikë, por dëshiroj që Sali Berisha të shkojë në shtëpi, dhe ta lerë të lirë shtetin shqiptar, se na shkatërroi, – ia ktheu qytetari.
4. PARIDI
– Disfatistët Albin Kurtin e krahasojnë me Paridin trojan, i cili me grabitjen e Helenës u bë shkaktar i shkatërrimit të Trojës legjendare, – tregoi një analist.
– Përkundrazi, Albin Kurti është Hektori i kombit shqiptar, që lufton kundër Paridëve të dashuruar në kapitalin monopol, – ia kthyen qytetarët.
5. VARËSIA
– A ka dallim plumbi me drogën? – e pyeti një plak, kur në dhomën e spitalit pa dy të sëmurë, njëri i plagosur me plumb, tjetri pa vetëdije me drogë.
– Po, e para vret shpejt, e dyta ngadalë, por sigurt, – u përgjigj mjeku.
6. SHTRIGA
– Kurrë në botë nuk ka pasur shtriga, – u ankua një grua para fqinjës.
– Ehe, shtrigën e sajoi Evropa jonë mesjetare, – ia ktheu fqinja.
7. AVOKATI
– E dini si quhet avokati me famë evropiane i Serbisë kriminale? – i pyeti arsimtari i gazetarisë studentët në auditor.
– Si nuk e dimë, është spanjolli i regjur, quhet Josep Borrell, – u përgjigjën njëzëri studentët.
8. QORTIMI
– Kur ta kritikosh Kosovën, kritikoje edhe Serbinë, – kështu e këshilloi Aleksander Vuçiqi kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrellin.
– Natyrisht, – e miratoi me përkulje kryediplomati i Bashkimit Evropian.
9. E VËRTETA
– A keni ndonjë shembull për citatin “Gjithkush bëhet i lavdishëm, kur nuk e thotë të vërtetën”? – e pyeti gazetari kandidatin për deputet.
– Patjetër, në Tiranë është Sali Berisha, në Prishtinë është Isa Mustafa, i pari zogist, i dyti titist, – u përgjigj kandidati.
10. STILOLAPSI
– A e di sa kushton stilolapsi i Sali Berishës, që vazhdimisht e rrokullis në gishta të dorës? – e pyeti gazetari kolegun.
– Flitet se kushton 800 lekë, – tha kolegu i tij.
– Jo, të shkretën, 800 euro kushton, pothuaj sa një kompjuter, – ia ktheu i pari.
11. LOPË PA ZILE
– A mund të gjesh gomar pa koqe dhe lopë pa zile? – e pyeti fshatari fqinjin.
– Mund të gjej lopë pa zile, mirëpo gomar pa koqe, qoftë edhe gërdallë, nuk gjen dot, – ia ktheu fqinji.
12. MUSHKA
– A kanë dallim shprehjet mushka i do drutë, dhe mushka i do krundet, – e pyeti njëri fshatarin.
– Patjetër, e para kur nuk sillet mirë, e dyta kur është i uritur, – u përgjigj fshatari.
13. FASHIZMI
– Cili fashizëm është më i rrezikshëm, i Putinit apo i Vuçiqit? – e pyeti një ushtar kolegun e tij në kazermën ushtarake.
– Shyqyr që Vuçiqi nuk e ka kapacitetin e Hitlerit, përndryshe do ta digjte krejt Ballkanin, – u përgjigj kolegu i tij.
14. ARRESTIMI
– Si bëhet inversioni i deklarimit policor “Në emër të Hitlerit jeni të arrestuar”? – e pyeti gazetari avokatin.
– Dihet, ”Në emër të Putinit jeni të arrestuar”, – u përgjigj avokati.
15. BARBARIZMI
– A ka gabime në fjalinë e lajmit në shtyp “Principet e hekurta të Albin Kurtit”? – i pyeti nxënësit arsimtari i gjuhës.
– Gabime gramatikore nuk ka, mirëpo në vend të barbarizmit ‘principet’ duhet të shkruhet ‘parimet’ – u përgjigj një nxënës.
16. SHEJTANI
– Cili prej tyre e gjen më shpejt shokun, shejtani i pasur shejtanin e varfër, apo e kundërta? – e pyeti një plak fqinjin.
– Fransua Rable shkruan se shejtani i varfër e gjen më shpejtë shejtanin e pasur, – u përgjigj fqinji.
17. EUFEMIZMI
– Ç’po bëjnë djemtë në odë? – e pyeti gjyshi plakën.
– Po luajnë guralecë, – tregoi bashkëshortja.
– Gjyshe, po luajnë shah, jo guralecë, – ndërhyri nipi.
– Me rëndësi është që as nuk punojnë, as nuk lexojnë, – i kritikoi gjyshi.
18. KËSHILLA
– Baba, a duhet dëgjuar bacën që thotë se suksesi i njeriut varet prej zotit, apo gjyshin që thotë se suksesi varet prej punës? – e pyeti i biri babain.
– Hiqu bacës, që s’di të dallojë tagjinë, gjyshi e thotë të vërtetën, kur dihet që suksesi arrihet me punë, – e këshilloi babai.
19. DALLIMI
– Ku është dallimi në mes gjakftohtit dhe gjaknxehtit? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– I pari është i vrullshëm, i dyti është i matur, – u përgjigj i dyti.
20. FAKULTETI
– Çka studion bija jote? – e pyeti njëri fqinjin.
– Fakultetin e Ministrisë, – u përgjigj i dyti.
– Për herë të parë po dëgjoj për një fakultet të tillë, – e përgëzoi i pari.
– Kurse yt bir çka studion? – vazhdoi ta pyes i dyti.
– Im bir nuk studion, në ngrohjen qendrore i djeg diplomat e ministrisë… – ia ktheu i pari.
21. BASHKIMI EUROPIAN
– Ç’soj shqiptari është ky? – e pyeti ministri i Bashkimit Evropian kallauzin.
– Është modern, prandaj e do Bashkimi Evropian, – tregoi kallauzi.
– Kurse ky tjetri? – vazhdoi të pyes ministri, siç thonë i BE-së.
– Është i egër, e do bashkimin kombëtar, – tregoi kallauzi.
– Shyqyr që nuk është gjerman, – tha ministri duke ia kthyer shpinën.
22. NUSE ME FENER
Një qytetar u habit kur e pa një djalosh me fener në dorë, ndaj e pyeti:
– Ç’po kërkon me fener në dorë, dhe atë në pikë të ditës?
– Po kërkoj një nuse që m’i do prindërit, – u përgjigj djaloshi dhe vazhdoi rrugën.
– Të lumtë djalosh, qofsh me fat! – e uroi qytetari.
23. RRËMBIMI
– M’u dhimbs kur shqiponja me kthetra e rrëmbeu dhelprën dhe fluturoi në qiell, – i tha një fëmijë motrës së madhe.
– Pse të dhimbset, duhet të gëzohesh, pasi që po mbetet një mashtrues më pak, – e qetësoi motra.
24. SKANDALI SERB NË FIFA
– A ka dallim dënimi i Serbisë për fyerjet skandaloze ndaj Kosovës dhe Kroacisë në FIFA? – e pyeti gazetari kreun e Institucionit të futbollit botëror, FIFA.
– Patjetër, nëse Federata e futbollit të Serbisë e fyen Kosovën, dënimi kushton 20 mijë franga, nëse e fyen Kroacinë, kushton 50 mijë franga, – tregoi kreu i Institucionit të futbollit botëror.
– Prandaj nëse Federata e futbollit të Serbisë e fyen Spanjën, me siguri do të kushtojë mbi 100 mijë franga, – shtoi gazetari i revoltuar.
25. TARGAT
– Çka po thotë Ramush Haradinaj për Albin Kurtin në Kuvendin Republikan? – e pyeti babai të birin duke shikuar intervistën në televizion.
– Albin Kurtin po e këshillon që të tërhiqet nga targat serbe në Kosovë, – tregoi i biri.
– Unë them që Albini duhet me ngue Ramushin, pasi që ai me humbjen e Çakorrit e ka thyer këmbën, prandaj e di ku dhemb, – ia ktheu babai i tronditur.
26. BARKU I FRYRË
– Ç’ke në bark, vajzë apo djalë? – e pyeti një grua fqinjën kur e pa me barkun e fryrë.
– Asnjërin, kam dollarë, – u përgjigj gruaja me barkun plastik të mbushur me para të plaçkitura në bankë, mirëpo fqinja e mori për tallje dhe qeshi.
27. SHPORTAT E MBETURINAVE
– Sali Berisha shqetësohet kur i shikon varfanjakët duke kërkuar ushqim nëpër shportat e mbeturinave si pasojë e keqqeverisjes së Edi Ramës, – tregoi një tiranase.
– Sali Berisha për aktor nuk e ka shokun, mos vallë në kohën e tij populli ka ngrënë me lugë floriri?! Prandaj nëse Rama është i keq, Berisha është dhjetëfish më i keq, – ia ktheu me zemërim tjetra.
28. MJALTI KUNDËR MAGJISË
– Çfarë mjalti keni? – e pyeti një mjek shitësin e artikujve ushqimor.
– Kemi mjaltë kundër magjisë, domethënë synit të keq, mjaltë kundër lodhjes dhe mjaltë për lexim, me anën e së cilës njeriun e nxit të lexojë sa më shumë libra.
– Cili prej tyre po shitet më shumë? – vazhdoi të pyes mjeku.
– Eee, më shumtë po shitet mjalti kundër magjisë, kurse më së paku mjalti për lodhje dhe mjalti për lexim, – tregoi tregtari.
29. HAJDUTI-HAJDUTIN
– A mund të quhet hajdut njeriu që i plaçkit vilat e pushtetarëve në Brezovicë? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Jo, quhet guximtarë, pasi që hajduti që vjedh hajdutët quhet trimni, – u përgjigj avokati i popullit.
30. TRADITA DHE TRADHTIA
– Doktor, ime më është e dobët me sy, në vend se fjalën ta lexojë “tradhtia shqiptare”, e lexon “tradita shqiptare”, – u ankua një burrë në ordinancën e mjekut për sy.
– Mos u shqetësoni, unë do ta shëroj sa që tradhtinë shqiptare mund ta lexojë pa syza, – tha mjeku.
31. TENXHERJA
– Cili prej gazetarëve është më i zoti, Blendi Fevziu apo Baton Haxhiu? – e pyeti njeri mikun e tij.
– Nuk mund t’i dalloj, më duket se tenxherja është rrokullisur prej Prishtinës dhe në Tiranë ka gjetur kapakun, – u përgjigj tjetri.
32. PAGËZIMI
– Pas zjarrit të luftës që e ka përfshirë vendin tonë, pyllin e kemi mbjellë me pisha dhe kemi ngritur pallate të bukura, prandaj duhet t’i vëmë një emër, – foli një banor i vendit.
– Unë propozoj që pylli me pisha të pagëzohet me emër aktual ‘Korrupsioni’, – propozoi banori tjetër.
33. PROKURORI
– Prokurori komunal është shumë i zoti, ligjin e njeh në gishta, – tregoi një vlonjat.
– Duhet të jetë ndonjë doktor i shkencave juridike?!, – ndërhyri vlonjati i dytë.
– Jo, as shkollën e mesme nuk e ka mbaruar, jo më fakultetin, ama është qerrata! – e përforcoi i pari.
34. I PARI I PD-së
– Çka mendoni për grushtin që ka marrë kryetari i PD-së prej revoltuesit në sheshin Skënderbej? – e pyeti gazetari kolegun e tij.
– Nuk është e rëndë plaga, e rëndë është thyerja e autoritetit të plakushit, prandaj kompania e PD-së revoltuesin e bënë për spital, – ia ktheu i dyti.
35. SHIRINGA
– Ç’ të duhet shiringa, ti nuk je infermier? – e pyeti njëri fqinjin tregtar.
– Më duhet t’i mbush me ujë pulat e therur për shitje në treg, – tha fqinji tregtar.
36. LIBERALIZIMI I VIZAVE
”Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane tha se liberalizimi i vizave nuk është meritë e Qeverisë së Albin Kurtit” – e lexoi analisti lajmin në shtyp.
– Pajtohem, merita i takon ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, pasi që për liberalizimin e vizave në vitin 2018 Malit të Zi ia dhuroi jo më pak se 8200 hektarë tokë, prandaj kjo dhuratë nuk është pak, – e argumentoi analisti.
– Prandaj nëse Shqipëria dëshiron të hyj në Bashkimin Evropian duhet t’i dhurojë një çerek deti Greqisë, – ndërhyri analisti tiranas.
37. FJALA LUKS
– Çka domethënë fjala ‘luks’? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Fjala ‘luks’ domethënë jetesa më e bukur dhe më e pasur e njerëzve që jetojnë në pallate dhe bëjnë shpenzime të mëdha si në veshmbathje, ashtu edhe në ushqim. Luksi për pasanikët është i rëndomtë, kurse për banorët e varfër është nostalgji, – u përgjigj një nxënës.
– Mirëpo unë as fjalën ‘nostalgji’ nuk e di çka domethënë? – ndërhyri një nxënës tjetër me pyetje në klasë.
– Eee, ‘nostalgji’ domethënë kur ushqimin e shijshëm dhe jetën e lumtur të pasanikëve e sheh, por nuk mund ta marrësh, – shpjegoi arsimtari.
38. KORRUPSIONI
– Çka janë korrupsioni politik dhe korrupsioni ekonomik? – e pyeti gazetari kolegun.
– Me siguri janë vëllezër prej nënës, – ia ktheu i dyti.
– Mirëpo cili prej tyre është më i rrezikshëm, – vazhdoi ta pyes i pari të dytin.
– I pari t´i nxjerrë sytë, i dyti të verbon, – u përgjigj kolegu i tij.
39. POLITIKA
– A kanë dallim politika me historinë? – e pyeti gazetari sociologun.
– Patjetër, politika është bixhoz që e bëjnë mafiozët, kurse historia është shkencë që e shkruajnë dijetarët, – tregoi sociologu.
40. DHURATAT
– Çfarë kuptimi kanë dhuratat e ‘Dedamrazit’ për vitin e ri në Skënderaj? – e pyeti një grua fqinjën.
– Mjerët ne, kanë kuptimin e harresës së masakrës që ka bërë Serbia në Kosovë, – u përgjigj fqinja.
41. SKANDALI
– Kemi një rast të mirë pas skandalit në spitalin e Pejës për ta detyruar dorëheqjen e kryeministrit – Albin Kurti, – tha një opozitar ngulmues.
– Mirëpo për të gjetur një kryeministër si Albin Kurti, na duhet feneri i Diogjenit, – ia ktheu një tjetër.
42. QEVERIA KURTI
– A më vështirë e keni ta rrëzoni Qeverinë Kurti, apo ta mbroni Kosovën? – e pyetën gazetarët zëdhënësin e PDK-së.
– Dihet, më vështirë e kemi ta rrëzojmë Qeverinë Kurti, – u përgjigj zëdhënësi i PDK-së.
43. PSIKOPATJA
– Si bëhet vlerësimi i Ganimete Musliut në gjininë femërore? “Albin Kurti dhe ata që i besojnë janë psikopatë”? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– “Ganimete Musliu dhe ata që i besojnë janë psikopatë”, – u përgjigj kolegu.
44. ALBINICILIN
– Po flitet për zbulimin e një ilaçi për shërimin e klanit pronto, quhet Albinicilin? – e hapi bisedën një mjek.
– Vërtet ilaçi është i mirë dhe rezistues për shërim, mirëpo nëse klani pronto vuan prej zemrës nuk mund ta përdorë, – ia ktheu tjetri.
45. TOKA PREJ ROZAFËS
– Fatos, çfarë forme ka toka? – e pyeti gjyshi nipin.
– Prej kështjellës së Rozafës në Shkodër deri në Ulqin toka është rrafsh, prej hapësirës është e rrumbullaktë. – u përgjigj nipi.
46. TOKA E SHESHTË
– Zoti drejtor, ju na keni sjell një prift për lëndën e gjeografisë, ai thotë që Toka është e sheshtë, – u ankuan nxënësit para drejtorit të gjimnazit.
– Ç’po flisni kështu, ai është magjistër i gjeografisë, ndërsa ju po e quani prift?! – ua ktheu drejtori me shqetësim.
47. QORTIMI
– Drejtor, arsimtari i gjeografisë ka luajtur mendsh, – u ankuan një grup nxënësish para drejtorit të gjimnazit.
– Turp, si guxoni të flisni kështu për arsimtarin tuaj?! – i qortoi nxënësit drejtori.
– Si të mos flasim, kur ai thotë që Toka nuk është e rrumbullakët… është pllakë e sheshtë, – treguan njëzëri nxënësit.
– Tani nuk jemi në socializëm, prandaj arsimtari ka të drejtë të thotë si të dojë. Jashtë prej zyrës, sa nuk i
48. KOLONA RUSE
– A e dini sa metra është e gjatë kolona e djemve rusë në kufi me Gjeorgjinë? – i pyeti njëri kolegët në redaksi.
– Mendoj se është 200 metra… – u përgjigj një gazetar.
– Jo, 200 metra, por 20 kilometra është kolona e gjatë ruse që po ikin prej mobilizimit të dhunshëm për pushtimin e tokave ukrainase, – e korrigjoi i treti.
49. KEQPËRDORIMI
– Çka mendoni për qeverinë e Albin Kurtit? – e pyeti gazetari një qytetar.
– Unë mendoj që Albin Kurti me qeverisje parimore, e ka vështirë të ballafaqohet me keqqeverisjen 20-vjeçare, me pasojat që ia ka shkaktuar vendit tonë, – tregoi qytetari.
– Megjithatë opozitarët kanë përvojë më të madhe në keqpërdorim, prandaj janë më të pasur dhe më të bashkuar se Lëvizja Vetëvendosje, – shtoi një tjetër.
50. HAJDUTËT
– Bankën Ekonomike e kanë hapur hajdutët e mëdhenj, por e vjedhin hajdutët e vegjël, – tha një avokat i vjetër kur e lexoi lajmin vjedhjes së bankës në kryeqytet.
– Vjedhje e ndërsjellë, prandaj populli vazhdon të vuajë, – ia ktheu avokati i ri.
Suedi, dhjetor 2022

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/12/2022

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk