Elshani: Barsoleta politike

28
Aug
2024
Shkruan: Beqir Elshani


Beqir Elshani: Barsoleta politike
1. KONKURS PËR AKTORË
Për shfaqjen e dramës Teatri Kombëtar shpalli konkurs për pranimin e aktorëve të rinj: gjashtë aktorë për rolin e kryengritësve dhe katër aktorë për rolin e udbashëve që merren me torturimin e kryengritësve. Pas një muaji komisioni për pranimin e punëtorëve të rinj, paraqitet në zyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar dhe tregon për gjendjen e konkursit.
– Zotëri drejtor, për rolin e gjashtë kryengritësve për Kosovën Republikë janë paraqitur me dhjetëra kandidatë, ndërsa për rolin e katër udbashëve asnjë kandidat nuk është paraqitur. Duket qartë, aktorëve nuk u pëlqen roli i hetuesve të UDB-ës, siç thuhet i udbashëve, – tregoi kryetari i komisionit.
– E pamundur, merrni udbashët me përvojë që janë të shumtë dhe që ende gëlojnë në mbarë vendin tonë, tha drejtori.
Komisioni për pranimin e aktorëve të rinj mbeti i habitur me gjeturinë e drejtorit të Teatrit Kombëtar, në Kosovë kishte aq shumë udbashë sa që as salla e teatrit nuk do t’i zinte. Për ironi, shumica prej tyre ishin bërë me universitetin nën dorë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

2. AKADEMIA E SHKENCAVE
– Ju lutem, ku gjendet Akademia e Shkencave Morale? – e pyeti një turist qytetarin.
– Mos e keni fjalën për Akademinë e Shkencave dhe Arteve?! – ia ktheu me habi qytetari.
– Jo, pikërisht Akademinë e Shkencave Morale e kërkoj, – e përsëdyti turisti.
– Me sa di unë, Akademia… morale, siç thua ti, nuk ekziston, – tha qytetari me habi.

3. DY FASHIZMAT
– A më i rrezikshëm ka qenë fashizmi gjerman apo fashizmi serb? – e pyeti gazetar historianin.
– Fashizmi gjerman ka qenë i rrezikshëm për mbarë botën, ndërsa fashizmi serb për mbarë popullin shqiptar. – u përgjigj historiani.

4. PARASHIKIMI I FITORES
– Orakull i nderuar, kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme: Lëvizja Vetëvendosje apo LDK me PDK? – e pyeti veterani i luftës orakullin.
– Do të fitojë ajo parti që e përqafon pushtetin e kapitalit, – u përgjigj orakulli.
– Lëvizja Vetëvendosja e ka përqafuar popullin e Kosovës, prandaj fitorja e saj është e sigurt, – ia ktheu veterani i luftës.

5. KLEPTOMANIA
– Si quhen ministrat që kanë pallate dhe para të kursyera në bankë, por kërkojnë ndihma prej fondit të pensionistëve? – e pyeti gazetari psikologun.
– Kleptomani, me që ministrat janë pasanikë, por kanë vesin e lypsarit, – u përgjigj shkurt psikologu.

6. GJUHA E TRUPIT
– Ç’kuptim ka përshëndetja e shefit të CIA-s amerikane me dorën në xhep? – e pyeti gazetari analistin.
– Me rëndësi është që liderët e Kosovës shefin e CIA-s e kanë përshëndetur burrërisht, sa i përket ministrit amerikan, William Burns, me dorën në xhep, është çështje e tij, – u përgjigj analisti.

7. URA E IBRIT
– A është më e fortë Ura e Ibrit, apo Diplomacia Evropiane? – e hapi bisedën një mik i revoltuar pranë lumit Ibër në Mitrovicë.
– Patjetër që ura është më e fortë, mirëpo kontrakditat evropiane po e dëmtojnë në dëm të Kosovës, – tha miku i tij.

8. SYZAT
– Mjeshtër, syzat që i mora javën e kaluar nuk më ndihmojnë, LDK e PDK në sondazh më shfaqen në vendin e parë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje… e fundit, – u ankua qytatari.
– I nderuar, kij besim në syzat e tu, dhe mos i beso propagandës së partive politike, – e këshilloi mjeshtri.

9. BIÇIKLETA
– A është vështirë të dihet se e kujt është biçikleta dhe i kujt është automobili në aksidentin rrugor? – e pyeti arsimtari nxënësin në shkollën e policore.
– Si jo, biçikleta është e viktimës, ndërsa automobili… i shoferit, – u përgjigj nxënësi.

10. PESHA
– Pesha e letrës është e rëndë, – e hapi bisedën analisti.
– Mendon në peshën e letrës si material apo në përmbajtjen e letrës? – e pyeti miku i tij.
– Të dyja, – e përforcoi i pari

Therandë, 28.08.2024

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk