Shkruan: Abdulla Mehmeti
Shpalime historie, gjeografie dhe gjuhësie
Shpjegimin e parë për prejardhjen e emrit Kosovë (Kosova) e ka bërë gjeografi dhe profesor në disa universitete, akademiku kroat Josip Rogliç, i cili thotë:
“E tërë terminologjia gjeomorfologjike dhe emrat gjeografikë të Gadishullit Ilirik janë të gjuhës ilire”, duke ardhur dhe në përfundimin se, terminologjia e emrit gjeografik Kosovë (Kosova) i takon gjuhës ilire, përkatësisht gjuhës shqipe të sotme.
– Josip Roglić (1906 – 1987), gjeograf i shquar, profesor universiteti dhe akademik kroat
1.
Prejardhja e emrit Kosovë, sipas propagandës serbe, nga një lloj shpeze me emrin kosa, e cila në gjuhën shqipe njihet me emrin mëllenja e zezë, nuk ka asnjë bazë shkencore, e para, sepse me këtë emër përmendet në disa burime vetëm një pjesë e territorit të Kosovës, rajoni i Fushë Kosovës, që nga shqiptarët quhet Fusha e Kosovës ose Fushë Kosova; e dyta, se propagnada serbe sikur të kishte mbështetje dhe besim në këtë tezë nuk do të shpikte emërtime shtesë për Kosovën, të cilën vazhdimisht e ka quajtur me gjuhën zyrtare të pushtetit, edhe në literaturë, historiografi dhe në gjuhën e Kishës së saj, si “Kosovë dhe Metohi”, që nënkupton se Kosova për serbët dhe Serbinë nënkupton vetëm një territor kishtar (metohi), jo edhe territor historik dhe gjeografik me veçori të dalluara nga vendet dhe rajonet përreth, aq më pak si shtet i pavarur, siç është sot Republika e Kosovës.
2.
Një argument shtesë, i pakundërshtueshëm si fakt, është edhe shtrirja e gjerë e emrit Kosovë në hapësirën e Gadishullit Ilirik, si emër që mbajnë së paku tri fusha (Fushë Kosovë), një në Kosovë, një në Dalmaci të Kroacisë dhe një në Bosnjen lindore, një lumë në Dalmaci dhe shumë vendbanime të lashta, si katundet në Maqedoni (3), në Bullgari (3), në Bosnje (2), në Dalmaci të Kroacisë (2) dhe disa emra të tjerë gjeografikë që e përmbajnë këtë emër të lashtë, si Kosovrasti i Poshtëm, Kosovrasti i Epërm, Dushku i Kosovës etj, në territorin e Maqedonisë së sotme.
3.
Sipas propagandës serbe, në gjuhën shqipe nuk ekziston emër përkatës për zogun e zi me emrin “kosa”, siç quhet ai në gjuhët sllave. Kjo shpezë ndër shqiptarët njihet me disa emra, edhe atë: mëllenjë, mëllenja e zezë, mulliskë, te shqiptarët në Maqedoni, etj., ndërsa emri “kosa” në gjuhët sllave nënkupton edhe zogun e zi (kosa), edhe flokun (kosa), edhe mjetin për kositje (kosa), edhe pjerrtësinë (koso-kosa) etj., që e dëshmojnë farfërinë leksikore të këtyre gjuhëve, sidomos të gjuhës serbe.
4.
Dhe jo vetëm kaq, emri i princeshës Kosara, bija e mbretit Samuil nga Maqedonia, mbesë e një familje fisnike nga Durrësi, gruaja e princit të Duklës, Gjon Vladimirit (Shën Vladimiri), njihet në histori që nga dekadat e fundit të shek. IX dhe dekadat e para të shek. X të erës sonë, shumë përpara se ta përdorin popujt sllavë (serbët) këtë emër, jo si emër njeriu, por as si emër i zogut të zi “kosa”.
Për prejardhjen (etmologjinë) e emrit Kosovë, kanë dhënë mendimet e veta edhe disa autorë shqiptarë, por ka ende për të gjurmuar, analizuar dhe shtuar ide të reja, që shperojmë t’i shpalosim në ndonjë rast tjetër.
(15 janar 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!