ESE HANIFJA DHE TEMSIA NË VEND TË DAJRES

16
Oct
2024
Shkruan: Syrja Etemi


ESE
HANIFJA DHE TEMSIA NË VEND TË DAJRES
Edhe sot e gjithë ditën, tanimë kur edhe kam shkelur rishtazi në oborrin e moshës së tretë të hapërimit jetësor, akoma nuk ka ditë që të mos më rrëmbejë e të mos më merr në krahët e saj të magjishëm, kënga popullore e traditës, për të më përkëdhelur me jonet e saja skofijare, sidomos ajo burimore dyzërëshe pollnjane, nëse mund ta quaj kështu… Po, nejse, nuk është me rëndësi këtu tani se si ta quaj apo si ta konsideroj atë: “Pollnjane”, “Këjk Gostivari” apo “Këjk Tetove”, por me rëndësi është të theksoj se, unë akoma si i vogël, dalldisesha e u harlisesha mbas kësaj melodie të kënduar me mekam “t’mallzishëm” si e quante nëna ime, (shpirti dritë i rrëzëlleftë!) e cila, përkundër pesë kalamajve, që vazhdonte të na rriste me zahmet, skamje e fukarallëk, nuk prante të na katariste në gjumë, madje, edhe duke na kënduar ninula nanuritëse, bile-bile, të ndiqte me zërin e saj kumbues – në unison, edhe këngët që këndonte Radio Gostivari, Radio Tetova apo Radio Shkupi. E, për preferencën e saj, ajo do të pikaste zërin melankolik të bylbylit të Pollogut, Hanife Sejfullah – Reçanit, nga e cila do të veçonte këngën: “Vijn’ vaporat, moj nan-e” dhe, “Bien tri dahiret”. Thënë thjesht, ajo dinte gati tërë këngët nga repertoari i saj – me tekst e melodi, madje-madje, shpesh ndodhte që, kur të gatuante në magje, nën ritmin e shkopit të petës, t’ia thoshte edhe vet këngës së Hanejfes, si: “Pse je idhnu ti me mue”, “Flokët m’i ke kunor-kunor”, “Dil agje ku dole prëm”, “Çorapët me fij – e, oj Nan”, e kështu me radhë. Eh, pse mos ta them edhe këtë? Kur nënën time Bedrie, e merrte me vehte dalldia e këngës, dhe kur ekzaltohej tepër, (kur këndonte Hanifja këngën: Bien tri dahire), ajo në “dahire” do të shndërronte temsinë e bukës apo temcëjën – thënë: popullorçe, dhe, me të mbante taktin dhe ritmin e këngës së saj të zemrës. E, mua, në këtë kapërcyell të moshës që kam prekur, akoma më rrapëllojnë në kujtesë tam-tamet e ritmit brafullues të “defit” të improvizuar të s’ime mëmë, bashkë me kumbimin melodioz të zërit të mbretëreshës së këngës, jo vetëm të Iliridës, por edhe të mbarë Shqiptarisë.
Prandaj, edhe pas kësaj trajektoreje të gjatë gjëllimi, më duket se kënga e saj që gëlon si një feksim i ëmbël, me atë zë shpërthyes e melodioz i kësaj protagonisteje nazemadhe, më vjen nga lashtësia si burimet e flladshme të Sharrit dhe derdhet në arat e bereqetshme të Pollogut të gjërë det, për të pushtuar të sotmen e hazdisur dhe për të mbetur si një Orfe i përjetshëm në piedestalin e muzikës sonë popullore shumë të dashur dhe fisnike. E, pse mos ta ruajmë, ta kultivojmë e ta përcjellim atë ndër breza? Si të mos e duam këtë pasuri mbushulluese me taban kombëtar, që me aq mjeshtri e finesë intuitive e ka kënduar e madhja Hanife Sejfullahi-Reçani? Prandaj, nuk thuhet kot se: “Kënga e bylbylit, zbut edhe zemrën e katilit”. Prandaj, të gjithë ne populli arbëror të betohemi se: do ta ruajmë me xhelozi dhe fanatizëm këngën që ka kënduar Bylbyl Gjyzarja e Pollogut, e madhja, Hanife Sejfullahi – Reçani!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk