FAKTET QË DERGJEN NGA HESHTJA VRASTARE E INSTITUCIONEVE TONA TË PËRÇARTURA QË BËJNË VETËM TALLAVA POLITIKË

17
May
2023

Shkruan: Syrija Etemi
Se, nëntoka e Sllatinës ruan me xhelozi shumë “mbushullime” të brezave të shkuar, të cilët presin ndonjë “kohë tjetër” për t’u zbuluar dhe studiuar nga ana e specialistëve të fushave përkatëse, kjo nuk ka mëdyshje. Prandaj, Ne këtu po Ju ofrojmë vetëm disa sish:
1.Këtë pranverë bëhen 53 vjet kur, në vendin që sllatinasët e quajnë: Te Di Udhët (në fushë – Ndër Xhade, ndërmjet Sllatinës dhe Leshkës), 0.5 km.në jugperëndim të Sllatinës, apo 1 km. në jug të Leshkës, në vitin 1970, gjatë lëvrimit të tokës u gjet një konstruksion varri nga kohët e hershme iliro-romake; në të cilin , përveç tjerash, u gjet edhe një pllakë e mermertë me një epitaf, dhe kokë gruaje që qëndron në përmendore. Epitafi ka një vlerë të veçantë letrare dhe, është i shkruar në HEKSAMETËR EPIK. Emri i femrës së vdekur është Gentiana- me prejardhje autoktone ilire, e cila rridhte, me siguri nga një familje bujare aristokrate, dhe që kishte prona në afërsi të këtyre dy vandbanimeve.
Për këtë gjetje arkeologjike, ja se ç’shkruan profesor Neritan Ceka: Mbas një hulumtimi të shkurtër, në kushtet që jemi, arrita të plotësoj disa të dhëna mbi mbishkrimin si më poshtë:
“Pllaka me mbishkrimin në fjalë, ruhet në shtëpinë e Ilija Petrushevskit. Është lexuar nga J. Bousquet dhe botuar në “Ziva Antika”,1-2, 1974, si vargje në heksametër të vendosura nga Getas për gruan Gentiana dhe fëmijtë Redon dhe Heras. Ky tekst është ribotuar edhe tek “Iliria” nr.2, 2011- nga Mixhait Pollozhani, që mbron origjinën ilire të familjes, kundra Nada Proeva, një studiuse mediokre maqedonase, që nuk rezervohet të mohojë çdo gjë ilire në Maqedoninë e Veriut. Kjo pllakë me këtë mbishkrim është trajtuar edhe nga Ivan Mikulciq, që shkruan se, busti i gjetur në të njëjtin vend, pra – në Crnice, ndërmjet Leshkës dhe Sllatinës, është në muzeun e Tetovës”.
Një ndajshtim plotësues:
Genci (GENTI), mbret i shtetit ilir (fisit të Ardianëve), ka qenë shumë i ditur. Ai kishte një kulturë të spikatur. Për këtë tregojnë njohuritë e tij mjekësore, sepse me njohuritë që kishte, ai mundi të luftonte një epidemi që qe përhapur në ILIRI. Prandaj, prej tij emërohet edhe ajo bimë mjekësore e vjetër: Gentiana Enzian. Po në shek. II të erës sonë një tjetër ilir i quajtur Geta, në Sllatinë afër Tetovës ka ngritur një monument ku, përveç anës figurative të relievit, ka të gdhendur edhe një poezi në katër vargje -e tipit: epigram- kushtuar gruas së tij Gentianës dhe dy fëmijëve të tij: Redonit (Hyj ilir i detit) dhe Kerës).
2. Përveç rastit që sapo përmendëm, pas disa vitesh më vonë, bujqit e fshatit: Mehmet dhe Abdirezak Beluli, më 28.03.1997, duke lavruar me traktor në arrën e tyre, gjejnë këtë pllakë të gurtë të gravuar, që i përket periudhës iliro-romake,me siguri duhet t’i përket sh.II të erës së re. Në gravurë janë të paraqitur (nga e djathta): Mbreti GETA (koka e dëmtuar); Mbretëresha GENTIANA; Princi REDONI dhe Princeza, KERA.
3.Gjatë përgatitjes së terrenit për ndërtim të shtëpive për banim (në mars të v.2005), në Bigur të Sllatinës zbulohet një varr i sh. IV p.e.re.
Me këto fakte të shtruara, shkrimin pretendues deshta ta përfundoj me një vjershë timen dhe me fjalët e Sulejman Krasniqit, i cili thotë: “Ne jemi stërnipër të ilirëve që kur Gadishulli ilirik banohej vetëm prej egërsirave…. Këtë tokë të lashtë e kthyem në vend banimi Ne e, vetëm Ne”. Por shtrohet pyetja: Ne, pse të mos e gëzojmë, pra?
Ja vargjet me ngrohtësi ilirie, kushtuar vendbanimit tim shtathedhur në Pollog:
JE E NGROHTË SI POGAÇË
.
Ku më je, moj rrëzëllimë,
Me k’to rrafshe e me bjeshkë?!
Un’ të fali dashurinë-
E, ti mua m’ përvëlon si eshkë…

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

.
Oj, KALA, që prore rritesh
Me kët’ nur e dritë të paqtë
Rrëzë Sharrit po dremitesh
Je e ngrohtë si pogaçë.
.
N’ ty m’djeg malli i pashuar –
N’Rrafsh t’Pollogut të gjërë-det,
Veç në Ty – djep i bekuar
Mund të bëj un’ gjumë të qetë…

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk