FASHIZMI TASHMË KA HYRË NË OBORRIN E EUROPËS!

25
Feb
2025
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, datë 25 Shkurt 2025-
Me datën 23 Janar të vitit 2006, ditën kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës po miratonte “Rezolutën kundër krimeve të komunizmit”, poeti komunist dhe kryetar i PKSH, Hysni Milloshi, përgatiti një letër të hapur me titull: FASHIZMI TROKET NË DYERT E EUROPËS”, drejtuar Presidentit të Shqipërisë të asaj kohe, Alfred Moisiut; Shkrimtarit të Popullit, Dritëro Agolli; Kryeministrit Sali Berisha; Akademisë së Shkencave; Kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli; Kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, Bamir Topi e Pandeli Majko; Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, dhe sigurisht për dijeni edhe Kancelarive të Bashkimit Europian. Midis të tjerave, në letrën drejtuar autoriteteve të larta shqiptare, Hysni Milloshi, shkruante:
“Unë, përmes kësaj letre të hapur, sigurisht nuk po kërkoj që ju të këndoni “Mersejezën”, “Internacionalen” apo “Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, sepse unë e di çfarë kënge u vjen për zemër të këndojë një deputet, një President, apo një Kryeministër i ditëve tona. Unë dua vetëm të përsëris e të ripërsëris se po të këndohet kënga e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës sot, do të këndohen marshet fashiste nesër, të cilat do të buronin nga Projekt-rezoluta në fjalë. Prandaj është normale të pyetet se cila muzikë do të sundojë në Shqipërinë tonë?!”.
Poeti komunist dhe njëherësh Kryetar i PKSH, këtë thirrje lapidare, e shoqëroi jo vetëm me komente nga historia e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore, por edhe me thirrje dhe kundërshtime të kësaj rezolute të disa prej figurave të njohura të Europës e më tej saj: Kështu: MIQIS TEODORAQIS, muzikant grek: “Në emër të shokëve të mi të vrarë, në emër të atyre që provuan Gestapon, kampet e vdekjes dhe skuadrat e pushkatimit që të shporrej nazizmi dhe të triumfonte Liria, unë kam vetëm një fjalë për t’u thënë këtyre zotërinjëve: TURP!”
ALEKA PAPARIGA, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Komuniste Greke: “Të gjitha krimet kundër humanizmit kanë qenë bërë në emër të “rrezikut komunist”. Projekt-Rezoluta antikomuniste është shpallje lufte kundër klasës punëtore!”
EINARSSON, majtist suedez: “Antikomunisti është një kafshë e çuditshme që pretendon se është mik i demokracisë”.
Më tej, Hysni Milloshi vijon: “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, me projekt-rezolutën antikomuniste, nuk godet vetëm komunistët dhe Partitë Komuniste, por synon të kërcënojë në radhë të parë çdo lëvizje demokratike përparimtare, çdo aspiratë popullore për socializëm, të kriminalizojë mendjen njerëzore, që nesër çdo lëvizje demokratike të konsiderohet e të besohet si lëvizje terroriste, dhe më në fund, t’i mbushë mendjen njerëzimit se kapitalizmi është rend i përjetshëm, dhe se rendi i Marksit na qenka jo vetëm utopi, por madje kriminal; jo fabrikë idesh, por fabrikë krimesh; jo humanizëm, por kriminalizëm”.
Po, cili është shkaku që Europa, pas 61 vitesh nga fitorja e Luftës së Dytë Botërore mbi nazifashizmin, fitore që e pati dhuratë kryesisht nga komunizmi, ndjente në vitin 2006 nevojën e një Rezolute kundër Komunizmit?!
Hysni Milloshi e thotë shkoqur në letrën e tij paralajmëruese: “Europa plakë ndodhet në krizë, dhe në pafuqishmërinë e saj për të dalë nga kriza, përpiqet me shpirt ndër dhëmbë, të fshehë të vërtetën me slogane antikomuniste e përralla që u ka dalë boja me kohë. Është jashtë çdo dyshimi se projekt-rezoluta e saj hartohet si një anakronizëm brutal ndaj popujve, që ata t’i nënshtrohen shfrytëzimit të egër kapitalist e agresivitetit imperialist nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, edhe nga frika se mos këta komunistët mblidhen e lëshojnë ndonjë thirrje për ndonjë Front të popujve, përballë rreziqeve fashiste, siç bënë në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar”.
Thirrja dhe parashikimet e komunistit Hysni Milloshi ishin dhe mbeten koherente. Nëse në vitin 2006 pralajmëroi se “Fashizmi po troket në dyert e Europës”, sot ne mund të themi pa frikë, se ai, (nazifashizmi), ka hyrë tashmë brënda portave të saj. Rezultatet e zgjedhjeve më të fundit në Gjermani, por edhe në vende të tjera të BE, vertetojnë atë që themi më sipër. E djathta konservatore në Gjermani (CDU/CSU) në zgjedhjet e këtyre ditëve, fitoi me 28,5 përqind të votave, duke spostuar ish partinë në qeverisje të Olaf Scholz në kuotën 16,5 %. Dhe ajo që trondit, ekstremi i djathtë, AFD, i ka dyfishuar votat nga 10,4 % në 20,6 %. Këto shifra aktuale, na thonë se në zgjedhjet e ardhshme, shifrat në fjalë mund të ndërrojnë vendet, dhe atëherë, me siguri do të kemi një Hitler të ri, mundet pa mustaqe, por me të njëjtat sjellje e veprime si ato të viteve 1922 – 1945. Ky rrezik shtohet, kur konstatohet se edhe në shtetet të tjera të Europës (BE) janë shtuar forcat ekstreme nga e djathta. Sidomos në Francë, Austri dhe Spanjë. Pa folur për komshiun tonë matanë Adriatikut, ku Meloni me ngjyrat e Musolinit, ka marrë çelësat e neofashizmit dhe ecën drejt “Imperatorisë” se Savojës.
Rreziku për ringjalljen e nazifashizmit në Europë dhe në shkallë botërore, ka marrë permasa të dukshme qysh ditën e parë të betimit si president të Donald Trumpit. Vini re: në atë ditë, të betimit të tij, përveç objektivave dhe formave e metodave që presidenti Trump do të ndiqte për zhvillimin e forcimin e Amerikës, lëshoi disa herë Thirrjen e fuqishme: “AMERIKA E PARA”, (Amerika first). Kjo thirrje, mua si qytetar, më kujtoi historinë e ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit, i cili, qysh ditën e parë që u ngjit në karrigen e Kancelarit të Gjermanisë, lëshoi thirrjen:
DEUTSCHLAND UBER ALLES”, që në shqip do të thotë “GJERMANIA MBI TË GJITHA”. A nuk është njëlloj me “AMERIKA FIRST” (Amerika e para?). Dhe këtë thirrje fashiste, po e realizon praktikisht Presidenti i ri i Amerikës, me të gjitha deklarimet dhe veprimet e tij pothuajse të përditshme.
Po Shqipëria, ku është më këtë “objektiv” nazifashist? Politikanët dhe pushtetarët shqiptarë, e pranuan menjëherë Rezolutën e Këshillit të Europës, dhe nisën punën për realizimin e saj në terren. Falë këtij “mobilizimi”, në Shqipëri, është arritur faza e parë e fashistizimit të administratës shtetërore dhe jetës shoqërore, pasqyruar kjo me krimin dhe korrupsionin galopant, veçanërisht me krimin dhe korrupsionin e organizuar e atij shtetëror. Fati ynë, që Shqipëria është e vogël dhe e pafuqishme, që më fashistizimin e saj të sjellë ndonjë rrezik për Europën e më tej saj. Ama ky fashistizim, qoftë dhe i permasave të vogla me vendet e tjera, është një goditje e madhe për qytetarët tanë, në çdo pikëpamje. Aq më tepër kur shihet predispozita e politikanëve dhe pushtetarëve për të ndjekur qorrazi “këshillat dhe vepimet e më të fuqishmëve të Botës.
Poeti komunist, dhe njëherësh Kryetari i PKSH, Hysni Milloshi, e mbyll letrën e tij drejtuar politikanëve e pushtetarëve të vendit tonë dhe Kancelarive të BE me këtë ligjëratë të pakorigjueshme:
“Të vërtetën mbi komunizmin dhe luftën e popujve për liri e demokraci, nuk mund ta ndalojë e ta kriminalizojë Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Rezoluta antikomuniste e kësaj Asambleje, do të mbetet në kronikën e zezë të librit të zi të Kapitalizmit, një aventurë e radhës, që gjithësesi na kujton se fashizmi po troket në dyert e Europës, e se thirrja për vigjilencë e antifashistit çek Julius Fuçik, mbetet aktuale!”

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk