/ Marë nga Fezboku i Dilaver Goxhajt/
Pjesë nga libri “Lavdërim Marrisë!”
Autori Erazmo Roterdami (1466 – 1536)
Filozof humanist hollandez, i cili shkroi disa vepra
fundamentale të teksteve kritike,pedagog dhe filozof,
poet dhe satirik, është një nga personalitetet më të
ndritura dhe më të rëndësishme të humanizmit.
Bota mund të flasë për mua marrinë (marrëzinë) çfarë të dojë, por unë, megjithatë, po u them se vetëm unë jam e aftë që t’i zbavis edhe perënditë, edhe njerëzit.
Kush nuk e di se FËMIJËRIA është koha më e gëzueshme dhe më e kënaqshme në jetën e njeiut? E ç’është ajo te fëmijët për çka ne i duam më shumë, përse kujdesemi dhe i përkëdhelim e që, madje, edhe armiku mallëngjehet për ta dhe u jep ndihmë – sikur të mos ishte joshëse, magjepsja e marrisë (marrëzisë)? Natyra e mënçur ua fal me qëllim fëmijëve një farë magjepseje, një tipar marrëzie (marrie), që të lehtësoi me të vuajtjet e atyre që i rrisin dhe që ta meritojnë me miklim mbrojtjen që u jepet.
Mandej, pas kësaj moshe vjen RINIA. Sa e dashur është kjo moshë për të gjithë, sa dëshirojnë të gjithë të jenë të dobishëm për të, sa duan ta ngrejnë, sa janë të gjindshëm e i zgjatin duart që ta ndihmojnë! Prej nga, ju lutem, është te qeniet e reja kjo joshje që të mahnit? Prej meje. Për shkak të mirësisë sime (marrwzisw) , ato nuk kanë asnjë fije mendjeje; prandaj, për këtë gjë janë edhe pa brenga. Unë marrëzia dalsha gënjeshtare, nëse keta fëmijë, porsa të rriten, porsa t’i udhëzojë shkolla për jetën e përditshme dhe ato të fillojnë të mendojnë si pleqtë, nuk do të fillojnë ta humbin lulen e bukurisë së tyre, nëse nuk u dobësohet gjallëria që kanë,, nëse nuk u shuhet ngazëllimi dhe nëse nuk u pakësohet forca e tyre. Dhe, sa më shumë të largohet njeriu prej meje (prej marrisë), aq më pak do të ketë prej jetës, derisa t’i vijë PLEQËRIA e mërzitëshme, e cila është barrë, jo vetëm për të tjerët por edhe për vetveten. PLEQËRIA, në të vërtetë, do të ishte e padurueshme për të gjithë njerëzit, sikur unë marria, prej përdëllimit që kam ndaj kaq vështirësive, nuk qëndroj me të. Ashtu sikur, zakonisht, ua zbusin te poetët vdekjen atyre që vdesin me ndonjë farë metamorfoze, po ashtu, edhe unë marria, sa jam e aftë, e thërras njeriun i cili është në buzë ta varrit që të kthehet në fëmijëri. Dhe, kështu bota thotë për njerëzit e moshuar SE JANË BËRË FËMIJË.
Në qoftë se dikush dëshiron ta dijë, ndofta sesi e bëj unë këtë transformim, atëhere, në rregull, me që as këtë nuk do ta fsheh. I shpie ata në burimin e Lotës sonë, e ajo buron nga Ujdhesat e Lumtura (nëpër botën e poshtme rrjedh vetëm dega e këtij lumi), që atje të pinë “harresën e gjatë”; e, kur brengat e tyre tulaten gradualisht, atëhere bëhen fëmijë përsëri.
Po dëgjoj se ata po kundërshtojnë, llomotisin, flasin marri. Por, unë marrëzia e di këtë. Ndërkaq, pikërishjt kjo gjë do të thotë edhe përtëritje. Të jesh fëmijë, a thua nuk do të thotë tjetër gjë, veçse të dërdëllisësh pa mend e të flasësh marrëzi? E, a thua magjepsja më e bukur e fëmijërisë nuk qëndron në faktin se ajo nuk ka mend? Kush nuk do të ndjente urrejtje dhe neveri përpara fëmijës që flet si njeri i pjekur, si para gogolit! Këtë e vërteton, po ashtu, proverbi popullor që thotë: E urrej fëmijën mënçuria e të cilit piqet para kohe.
Kush,ndërkaq, do të duronte, sikur të kishte punë me plakun që do t’i bashkonte në vetvete përvjën e madhe jetësore, gjallërinë e shpirtit dhe kthjelltësinë e gjykimit? Prandaj njeriu kur plaket mua marrëzisë më ka borxh mirënjohjen që bëhet fëmijë në pleqëri. Kështu, së paku, miku im matuf çlirohet nga brengat e pakëndshme që e mundojnë të mënçurin; ai është, shpeshherë, shok zbavitës në pije; nuk e ndjen mërzinë e jetës, të cilën mosha e burrërisë mezi e duron; herë pas here u kthehet atyre tri shkronjave famëkëqija, ai ai plaku te Plauti, për çka do të ishte shumë fatkeq, po të ishte në vete. Në këtë mënyrë, me mëshirën time ai është I lumtur, i dashur për miqtë, e madje as në shoqëri nuk është i padurueshëm. Kështu edhe te Homeri rrjedh fjalimi “më i ëmbël se mjalti” prej gojës së Nestorit, ndërsa goja e Akilit është plot hidhëti; a nuk dëgjojmë vallë te ky poet i njëjtë se si pleqtë luftëtarë, të ulur në mur, “paraqiten me xhaunisje të këndshme”! Në këtë pikpamje, mund të thuhet se pleqëria ia kalon fëmijërisë, sepse ajo edhe pse e lumtur, është, prapseprapë, naivitet dhe e privuar prej lakmisë së veçantë jetësore, llomotitjes së vërtetë.
I shtoni kësaj edhe faktin se pleqtë i duan shumë fëmijët dhe se fëmijët, po ashtu, janë të dhënë pas pleqve, (i ngjashmi gëzohet për të ngjashmin). Dhe, njimend, këto dy mosha i përngjajnë shumë njera-tjetrës: vetëm se pleqtë kanë më tepër rrudha në fytyrë dhe kanë lënë prapa më shumë datëlindje. Në të vërtetë çdo gjë përputhet: flokët e thinjur, goja pa dhëmbë, trupi i pahijshëm, dëshira për të pirë qumësht, belbëzimi, llomotitja, marrëzia, harresa, mëndjelehtësia – me një fjalë: të gjitha! Sa më shumë hyjnë në pleqëri, aq më tepër u kthehet ngjashmëria me fëmijërinë, derisa një herë si fëmijë të shkojnë nga kjo botë pa neveritje ndaj jetës dhe pa frikë prej vdekjes.
(ROTERDAMI “Lavdërimi Marrisë”, Prishtinë, 1982, f.43-45)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!