FITORJA MBI FASHIZMIN – 9 Maj 1945

08
May
2023

Shkruan:Dilaver Goxhaj
Në vitin 1980, me rastin e 35 vjetorit të fitores mbi fashizmin, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” botoi një antologji poetike me titull ”Muzat në vitin e luftës – Nga poezia antifashiste botërore”, në të cilën janë përmbledhur vjersha dhe poema me autorë antifashistë të vendeve të ndryshme të botës, kushtuar temës së luftës kundër fashizmit, përkthyer nga Aurel Plasari dhe Luan Rexhepi, redaktuar nga Ismail Kadare, i cili ka përgatitur edhe Parathënien e kësaj antologjie.
Me rastin e 78 vjerorir të fitores mbi fashizmin, po pasqyrojmë një pjesë të parathënies së z.Ismail Kadaresë dhe disa poezi dhe fragmente prej atryre poezive.
ISMAIL KADARE: “Tema antifashiste, për më tepër se gjysëm shekulli, vazhdon të jetë një temë me të vërtetë ndërkombëtare e poezisë. Ky është një fakt i rëndësishmë letrar që ka të bëjë drejtpërdrejt me luftën e njerëzimit drejt progresit me luftrat e mëdha mbiklasore, me ndeshjen e forcave përparimtare me reaksionin botëror.
Poezitë e përmbledhura në këtë antologji hedhin edhe një herë poshtë pretendimet e krishtera për artin e humanizmit abstrakt, jashtëkohor… Universalitetin e saj kjo poezi e merr drejt e nga realiteti botëror, nga burgjet, kampet e përqëndrimit, llogoret e luftës dhe rezistenca kundër fashizmit. Karakterin ndërkombëtar ia jep asaj vetë lufta e përbashkët e popujve.
Në Spanjë, siç thonë gazetat sot,
Kërdinë bëjnë mercenarët;
Në Kinë, një gjeneral idjot
Dëbon prej tokave fshatarët.
Shkruan më 1937 poeti hungarez Atla Jozhef.
Borgjezia përpiqet ta ringjallë fashizmin në një numër vendesh, organizatat fashiste gëlojnë si grerëzat anembanë Gjermanisë Federale, ato përpiqen të marrin pushtetin në vende të tjera. Krimet e imperializmit amerian në shumë zona të globit tokësor nuk kanë ndonjë ndryshim nga krimet fashiste, pushtimi Çekosllavakisë nga socialimperialistët ishte një agresion i tipit fashist, histeria militariste e ndërhyrjes revizioniste kineze dhe agresive kundër Vietnamit ishin veprime tipike fashiste. Prandaj vargjet e famshme të poetit frances Pol Elyar, kushtruar Lirisë, tingëllojnë sot më aktuale se kurrë:
Mbi figurat e praruara,
Mbi armët e luftëtarëve,
Mbi kurorat e mbretërve
Shkruaj emrin tënd.
Klima e rëndë ë fashizmit, arroganca dhe agresiviteti i tij treguan edhe një herë se sa fallco ishin pozitat e atyre shkrimtarëve e artistëve që gjoja në emër të pastërtisë së artit e të pacifizmit pretendonin të qëndronin larg stuhive të kohës, të hiqeshin mënjanë e të vazhdonin këngët e tyre të panevojshme të kullës së fildishtë, që në këto çaste të rënda që po kalonte njerëzimi tingëllonin së këngë dezertorësh.
Nuk do thonë: “Qenë kohë të zymta”,
Por do thonë: “Pse heshtnin poetët e tyre?”
Shkruan poeti i shquar komunist gjerman Bertold Breht.
Propaganda e sotme borgjezo-revizioniste, predikimet dhe thirrjet për harresë, për falje të dyanshme, kryqi i madh “i pajtimit”, që kryexhelati Franko ngriti për “kujtim të të vrarëve të të dy palëve gjat Luftës Civile”, nuk mund të mbulojnë dot krimin e madh fashist që u bë në këtë vënd dhe as nuk mund t’i bëjnë dot popujt të harrojnë gjakun e derdhur për lirinë e Spanjës.
Shumë vjersha të këtij libri i janë kushtuar përshkrimit të gjendjes brenda vetë Gjermanisë. Në një varg të tillë më 1942 janë shkruar vargjet e Harro Shulce-Bojzenit:
Sirena ulërin,
rreh shiu në dritare.
Çdo gjë në Gjermani
ka hije prej fantazme.
Të gjitha këto vjersha e poema, të shkruara nga njerëz të ndershëm e në gjuhë të ndryshme, i bashkon si një fill i kuq motivi i madh i luftës kundër fashizmit, i luftës kundër çdo fashizmi të ardhshëm, në çfarëdo forme ose emri që mund të shfaqet ai.”
————- // ———–
VJERSHË E GJETUR NË KAMPIN DAHAU
(pa autor)
Kulla, tela dhe hendekë,
rrotull – heshtje varri,
por, ju, shokë, mbani veten
kokën mos e varni!..
Mu te buz’ e varrit pranë
vdekjen e përqeshni.
Do të dalim, do të çajmë
kët’ unaz’ të tmerrshme!..
VJERSHË PËR DËSHMORËT
E GJETUR NË BURGUN E TIRANËS
Trimat flenë në prehër të dhéut,
Përcjellur me lotë prej mbarë Atdheut.
Kur të vijë vera ves-argjenda,
Për të hijeshuar eshtrat e shenjta,
Aty një blerim ka për t’u endur,
Që as fantazia s’e ka shkelur.
Duar sirenash do rrahin këmbanat,
Gërshetshthurur do vajtojnë zanat,
Aty vjen nderi, shtegtar’ i thinjur,
Vjen të bekojë hirin e ndritur,
Në muzg liria me krahë petriti,
Një lot do të derdhë, lot jeremiti.
MBISHKRIM I PAPRISHSHËM
Nga poeti gjerman Bertolt BREHT (1898-1956)
Në kohën e luftës,,
në një qeli të burgut italian San-Karlo,
mbushur dëng me dezertorë, vagabond e hajdutë,
një ushtar socialist shkroi me laps në mur:
“Rroftë Lenini !”
Të shkruara lart, mu në tavan, në qelinë gjysmë të errët,
fjalët mezi dalloheshin.
Po rojet i vunë re dhe prunë në qeli bojaxhiun,
që me furçë e gëlqere e leu mbishkrimin e rrezikshëm.
Por, si e leu e iku, në mur u shfaq sërish mbishkrimi,
bile jo me laps, por me gëlqere:
“Rroftë Lenini !”
Erdhi një bojaxhi tjetër dhe leu krejt murin,
dhe mbishkrimi humbi, por në mëngjes,
kur boja u tha, sërish lexohej mes saj:
“Rroftë Lenini !”
Atëherë rojet futën në punë një murator me shpakëll.
Një orë të tërë ai i krojti shkronjat një nga një,
por kur mbaroi, në qeli sërishmi shkëlqente,
i skalitur në gur mbishkrimi:
“Rroftë Lenini !”
– Tani shembni murin! U tha rojeve ushtari.
AI QË VIGJËLON
– fragment –
Nga poeti frances Robert DENO (1900-1945),
pushkatuar në Buhenvald
Jam ai që vigjëlon në rrugën e Flandrës,
që rri zgjuar kur Parisi fle.
Nga veriu një zjarr i largët skuq nëpër natë.
Dëgjoj si kalojnë avjonë mbi qytet.
Unë vigjëloj në pikën e Agimit.
Sena dredhon në hije,
Nën 23 ura nëpër Paris.
Ju përshëndes juve që flini
pas punës së rëndë klandestine,
tipografë, atentatorë, shkatërrues shinash,
korjerë, shpërndarës traktesh…
Ju mbaj vesh e ju dëgjoj. Norvegjianë, danezë,
holandezë, belgë, çekë, polakë, grekë, luksenburgas,
shqiptarë e jugosllavë, shokë lufte,
dëgjoj zërta tuaj e ju thërres,
ju thërres në gjuhën time, që e njohin të gjithë,
gjuhë vetëm prej një fjalë:
LIRI !
PUSHTUESIT
– fragment –
Nga poeti anglez Kejt DUGLLAS (1920-1945),
vrarë në Normandi
Pushtuesit, si tufë e zezë shpërndësh,
po turren nga Evropa.
Hyri gjëma
si krakaritje korbash drejt e në shtëpi
dhe mund ta sprapsësh veç me trimëri.
Mund ta kuptosh dhe vetëm me dy mbrëmje
se mbart kjo tufë tmerr e llahtari.
ERA E LUFTËS POPULLORE
– fragment –
Nga poeti spanjoll Miguel ERNANDIS (1910-1942)
Buajt e përkulin kokën
me bindje dhe nënshtrim
kur marrin një goditje.
Por luani kurrë nuk tërhiqet,
ai sulmon me guxim.
Populli im s’u ngjan buajve,
populli im është si luani në liri,
si shqiponja krenare majë kreshte,
si demi bripërdredhur, i panënshtruar.
K Ë N G Ë
– fragment –
Nga poeti bullgar Nikolla VAPCAROV
(1909-1942)
Plaka do mbajë pakëz zi.
Nja dy lotë do derdhë nusja.
E do më harrojnë të gjithë,
përveç shokëve të luftës.
Që u vrava s’më vjen keq,
s’më vjen keq as për të ritë,
veç kam dashur që të vdes
përmbi barikadë një ditë.
HIJA E NJERIUT ME GISHTRINJ TË THYER
– fragment –
Nga poeti amerikan Karl SENDËRBERG (1878-1967)
Për norvegjezin që i shpëtoi rrjetës së Gestapos
në mbarë Norvegjinë u përhap lajmi.
Nderon populli kujtimin e heroit të paemër
që kundërshtoi në Gestapo të tregonte emrat.
“Na thuaj emrat! Kush janë? Emrat e tyre! Fol !”
I heshtur i vështronte në sy dhe orët kalonin e ai s’nxirrte emër.
“Na thuaj emrat! Kush janë? Fol, në mos po . . .”
Po ai një emër s’nxorri, s’tradhëtoi askënd.
“Ti mund të shpëtosh gjallë – bashkëpuno me ne. . .”
Po ai heshtte; gojën me shtatë kuçe.
S’e thyejnë dot fashistët vullnetin e hekurt të tij,
trimërinë e tij të pamposhtme, besimin te LIRIA.
Më mirë vdes ai, po tradhëtor s’bëhet.
Atëherë hitlerianët, tërbuar nga inati,
ia thyen dorën e majtë, edhe dorën e djathtë,
të krahut e te supi.
Ai atëherë harroi çdo emër në botë, madje edhe të tijin.
Por populli s’do ta harrojë martirin e paemër dhe heroin,
do të rrojë përjetë vulneti i tij dhe besimi i tij te LIRIA.
Vdekja është veç një hap i qetë në mesnatën e heshtur.
HAKMARRJA
– fragment –
Nikllosh RADNOTI (1909-1944)
Poet revolucionar hungarez. Shkruar në burg-1942
Ky prill si i marrë
as diell s’të lë të shohësh,
stuhitë s’i ka për gjë.
Tri shokë dolën shëtitje
dhe nuk u kthyen më.
Ky prill si i marrë,
veç bie e bie shi.
Një shok im u çmënd
dhe s’njeh më asnjëri
Po prisni veç një ditë!
Unë kam për t’u hakmarrë
për ju të gjithë, të gjithë!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk