Fjala ime, në ceremoninë e përcjelljes në botën e amshuar të profesorit Kadir Shabani

30
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

P ë r k u j t i m
E nderuara familje Shabani,
Ju bijtë, vëllezërit, nipat dhe farefisi i Kadirit, shokut tonë të dashur;
Të nderuar miq, shokë e bashkëveprimtarë,
Sot i japim lamtumirën e fundit një burri të shquar, një personaliteti të madh, profesorit, intelektualit dhe veprimtarit që i dha shumë vendlindjes së tij, Shipkovicës, qytetit të Tetovës ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe gjithë kombit shqiptar; nga njeriu fisnik e bujar, intelektuali mendjendritur, që i dha shumë shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare; sot po ndahemi fizikisht nga veprimtari i palodhur që u dha krahë e frymë atdhedashurie disa brezave; atyre me të cilët ndau pjesën më të çmuar të jetës, mes të cilëve mbolli dije dhe edukatë, dashamirësi e respekt, si asnjë intelektual tjetër i brezit të tij.
Sot me dhimbje të madhe në shpirt po i japim lamtumirën e fundit këtij njeriu të sakrificës dhe përpjekjeve titanike, i cili punoi e veproi në një kohë të ligë, në rrethana sundimi të huaj, nën regjimin jodemokratik dhe johuman, nën pushtetin e egër okupator jugosllav, kur lufta dhe rezistenca, përpjekjet për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit dhe qenies kombëtare, kur kultura dhe tradita, shkolla shqipe dhe arsimi në gjuhën amtare, mund të mbroheshin vetëm me sakrifica, me dinjitet dhe moral të pathyeshëm, me punë të mundimshme, për një të ardhme më të mirë të brezave të ardhshëm.
Koha kur jetoi dhe veproi Kadir Shabani ishin vitet e një përpjekje për rizgjimin e shqiptarëve, kur filluan përpjekjet e para për ta sfiduar regjimin sundues, me punë vetëmohuese dhe vepra konkrete.
Kështu e filloi rrugëtimin e tij të mundimshëm Kadir Shabani, me aktivitete në fshatin e tij të lindjes, me grepet e para të ringjalljes së jetës kulturore, me grupin artistik “Shkëndijat e para”, me shoqërinë kulturore artistike “Rexhep Voka”, por edhe si arsimtar në shkollën fillore të vendlindjes, ku rezultatet dolën tepër të suksesshme, siç e dëshmuan më vonë të arriturat tjera në nivele më të larta, në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës, si edhe në ngritje e vetëdijes kombëtare, me vendosmërinë për marrjen e fatit në duar e veta nga shqiptarët e kësaj ane, për realizimin e aspiratave shekullore. Brumosja me idealet me të cilat u rrit Kadir Shabani, nga urtia popullore tradicionale, nga vuajtjet dhe sakrificat e popullit mes të cilit jetoi dhe punoi për dekada me radhë, u shndërruan në lajmëtarët e parë të fitore së dritës mbi errësirën, ngadhënjimin e së vërtetës mbi mashtrimin e madh ndër shekuj të shqiptarëve nga të huajit dhe armiqtë.
Gjeneratës së Kadir Shabanit iu desh të sakrifikojë shumë, për flamurin kombëtar, gjuhën amtare dhe shkollën shqipe, për liri dhe barazi, për jetë të dinjitetshme të shqiptarëve në trojet e veta, në tokën e të parëve.
Me fillimin e proceseve demokratike dhe pluralizmit, ky intelektual ishte në radhët e para të përpjekjeve për liri e barazi të shqiptarëve, por asnjëherë nuk iu lakmua pushtetit dhe klaneve partiake, ishte dhe mbeti shtyllë; ndër nismëtarët kryesorë, krahu dhe mbështetja e fuqishme për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, ku lindi dhe u brumos ideja e madhe për themelimin e Universitetit Shqiptar në Tetovë, për realizimi i të drejtës së shkelur e mohuar për arsimim të lartë në gjuhën amtare të shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm.
Për më tepër, do të flet koha dhe historia për këto përpjekje dhe vepra, të cilat e mbajnë vulën e mundit, punës dhe veprimtarisë së profesorit Kadir Shabani dhe brezit të tij, e shokëve të idealit dhe sakrificës me të cilët punoi e bashkëveproi disa dekada me radhë.
Për Kadir Shabanin nuk do të përfundojë historie sot dhe këtu, me ndërrimin e jetës dhe mungesën fizike të tij. Kudo ku ka punuar e vepruar, ka lënë gjurmë, në kulturë dhe arsim, në shkencë dhe veprimtari të tjera të dobishme. Do të flasin brezat e ardhshëm, kolegët dhe nxënësit e tij, nga shkolla fillore e Shipkovicës dhe ajo e Grupçinit, ku punoi vite me radhë, nga shkollat e mesme, e ekonomisë, e mjekësisë dhe ajo e teknologjisë së tekstilit, në Tetovës, ku brumosi me dije e edukatë breza të tërë, si edhe kolegët dhe studentët e tij në Universitetin e Tetovës, ku punoi një periudhë të shkurtë, jo pse nuk deshi ai apo nuk pati nevojë Universiteti për profesorë dhe intelektualë të këtij kalibri, por pse fryma e opskurantizmit ende kishte mbetur gjallë në mendjet e disa politikanëve dhe intelektualëve, në zemrat e katranosura dhe mendjet primitive të servilëve të pushtetit.
Ta hedhim sot nga një grusht dhe mbi varrin e shokut tonë, me betimin për ta çuar deri në fund amanetin e tij, për realizimin e ëndrrës së madhe për liri dhe barazi të plotë, me shpresë se e ardhja do të jetë më e ndritur për brezat e ardhshëm, kur edhe do të flitet e shkruhet sa duhet edhe për këtë intelektual të madh, për profesorin dhe veprimtarin, birin e Shipkovicës, që një jetë ia kushtoi arsimit, kulturës, shkencës dhe dijes, pa u lodhur e ndalur për asnjë çast.
Të qoftë i lehtë dheu, vëlla i dashur Kadir!
Të përjetshme veprat dhe kujtimet ndër breza!
Tetovës, 28 korrik 2023

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk