Nga: Mimoza Murati
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Sot bëhen 24 vjet qëkur ushtria serbe kreu një nga masakrat më të rënda në Kosovë.
Bëhen 24 vjet edhe qëkur familja ime, si shumë të tjera, ikën nga terrori i ushtrisë serbe në Kosovë.
E di që shumë prej jush që jeni këtu sot, njësoj si unë, e keni lënë Kosovën saktësisht 24 vjet më parë. Dhe njësoj si unë, jeni të shqetësuar nga ajo që ndodhi atëherë.
12,000 të vrarë.
3000 të rrëmbyer.
1600 ende të pagjetur.
20 mijë të përdhunuar.
1 milion të dëbuar nga tokat dhe shtëpitë e tyre.
Nuk janë vetëm numra.
Janë fate njerëzish.
Dhe për çdo person që u vra, u rrëmbye, u përdhunua, u detyrua të arratisej, kishte familjarë, miq, kolegë që u traumatizuan nga pikëllimi dhe frika.
Kanë kaluar 24 vjet dhe ne ende nuk po mund t’i shërojmë plagët.
Sepse ambiciet e pushtetarëve serbë për të sunduar Kosovën janë ende gjallë, dhe ata po përdorin çdo pretekst – madje edhe më absurdin – për të kërcënuar me dhunë e terror gjithnjë me qëllim të ruajtjes, zgjerimit apo shtimit të pushtetit në Kosovë.
Kohët e fundit kërcënimet serbe u bënë tmerrësisht konkrete. Këtë herë nën një pretekst për targa!
Më 27 dhjetor, ushtria serbe u vu në gatishmëri të lartë në kufirin me Kosovën dhe numri i forcave speciale të Serbisë u rrit dramatikisht.
“Do t’i marr të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në Kosovë”, tha Vuçiq.
Vuçiq po vepron dhe flet tamam siç bënte vëllai i tij i madh në Rusi, Vladimir Putin – saktësisht një vit më parë tek kufiri me Ukrainën.
Sot është më shumë rregull sesa përjashtim që politikat brutale të pushtetit, madje edhe luftërat e drejtpërdrejta justifikohen me faktin se dikush e shpesh një pakicë etnike duhet të mbrohet nga shtypja dhe persekutimi.
Si historikisht ashtu edhe aktualisht, bota për fat të keq është plot me shembuj të shtypjes raciste ndaj pakicave etnike dhe gjithashtu plot me shembuj të dhimbshëm të komunitetit ndërkombëtar që i ka lënë ato të ndodhin.
Prandaj, është treguar jashtëzakonisht efektive të marrësh rolin e “mbrojtësit”, kur në realitet dëshiron të sulmosh një vend tjetër dhe të shkelësh sovranitetin e tij.
Është e vërtetë që pakicat etnike janë të shtypura në shumë vende të botës por pakica serbe në Kosovë nuk mund të cilësohet në asnjë mënyrë si një prej tyre – përkundrazi!
Pakica serbe, e cila përbën 5% të popullsisë së Kosovës, gëzon privilegje të mëdha. Ta zëmë, atyre u janë rezervuar 10 nga 120 vende në parlament, madje kanë të drejtën kushtetuese të vetos për një sërë çështjesh të rëndësishme.
Një veto që dëmton seriozisht demokracinë e Kosovës.
Këto privilegje e nxjerrin në pah edhe hipokrizinë e Serbisë.
Mos ndoshta gëzojnë pakicat etnike në Serbi privilegje dhe garanci të veçanta të mbipërfaqësimit politik dhe të drejtës së vetos? Sigurisht që jo! Dhe cili shtet tjetër ka diçka të tillë?
Mos ndoshta Serbia i lejon pakices shqiptare të përdorë targa shqiptare në Serbi? Sigurisht që jo! Dhe cili shtet tjetër ka diçka të tillë?
Megjithatë, Serbia është e gatshme të marrë “çdo masë” – ÇDO MASË! – për ta detyruar Kosovën që të vazhdojë të pranojë statusin dhe privilegjet e tilla speciale për pakicën serbe.
Le ta themi pa mëdyshje: Të gjitha vendet – përfshirë edhe Kosovën – duhet të respektojnë konventat ndërkombëtare për të drejtat e pakicave etnike dhe të tjera. Këto janë standarde minimale, dhe në sytë e mi një vend duhet të bëjë shumë më shume se aq për ta merituar respektin tim personal.
Por situata në Kosovë thjesht nuk është një situatë ku cenohen të drejtat e përcaktuara me konventa të pakicës serbe. Përkundrazi, është një situatë ku pakica ka status dhe privilegje të gjera dhe speciale, gjë që praktikisht i jep Beogradit fuqi të jashtëzakonshme në Kosovë.
Vuçiq pretendon se është i gatshëm të bëjë gjithçka për popullin serb në Kosovë. Që kjo është arsyeja pse ai është i përgatitur të dërgojë ushtrinë e tij brenda Kosovës për t’ua mbrojtur të drejtat e pakicave serbeve në Kosovë.
Në të njëjten kohë, Vuçiq çdo ditë i cenon të drejtat THEMELORE të serbeve në Serbi!
Nga viti 2014 e deri më sot, derisa Vuçiq ka qenë kryeministër dhe president, Serbia me politikën e saj brutale shtrënguese ka shkelur vazhdimisht Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.
Vuçiqit nuk i bënë për popullin serb!
Në Kosovë jetojnë rreth 100 mijë serbë. Në Serbi jetojnë 7 milionë serbë!
Po të interesohej Vuçiq vërtet për serbët, ai nuk do t’i varfëronte ata dhe nuk do të ua shtypte lirinë e shprehjes – siç bëri si Ministër i Informacionit nën Sllobodan Millosheviçin.
Jo, Vuçiqit nuk i intereson për popullin serb.
Krejt çka i intereson atij është pushteti i tij dhe planet e tij për ta bërë Serbinë një fuqi hegjemoniste në të gjithë Ballkanin.
Duke nxitur nacionalizmin dhe urrejtjen etnike në Kosovë, ai vret dy zogj me një gur.
Ai arrin ta largojë vëmendjen nga sulmet që i bënë ndaj popullatës së vet dhe arrin ta ruajë pushtetin e tij neokolonialist në Kosovë përmes strukturave ilegale dhe të armatosura në veri.
Prandaj, pavarësia e Kosovës nga Serbia nuk është sulm ndaj serbëve. Është kusht i lirisë për shqiptarët dhe serbët në të dy anët e kufirit.
Është kusht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – dhe normalizimin përkatësisht të Serbisë dhe Kosovës.
Pyetja është kështu: Nëse arsyeja nuk janë targat apo të drejtat e pakicave, cila është prapavija e vërtetë për riarmatosjen e Serbisë dhe përshkallëzimin e kërcënimeve ndaj Kosovës?
Prapavija aktuale janë negociatat e gjata nën kujdesin e BE-së.
Në shtator të vitit 2022, BE-ja i paraqiti Vuçiqit një propozim se si mund të duket një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Një marrëveshje që para së gjithash nënkupton se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Një marrëveshje që përfundimisht – 24 vjet pas masakrave – do të çimentojë sovranitetin e Kosovës.
Një marrëveshje që është negociuar për më shumë se një dekadë sepse Serbia e ka vonuar procesin.
Një marrëveshje ku së fundmi ishte në tryezë një propozim përfundimtar, të cilin Serbia e refuzoi kategorikisht.
Prandaj, Vuçiq hodhi në erë një rast për targa – për ta paraqitur Kosovën si palë problematike në negociata, kur në realitet është Serbia ajo që është pala problematike në negociata.
Për sa kohë Kosova insiston në pavarësinë e plotë, e cila e çliron tërësisht nga kontrolli i Beogradit, për aq gjatë Serbia do të vazhdojë ta kërcënojë Kosovën me luftë.
Vetëm kur Vuçiq ta kuptojë se nuk do të mund ta fitojë kurrë një luftë të tillë – për shkak të rezistencës së popullit të bashkuar të Kosovës – dhe mbështetjes të plotë të fuqive aleate demokratike në botë – vetëm atëherë do të detyrohet t’i fusë në varr planet e tij hegjemoniste.
Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot, për ta bërë këtë plotësisht të qartë. Që jemi të bashkuar.
Së bashku mund të bëjmë presion ndaj Serbisë.
Së bashku ne mund të parandalojmë luftën dhe shtypjen.
Së bashku mund të qëndrojmë të vendosur për lirinë, pavarësinë dhe drejtësinë për Kosovën.
Faleminderit për fjalën.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!