Flet “Artisti i Merituar”, Todi Llupi: Në shtëpi kam ende veprat e Enverit, në kohën e tij dolën artistë, sot…

31
Aug
2023

(Albert Z. ZHOLI, intervistë me Artistin e Merituat, Todi Llupo)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Të gjithë e mbajnë mend tek skeçi i njohur “Po martojmë Malon”. Por “Artisti i Merituar”, Todi Llupo ka edhe një galeri të tërë rolesh, ku shpesh herë tipizohet me fshatarin e Myzeqesë. Edhe pse kaloi një sëmundje të rëndë, me ndihmën e bashkëshortes, të afërmve dhe të miqve, ai e kaloi atë moment dhe tashmë është po aq energjik sa më parë. Teksa shpreh keqardhjen për daljen në pension, duke pohuar se për aktorin nuk ekziston një i tillë. “Aktori luan tërë jetën, sipas moshës edhe rolet. Ai nuk ka pension, sa lëviz edhe frymon”, pohon ai…

Aktualisht, ku ndodhet dhe me çfarë aktiviteti merret Todi?

Unë si gjithmonë jam në Fier, aty ku kam ngjizur shpirtin me artin tim dhe ku nuk rri në vend, por merrem me punë nga më të ndryshmet. Kam tre vjet që më kanë nxjerrë në pension edhe pse nuk kisha dëshirë të dilja, pasi artisti nuk është si futbollisti që duhet të ndjekë topin nga pas. Aktori luan në çdo kohë po është mirë nga memoria. Por kështu e panë të arsyeshme dhe më nxorën në pension, gjë që nuk e dëshiroja. Sot merrem me vreshtari, bujqësi, kasap sipas kohës, pra i gjej punë vetes, por dhe aktrimin nuk e lë pas dore. Sa herë më ftojnë në skenë vrapoj, pasi kam ende shumë fuqi për skenën. Aktori luan tërë jetën, sipas moshës edhe rolet. Faktikisht, aktori nuk ka pension, ai sa lëviz edhe frymon.

Këto vite nuk je përfshirë në asnjë rol?

Jo, kam qenë aktiv. Më kanë ftuar dhe kam marrë pjesë në dy filma artistikë, njëri me metrazh të shkurtër, tjetri me metrazh pak më të gjatë. Njëri prej tyre me regjisor Bujar Alimanin, i cili çoi më tej një film të lënë në mes nga Artan Minarolli. Ky film që ka të bëjë me OSBE-në dhe me të drejtat e njeriut ishte një film që korri sukses dhe ka konkurruar në disa festivale ndërkombëtare. Konkretisht, flet për të drejtat që duhet të gëzojnë ish-të përndjekurit politikë. Një film me një ide kohore dhe konkrete. Kjo tregon që artistit sa më shumë kalon koha, aq më shumë i del në pah eksperienca.

A vlerësohej arti në përgjithësi në komunizëm? Po artisti në veçanti?

A vlerësohej? Sa s’ka ku të shkojë më. Ajo kohë artistëve u jepte shtëpi. Të fal kush shtëpi sot? Ne vlerësoheshim dhe na respektonin në maksimum. Kudo që shkonim, na ndalnin e na uronin dhe na prisnin sikur të ishim heronj. Në atë kohë artisti shikohej si njeri i veçantë, por dhe specialistët ishin të jashtëzakonshëm. Në atë kohë nuk merrje dot një Fletë-Lavdërimi nëse nuk e meritoje. Çdo dekorim kalonte në disa faza dhe në disa instanca. Ku kishte burrë në atë kohë të bëhej në moshën 30 vjeç “Mjeshtër i Madh”? Sa role do vendosësh në skenë në këtë moshë? Po më vonë ç’do bësh?! Kur shikoj sesi sot merren dekoratat habitem, befasohem. Sot kush ka mik, merr tituj sa të dojë. Është e çuditshme. Janë bërë “Nderi i Kombit” njerëz pa asnjë meritë dhe nuk është bërë Pëllumb Kulla, mjeshtri i regjisurës. Njeri me ekuilibër, që dhe pse partia në atë kohë e ndëshkoi, mban ekuilibra. Intelektual i mirë, i paqtë me vizion që e ngriti në qiell Estradën e Fierit. Ky është Pëllumbi. Dhe sot, regjisorë që vetëm pse iu hoq e drejta e profesionit kanë marrë tituj të pamerituar si intelektualë apo profesionistë. Çuditë në këtë vend nuk kanë të sosur…

A keni qenë anëtar partie?

Po, kam qenë, posi jo. Mua babai më ka vdekur i ri, që në vitin 1961. Ne ishim katër fëmijë që u rritëm jetimë, na rriti nëna. Unë punoja në uzinë në Fier që ishte një punë me rrezik, në një linjë të veçantë. Në atë uzinë u lidha me lëvizjen amatore. Nga aty, kalova në estradën e Fierit. Kërkesën për komunist ma propozoi Luftar Paja. U habita. Mendoja se nuk e bëja dot. Nuk dija ç’do të thoshte të ishe në parti, të ishe komunist. Pyeta dhe nënën. Por dhe ajo mos dinte më shumë se unë. As kishte haber nga punët e partisë. Pranova dhe pse stazhin do ta bëja aty ku kisha qenë më parë. Në uzinën e Azotikut, ose uzinës “Gogo Nushi”, në një repart të vështirë. Në përgjithësi, komunistët ishin njerëz të ndershëm, të thjeshtë. Nuk jam penduar që kam qenë komunist i tillë. Sot sheh ata komunistët e flaktë të jenë demokratët më të flaktë. Nga ne të thjeshtët nuk ndryshoi asgjë, ashtu mbetëm. Ashtu do jemi, njerëz të thjeshtë idealistë.

Nga shumë punë, lidhje të vazhdueshme me Pëllumb Kullën, çfarë do të veçosh?

Njëherë kisha në dorë një revistë ku paraqitej Stalini. Ishte me ato gradat e tij dhe dukej tepër madhështor. E shihja dhe buzëqeshja pastaj dhe i rënë me dorë fotos thashë: “Ej Stalin të qofshim falë. Legjendar, legjendar!”. Në këtë kohë më vjen nga pas Pëllumb Kulla dhe më thotë: “Ku e njeh ti Stalinin? Ku ke lexuar për të? A di ndonjë gjë të huaj?”. “Jo”, i them. Pastaj më njohu shumë me figurën e tij, pasi dinte gjuhë të huaj dhe kishte lexuar më shumë për të. E shikoja me habi. Pëllumbi ishte njeri i lexuar, i ditur dhe të habiste me dijet e tij. Për ne, ai mbetet një universitet me vete.

Të flasim për kryerolin tuaj dhe të Arqile Lipes, pra “Malon”. Kur është vënë në skenë ky skeç dhe si erdhi fama e tij? Dhe më tej diçka për rolet tuaja.

“Malua” është vënë në skenë në vitin 1980. Një skeç brilant dhe i papërsëritshëm, krijuar nga i shkëlqyeri Pëllumb Kulla. Muzika është bërë nga i talentuari Ferik Hoxha, i cili ka bërë shumë për rolet tona. Nuk kishte premierë që të mos kërkohej edhe ky skeç. Nuk mund t’i numëroj. Në gjithë këtë jetë skenike nga viti në vit janë rritur jo vetëm në numër, por edhe në cilësi. Mund të veçoj rolin e përgjegjësit në një dialog me Luftar Pajën, ku përgjegjësi përgjigjej “kam” për çdo gjë. Por kryeroli im mbetet ai “Do martojmë Malon”. Një rol që ende dhe sot kujtohet me nostalgji. Ishte një numër me aktorin e talentuar Arqile Lipe. Ky rol na bëri që të na “ndryshojë” dhe emri. Në shumë vende neve na thërrasin “Malo”. Ky mbetet kryerol në karrierën time. Këtë nuk e them unë, këtë e ka vendosur vetë spektatori, ai që të jep notën e saktë, me ndërgjegjien e tij të pastër. Malua u kthye në një skeç të ditës atëherë. Personazh i ditës. Po kaq pëlqehet edhe sot. Kemi punuar me shumë kërkesa, me shumë disiplinë. Rrinim edhe jashtë kohës së provave. Roli doli i arrirë. Ndoshta pa asnjë të metë. Pastaj erdhi demokracia, Arqile Lipe iku në Greqi si emigrant ekonomik, për punë dhe u kthye prapë. Rrogat në Shqipëri janë tepër të vogla në raport me çmimet e larta kryesisht për artistin.

Një rrugëtim i bukur, plot surpriza kur herë endesh në lëndina, herë në maja të thepisura të artit, si lindi tek ju dashuria për aktrimin?

Dëshira lindi nga etja ime për të parë çdo film apo shfaqje estrade apo teatrale në atë kohë. Kisha një etje të madhe të shihja çdo gjë që kishte lidhje me aktrimin, skenën, sheshet e xhirimit. Që nga viti 1966 unë kam luajtur me grupet artistike amatore të qytetit të Fierit. Për herë të parë jam angazhuar me trupën amatore të Azotikut, ose uzinës “Gogo Nushi” që quhej atëherë (se sot i kanë ndryshuar të gjithë emrat). Kanë qenë momente të bukura. Këtu hodha hapat e para në skenë, hodha hapat e bukura të ëndrrës time. Pas 4-5 vjet jetë aktive artistike në këtë grup, ku unë spikata, më thirrën në teatrin e qytetit, i cili sapo ishte formuar. Në këtë teatër thirrën disa artistë që kishin dhënë prova në grupet amatore të ndërmarrjeve. Këtu fillova të luaj role pikante me artistin Fuat Boçi. Ndërsa premierën e parë artistike të plotë si profesionist e kam dhënë në regjinë e krijuesit të talentuar Pëllumb Kulla. Ai vinte nga gurorja pasi ishte dënuar. Ishte viti 1971. Prej atij viti unë isha i përhershëm në skenë në role nga më të ndryshmet.

Si do t’i rendisje rolet dhe në arkivin tuaj sa role ka?

Rolet, eh rolet, sa gabime kam bërë që si kam numëruar! Pra, nuk i kam numëruar. Ndoshta kam bërë gabim. Aktori i skenës së estradës luante në një premierë deri në 5 role. Pra nuk është si në Teatër që ke në rol. Prandaj është e vështirë të them se kam luajtur kaq role në skeçe. Kisha role karakteresh, parodi, monolog. Unë kam punuar më shumë se 39 vjet në skenë dhe po të mendosh që në një premierë kam 5 role nuk mund të numërohen dot të gjitha. Pasi ne jepnim disa premiera në vit në atë kohë.

Ju jeni aktiv dhe pse keni kaluar një situatë të vështirë shëndetësore?

Ajo situatë kaloi. Çdo gjë kalon kur ke njerëz të mirë rreth vetes. U bënë disa kohë që unë bëra transplantim e veshkave dhe falë gruas time, falë miqve dhe shokëve unë e kalova me sukses këtë problem shëndetësor. Në radhë të parë ndjeva ndihmën më të madhe më humane, më njerëzore, të njeriut tim të jetës, gruas time, e cila më fali një veshkë. Por nuk dua të lë pa përmendur ndihmën e madhe humane të mjekëve grek të spitalit më të dëgjuar “Hipokratos”, të cilët m’u gjendën në momentin më të vështirë me gjithë profesionalizmin e tyre. Në këtë moment dua të falënderoj dhe ish -ministrin e Shëndetësisë, Solis.

Arti në Fier, edhe si estradë edhe si teatër, si do bënit krahasimet dje me sot?

Nuk mund të bëhen krahasime. Jo, Nuk ka mundësi krahasimi. Ishte tjetër gjë ajo dje. Ishte tjetër shkollë, tjetër nivel, tjetër përgjegjësi, tjetër idealizëm. Punonim orar dhe pa orar dhe kurrë nuk pyesnim për shpërblim. Pasuria më e madhe e jona ishte spektatori. Duartrokitjet e tyre ishin pasuria më e madhe për ne. Kishim shumë idealizëm deh shoqëri të pastër. Ajo estradë apo teatër tashmë e ka humbur shkëlqimin e vet, si shkollë e humorit që ishte dikur. Ne vitet e fudit kemi bërë 3-4 premiera në vit, ku kryesisht shfaqjet i jepnim në Fier, por edhe në qytete të tjera kur na krijohen kushtet financiare. Por e ndjenim mungesën e talenteve që janë larguar. Pra një pjesë të vetes tonë e kemi larg. Pra, sigurisht që nuk e kemi pasur këto vite atë shkëlqim. Ne na kishin ikur pjesa më e madhe e aktorëve që nga Luftar Paja, me shokë. Kjo ka sjellë deri diku rënien e nivelit artistik si dhe interpretimet. Pra është krijuar një vakuum i pariparueshëm. Pasi nuk na kanë ikur vetëm aktorët, por edhe regjisorët dhe krijuesit e mirëfilltë që i dhanë fytyrën e vërtetë teatrit tonë. Pëllumb Kulla, Luftar Pajo, Arqile Lipe mbeten ikona të teatrit tonë. Por edhe vetë megjithëse kam luajtur shumë role mendoj se akoma duhet të bëj, bile shumë, pasi i jam borxhli spektatorit. Aktori është ndryshe nga futbollisti. Futbollisti ka një moshë të caktuar që largohet nga fusha e lojës. Ndërsa aktori sa më shumë plaket aq më shumë bëhet më i kërkuar, më i pjekur, më i saktë, më produktiv. Pra si puna e verës që sa më shumë qëndron në shishe aq më e mirë bëhet. Por ja, më larguan, duan të rinjtë. Të rinjtë kanë vendin e tyre, po ne të vjetrit?

Por nuk ishit vetëm disa, por shumë artistë në Fier që bëtë emër, madje shumë. Midis tyre “Artisti Popullit” Luftar Paja. Ju keni një shoqëri të madhe me aktorin e shquar të humorit mund të përcillni disa detaje më intime për miqësinë dhe rolet që keni luajtur bashkë?

Pak më lart ju thashë se Luftari më bëri komunist. E falënderoj për fjalët e mira që pat thënë për mua në atë kohë. Luftar Paja. Eh…Njerëzit kanë shoqërira dhe miqësira të ndryshme. Unë jam myzeqar dhe Luftari mallakastriot. Ai mbetet shoku më i mirë i jetës. Ne jemi lidhur si aktor dhe më vonë si qytetar, shok, miq familjar. Ne kemi një rrugë të madhe të jetës që kemi ecur bashkë. Ai njëkohësisht mbetet një nga mësuesit e mi. Pasi është një aktor i madh dhe njeri me zemër të madhe. Si aktor do të shprehesha që të gjithë brezat e aktorëve kanë ç’të marrin nga jeta e tij aktoreske. Një fuqi e gjetjes së gjërave, karaktereve, një fuqi zhbiruese në të veçantat e humorit popullor. Kur do bënte rolin e një plaku në estradë apo teatër Luftari i sillte regjisorit Pëllumb Kulla, 4-5 pleq dhe ai zgjidhte atë që i përshtatej më mirë rolit. Shikohej ecja, komunikimi, mënyra e pirjes së duhanit, e kollitura, krehja, qylafi, mënyra e debatit e dialogut. Një nga rolet e mia me Luftarin është tek komedia e Çobo Rrapushit, ku unë kisha rolin e një pseudoshkrimtari në kontakt me popullin. Eshtë një nga rolet më të spikatur të Luftarit. Një rol i veçantë që të ngjall emocion ku ai ka dhënë të gjitha energjitë dhe të fshehtat e akumuluara në skenë për realizimin e këtij roli kaq të vështirë dhe të bukur. Edhe sot Luftari është indetifikuar me këtë rol. Një rol tepër i spikatur që vetëm një aktor me përmasat e Luftarit mund ta realizonte. Sot mund të them se me Luftarin jemi si vëllezër.

Pengu juaj i skenës?

Jo, peng të mirëfilltë në skenë nuk kam, pasi unë erdha nga lëvizja aktore- amatore e ndërmarrjeve. Ne e kthyem estradën dhe teatrin shkollë për vete dhe të tjerët. Pasi në këto ambiente gjetëm aktorë të mirë, regjisorë të mirë, njerëz të mirë, kështu u bëmë dhe ne aktorë të mirëpritur. Pra pengu jetësor është që nuk munda të bëj arsimin e lartë. Pra peng jetësor, arsimor, jo skenik. Kështu erdhën punët atëherë. Ne ishim familje e varfër dhe kushtet ekonomike nuk e mundësonin shkollimin tim. Unë isha fëmija i madh dhe babi na vdiq shumë shpejt kështu që … u bëra që fëmijë kryefamiljar. Këtë po mundohem ta kompensoja tek fëmijët e mi.

Fjalori banal dhe zhargonet në skenë. Nëse do të ofrohej një rol që do të kishte zhargone dhe fjalor që përdoret rëndom në shumë skeçe apo parodi sot, a do ta pranonte Todi Llupi?

Jam kundër tyre. Arti është kulturë, ka detyrë edukimin e njeriut. Më ka ftuar një regjisor kosovar për një rol të tillë. Një e treta e tekstit ishte “Kohja nënën bre”. Më ofroi një shumë të madhe. Nuk pranova. Ne jemi më mësuar të luajmë pjesë serioze, teatro të situatave, karaktereve, problemor, të halleve të popullit. Ne si trupë nuk mund ta konceptojmë suksesin tek banaliteti i fjalëve. Ne kemi qenë dhe mbetemi estradë-teatër, shkollë dhe nuk mund ta konceptojmë që të denigrojmë nga ky status që e kemi fituar me shumë punë dhe pas një eksperience disa vjeçare. Unë jam kundër humorit banal. Ai publik nuk është publiku i teatrit. Ne jemi të kënaqur se marrim pak, por bëjmë role serioze për së mbari që pëlqehen nga të gjithë.

Kush ka qenë kritiku më i ashpër i jetës tuaj artistike?

Familja, por sidomos gruaja sipas nivelit që ajo ka. Por kritiku më i saktë ka qenë miku im, Luftar Paja. Rrallë ngjet që një shok të të kritikojë me dashuri jo në emër të xhelozisë. Ai duke qenë shumë më lart se unë më thoshte me takt se ku duhej të ndryshoja apo korrigjoja, por edhe drejtuesit e mi si Pëllumb Kulla si një nga regjisorët më të spikatur. Ai ishte mësues, pedagog, krijues dhe shok shumë i mirë.

Miqtë, aktorët partnerët në “Bylis” të Fierit

Së pari, Llazar Verria, ka krijuar estradën. Një burrë I shkëlqyer. Pastaj, Nestor Pogaçe, një aktor gjigand, Leonodha Prifti, (ndjesë pastë), Agim Dollani, Zoi Papa etj..nga të vjetrit. Pastaj, Luftar Paja, Vasil Vaso, Fuat Boçi, Xhuljeta Kulla, Arqile Lipe, Fatmir Xhelili, Hasan Bregu, etj… Një numër i pafund. Të më fali ndokush që nuk e kam përmendur. Por të gjithë ishim si një trup i vetëm. Partner kryesor kam patur aktorin e talentuar Arqile Lipe dhe nga femrat Zhuljeta Kullën. Rolet kryesore i kisha me ta. Roland Roshi në një intervistë, Estradën e Fierit e ka përshkruar kështu… “Estrada e Fierit është nja 5-6 vëllezër dhe një motër”. Zhuljeta ishte motra e vetme që kërkonte me çdo kusht që të vinte dhe në teatër, por për arsyet e biografisë… Ishte e shoqja e Pëllumb Kullës. Por më vonë ajo mori role edhe në teatër edhe në filma. Tek “Shoku Niqifor” ka pasur një rol interesant.

Kur ndihesh keq në skenë

Nuk ka aktor në skenë që nuk është ndjerë keq. Ky është mendimi im. Pra jam ndjerë keq disa herë. Njëherë kisha një kuplet me kolegun tim Arqile Lipe. Këndonte ai dhe duhej t’i përgjigjesha sipas ritmit të muzikës. Unë harrova tekstin, ndërsa muzika vazhdonte. U detyrova të sajoj, krijoj një 4 vargësh tjetër. E kapa ritmin dhe muzikën nuk e lashë bosh. Pas numrit kur dolëm nga skena Arqile Lipe u mërzit dhe filluam të debatojmë. Ishte shumë serioz dhe kërkues. Të gjithë donim që çdo gjë të ishte perfekte. Kurrë nuk bënim role për role. Role për të marrë rrogën. Kërkesa ndaj vetvetes ishte në shkallën sipërore. Në debat na gjen regjisori Pëllumb Kulla. Ai më afrohet dhe përqafon duke më thënë “bravo të qoftë, se dole nga situata”. Unë them se aktorëve u ngjajnë probleme të tilla. Aktorët organik, nuk janë si aktorët që mësojnë përmendësh. Mund të dalësh nga situata me teskt nga xhepi duke ja përshtatur rolit, tekstit për të cilin flitet, vetëm në sajë të një eksperience, në sajë të njohjes së partnerit dhe idesë së tekstit.

PENGU

“Nuk pata fatin ta takoja ndonjëherë Enver Hoxhën”

“Nuk e pata fatin ta takoja ndonjëherë Enver Hoxhën. S’e pata, kisha shumë dëshirë ta takoja pasi ai e çoi artin në kufijtë më të mëdha të respektit. Arti në atë sistem lulëzonte. Ishte sistem i mirë apo i keq, nuk e di, por them për artin. Vlerësim maksimal. Kishte teatër në të gjitha qytetet, po ashtu dhe estrada. Ne lëviznim nga jugu në veri për të dhënë shfaqje. Enverin nuk e kam takuar, por veprat e tij i kam dhe sot. I kam të gjitha aty në shtëpi. Nuk i luaj. Për mua janë xhevahire. Libri mbetet libër, ka vlerat e tij. Di që shumë vepra të Enverit po i kërkojnë dhe në Amerikë. Unë nuk i hedh, i kam blerë me gjak dhe i ruaj. S’i dihet. Koha bën të vetën”.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk