Flet mësuesja e Filozofisë, Shpresa Bajraktari Ruçi: Nuk harrohen

15
Aug
2023

tre komponentë: Mësim, punë, kalitje fizike dhe ushtarake

-Si mësonim në shkollë të mesme artin ushtarak, taktikë, xhenjo, kimi, këmbësori, artileri, për të mbrojtur atdheun.

-Si punuam ditë e natë për brezaret e Lukovës dhe hekurudhës Elbasan-Prrenjas, që sot janë shkatërruar

Shpresa Ruçi lindur në një familje të denjë patriotike, me prindër të mrekullueshëm, që gjithë jetën punuan me përkushtim dhe ndershmëri për ndërtimin e Shqipërisë, si dhe për të rritur dhe edukuar fëmijët e tyre me atdhedashuri, me qytetari dhe moral të shëndoshë shoqëror. Rrjedh nga një familje intelektuale. Tefik Ruçi, ka qenë partizan që 14 vjeç, i inkuadruar në Brigadën e 6 S. Ai u bë një oficer karriere, profesion që e filloi qysh kur ishte partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Formimin dhe edukimin e lartë ushtarak e mori në akademitë më të mira të B.S. Për punën dhe vlerat që kishte, ushtroi detyra dhe pozicione të ndryshme. E filloi që nga komandant kompanie dhe deri komandant i Korpusit të Shkodrës, detyra që i kreu me nder dhe përkushtim, në shërbim të popullit, për mbrojtjen e Atdheut. Për punën e tij të mirë, është dekoruar me tituj dhe medalje të ndryshme nga Partia dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. Nëna, Bukuria, ishte një nënë e mrekullueshme, së cilës i ra një barrë e rëndë në familje, sepse për një periudhë kohore, rriti 4 fëmijë vetëm, pasi i shoqi ishte disa herë për studime në B.R.S.S. Edhe pse pa bashkëshortin e saj pranë, për disa vjet, ajo u përpoq që të mos u mungonte asnjë gjë, si nga ana materiale, por edhe nga ajo shpirtërore. Ajo i mëkoi me dashuri prindërore, që të mos e ndjenin dhe mungesën e babait, sa kohë ai ndodhej jashtë vendit me studime. Shpresa ka lindur në Kukës më1952, aty ku shërbente babai si ushtarak. Pastaj ka lëvizur në disa qytete të Shqipërisë.

– Në sistemin monist gëzimi më i madh për një fëmijë ishte shkolla. Fillimi i shkollës mbetet një kujtim i paharruar. Si i kujton ato vite?

Nuk e harroj ditën e parë të shkollës, më 1 shtator 1959. Isha nxënëse e shkollës 8-vjeçare “11 Janari”. Ishim me banim në Tiranë. U ngrita herët, u vesha bukur. Kisha veshur një fustan të bukur me lule shumëngyrëshe, që ma kish prurë babi nga jashtështetit; vesha grykësen e zezë dhe mbi atë, një jakë të bardhë. Mora me vete çantën prej lëkure bojëkafe, me libra të mbështjellë me tabak të bardhë dhe u nisa për në shkollë. Më shoqëronte mamaja. Rrugës për në shkollë, u ndala për të blerë një buqetë me lule shumëngjyrëshe, për t’ia dhuruar mësueses sime, që do të më mësonte të shkruaja dhe të lexoja. Ora e mirëpritur erdhi, të gjithë nxënësit u rreshtuan para shkollës. Në krye doli drejtori dhe i përshëndeti nxënësit, duke iu uruar mirëseardhjen si dhe suksese në mbarëvajtjen e procesit mësimor-edukativ. Mua më takoi që, si mësuese kujdestare, të kisha Rinën, një mësuese bjonde, e bukur, rreth të 30-ave dhe shumë e dashur. Ajo na uli nga 2 nxënës në çdo bankë. Mua më takoi të rrija me një shoqe që quhej Tatjana Janku, me të cilën unë shoqërohesha shumë dhe të dyja ishim nxënëse shumë të mira. Me punën e përkushtuar të mësuese Rinës, klasa jonë ishte ndër të dalluarat ndërmjet klasave të para në shkollën tonë. Dhe kjo, falë pasionit të saj dhe punës sonë këmbëngulëse, që donim të përthithnim çdo gjë që na shpjegonte mësuesja jonë e dashur. Ditët iknin dhe ja, erdhi momenti kur festuam përfundimin e abetares. Të gjithë nxënësit recitonin duke patur gjithsecili shkronjën e vet, dhe ndjeheshin të lumtur se kishim mësuar të lexonim dhe të shkruanim vetë. Në atë kohë Ministria e Asimit, në kuadrin e revolucionarizimit të shkollës, kishte vendosur si pjesë të procesit mësimor trekëndëshin revolucionarme katër komponentë: mësim, punë, kalitje fizike dhe ushtarake. Puna që do bënim në fshat, ishte si pjesë e tre komponentëve. Gëzimi ynë ishte i madh, që u pa në fytyrat tona, kur na thanë që do të shkonim në aksion të punonim në fshatin Shtoj. Puna që na ishte caktuar të bënim ne nxënësit, që kishim mbaruar 8-vjeçaren, nuk ishte e vështirë. Për herë të parë na krijohej mundësia të jepnim ndihmën tonë në shërbim të bujqësisë, për të vjelë prodhimet e saj. Puna që bënim duke vjelë qershitë, na jepte emocione të papara. Flladi i lehtë i pranverës na ledhatonte fytyrat tona të pushtuar nga gëzimi i madh që ndjenim kur punonim. Këpusnim qershitë dhe i vendosnim me kujdes në arkat që të mos dëmtoheshin. Gëzoheshim dhe ndjenim kënaqësi që shikonim të mbusheshin njëra pas tjetrës arkat me qershi. Duke mbledhur qershitë ne këndonim dhe nuk e ndjenim fare lodhjen…

Shkolla e mesme mbahet mend tërë jetën. Janë vitet më të bukura të rinisë. Ku dhe si e vazhduat shkollën e mesme?

Vitin e parë të shkollës së mesme e fillova në shkollën “Jordan Misja” në qytetin e Shkodrës. Në fundin e vitit të tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, iu përgjigjëm thirrjes së Partisë për të marrë pjesë në aksionet e rinisë. Shkolla jonë do të merrte pjesë në aksionin e rinisë për tarracimin e kodrave të Jonufrit në Vlorë. Koha e aksionit do të ishte një muaj. Për punën që do kryenim do të vlerësoheshim me notë sikurse dhe në mësime. Ishte kënaqësi dhe njëherazi gëzim, kur autobusat me flamurin e kuq dhe me emrin e shkollës sonë “Jordan Misja” dredhonin nëpër rrugët e atdheut tim të bukur. Gjatë rrugës recitonim poezi, brohorisnim, këndonim, tregonim barcaleta dhe kërcenim në autobus. Hareja ishte e paparë, dhe pasqyrohej në fytyrat tona. Gëzimi tregohej në fytyrat e çdo aksionisti. Ishte me të vërtetë një mrekulli, një gjë e bukur që luante një rol të madh në edukimin e rinisë. E para, me frymën e kolektivitetit, që të jep kënaqësi; e dyta, shoqëria kompaktësohej më shumë, lidhjet bëheshin më të ngushta, njiheshin më mirë karakteret dhe personaliteti i shokëve dhe shoqeve, luftohej individualiteti dhe rritej fryma e pastër e kolektivitetit. Në atë kohë stërvitej gjithë popullsia mbi moshën 18 vjeç, mosha e aftë për të mbrojtur atdheun, në rast të ndonjë sulmi, apo agresioni nga jashtë. Dy javët e stërvitjes ishin shumë intensive. Të gjitha veprimet ditore ishin të programuara sipas një regjimi dhe disipline ushtarake, hartuar nga shtabi ushtarak i batalionit të shkollës sonë. Në orën 5 të mëngjesit bëhej zgjimi me bori. Brenda 5 minutave duhej të ishim të rreshtuar për të bërë tranazhin, që kishte të bënte me përgatitjen fizike,si dhe për të vazhduar në orët e mëvonshme me stërvitjen ushtarake ditore.Tranazhi zgjaste 45 minuta. Sa mbaronim atë, futeshim në kapanone, të ndërtuara posaçërisht për kohën e përgatitjes ushtarake. Ishin ambiente ku pushonin dhe flinin nxënësit që merrnin pjesë në këto qendra stërvitjeje. Rregullonim shtretërit, laheshim dhe visheshim plotësisht për të ngrënë mëngjesin; dhe më vonë drejtoheshim te depoja e armëve, për të marrë secili armën e vet dhe pajimet luftarake personale, për t’u nisur drejt terreneve të stërvitjes. Pas kësaj rutine, programi ditor në terren fillonte në orën 8.00, dhe mbaronte në orën 13.00. Gjatë kësaj kohe ne zhvillonim orë mësimore të ndryshme ushtarake, taktikë,xhenjo, kimi, këmbësori, artileri etj. Lëndët ushtarake ishin të ngjeshura, por ne përpiqeshim të mësonim dhe të ishim sa më të përgatitura dhe sa më të afta edhe në këtë fushë.

-Shkolla e lartë përgjegjësi, por dhe vlerësim i një pune 12-vjeçare. Përse ju doli e drejta e studimit?

Më datën 30 gusht 1971 u nisa për në Tiranë, për t’u regjistruar në fakultetin e filozofisë, si dhe për t’u akomoduar në konviktin e vajzave për fakultetin tonë. Konvikti ynë ku do të akomodohesha ishte godina me numër 14. Dhoma që m’u caktua mua ishte në katin e tretë. Banoja në një dhomë së bashku me një lushnjare, e quajtur Vera dhe një gjirokastrite, e quajtur Vjollca. Kjo e fundit ishte me origjinë nga Kuçi i Vlorës, por me banim në Gjirokastër. Kursi ynë i filozofisë, viti I, kishte rreth 50 studentë, i cili ishte i ndarë në dy grupe nga 25 secili. Në një grup merrnin pjesë studentët, që vinin nga rrethet; në grupin tjetër ishin studentët nga Tirana, rreth 22 nxënës dhe 3 studente, që vinin nga Shkodra. Unë me dy shoqet nga Shkodra, do të bënim pjesë në një grup me shokët dhe shoqet e Tiranës. Punën prodhuese në universitet në vitin e parë dhe të dytë, e zhvilluam në kodrat e Jonufrit, në hapjen e tarracave për të mbjellë ullinj dhe agrume të ndryshme. Puna e vrullshme e rinisë bëri, që ato kodra u stolisën dhe u qëndisën nga dora e rinisë studentore, që tokat dikur djerrë,të kthehen në toka pjellore ashtu si dhe fushat. Këto ndryshime madhështore në bujqësi u bënë si rezultat i frymëzimit nga fjalimi i sh.Enver Hoxha, që porosiste: “T’u ngjitemi kodrave dhe maleve dhe t’i kthejmë ato pjellore si fushat”. Rinia shqiptare iu përgjigj thirrjes së Partisë dhe të udhëheqësit të saj, Enver Hoxha, për të marrë pjesë në aksione, për t’i bërë realitet. Falë punës së vrullshme të rinisë studentore, punëtorë dhe fshatarë, kodrat e Jonufrit dhe të Lukovës u kthyen në toka pjellore, të cilat u mbollën me ullinj dhe agrume. Dora e rinisë shqiptare i qëndisi dhe i stolisi këto kodra. Fatkeqësisht, pas rënies së sistemit komunist, si rezultat i skenarëve të përgatitur nga forca të errëta të disa antishqiptarëve, të mbështetura edhe nga armiqtë e jashtëm, të veshur me mllef dhe urrejtje të paparë, i dogjën dhe i shkatërruan këto tarraca, duke I kthyer sërish në tokë djerrë, po që dikur zbukuronin bregdetin shqiptar dhe shtonin prodhimet dhe begatinë. Punën prodhuese në vitin e tretë dhe të katërt, e zhvilluam në aksionin e hekurudhës Librazhd-Prrenjas. Ne u vendosëm në sektorin Mirakë. Puna jonë ishte jo e vështirë. Punonim me tokmak për të shtruar trase, në të cilën do të vendoseshin traversat dhe shinat e hekurudhës, e cila do lidhte linjat Tiranë-Durrës-Elbasan-Prrenjas. Në vitet 1970-1971 rinia shqiptare kishte marrë si iniciativë të ndërtonte hekurudhën për lidhjen e re Elbasan-Prrenjas. Dhe në këtë iniciativë u përfshinë rinia punëtore, fshatare si dhe rinia studentore. Ne ishim të kalitur në aksionet e rinisë, sepse kishte mbi 5-6 vjet që merrnim pjesë në to, duke dhënë kontributin tonë në ndërtimin e veprave madhështore që i duheshin popullit tonë, të cilat ishin në shërbim të atdheut dhe në interes të ekonomisë popullore. Ishte bukur kur të rinjtë krenoheshin me punën e tyre nëpër aksione, si pjesëmarrës në këto vepra ndërtuese, që ia shtonin hijeshinë dhe bukurinë atdheut tonë të dashur.

Tema e diplomës një pikë kulmore. Çfarë teme mbrojte. Cilët ishin pedagogët që ju ndihmuan. A kishte nënvlerësime ndaj mësimit nga pedagogët?

Unë zgjodha si temë diplome: “Lufta kundër konservatorizmit dhe liberlizmit në letërsi dhe në art”. Konsulent teme kisha profesorin e estetikës,Tefik Çaushi, që na kishte zhvilluar seminaret gjatë vitit akademik, të cilin e falenderoj dhe për të cilin ruaj respekt dhe konsideratë të lartë, se gjatë kohës së konsulencës me të, ai asnjëherë nuk u lodh duke më dhënë mundësi takimi me të. Më jepte mendime dhe ide të vlefshme për temën time, sa herë që unë vija nga Shkodra në Tiranë për t’u konsultuar. Oponentë të temës kisha profesorin e estetikës, Alfred Uçin, një profesor i përkushtuar, që në atë kohë na jepte leksionet e Estetikës…

Krenare për atin tim ushtarak

Isha në fund të vitit të katërt, kur në vitin 1974, në fushën e mbrojtjes u vunë re pikëpamje dhe veprimtari armiqësore te disa kuadro të lartë të ushtrisë popullore, të cilët, disa me ndërgjegje, apo disa pa ndërgjegje, u vunë në shërbim të armiqve dhe që përbënin rrezik për fitoret e socializmit nëShqipëri. Në atë kohë, Partisë iu desh të ndeshej me veprimtarinë armiqësore të grupit puçist të Beqir Ballukut. Babai im në atë kohë ishte komandant i korpusit të Shkodrës. U bë mbledhja e Komitetit të Partisë të korpusit për të analizuar pikëpamjet armiqësore të grupit puçist të Beqir Ballukut. Në këtë mbledhje merrte pjesë si i deleguar nga byroja politike, shoku Hysni Kapo. Mbledhja u zhvillua me frymë kritike dhe autokritike, duke dënuar veprimtarinë armiqësore të këtij grupi. Po çfarë idesh kishte ky grup armiqësor, që rrezikonte edhe sigurinë e vendit? Ideatorët kishin shpërndarë një material të zi, që përmbante teorinë që u quajt “Teoria e rrëshqitjes”. Çfarë përmbante kjo teori? Teza kryesore e saj ishte përdorimi i luftës partizane, pra, që për mbrojtjen e atdheut duhej të kalohej te lufta partizane! Sipas kësaj teze, lufta partizane ishte vendimtare për mbrojtjen e vendit, nëse do të sulmoheshim nga armiku i jashtëm! Argument i atyre që kishin hedhur këto teza famëkeqe, ishte që ashtu si u përdor gjatë luftës antifashiste Nac-Çl. Kjo taktikë duhej të përdorej edhe në një luftë eventuale në ditët tona. Por kjo lloj teorie, përdorimi në kohë paqeje që ndodhej vendi ynë, ishte e papranueshme dhe armiqësore. Pasi binte në kundërshtim me tezat e këshillit të mbrojtjes, që theksonin: “Çdo pëllëmbë toke të Shqipërisë do ta mbrojmë me gjakun tonë.” E dyta, ishte armiqësore, për arsye se të përdorësh luftën partizane, kur pushtetin e ke vetë në dorën tënde, do të thotë t’u thuash armiqve: “Hajdeni futuni në shtëpinë time dhe unë do t’ju luftoj nga jashtë”. Gjatë Luftës Antifashiste Nac-Çl, lufta partizane u përdor për arsye se pushtetin e kishin feudoborgjezët dhe qeveritë kukulla të emëruara nga jashtë. Pra, ne ishim të detyruar për të përdorur luftën partizane si lufta më efikase për fitoren e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut tonë. Këtë material famëkeq e hodhi poshtë dhe e dënoi Partia dhe sh. Enver Hoxha, duke e quajtur këtë veprimtari puçiste dhe armiqësore. Ky material u përgatit nga grupi i drejtuar nga ministri Beqir Balluku dhe iu dërgua gjithë komandantëve dhe komisarëve të korpuseve të ushtrisë, për t’u njohur me të. Një material i tillë i erdhi dhe korpusit të Shkodrës, ku komandanti i tij ishte babai im, Tefik Ruçi. Ai e lexoi, e studioi dhe bëri vërejtjet si dhe sugjerimet e tij. Krahas mendimeve dhe vërejtjeve që paraqiti, ishin edhe këto më kryesoret: “Me këtë material, komandanti i korpusit Tefik Ruçi, nuk bie dakord, për këto arsye: E para, kjo teori bie në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që kishte të bënte me përkushtimin e forcave të armatosura me të gjitha format dhe mënyrat për mbrojtjen e fitoreve të socializmit si dhe mbrojtjen e popullit dhe të atdheut tonë. E dyta, se kjo teori bie në kundërshtim me fjalët e shokut Enver, që thoshte “se çdo pëllëmbë toke duhet ta mbrojmë, qoftë edhe me gjakun tonë”. Këtë material, me vërejtjet e tij, babai im ua dërgoi organeve kompetente nga të cilat ai varej, pra drejtorit të Drejtorisë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes, Hito Çakos, duke mos ditur, që dhe vetë Hito Çako kishte marrë pjesë në komisionin për hartimin e këtyre tezave të zeza. Vetëm materiali me gjithë përgjigje dhe vërejtjet që kish bërë babai im, si dhe materiali I komandantit të korpusit të Elbasanit, Veip Alikaj, u gjendën në arkivin e drejtorisë politike, së bashku me kundërshtimet e tyre, duke mos rënë dakord me ato teza të zeza famëkeqe. Komandantët dhe komisarët e korpuseve të tjera të Shqipërisë, nuk e kishin vlerësuar dhe kishin mbajtur qëndrim indiferent, duke i lënë materialet në sirtar. Në pleniumin që zhvilloi KQ iPartisë në Durrës, me pjesëmarrjen e gjithë kuadrove madhore të ushtrisë popullore, që drejtohej nga vetë komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha,u analizua veprimtaria armiqësore e grupit puçist, duke dënuar tezat e zeza dhe këtë grup për veprimtarinë e tij puçiste dhe armiqësore, si dhe orientoi që në çdo njësi ushtarake të dënohej me fshesë të hekurt kjo veprimtari armiqësore, antikombëtare! Në këtë plenium Enver Hoxha ngriti lart qëndrimin dhe profesionalizmin e komandatit të korpusit të Shkodrës, Tefik Ruçi, duke e vlerësuar si një nga ushtarakët më profesionistë, më të mirë të ushtrisë sonë popullore.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk