FOLKLORI SI MJET PËR NDIKIM NË LIDHJE ME IDENTITETIN E PERSONALITETIT TË FËMIJËS

01
Oct
2024
Shkruan: Syrja Etemi


Fëmija është një personalitet mjaft kompleks, i cili është nën ndikimin e faktorëve të shumëllojshëm edukativ, si që është rrethi (në të cilin jeton dhe zhvillohet), prindërit, shkolla, edukatorët, moshatarët, etj. Këto faktorë, por edhe të tjerë, janë relevantë dhe të pazëvendësueshëm në ngritjen e personalitetit, gjegjësisht – për zhvillimin e tij në aspektin emocional, social, intelektual dhe aspekte tjera.
Një kontribut specifik në zhvillimin e personalitetit të fëmijës ushtron arti, kultura dhe tradita. Të gjitha këto ndikime, secili në mënyrën e vet të veçantë, ushtrojnë rolin e tij në zhvillimin e emocioneve dhe ndjenjave pozitive duke filluar nga mosha më minore.
Pedagogët, psikologët dhe sociologët, që në kohërat e lashta kanë glorifikuar faktin se arti ka rolin e tij të veçantë në zhvillimin harmonik të trupit dhe shpirtit. Para së gjithash, një piketim të veçantë e të rëndësishëm i kanë kushtuar muzikës dhe gjimnastikës. Për shembull, në Greqinë antike filozofi i madh Platoni me veprën shumë të njohur: “Shteti” tërheq vërejtjen në rëndësinë dhe rolin e muzikës në edukimin e gjeneratave të reja. Ky kolos i filozofisë për muzikën thotë se ajo depërton thellësisht në brendinë e shpirtit, e, për këtë arsye mund të konsiderohet e të llogaritet për reagens shumë pikant e të rëndësishëm të edukimit.
Kultura dhe tradita janë thesare dhe vlera botërore e mbarënjerëzore. Ato janë vlera civilizuese të pazëvendësueshme të një populli të cilat duhet në mënyrë mjaft të kujdesshme të kultivohen, të çmohen e të respektohen. Nga aspekti i ndikimit të kulturës dhe traditës kundruall personalitetit të fëmijës, në mënyrë të veçantë ne do të fokusohemi në ndikimin që ushtron apo që ka folklori.
Është e ditur botërisht që folklori është pjesë e pasurisë kulturore të një populli, karakteristikë e tij kombëtare, por edhe reprezent i tij në botë. Si i tillë folklorin me të drejtë mund ta llogarisim në radhën e faktorit më të rëndësishëm në ndikimin e personalitetit të fëmijës, sidomos në identitetin e tij. Në fakt, fëmija lind, rritet e zhvillohet në një mjedis, i cili, padyshim, në një farë mënyre apo në një tjetër, është prezentë folklori dhe tradita – lojërat popullore, vallja, kënga, tregimi popullor, krijimtaria me motive popullore etj. Në fakt, nënqielli ynë është mjaft i pasur me thesar të paçmuar folklorik, i cili, pa dyshim mund të luajë rol të jashtëzakonshëm në personalitetin e fëmijës, në kuptimin: të fisnikërimit të shpirtit të tij “të madh” me trupin “e vogël”; të krijohen ndjenja emocionale pozitive e, krejt kjo – të kontribuojë në ngritjen dhe ndërtimin e identitetit të personalitetit të fëmijës. Rëndësia e folklorit dhe traditës është në mënyrë të veçantë sidomos në mjediset multietnike dhe multikulturore, kështu siç është R.M.V. ku gërshetohen e pleksen gjuhë të ndryshme, kultura, zakone, tradita e, me këtë, edhe identitete të ndryshme. Prej këtej, lirisht mund të pohojmë se folklori ka rol efiçentë për zhvillimin e identitetit të personalitetit edhe te fëmijët e mërgimtarëve tanë të cilët punojnë në diasporë. Duke iu falënderuar karakteristikave kombëtare, të folklorit dhe traditës, të rriturit janë në gjendje të ruajnë identitetin e tyre, përkatësisht të identitetit të kombit të cilit i takojnë, dhe në të njëjtën kohë të ndikojnë edhe në zhvillimin e gjeneratave të reja në frymën e këtij identiteti, në mjedise multikulurore. Për këtë, thuase kudo ku jetojnë e veprojnë njerëzit tanë, pra shqiptarët, formohen shoqata e klube të ndryshme për ruajtjen e vazhdimësisë identitare, duke kultivuar këngën dhe vallen tonë folklorike shqiptare të vendlindjes së të parëve dhe prindërve prej nga vijnë.
D.m.th., është konstatim i përgjithshëm se folklori mund të ketë rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e personalitetit të fëmijës në lidhje me identitetin e personalitetit në përgjithësi. Për këtë arsye, porosia jonë në këtë rast është që tek ai, që nga mosha e tij e vogël të zhvillohet dashuria ndaj pasurisë apo mbushullimit folklorik, me pretendimin që të zhvillohet vetëdija për respektimin, jo vetëm të kulturës dhe traditës së popullit që i takon, por zhvillimit të ndjenjës për respektimin edhe të kulturave të huaja, gjegjësisht – për nevojën për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet popujve pikërisht përmes kulturës, folklorit, traditës…
Me primesa inkurajimi të të gjithë faktorëve edukativë, pasuria folklorike në mënyrë të suksesshme mund të shfrytëzohet në procesin edukativo-arsimor të të rinjve, siç thamë, që nga mosha shumë e re. Kështu për shembull, në institucionet parashkollore dhe në ato shkollore, në kuadër të aktiviteteve programore duhet të gjenden mundësi dhe kohë për kultivimin e këngës dhe valles popullore. Për shembull, në raste të shënimit të festave të ndryshme kombëtare, historike apo kulturore e arsimore, mësimdhënësit apo edukatorët mund dhe duhet të përgatitin ndonjë koreografi të vogël të ndonjë kënge popullore, si që është p.sh. “Shota” ose ndonjë tjetër të tillë, bile, efekti do të jetë akoma më i madh po të bëhen (luhen a shoqërohen) këto perfomansa me veshje tradicionale kombëtare. Kjo do të jetë një përjetim i jashtëzakonshëm për fëmijët, e në të njëjtën kohë edhe hapat e parë në nxitjen dhe zhvillimin e dashurisë ndaj thesarit folklorik.
Për fund edhe një porosi: kur në kohën e invazionit të kyçit, shundit apo pseudovlerave në muzikë, ne si edukatorë patjetër të jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilentë që folklori ynë i pastër të mos cënohet apo të zëvendësohet me njdonjë gjoja intervenim kompozicional “modern” i cili nuk mund të ketë tjetër qëllim, përveç të atij komercial e pa kurrfarë vlere e shije estetike.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk