FSHATI IM NË TRI KOHË, E NË TRI PAMJE!

17
Oct
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


-Një ballafaqim sistemesh me argumente të thjeshtë-
Gazeta SOT, 17 Tetor 2024
Nuk marr përsipër, dhe nuk është vendi të bëj konkluzione të përgjithshme për sistemin socialist dhe organizizmat ekonomikë që ai ngriti në zonat rurale të vendit tonë gjatë viteve 1946 – 1990, siç ishin kooperativat dhe fermat bujqësore. Por përsa i përket katundit tim malor, Lufaj, të Mirditës, mund të them me siguri matematike se, ajo që solli sistemi socialist dhe konkretisht kooperativa, për njëzet e tri vjet, 1967 – 1990) nuk e patën sjellë e nuk mund ta sillnin as shekujt. Sigurisht ka patur edhe të meta e gabime, por përpara arritjeve ato mbeten në minorancë.
Unë i kam jetuar të trija kohët dhe tri pamjet e fshatit tim: Para ngritjes së kooperativës (vitet 1952 deri 1967); periudhën njëzet e tre vjeçare të funksionimit të kooperativës (1967 – 1990) dhe tani, kohën post-kooperativë. Në periudhën e parë, Lufajt, në çdo pikëpamje, ishte në kushtet e mesjetës. Në vitet e para pas çlirimit, 1945 – 1953, sistemit socialist iu desh të konsolidonte pushtetin popullor që doli nga LANÇ, luftë e cila vijoi me asgjesimin e bandave diversioniste të ish klasës së përmbysur, që kërkonin të riktheheshin përsëri në pushtet. Ndaj dhe “analizën” time do ta nis në vitin 1954, kur gjendesha në klasën e dytë fillore, dhe kisha nisur të kuptoja disi problemet e jetës.
Në vitet 1954 – 1967, me gjithë ndihmën që jepte shteti, falë kushteve të terenit dhe nivelit socialkulturor që kishin trashëguar nga e kaluara, fshatarët e Lufajve vijuan të mbeteshin në kufirin e varfërisë. Deri në vitin 1960, e reja, modernia, në Lufaj, përfaqësohej me një shkollë fillore, gjithësejt një dhomë, ku mësonin nxënësit e katër klasave të fillores, dhe një kthinë e vogël për mësuesin e vetëm, që ishte njëherësh edhe drejtor. Dhe e reja tjetër, punësimi i disa fshatarëve në minierën e Kurbneshit. Punësimi në këtë minierë kishte rritur të ardhurat e fshatarëve, por “brimat” e varfërisë e të problemeve sociale të trashëguara ishin kaq të mëdha, sa këto të ardhura fironin shumë shpejt dhe për gjërat e përditshme si buka, ushqimi dhe rroba për veshje, pa patur mundësi për investime të mirëfillta në ekonominë shtëpiake.
Deri në vitin 1967, katundi nuk kishte as rrugë makine, as telefon, as qendër shëndetësore e madje as dyqan për të blerë kripën e vajgurin. Këto të fundit shkonin e i blinin në Përlat, apo në Bruç të Matit, si dhe në Kurbnesh, vende këto nga dy deri tri orë larg. Lufajt, si vend malor nuk e siguronte asnjëherë bukën e vitit. Të rralla ishin ato shtëpi, që siguronin pesë gjer në gjashtë muaj bukë misri. Deri në vitet pesëdhjetë nuk njiheshin dhe nuk aplikoheshin zarzavatet. Ushqimi bazë i fshatarëve ishte bulmeti dhe mishi, por ky i fundit vetëm në raste festash, në dasma e morte, dhe kur në shtëpi vinte një mik i largët. Zona më e vështirë ishte Tranga, ku banonin shumica e fshatarëve. Aty sigurohej jo më shumë se gjashtë muaj bukë në arat me sipërfaqe tepër të kufizuar. Prodhonin një misër kokërr verdhë, që jepte shumë pak rendiment. Mbanin kryesisht dhi dhe pak dele, e shumë pak lopë vendi, sepse terreni ishte tepër i vështirë. Në gjithë sipërfaqen e pllajës së Trangës, nuk kishte asnjë burim uji, as për të pirë, le pastaj për vaditje, që nuk bëhej fjalë. Kjo bënte që fshatarët të mos njihnin asnjë lloj zarzavati, e madje as fasulen, “mishin e fukarasë” dhe lakrën. Edhe pulat prodhonin shumë pak vezë, ndonëse gurë kishte me shumicë. Siç duket shprehja “ku han pula gurë”, ishte lojë fjalësh, apo ndoshta pulat hanin gurë, por ky “ushqim” nuk kthehej dot në vezë. Problemi më i madh për Trangën ishte uji. Vetëm për të siguruar ujin e pijshëm, gratë e katundit zbrisnin poshtë pllajës rreth 150-200 metra lartësi, dhe mbushnin bolirat, në vetëm tre burime, që verës gati shterronin. Me bolira në shpinë (rrallë ndonjë fshatar kishte kafshë ngarkese), gratë e bënin disa herë në ditë atë rrugë malore, në zbritje e ngjitje rreth dy orë gjithsejt. Dhe me atë ujë që mbartnin në kurriz, pinin, gatuanin dhe lanin enët. Ndërsa për larjen e rrobave të trupit e të fjetjes, binin në përruan poshtë pllajës, rreth një orë larg, ku ndiznin zjarr, vinin kazanët e lanin rrobat, në shumicën e herës me fijë (hi me ujë), sepse mungonte sapuni. Në fshat nuk kishte as telefon, e as infermier. Më kujtohet se njëherë kur u sëmura, (viti 1956), xhaxhai nisin djalin e tij të merrte infermierin e zonës në Bardhaj, një fshat rreth tri orë vajtje – ardhje, për të më bërë mua të sëmurit një gjilpërë.
Po kooperativa socialiste, çfarë solli?
Falë punës së përbashkët në kooperativë dhe ndihmës, që tashmë shteti e jepte më shumë e në mënyrë më të organizuar, në Lufaj u ngrit shkolla e re 8 vjeçare; erdhi gjer në qendër të fshatit rruga e makinës; u vendos linja fikse telefonike, ku mund të flisje me të gjithë Republikën; u ngrit qendra shëndetësore më infermierë e mamie; u ndërtua e filloi punën dyqani dhe furra e bukës; u nxor uji i pijshëm nëpërmjet tubacioneve nga Lagja Kronëz në Trangën e Poshtme, dhe u ndërtuan atje dy çezme në dy lagjet kryesore. Dhe më së fundi erdhi drita elektrike, që as në ëndër nuk e kishin parë fshatarët tanë.
Por mbi të gjitha, dy ishin arritjet më kryesore për fshatin tonë: E para: Për të parën herë në fshat u sigurua buka, duke zhdukur përgjithmonë “legjendën e misrit”. Dhe e dyta, e që është më kryesorja, puna e përbashkët në kooperativë, transformoi jetën social-shoqërore të fshatarëve. Kooperativa afroi njerëzit me njëri-tjetrin; zhduku ngatërresat, konfliktet dhe vëllavrasjen – kangrenën shekullore, të cilat rridhnin nga prona private; ngriti nilvelin kulturor jo vetëm nëpërmjet shkollës, që u rrit me klasa e u bë tetëvjeçare, por edhe nëpërmjet aktiviteteve që organizoheshin gjatë gjithë vitit; nëpërmjet kooperativës në fshat hynë njohuri e praktika të reja për bujqësinë, blegtorinë, mënyrën e jetesës, të marrëdhënieve shoqërore etj., duke çuar kështu në forcimin e unitetit e të harmonisë në fshat.
Për të vlerësuar rolin e kooperativës dhe epërsinë e atij sistemi ekonomiko-shoqëror, që i ngriti ato, le të shkojmë sot në Lufaj, tani në kohën post-kooperativë, e të post-socializmit. Fshati është kthyer si në vitet pesëdhjetë. E vetmja shenjë zhvillimi (e kohës së socializmit dhe e kooperativës), ka mbetur linja elektrike, e cila sjell një dritë më të dobët se ajo e kandilit të dikurshëm. Është zhdukur linja telefonike; është prishur shkolla; nuk ka as dyqan, as qendër shëndetësore e as mjek. Tubacioni, që çonte ujë në Trangë, është prishur dhe familjet që jetojnë aty, i janë kthyer përsëri bolirave. Falë kësaj gjendjeje, nga 70 shtëpi që fshati kishte në vitin 1990, sot kanë mbetur vetëm 8 shtëpi, me nga dy, apo tre të moshuar, largimi i të cilëve nuk do të vonojë. Dhe kjo situatë nuk është vetëm në fshatin tim të largët, por në pjesën dërmuese të 4800 fshatrave të Shqipërisë. Ndiqni emisionin “Shqipëria tjetër” të Marin Memës, të kuptoni situatën kritike në zonat rurale të vendit tonë, jo vetëm në male e zona të largëta, por edhe në ultësirat dhe fushat që shtrihen bregut të detit e afër Kryeqytetit.
Dyndje dhe eksode të vogla e të mëdha ka patur edhe në kohët e vjetra. Pushtimi romak në vitin 168 para Erës së Re, i zhvendosi Ilirët nga deti dhe nga qytetet. Pushtimet e më vonshme i zhvendosën ata edhe nga fusha. Eksodi më i madh ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut. Një pjesë e popullsisë u detyrua të kapërcejë detin, ndërsa të tjerët zunë malet. Këta të fundit, mbështetën shpatullat në Alpet shqiptare dhe i mbijetuan dhunës së pashembullt, duke ruajtur gjer në kohët moderne racën Iliro-Arbërore, që në shekujt e mëvonshëm u quajtën shqiptarë. Konkluzioni: Asnjë lloj force e dhune, nuk mund ta zhbëjnë për fare një popull e një komb. Historia e popullit tonë në shekuj e verteton këtë.
Por ndryshe qëndron puna me kohët moderne. Kohët moderne nuk përdorin forcën dhe dhunën e drejtpërdrejtë. Ajo ka një mjet më të tmerrshëm: Politikat e diferencuara të zhvillimit dhe mbi të gjitha degjenerimin; Degjenerimin moral, ekonomik, psikologjik dhe fizik.
Pushtimet, forca, dhuna, nuk mund ta zhbëjnë kurrsesi një popull e një komb. Ndërsa degjenerimi e realizon zhbërjen. “Ingranazhet degjenerues” të kohëve moderne dhe të “pushtimeve të kadifta”, nëse nuk ndalen, shumë shpejt do të na zhbëjnë si komb.
“Sirenat” mashtruese na ndjellin të lëmë “barkën” tonë shekullore dhe të shkojmë tek “Circja”. Uliksi shpëtoi se ua mbylli shokëve veshët me dyll, dhe vetë u lidh më përpara me konop tek direku i anijes, për të mos gabuar. Po ne, kush do të na i “mbyllë” veshët, e kush do të na “lidhë” me konop, që të mos përfundojmë në ishullin e Circes e të “zhdukjes”, ku na thërrasin sirenat mashtruese ?!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk