GENTIN KORBI MARIONETË E AVOKATIT

12
Jul
2024
Shkruan: Beqir Elshani


Qysh në dhjetor të vitit 2006 Dr. Hysni Bytyqi më sulmoi mua dhe redaksinë ”RTVZIK” në Kopenhagë, pse m’i botonin shkrimet, dhe atë duke u thënë mbase për hatër të kryeredaktorit të gazetës “Zëri i Kosovës” – Gafurr Elshanit. Redaksia ia kishte kthyer përgjigjen se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me Gafurr Elshanin dhe me “Zëri i Kosovës”. Avokat Bytyqi e ka sulmuar edhe faqen e madhe “liriakombëtare” me të cilën bashkëpunoja, mirëpo ata e kanë flakur me kohë. Bytyqi nuk ndalet me kaq, duke ndërhyrë në etikën tonë familjare shton se vëllai me motrën (është fjala për Bislimin dhe Shemsien), të cilën e përforcon edhe miku i tij, Gafurr Kabashi me pseudonimin Gentin Korbi: “Mire ka bere Z. Hysni Bytyqi qe te ka veçuar nga Shema, Bislimi e Gafurri, sepse ti meriton te veqohesh, meqe je nje ANATEME e tyre”.
Kabashi me gjithë Bytyqin nuk e dinë që Bislimi dhe Shema kanë dalë falë angazhimit tim atdhetar, meqë unë kam qenë furnizues i familjes me libra dhe revista nga Tirana, (pasi që ato vite punoja në Bibliotekën e ShLP në Prishtinë), unë kam qenë furnizues i TV-Shqiptar, pastaj i pari kam ngritur flamurin në dritare të shtëpisë, (gjendet në rrugën kryesore të Therandës). Këtë disa herë e kanë thënë edhe shokët e mi atdhetarë: Shefki Muqaj, Behxhet Berisha, Bajram Kurti dhe Afrim Morina. Këtë e di shumë mirë edhe Gafurr Kabashi me pseudonimin “Gentin Korbi”. Mu për këtë ime motër, Shemsie, thotë se po ta donte Bytyqi me Kabashin Bislimin, nuk do ta sulmonin bacën Beqir. Vërtet avokat Bytyqi e ka mbrojtur Ukshin Hotin, edhe Afrim Morinën, mirëpo Afrimi e tregoi veten burrë, ndaj avokat Bytyqin e qortoi në qendër të Prishtinës për broçkullat e tij, prej nga iku i turpëruar. Me fjalë të tjera, kam parë se avokati është kozmopolit, prandaj shqetësohet për gjendjen e serbëve në Kosovë, për Azem Vllasin, për Fadil Hoxhën dhe Mahmut Bakallin.
Si ka fytyrë Gafurr Kabashi të shkruajë “Une prap theme se te njohe dhe te kam njohur shume mire”, kur ai është tezak me babain tim dhe jemi rritur së bashku (vetëm një rrugë na ndan), me dhjetëra herë kemi këmbyer vizita në shtëpi. Pastaj me përbuzje dhe me ironi shkruan që me kënaqësi i lexonte shkrimet e Fadil Shytit, Xhemil Zeqirit dhe Sejdi Vejselit, kur dihet që pikërisht këta janë shokët e mi me të cilët edhe bashkëpunoj. Lidhur me këtë Fadil Shyti më tha se palaçoi as shkrimet tona nuk i lexon, por e ka thënë me ironi, siç thuhet prej zemërplasjes. Për nga fjalori i ndytë Kabashi ia kalon mikut të tij – Bytyqit. Pikërisht unë i kam redaktuar dhe lektoruar librat e Fadil Shytit, Xhemil Zeqirit dhe të Ibrahim Egriut. Me dekada vite kam qenë stafist i albaniapressit, si dhe bashkëpunëtor i rregullt i dhjetëra faqeve shqiptare. Avokat Bytyqi nuk e di që shkrimin e tij “Një piramidë për Tutankamonin e Kosovës?”, me kërkesën e moderator Sheradin Berishës ia kam korrigjuar unë, pastaj është botuar në faqen pashtriku.org dhe në faqen albaniapress. Gjithashtu para 20 vitesh me kërkesën time shkrimin në gjuhën italiane të Kosta Novakoviqit, të cilën ma dërgoi Bislimi, e ka përkthyer kolegu im në albaniapress, Arben Dervina, në Kanada.
Sa i përket deklaratës së fshatarit, i cili thotë se në Suharekë gjithmonë ka pas burra të mirë dhe patriotë, mirëpo me ardhjen e delenxhive prej fshatrave e kanë përlyer Suharekën. Ata nuk kanë mund me ba vend në katundet e tyre dhe kanë zbritur në qytet”. Zotërinjë Bytyq e Kabash, duhet të keni kujdes me shtrembërimin e deklaratës, nuk është fjala për dallimin klasor mes fshatit dhe qytetit, tekembramja të gjithë qytetarët e Kosovës janë me prejardhje fshatare, që sipas materializmit dialektik janë fshatrat që e mbrojnë gjuhën dhe traditën kombëtare. Gjatë pushtetit burokratik në ish-Jugosllavi therandasit ishin jetim: në asnjë organ komunal dhe organizatë punuese nuk përfaqësonin vendësit, sidomos në Sekretariatin e Punëve të Brendshme dhe në Komitetin Komunal, vende prej nga dilnin vendimet burokratike, asnjë therandas vendës nuk punonte. Vlen të përmendet se pikërisht atdhetari dhe juristi i diplomuar në fabrikën “Ballkani” Nezir Gashi, ka qenë një ndër zëdhënësit e parë për ndërtimin e banesave në Therandë për punëtorët që udhëtonin prej fshatrave malore, ide që binte në kundërshtim me burokracinë në pushtet, të cilët parapëlqenin ndërtimin e banesave në Prizren.
Prandaj nëse kryetari i komunës, kryetari i këshillit ekzekutiv, kryetari i gjykatës komunale dhe sekretari i komitetit komunal ishin me prejardhje nga fshati, atëherë të gjitha vendet udhëheqëse dirigjoheshin po nga këta pushtetarë. Me përjashtim të shkollës fillore dhe të gjimnazit që kanë udhëhequr Prof. Ramadan Shala dhe Prof. Halit Berisha, në vendet tjera kyçe, shoqërore dhe ekonomike, kanë udhëhequr pushtetarët partiakë me prejardhje nga fshati; thënë konkretisht, udhëheqës fisnorë që i përkasin shoqërisë primitive. Megjithatë edhe dy drejtorët e vetëm therandas ishin nën mbikëqyrjen e organeve të komunës dhe komitetit komunal të Therandës. Prandaj drejtorët (H. Berisha dhe R. Shala) nuk kishin ndonjë mbështetje financiare dhe politike. Kjo do të thotë, nëse kryetari i Komitetit Komunal e largonte mësuesin apo arsimtarin e frytshëm për edukimin dhe arsimimin e nxënësve, drejtori i shkollës fillore dhe drejtori i gjimnazit nuk kishin imunitet politik e juridik që t’i mbronin arsimtarët, meqë gjykatësi dhe avokati ishin të dirigjuar nga pushteti i burokracisë titiste. Kritikë të ngjashëm ndaj pushtetit burokratik në komunën e Therandës ka bërë edhe Prof. Bajram Kurti në librin e tij voluminoz “PROFESOR QAZIM BERISHA – YLL I PASHUAR NË PLEJADËN E HERONJVE TË ARSIMIT DHE EDUKATËS”. Prandaj ecni përtokë dhe mos fluturoni se do të thyeni qafën.
Qysh prej vitit 2006 nuk e dija kush ka qenë mbrojtës i avokat Bytyqit dhe sulmuesi im me reagime vullkanike, prandaj ky shkretani i fundit më tregoi që pas pseudonimit “Gentin Korbi” qëndronte vetë Gafurr Kabashi me adresë amerikane. U trondita kur më tregoi, disa herë mohova duke i thënë që nuk besoj, megjithatë e argumentoi që ishte dora vetë. Në fondin e krijimtarisë sime gjenden me dhjetëra kritika të ndërsjella në mes miqve të mi, por nuk jemi zemëruar, sepse kemi dalë me emër e mbiemër konkret, jo me pseudonim, sepse është veprim i turpshëm, siç thotë urtia të hedhësh gurin dhe të fshehësh dorën. Kritika të ndërsjella kemi bërë edhe unë me Fadil Shytin, me Xhemil Zeqirin, me Zeqir Durakun e të tjerë, por nuk jemi zemëruar, sepse kemi dalë me emër e me mbiemër. Duket qartë, Bytyqi me Kabashin nuk janë të denjë për ballafaqim konkret, prandaj merren me shpifje.
Në takimin e fundit Gafurr Kabashin e përqafova si vëllain tim, por më befasoi me shkrimet tendencioze që më kishte sulmuar në vitet e vështira. Në fund miku im i vjetër më tregoi se pikërisht pseudonimi i tij “Gentin Korbi” ka inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij GK. Gafurri shumë mirë e di që me vëllain e tij, Refkiun, kam qenë shok shkolle, njëkohësisht janë tezakë me babain tim. E mbaj mend kur babai im e vizitonte mësuesin atdhetar, xhaxhain e Gafurrit, Ibrahim Kabashin, i cili më vonë vdes nga torturat e udbës jugosllave.
Therandë, 12 korrik 2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk