Gjithmonë kam qenë kurreshtare të mësoj, sidomos rreth prejardhjes dhe historisë sonë!

27
Jan
2025
Shkruan: Luljeta Aliu


Unë nuk jam as historiane as teologe. Por gjithmonë kam qenë kurreshtare të mësoj, sidomos rreth prejardhjes dhe historisë së shqiptarëve, meqë duke qenë e lindur si shqiptare dhe rrjedhimisht në Ish-Jugosllavi ne jemi trajtuar si njerëz të dorës së dytë (madje është thënë se kemi bishta!), më ka interesuar të lexoj sa më shumë literaturë shkencore rreth historisë së shqiptarëve.
Fatmirësisht, gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm në Zvicër (ku kemi ikur nga përndjekja prej Serbisë sa unë isha 12 vjeçe) kam mësuar 7 vjetë latinisht. Mësuesja e latinishtes, zonja Zäch, ka qenë një mësuese e jashtëzakonshme.
Zonja Zäch, një grua rreth të 60-tave, por shumë energjike, gjatë orëve nuk ulej kurrë në karrige si mësuesit tjerë, por duke qëndruar në këmbë dhe duke lëvizur sa andej sa këtej, – e ndonjëherë duke kapur kokën e flokët e saj të shkurtë e të thinjura nga tronditja për shkak të mosditurisë sonë-, na mësonte latinishten dhe historinë e Perandorisë Romake.
Zonja Zäch më ka dhënë disa herë kartolina me vende historike si për shembull Apollonia apo Durrësi. Ose tregonte se orakuli i Delfit dhe i Dodonës ishin të lokalizuara në një pjesë gjeografike ku më herët kishin banuar shqiptarë. Ndjehesha e përkëdhelur, por njëkohësisht turpërohesha që nuk i dija këto fakte që ajo i dinte, e unë si shqiptare që isha, nuk i dija. Edhe pse në atë kohë isha fëmijë.
Në atë moshë të re nuk e kam kuptuar se mbase ka qenë zonja Zäch që ma ka mbjellur idenë se Greqia e vjetër, por pastaj edhe Roma, kanë qenë të ndikuara nga një substrat civilizimi të mëhershëm, i cili ka vazhduar të jetojë në formën e tij arkaike te shqiptarët.
Pastaj, në moshë më të rritur, tanimë në universitet të Cyrihut, gjatë leximeve të mia rreth prejardhjes dhe historisë së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, lexova për perandorin Konstandin dhe perandorin Justinian si dhe për rrugën Via Egnatia, e cila fillin e saj e ka në Dyrrachium, Durrësin e sotëm.
Përhapja e Krishterimit në Evropë, sipas leximeve të mia, ka ndodhur përmes Via Egnatia, që e përshkon Shqipërinë, Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë e vazhdon deri në Turqi, në Konstandinopojën e atëhershme.
Via Egnatia ishte ndërtuar nga Gnaeus Egnatius, Prokonsul i Maqedonisë së atëhershme, e që ishte pjesë e Ilirisë. Apostulli Paul (Shën Pali), gjatë misionit të tij ka udhëtuar përmes Kavala, qytet afër qendrës Filipi, e ndërtuar nga babai i Aleksandrit të Madh, Filipit. Për këta dy e dijmë që janë paraardhës tanë. Dhe prej aty apostulli Paul ka vazhduar përgjatë Via Egnatia përmës Shqipërisë dhe e ka shpërndarë fenë e krishterë në krejt Evropën. Kjo është çfarë unë di për këtë temë.
Uroj që historianët dhe teologët tanë ta diskutojnë më shumë këtë zhvillim historik të krishtërimit dhe ta shpërndajnë me të tjerët faktin që krishtërimi evropian fillesat e tij i gjen te shqiptarët.
Hulumtoni, shkruani dhe tregojuni botës që edhe ne kemi kontribuar për historinë botërore. Shumë pak njerëz e dinë që Konstandini dhe Justiniani kanë prejardhjen e njejtë si ne, e që krishterimi është përhapur nga trojet tona. Ka filluar në qytetin Filipi dhe Kavala, që në atë kohë ishin vende ilire dhe ka vazhduar pastaj përmes Shqipërisë tutje në Evropë. Unë kështu e mbaj mend. Ndoshta po gabohem. Por uroj që të lexoj më shumë prej historianëve dhe teologëve tanë për këtë temë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk