GJURMËVE TË KËNGËS ME PROTAGONISTIN GANI SALLAREVA

23
Oct
2024
Shkruan: Syrja ETEMI


Në një Odë të organizuar, (sot e shtatë vite më parë) nga rapsodët e shquar të fshatit Rashçe (18.11.2017), ku ndër të tjerë ishte edhe këngëtari Vahit Shtrajku, përveç që arritëm të shënojmë këngën në fjalë me primesa më origjinale, këngëtari i lartëcekur deklaron si vijon: “Këngën: Gani Sallareva, më së pari e kam dëgjuar në formë rrëfimi nga një mik nga fshati Suto Petkë, i cili quhej Ramadan. Kjo ka ndodhur aty ka viti 1978. Pastaj unë (thotë Vahiti), e bëra këngë dhe, të cilën e kam kënduar në vitin 1980. Pastaj këngën e marrin dhe e këndojnë edhe këngëtarë tjerë, bile edhe kosovarë.”
Duke azhurnuar të dhënat nga të gjitha variantet e këngëve, madje edhe anketat dhe gojëdhënat nga mbamendja e njerëzve të kësaj treve, mund t’i pikasim këto të dhëna relevante:
– Mbiemri i protagonistit kryesor të kësaj kënge është Jonuzi dhe është nga fshati i thellë i Malit të Thatë- Sallarevë.
– Ngjarja të cilën e potencon kënga, duhet të ketë ndodhur aty kah vitet 30-ta të shekullit XX (në kohën e Mbretërisë Serbe);
-Mbiemri i shokut të Ganiut, Sahitit, është Rexha (Rexhepi);
-Motra e Ganiut (edhe kjo jetime) ka qenë martuar diku në Malësi (Ka të ngjarë – në Llukovicë), ku edhe kënga thotë: Nuk jan topat e Mitrovicës/ Lufton, Gania / Në kep t’ Llukovicës. Mund të jetë pak intriguese kjo vaki, pasi që kemi Llakavic dhe Llukovic. Llukovica i takon komunës së Zhelinës, ndërsa Llakavica – Gostivarit.
-Xili është shkurtesë e emrit: Zeqir (Xili) çaushi;
-Vasil (Naredniku) i Shkupit- Komandant i njësitit të xhandarmërisë nga Shkupi.
Përmbajtja e këngës është kjo:
Gania (Jonuzi) i lindur në Sallarevë, kishte vetëm një motër (më të madhe se vet Gania), dhe e cila ishte e martuar. Djaloshi i përkiste një shtrese të varfër malësore dhe, kështu, i gjendur në një situatë të pashpresë në luftën për të mbijetuar, kërkoi punë (si hyzmeqar) tek qehaja i kamur i fshatit, i quajtur Zeqir- me titullin Çaush, i cili paraprakisht i kishte premtuar shumë djaloshit, siç thotë kënga:
E nji dit’ Xili po e mashtron-e:
-O, a po vjen, o rogtar te (j)un-e
Besa – bes kam me t’martu-e
Ene hakin kam me ta pagu-e?
Ditët iknin, por qehaja nuk po e mban fjalën e dhënë. Djaloshi i kërkon hakun e vet, kurse zotnia as që ia var veshin, bile edhe e fyen dhe e poshtëron keq. I gjendur në një situatë të sikletshme e rezignuese, ky e braktis punën dhe shkon te motra në Llakavicë për t’ia qajtur dertin. Meqë motra njihte karakterin e fortë të të vëllaut, duke mos dashur ta humbë atë, i ofron vëllaut të dashur “alltanat” (pasurinë që ruante për ditën e vdekës), e, që të çelë një dugajë (dyqan) në katundin e lindjes, Sallarevë, dhe të dalë një idare e vogël. Kështu motra i thotë:
-Hajt, be vlla ti mos u bën merak
I këm motra un’ xhasht cop alltan
Do ta bajsh, vlla nji diqan
-O, nuk du, motër un’ xhasht cop alltan-e
Xhakin Xilit un’ kam me ja mar-e!
Kështu, djali shumë i mllefosur, kërkon ndihmën e shokut të tij të ngushtë, Sahitit, i cili e shoqëron në arritjen e qëllimit të Ganiut, që më vonë do ta realizojë me sukses. Edhe pas aktit të vrasjes së Xilit, siç thotë kënga, Ganiu duke dashur t’i humb gjurmët, shkon e punon në dugajë:
K’shir Ganija ç’i ka punu-e
E bani damin prap n’duqan ka shku-e
Punën e vet me e mbulu-e.
Kurse mëpastaj, naredniku i xhandarmërisë së Shkupit, me shumë forca të armatosura, e rrethon fshatin Sallarevë:
Naredniku ç’i ka maru-e
Shum xhandar i ka tubu-e
Shkojn diqanin e rethojn-e
Durët lidhët n’stanic’ e çojn-e.
Por, sipas një varianti të po kësaj kënge, Gania arrin të arratiset nga burgu dhe të del në “mal”:
Pi apsënes gjali ka pështu
Shkon tuj hik – n’xhak mbulu
Te Gjuri Bardh kur ka shku
Ati mamzeren e kishte mblu
Ene luftën e ka fillu
Narednikin e ka shitu.
Pas kësaj përplasjeje, kënga vazhdon rrëfimin:
Tan Sërbija na u çu-e n’kam
Haber Shkupit i kan dhan
Shtat stanica me u mbledhu-e
N’Llakavejc për me shku-e.
I gjendur keq: i lodhur dhe i raskapitur, i etur dhe i urritur, sipas disa shënimeve të këngës, Gania strehohet në Treskë (kënga thotë: në Kep të Llukovicës) dhe, vdes në një shpellë në Matkë, siç përfundon kënga:
Rrafsh xhash dit’ e plot xhash net
Trim Ganiis i shkun fishek’t
U vra Ganija me dor’n e vet.
Pra, duke mos dashur të bie në dorë të shkaut, Ganija vetvritet, por kënga për të nuk do të prajë së kënduari.
Është me rëndësi të theksohet edhe fakti që, këtë këngë e ka shënuar edhe prof. Hafezat Osmani, edhe atë në disa variante, të kënduar në disa mënyra dhe me disa forma, duke i titulluar, si: “Ganija ni gjal i ri”, “Ki Ganija ni trejm ish konë” dhe “Gani Sallareva jetim ish konë” (në variantin më të gjatë). Sido që të jetë, hero apo protagonisti I këngës është I njëjti: Gani Sallareva, I cili e luftoi të keqen deri në frymën e fundit. Dritë I pastë shpirti në botën e amshuar. Andaj, kënga për të nuk duhet shterruar…

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk