Hamamgjikat e thashethemeve

12
Jan
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli

Bojkotimi i mediave shpifëse dhe jo objektive është jo vetëm një akt mbrojtjeje ndaj manipulimit, por edhe një detyrim moral për çdo qytetar që nuk dëshiron të bëhet kukull në duart e grupeve të interesit.
Sot, mediat, përfshirë edhe shumë portale dhe televizione shqiptare, janë bërë më të zeza dhe më të pabesueshme sesa disa media pa përvojë të Afrikës Qendrore. Këto nuk janë mediume, por më shumë fabrika shpifjesh dhe sensacionalizmi të lirë. Ja disa shembuj të fuqishëm nga bota e mediave shpifëse:
1. Brexit dhe “350 milionë paundët”
Kush nuk e mban mend autobusët e stërmëdhenj me mesazhin “350 milionë paund në javë për shëndetësinë britanike nëse dalim nga BE”? Ky ishte kulmi i shpifjeve mediatike që çuan britanikët në një vendim historik bazuar në një gënjeshtër të zbuluar më vonë. Kjo propagandë u mbështet nga tabloidet e fuqishme, që duket se kishin më shumë dëshirë të krijonin tituj të bujshëm dhe Lekë sesa të informonin qytetarët.
2. Lufta në Irak dhe armët imagjinare të shkatërrimit në masë
Kur mediat kryesore ndërkombëtare si CNN dhe Fox News shpërndanë pa kriticizëm gënjeshtrat për “armët e shkatërrimit në masë” të Sadam Husseinit, ato u bënë vegla perfekte të propagandës. Rezultati? Një luftë shkatërruese, qindra mijëra të vdekur dhe një regjim i rrëzuar, por pa asnjë armë të tillë të zbuluar.
3. Portalet shqiptare: Fabrikat e fake news-it
Erdhi koha të shohim veten në pasqyrë. Shumë portale shqiptare janë kthyer në skandal-makina që shpikin lajme në çdo moment të ditës. Titujt sensacionalë si “Ndodhi tani: Fundi i botës në Prishtinë!” për një bllokim trafiku apo “Shpërthen politika: Albin Kurti, shpiun i Serbisë” për një debat të zakonshëm parlamentar tregojnë një nivel të ulët profesionalizmi dhe një uri për klikime që tejkalon çdo kufi.
RadioTelevizionet nuk mbeten prapa. Disa prej tyre janë kthyer në instrumente politike apo hamamgjika të thashethemeve. Emisionet “analitike” shpesh ngjajnë më shumë me debate kafenesh, ku të ftuarit më shumë bërtasin, pështyjnë sesa argumentojnë. Nëse dikush do të hidhte një vështrim nga jashtë, do mendonte se po ndjek “reality show” e jo diskutime serioze për të ardhmen e Kosovës.
4. Propaganda ruse dhe lufta në Ukrainë
Mediat ruse janë mjeshtre të shpifjes. Në fillim të pushtimit të Ukrainës, ato krijuan një univers paralel: Ukraina ishte një shtet “nazist”, NATO ishte agresori dhe Rusia po “çlironte” popullin ukrainas. Disa portale shqiptare, ironikisht, i shpërndanë këto narrativa si lajme “të vërteta”. Kur media shqiptare citon Sputnik apo RT si burim të besueshëm, çfarë të presim tjetër?
5. Pandemia dhe teoritë e konspiracionit
Gjatë pandemisë COVID-19, shumë media u bënë promotorë të teorive të çmendura. Lajme si “Vaksinat janë çipa për kontroll” apo “Bill Gates do të sundojë botën përmes vaksinave” shpesh u përhapën nga portale shqiptare të etura për klikime. Kjo dezinformoi publikun dhe dëmtoi rëndë përpjekjet për të mbrojtur shëndetin publik.
6. Propaganda serbe
Një shembull klasik i propagandës serbe është pretendimi se shqiptarët e Kosovës po “shkatërrojnë trashëgiminë kulturore serbe”. Kjo vjen nga një shtet që gjatë luftës në vitet ’90 dogji, shkatërroi dhe rrafshoi me tokë mbi 200 xhami, kisha dhe monumente të tjera shqiptare. Ironikisht, Serbia paraqitet si “mbrojtësja” e kulturës në rajon, ndërsa ende mohon gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet në Kosovë.
Nëse një guralec bie nga një kishë serbe, mediat serbe raportojnë: “Shqiptarët filluan shkatërrimin e kulturës serbe!” Në këtë lojë ironike, Serbia është viktima që mban çekiçin dhe akuzon të tjerët për goditje. Kjo nuk është propagandë; është një telenovelë me buxhet të ulët dhe skenar të tejkaluar.
Ironia shqiptare
Në një situatë të tillë, mund të pyesim veten: kush ka nevojë për armiq kur kemi mediat tona?
Shumë portale shqiptare dhe disa televizione janë kthyer në karikatura të vetes së tyre, duke shpërndarë lajme të cilat as vetë ato nuk i besojnë. Nëse një UFO do të zbarkonte në Kosovë, gjysma e portaleve do të raportonin se UFO-ja është një investitor i huaj, ndërsa gjysma tjetër do të shkruante se është “dërguar nga Qeveria Kurti për të mbyllur mediat😂!”
Të dashur lexues,
Publiku shqiptar duhet të ndërgjegjësohet dhe të refuzojë të jetë pre e këtyre manipulimeve. Bojkoti i mediave shpifëse nuk është thjesht një akt mbrojtjeje personale, por një hap drejt ruajtjes së të vërtetës dhe ndërtimit të një Kosove më të drejtë dhe të informuar.
Është koha për të ndëshkuar këtë cirk informativ duke zgjedhur burime të besueshme dhe profesionale!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk