Hasan Prishtina, patriot i flaktë, ideolog i çështjes kombëtare, diplomat dhe publicist

11
Apr
2023


Shkruan: Nesip Kaç
i
Publicist
Hasan Prishtina lindi në Vushtri në vitin 1873, rjedh nga një familje atdhetare. Pasi mori mësimet e para në shkollën e Vuçiternit, ai vazhdoi gjimnazin e Selanikut, ku ra nën ndikimin e ideve demokratike të Revoluçionit të Madh borgjez francez dhe të ideve më përparimtare të kohës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Drejtësisë, në degën e Shkençave Politike të Universitetit të Stanbollit. Këto ide e bënë Hasan Prishtinën një luftëtar të penës dhe të pushkës, flamurtar të kryengritjeve të mëdha kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë. Për çështjen e popullit dhe të atdheut të tij ai diti të luftojë si në tribunat parlamentare e kançelaritë diplomatike, ashtu dhe në shtypin e kohës apo në malet e Shqipërisë përkrah me trimat legjendarë si Ismail Qemali, Bajram Curri, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Themistokli Gërmenji, Idriz Seferi, Ramadan Zaskoku, Elez Isufi, Azem Galica etj. Ai vuri në shërbim
të lëvizjes dhe çështjes kombëtare shqiptare talentin e oratorit, mprehtësinë e diplomatit, militantizmin e luftëtarit konseguent, penën e tij të fortë të publicistit.
Në vitet 1908-1912, kur ai u zgjodh deputet në Parlamentin Osman, nga tribuna e këtij parlamenti ai mbrojti me vendosmëri dhe ngriti fuqishëm zërin kundër masakrave çnjerëzore të ekspeditave antishqiptare të ushtrisë osmane në Kosovë, si në Rafshin e Dukagjinit, në malësinë e Gjakovës, Has e Lumë, Dibër, në malësinë e Shkodrës dhe në vise të tjera kryengritëse të Shqipërisë, që kundërshtonin barën e rëndë të taksave, si vergji , xhelep etj., marrjen e djemve nizam për vite të tëra në ushtrinë osmane në Jemen dhe vende të tjera arabe dhe që në shumë raste nuk ktheheshin më të gjallë në familje. Këto ekspedita që shtypën me egërsi kryengritjet që shpërthyen në Kosovë,drejoheshin nga pashallarët më të egër si Xhavit Pasha, Shefqet Turgut Pasha e të tjerë. Hasan Prishtina i kundërshtoi kwto ashpër në parlamentin osman dhe kërkoi të merreshin masa për përmirësimin e gjendjes së mjeruar të Perandorisë Osmane, që të ndryshonte qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Ai i kërkoi qeverisë osmane t’u jepte dëmshpërblime masave popullore për rregullimin e shtëpive të djegura e të shkatëruara nga zjarri që u vuri ushtria osmane, të ndërtoheshin shkolla, rrugë transporti dhe të respektohej kushtetuta dhe liria tradicionale e malësorëve, si dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Hasan Prishtina u cilësua nga shtypi i kohës Deputeti Kryengritës.
Me inisjativën e tij u hapën shkolla shqip në Kosovë dhe mjaft bij të Kosovës arsimdashëse me ndihmën dhe xhepin e tij u dërguan në Shkollën Normale të Elbasanit, ku ishte drejtor Luigj Gurakuqi, i cili i priti gjashtëmbëdhjetë nxënësit e parë nga Kosova me një ceremoni të veçantë, apo me një miting popullor, vëllazëror. Më pas numëri i nxënësve kosovarë në Normalen e Elbasanit arriti në pesëdhjet , nga njëqind e ca që kisht krejt shkolla, të cilët u përgatitën si mësues, agjitatorë e luftëtarë të flaktë të lëvizjes sonë kombëtare.
Për ta larguar atdhetarin e shquar nga rruga e nisur qeveria osmane i propozoi atij postin e ministrit por ai e hodhi poshtë me përbuzje Në kujtimet e veta Hasan Prishtina pohon : “ Në vend të kolltukut me turp në Stamboll, preferova kryengritjen në malet e Kosovës”.
Meqënëse qeveria osmane nuk po merrte parasysh kërkesat e drejta të shqiptarëve, Hasan Prishtina e paralajmëroi atë më 11 janar 1912 se në Shqipëri do të shpërthente një kryengritje e re dhe deklaroi se një ndër të parët, që do të marrë në dorë flamurin e revoluçionit, ndoshta i pari ndër të parët, do të jem edhe unë. Në janar të vitit 1912, nën drejtimin e Ismail Qemalit dhe të Hasan Prishtinës , në lagjen “ Taksim” të Stanbollit, u organizua mbledhja, ku u shtrua dhe u vendos fillimi i Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri, si rruga e vetme për arritjen e autonomisë.
Pas kësaj Hasan Prishtina u nis në Kosovë për të organizuar kryengritjen, e cila do të shtrihej në tërë Shqipërinë. Në vendlindje e priti gatishmëria e përgjithshme dhe bashkëpunimi i atdhetarëve të shquar Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini, Bajram Daklani, Hasan Ferri, Sadik Rama etj. Më 21-25 maj 1912 nën drejtimin e Hasan Prishtinës zhvilloi punimet në Junik të Gjakovës kuvendi që përcaktoi masat organizative dhe hartoi programin politik të kryengritjes. Lufta për realizimin e këtij programi nisi me betejat në Pejë e Qafë të Prushit, për t’u përhapur në Has e Gjakovë, në Rafshin e Kosovës, Gilan e më tej.Luftëtarët shqiptarë më 1912 thyen në Qafën e Prushit katër tabore (batalione) osmane. Kjo fitore në fushën e luftës bëri bujë dhe pati jehonë në Ballkan dhe Europë. U çliruan qytetet Gjakovë, Prizren, Pejë e Prishtinë, Mitrovicë e Shkup. Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912, ku Hasan Prishtina u shqua si udhëheqësi kryesor, përfshiu gjithë viset e Shqipërisë. Ajo tronditi nga themelet sundimin osman në Shqipëri dhe dha një ndihmesë të nevojshme për përgatitjen e truallit për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Pas vitit 1912 Hasan Prishtina ishte në radhën e parë të atdhetarëve, që iu kushtuan me të gjitha energjitë luftës kundër pushtuesve të rinj shovinistë për ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Ai mori pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës, ku dha një ndihmë të madhe në mbrojtjen e unitetit kombëtar dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan kurrë me vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha imperialiste, që prenë nga trupi i atdheut gjysmën e tokave shqiptare.Gjatë viteve 1922-1924 Hasan Prishtina u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm dhe si udhëheqës i çetave kryengritëse në Kosovë, duke pasur lidhje të ngushta me Bajram Currin, Elez Isufin, Hysni Currin, Niman Ferizin, Shote dhe Azem Galicën etj. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorir 1924 në Shqipëri. Pas shtypjes së këtij revolucioni dhe rivendosjes së rregjmit reaksionar të monarkut Ahmet Zogu, Hasan Prishtina emigroi jashtë atdheut. Edhe pse nën rrezikun e ndjekjeve të vazhdueshme të agjentëve zogistë e të atyre të rregjimit të Beogradit, ai nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë e tij atdhetare, ai ëndëroi dhe luftoi për një Shqipëri të bashkuar dhe të pavarur dhe vazhdoi të mbrojë me zjarr vëllezërit kosovarë, duke luftuar që t’u jepet arsim, të gëzojnë barazi me popujt e tjerë të Jugosllavisë e të mos shpërnguleshin nga trojet stërgjyshore. Si luftëtar i bashkimit kombëtar fatet e lëvizjes së popullit të Kosovës për çlirim e bashkim me pjesën tjetër të atdheut, Hasan Prishtina i shihte të lidhura ngushtë e në mënyrë të pandarë me çështjen e zhvillimit demokratik në shtetin shqiptar. Ai ishte i bindur plotësisht se me ardhjen e Zogut në fuqi ishin vënë në rrezik fatet e atdheut, ndaj e vazhdoi luftën kundër këtij rregjimi antipopullor, i shitur tek të huajt. Asgjë nuk ishte në gjëndje ta largonte nga rruga që kishte nisur, ai kërcënimet, akuzat, shpifjet e rreziqet e mëdha i përballoi. Gjashtë herë u dënua me vdeke duke filluar që nga turqit e rinj, nga tradhëtari Esat Pashë Toptani, nga Beogradi e nga armiku më i madh i popullit dhe atdheut Ahmet Zogu. Dymbëdhjet vjet i kaloi jashtë atdheut përballë rreziqeve të mëdha e të përhershme, duke u shpëtuar atentateve të organizuara kundër tij. Por asgjë nuk e mposhti. Ja se si shkruan në deklaratën e tij të njohur të 22 majit 1928 : “ Mue, n’idenë teme patriotike nuk ka mujt me më mashtrue ari i tanë botës, por as mënia e tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja “. Dhe i qëndroi deri në fund këtij betimi solemn, deri sa një dorë tradhtari, një agjent i paguar i Zogut , i nxitur nga Serbia, e vrau pabesisht, në Selanik, më 14 gusht 1933.
Lidhur me vrasjen e Hasan Prishtinës, këtij vigani liberator, unë që po shkruaj këto radhë, mendoj se vrasja e tij duhet të ndriçohet mirë nga e vërteta. Dhe më mirë se kushdo tjetër këtë mund të na i bëjë Ajet Haxhiu, autori i librit “ HASAN PRISHTINA “ botuar në Tiranë më 1964, që mund ta gjeni në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Po kështu të dhëna të plota dhe të dokumentuara për vrasjen e Hasan Prishtinës, jepen të sakta dhe të plota edhe në librin tjetër : “HASAN PRISHTINA “ (Dokumente), përgatitur nga historianët Kujtim Nuro dhe Nezir Bata, Tiranë , 1983.
Por unë në mënyrë të përmbledhur do t’i jap lexuesit këtu më poshtë këto të dhëna të mara nga autorët e mësipërm: Më 1 gusht 1933 Hasan Prishtina arriti në Selanik dhe ai lëvizte si gjithënjë me vëllain tij Omer Prishtina. Mercenarët e Zogut,që e ndiqnin këmba këmbës dhe i ishin vëvë pas që në Nice të Francës vazhduan ta ndiqnin në Paris, në Itali më tutje e ndoqën në Vjenë dhe deri në Selanik, këto i tregon vrasësi njëzet e pesë vjeçar Ibrahim Çelo, i cili e ndiqte Hasan Prishtinen këmba këmbës kudo ku shkonte. Konsullatat e Shqipërisë në Vjenë, Selanik, Rumani, Bullgari, Itali, Greqi , që ndiqnin lëvizjet e Hasan Prishtinës në vendet ku ishin të akredituara, i raportonin rregullisht me shkrim ministrisë së punëve të jashtme të Shqipërisë për lëvizjet e Hasan Prishtinës dhe ministria e jashtme vinte në dijeni monarkun Zog. Gazeta greke “ Apogjevmatini “ ka shkruar për bashkëpunimin e Ahmet Zogut me qeverinë jugosllave për vrasjen e Hasan Prishtinës. Shtypi austriak rreth vrasjes së Hasan Prishtinës shkruan : “ Shtetasi shqiptar njëzet e pesë vjeçar Ibrahim Çelo shtini pesë herë me revolver kundër ish-kryeministrit të Shqipërisë, pesëdhjet e pesë vjeçarit Hasan Bej Prishtina, që bëri përshtypje të madhe në Selanik. Atentatori, shkroi shtypi grek ka qënë i shtyrë nga A. Zogu. Vrasësi ishte një gjaksor profesional, i cili bëri vrasje politike me shpërblim, nënvizonte shtypi grek. Emigrantët shqiptarë në Selanik thanë se atentati është organizuar në Shqipëri. Konsulli shqiptar në Selanik takoi prokurorin e Selanikut për të ndryshuar të dhënat e vrasjes që mos cënohej dhe mos diskretitohej Ahmet Zogu. Konsulli shqiptar vizitoi në burg vrasësin, që të mos zbulonte në gjyq Zogun, që ishte vrasësi i vërtetë. Vrasësi Çelo dërgoi në Serbi telegrame drejtuar një Xhemile hanëmi, ku thotë se Hasan Prishtina u godit si duhej, kurse Çeloja është shëndoshë e mirë dhe gjëndet jashtë rrezikut. Ky telegram është dëshmi e përpjekjes që krimi t’i ngarkohet gishtit serb, me që ky i drejtohet personit që qëndon në Serbi nga e cila supozohet se andej e ka fillesën vrasja e Hasan Prishtinës.
Në një shkrim që botonte gazeta “ Ora e Shqipnisë “ e datës 10 shkurt 1928 thuhet si më poshtë: “ Tash gadi dy muej z. Hasan Prishtina asht kenë i lajmëruem nga shumë miq qi të ruhet pse Ahmet Zogu do të çonte gjind në Vjenë për me e vra. Agjenti Ibrahim Lisi nga Kruja, kur arriti në Vjenë më 31.1.1928 kërkoi në emigrantët shqiptarë me emën Hasan Prishtinën. Atë ditë z . Prishtina nuk duel në kafen e zakontë e kështu i dërguemi nga Ahmeti nuk mujt m’u ndesh në të “.
Përgatitjet e qeverisë së Zogut në bashkëpunim me konsullatën shqiptare në Vjenë për të vrarë Hasan Prishtinën vazhduan por kjo përgatitje u zbulua dhe atentati dështoi.
Mbasi Hasan Prishtina, banues në Tiranë, nuk ishte kapur, sepse akuzohej si komplotist atentati kundra jetës së Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Republikës Ahmet Zo0gu, gjyqi i posaçëm e dënoi atë më 16 korrik 1928 me vdekje në mungesë, por këtë akuzë Hasan Prishtina nuk e pranoi dhe e hodhi poshtë në një deklaratë nga Vjena.
Spiunët jugosllavë dhe zogistë në Selanik nën drejtimin e konsujve të tyre, në ditën e vrasjes së Hasan Prishtinës u vunë në lëvizje dhe më datën 14 gusht 1933, ditë e hënë ora dy pasdreke, kur Hasan Prishtina ishte duke ecur në rrugën Çimisko në Selanik, gogitet dhe vritet tradhëtisht prapa shpine me pesë plumba nga krimineli Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit, agjent i monarkut Ahmet Zogu. Atentati u organizua nën drejtimin direkt të konsullit të Zogut në Selanik Dr. Qemalit.
Ajet Haxhiu, autor i librit “Hasan Prishtina” shkruan edhe këto hollësi për këtë vrasje : Konsulli i Zogut në Selanik, Dr. Qemali kishte dërguar dhe një agjent tjetër me makinë në vendin e vrasjes së Hasan Prishtinës për të marrë vrasësin që ta largonte nga vendi i krimit, por turma e popullit të Selanikut, midis tyre edhe shqiptarë, e kapi kriminelin dhe me përbuzje e të gjakosur nga goditjet e shqiptarëve të revoltuar, ia dorëzoi policisë. Për shumë ditë me radhë patriotët shqiptarë të Selanikut demostruan para burgut dhe postave të policisë, duke kërkuar dënimin e kriminelit. Gazetat demokratike të Europës e demaskuan Ahmet Zogun si vrasës i martirit Hasan Prishtina. Gazeta “ Liria Kombëtare “ shkroi kemi marrë vesh nga një burim fare i sigurt se vrasja e Hasan Prishtinës është vendosur në Pallat prej klikës së katilëve Zogolli-Krosi-Juka. Ekzekutimi i planit të vrasjes iu ngarkua konsullit të Selanikut Dr. Qemalit, i cili është një nga larot më të poshtër të Lartmadhënisë. Sesi e ekzekutoi planin e vrasjes konsulli, Dr. Qemali këtë e rrëfyen gjerë e gjatë gazetat greke.
Varrimi i Hasan Prishtinës u bë në Selanik dhe në të morrën pjesë gjithë patriotët shqiptarë dhe shumë demokratë grekë. Ceremonia u kthye në një demostratë të vërtetë. Inisiator i kësaj demonstrate u bë u bë grupi i punëtorëve shqiptarë që punonin në fabrikën e tullave të Selanikut, shumica e të cilëve qenë malësorë të mërguar nga Skrapari. Ky grusht punëtorësh me kurorat e tyre në krye të kortezhit ishte shprehje e gjallë e dashurisë së popullit tonë për birin e patriotin e vetë të vrarë.
Kur u hap gjyqi dëshmitarë patriotë shkuan nga Shqipëria në Selanik për t’i dalë në mbrojtje vëllait të tyre. Një grup avokatësh demokratë grekë, vullnetarisht dhe pa pagesë, bënë mbrojtjen e demokratit të vrarë Hasan Prishtina. Përballë avokatmbrojtësve grekë, që mbronin Hasan Prishtinën, qëndronin bejlerët e Leskovikut, sahanlëpirësit e Ahmet Zogut, të dërguar prej tij, që erdhën ta goditnin viktimën për së vdekuri, por grupi i patriotëve punëtorë shqiptarë, që ishin shumica skrapalinj, hapën dyert e gjyqit dhe protestuan kundër këtyre spiunëve të dërguar nga Ahmet Zogu. Të trembur bejlerët u detyruan të heshtin. Në saje të protestave të shqiptarëve të Selanikut dhe mbrojtjes së demokratëve agjenti vrasës, krimineli Ibrahim Çelo, u dënua. Po kështu u demaskua keq dora gjakësore e Zogut dhe bashkë me të edhe Beogradi i cili kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe kishte gjetur mercenarët për të kryer këtë vepër kriminale. Ndërsa populli shqiptar vajtoi për vrasjen e birit të tij Hasan Prishtina, “naltmadhnia” në pallatin mbretnor lajmin e vrasjes e festoi për tre ditë rresht.
Pas çlirimit Shqipëria , në dhjetor të vitit 1977, eshtrat e Hasan Prishtinës i solli në tokën e atdheut të tij të shtrenjtë dhe i vendosi në Varrezat e Dëshmorëve te Paraluftes në Kukës, nga ku dukej Kosova e tij martire për të cilën ai luftoi aq shumë gjate gjitthe jetes.
Emri dhe vepra monumentale e Hasan Prishtinës janë një burim i madh frymëzimi për të gjithë shqipërarët, ta duam dhe ta mbrojmë atdheun tonë ashtu si e deshi dhe e mbrojti Hasan Prishtina.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk