Hero apo tradhtar – Çlirimtar apo i korrupruar?

27
Apr
2025
Shkruan: Ali Sh. Mehmeti


Shumë nga ju që do i lexoni këta reshta keni dëgjuar për një emër që shpesh përdoret sikur sinonim për një fenomen që sjell dilema morale dhe pastaj shfrytëzohet për dilema politike, zakonisht të rrejshme dhe më rrallë të sinqerta!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Ky është Filip Peten (Philippe Pétain, 1856-1951), një figurë emblematike e Luftës së Parë Botërore. Gjenerali francez që ndali avancimin e trupave gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u shndërrua në simbol të rezistencës franceze. Pas lufte u emërua komandant i përgjithshëm i ushtrisë duke fituar gradën e Marshallit. Vite më parë ishte vu në mbrojtje të oficerit çifut Drajfus gjatë gjykimit të tij dhe nga bashkë kohanikët e tij u shpall si “më fisniku dhe më njerëzori nga udhëheqësit tanë ushtarakë”!

Por, gjithmonë ka mjaft kohë për me u korit – tha në një rast Adem Demaçi.

Hero i adhuruar i Luftës së Parë Botërore, në vitin 1940 mundësoi bashkëpunimin me Gjermaninë naziste dhe u vu në krye të regjimit kolaboracionist, të quajtur “regjimi i Vichy-t” – sipas qytetit francez Vichy ku u vendos kjo qeveri. Ai vendosi një regjim autoritar të bazuar në kultin e personalitetit të tij. Përgjegjës për ligjet kundër hebrenjve dhe i heshtur përballë arrestimeve dhe deportimeve, Peten përfaqësoi një Francë që kishte mohuar vlerat e saj. Pas LDB Peten u shpall fajtor për pabesi kombëtare, u dënua me degradim kombëtar dhe, mbi të gjitha, me vdekje, kurse u amnistua nga Gjenerali De Gaulle dhe dënimi iu zëvendësua me burgim të përjetshëm. Ai që dikur ishte brohoritur si shpëtimtari i Francës, u shua në vetmi, i dënuar nga Historia për tradhti ndaj Republikës.

Pra, nga Hero në tradhtar dhe në të dy raste u “shpërblye”! Një figurë që mishëron kontrastin dramatik midis lavdisë dhe turpit kombëtar.

Si ushtarak – HERO, që ka një vend të padiskutueshëm në histori për rolin e tij në Luftën e Parë Botërore!

Si politikanë – TRADHËTAR i Republikës dhe i vlerave franceze, për shkak të zgjedhjes së vetëdijshme për të bashkëpunuar me regjimin nazist!

Presidenti francez Macron, në vitin 2018, e përmendi “lavdinë ushtarake” të Peten, por që, edhe pse e ndau qartë nga veprimet e tij në Luftën e Dytë Botërore, shkaktoi polemika të shumta. Qasje kjo e drejtë e Macronit, ku dënohen apo lavdërohen veprat, jo njeriu. Shkrimtari rus Fjodor Dostojevski flet për njeriun sikur për një qenie komplekse, një përzierje mes së mirës dhe së keqes, ose mes engjëllit dhe djallit, ujkut dhe qengjit. Kur kësaj i shtohet edhe mundësia e gabimit të paqëllimshëm apo vlerësimit të gabuar të situatave të ndryshme, atëherë bëhet edhe më vështirë të vlerësohet një njeri në tërësinë e vet. Madje, edhe Filip Peten, pas gjashtë javë luftimesh, pranoi bashkëpunimin me gjermanët duke qenë i bindur se lufta kundër gjermanëve është apriori e humbur dhe se duhet pranuar bashkëpunimin, për të evituar shkatërrimet dhe viktimat e mëtejshme dhe për të ruajtur sadopak autonomi. Deri më sot kjo zgjedhje mbetet e diskutueshme në historiografi, por për francezët ai mbetet tradhtar, jo vetëm nga bindja për tradhtinë e tij por edhe nga nevoja për një “kokë turku”, që do të mbante gjithë peshën e përgjegjësisë morale dhe penale të Francës. Ngjashëm edhe Serbia sot, po mundohet që gjithë peshën e fajit për krimet, masakrat dhe gjenocidin gjatë luftërave të viteve 90-ta t’ia atribuoj disa njerëzve në krye me ish kryetarin e tyre, Millosheviq.

Nga ky përkujtim historik, apo edhe nga ndonjë shembull tjetër të ngjashëm, do duhej të kishim mësuar edhe ne, pavarësisht se ne nuk kemi një Filip Peten. S’paku, jo publikisht!? Por kemi metamorfoza tjera.

Jo çdo çlirimtar ka mbet vetëm çlirimtar, sepse në ndërkohë ka mundur të shndërrohet edhe në kriminel, zhvatës të fondeve publike apo politikan të korruptuar. Që ka të tillë mjafton t’ju shikohen deklaratat e pasurisë. Megjithatë, këto dukuri nuk i japin të drejtë të tjerëve që ti identifikojnë këta individ me UÇK-në duke shëruar kështu komplekset e tyre, pse vet nuk ishin ndër radhët e UÇK-së kur ishte koha. Sikurse që nuk ju takon këtyre ish çlirimtarëve, të shndërruar në politikanë të korruptuar, ta mbrojnë dhe të fshihen pas UÇK-së nga ata që kanë kritika ndaj tyre personalisht për shkak të keqbërjeve të tyre të ndryshme.

UÇK duhet të mbrohet nga të gjithë ne, pjesëtar apo jo të UÇK-së, prej veteranëve të rrejshëm që zhvatin buxhetin e Kosovës nga muaji në muaj, prej atyre që falën 8200ha tokë, prej atyre që blen nga shteti i Kosovës 1 ari tokë për 4-5 euro dhe pastaj ia shitën po ashtu shtetit të Kosovës për 5000 euro/ari, prej atyre që shndërruan fshatrat serbe në komuna për të krijuar dhe nënshkruar zajednicën, Gjykatën speciale një etnike në një shtet multietnik dhe shumë bëma të tjera. Dhe si për çudi, bërësit e këtyre dëmeve ishin pikërisht ish çlirimtarët në simbiozë perfekt me ata “të kompleksuarit” që i akuzonin për vrasje të aktivistëve të tyre.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/04/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk