“HEROI I POPULLIT” VASIL SHANTO, EMBLEMA E PËRKUSHTIMIT DHE VETMOHIMIT PËR LIRINË EDHE PAVARËSINË E ATDHEUT!

02
Feb
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

Në 80 vjetorin e rënies
Gazeta DITA, 30 Janar 2024
Kronika e jetës dhe veprimtarisë së Heroit:
. U lind më 17 Gusht 1913, në një familje të varfër, babai i tij punëtor, furrxhi. Vitet e fëmijërisë i kalon në Strugë, tek të afërmit e tij. Vjen në qytetin e Shkodrës në moshën shkollore.
. Më 1927 mbaron shkollën fillore dhe uniken në qytetin e Shkodrës. Fillon Gjimnazin, por për arye ekonomike e ndërpret dhe nis punën në furrën e babait.
. Më 1929, për shkak të krizës ekonomike që përfshiu edhe zejtarët, çvendoset me gjithë familje në Tiranë. Në Tiranë, Vasili bie në kontakt me të rinj përparimtarë dhe me idealet komuniste.
. 1935, Vasil Shanto do të ishte njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Fierit, që nisi me 17 gusht 1935, e që Ali Këlmendi e përshkruan “pagëzimi i zjarrit dhe guri i provës”
. Më 1938 njihet dhe zë miqësi me Qemal Stafën, që ishte transferuar nga Shkodra në kryeqytet. Së bashku me Qemalin, vihet në krye të Grupit Komunist të Shkodrës, dega për Tiranën.
. Në janar 1939 arrestohet nga xhandarmëria e Zogut, së bashku me Qemal Stafën dhe shokët e tjerë të Grupit Komunist të Shkodrës. Në burg, ku u grumbulluan gjithë komunistët e arrestuar, rreth 75 vetë, Vasil Shanto organizon kolektivin e parë të burgjeve, punë që e vijoi edhe në Mbreshtan të Beratit, ku të burgosurit u dërguan të vuanin dënimin.
. Në gjyqin e Zogut, Vasili me Qemal Stafën, mbajtën qëndrim burrëror, duke u deklaruar hapur si komunistë, dhe duke mos treguar asnjë nga shokët e tyre. Në prag të pushtimit fashist, shpërthehet burgu, dhe të burgosurit u shpërndanë në vendbanimet e tyre.
. Në korrik të vitit 1940, i ndjekur nga milicia fashiste, Vasil Shanto nis jetën dhe veprimtarinë ilegale; ndër të parët ilegalë nga radhët e komunistëve.
. Në verën e vitit 1941, me propozim të Enver Hoxhës, Vasili shkon në Pezë tek Myslim Peza, ku qëndron si komisat i Çetës së Pezës.
. Më 8 nëntor 1941, së bashku me Enver Hoxhën, Qemal Stafën dhe komunistë të tjerë të Grupeve komuniste të Shkodrës e të Korçës, themelojnë Partinë Komuniste Shqiptare. Gjer në vitin 1943, Vasili merr pjesë në shumë aksione politike, sidomos për sigurimin e teknikës dhe materialeve të domosdoshme për veprimtarinë e PKSH.
. Në mars 1943 merr pjesë në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH. Kjo Konferenca pati 70 delegatë komunistë, përfaqësues të 700 komunistëve në të gjithë vendit, ndaj dhe ajo konferencë pati atributet e nje Kongresi të Partisë Komuniste. Në presidiumin për drejtimin e punimeve të kësaj Konference, ishte edhe Vasil Shanto, i cili u zgjodh njëzëri kandidat i KQ të PKSH.
. Maj 1943, vjen në Shkodër, i deleguari i KQ të PKSH për organizimin e LANÇ në Qarkun e Shkodrës. Këtu Vasili organizon me sukses Qarkorin e PKSH, dhe siguroi teknikë e materiale për funksionimin e këtij Qarkori, si dhe riorganizoi e kompletoi me luftëtarë e teknikë luftarake Batalionin Partizan “Përlat Rexhepi”.
. Gjatë viteve 1943 – 1944, me njësitet guerile të qytetit të Shkodrës dhe rrethinave, organizoi me sukses rreth 40 atentate dhe aksione politike, të cilat gjallëruan veprimtarinë e Organizatës së PK për Shkodrën dhe njësitet e armatosur të këtij Qarku, në sulkmet kundër hierarkëve nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ballisto – zogistë.
. Më 1 shkurt të vitit 1944, kur po kthehej nga një mission i rëndësishëm i PKSH dhe LANÇ, bie në pritën e xhandarmërisë dhe vritet, duke luftuar me automatik në dorë kundër forcave qeveritare fashiste dhe shërbëtorëve të tyre vendas.
. . .
Në Armatën e Heronjve dhe Dëshmorëve të LANÇ, “Heroi i Popullit” Vasil Shanto, është emblema e përkushtimit dhe vetmohimit për Lirinë, Pavarësinë dhe Begatinë e Atdheut. Vasil Shanto, ndonëse vinte nga radhët e punëtorisë, arriti t’i kuptonte e bënte të tijat idealet komuniste, si e vetmja mundësi për t’u bërë përfaqësues e drejtues i klasës së tij punëtore në luftën e madhe të Çlirimit dhe në Revolucionin Popullor, të cilat u kurorëzuan me sukses në 29 Nëntor të vitit 1944.
Vasil Shanto kishte propaganduar kundër proçesit nazist në Lajpzig, dhe kishte brohoritur qëndresën e komunistit Gjergj Dimitrov. Heroi ynë, do ta përsëriste aktin e Gjergj Dimitrovit në Gjyqin e Mbretërisë kundër komunistëve në Tiranë, ku midis të tjerave do të deklaronte:
“Jam komunist i bindur e i deklaruem, dhe se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorëve që sot ndodhet e shtypur . . . !
Ishte pikërisht kjo bindje, që e nxiti Heroin Vasil Shanto, i cili së bashku me Enver Hoxhën, Qemal Stafën dhe komunistë të tjerë të kohës, do të themelonin më 8 Nëntor 1941 Partinë Komuniste Shqiptare, organizatoren dhe udhëheqësen e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar.
Udhëheqësi i PKSH dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së lavdishmne Partizane, Enver Hoxha, duke vlerësuar aftësitë dhe veprimtarinë luftarake e revolucionare të Vasil Shantos, do të shkruante: “Vasil Shanto, ishte atje ku e lypte detyra, në vendet më të rrezikshme, në betejat më të ashpra, në misionet më delikate!” Pikërisht se kishte këto cilësi, në Mars të 1943, Vasil Shantos iu besua detyra e organizimit dhe drejtimit të Luftës Çlirimtare në Qarkun e Shkodrës, një qark me probleme specifike dhe me një shtrirje gjeografike që përveç Shkodrës, përfshinte Malësinë e Madhe, Pukën, Lezhën dhe Mirditën.
Në ditët e sotme, kur pozicioni i vlerave dhe antivlerave ka ndërruar “polet”, disa apologjetë të regjimit kapitalist që po aplikojmë, reklamojnë të pavërtetën e madhe se Shkodra na paska qenë dhe është bastion i antikomunizmit. Kjo e pavërtetë, bie poshtë, nëse përkujtojmë ngjarjet e hershme dhe të vonshme që u zhvilluan në Shkodër. Ishte pikërisht Shkodra, i pari qytet në Shqipëri, ku në vitin 1901 u organizua greva e parë e punëtorëve kundër shtypjes e shfrytëzimit kapitalist. Në vitin 1905, për të parën herë në Shqipëri, Shkodra kremtoi 1 majin e kuq, ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Përsekutimi zogist kundër komunistëve nisi pikërisht me komunistët e Shkodrës në vitin 1938. Gjatë LANÇ, në Shkodër përveç të tjerave, kemi tri momente pikante e të pakrahasueshme me episodet e tjera të luftës çlirimtare: Epopenë e “Tre Heonjve të Shkodrës”, Legjendën e kuqe të “Heronjëve të Vigut” dhe qëndrimin prej prometeo të të riut komunist 20 vjeçar, “Heroit të Popullit”, Manush Alimani. Për t’u hedhur në vitet e Socializmit, kur në vitet gjashtëdhjetë, në rrethin e Shkodrës ishte një armatë punëtorësh prej 45 mijë vetësh, që punonin e drejtonin në veprat gjigande të ngritura në këtë rreth.
“Heroi i Popullit” Vasil Shanto, organizatori dhe udhëheqësi i LANÇ në qarkun e Shkodrës, vetëm në harkun kohor prej rreth 9 muajsh (maj 1943 – janar 1944), arriti të bëjë epokë. Ai u tregua mjeshtër në artin e organizimit të Partisë Komuniste; mjeshtër në artin e lidhjes me popullin; mjeshtër i organizimit ushtarak; mjeshtër në artin e drejtimit të njësiteve guerile; mjeshtër në kapërcimin e situatave dhe të papriturave të luftës. Bëmat e tij si udhëheqës politik e ushtarak, si ilegal e drejtues i njësiteve guerile dhe të të gjithë luftës çlirimtare në Qarkun e Shkodrës, janë të panumurta.
Atje ku vepronte Ai, e pamundura bëhej e mundur, dhe e pabesueshmja bëhej e besueshme.
Vasil Shanto ishte idealist me bindje, por ishte edhe aktiv në veprimet revolucionare, falë kjo trimërisë dhe guximit të pashoq në çdo situatë. Episodi që jepet në filmin artistik shqiptar “Militanti”, kushtuar Vasil Shantos, nuk është krijesë, por episod i vërtetë. Në një sallë të madhe me plot 300 mercenarë, të drejtur nga përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Jusuf Luzaj, e ku po shpifej për LANÇ, Vasil Shanto do të hynte befas dhe do të thoshte me zë të lartë: “Zoti Jusuf, ju provokoni, ju shpifni, sepse nuk keni rrugë tjetër. Balli Kombëtar është një organizatë tradhëtare, armike e popullit dhe bashkëpunëtore e nazifashizmit!”
Dhe kur në sallë Jusuf Luzaj pyeti se “Kush jeni ju që më ndërprisni fjalën?!”, Vasili foli i sigurtë dhe me zë të fuqishëm: “Unë jam Vasil Shanto!”
Jeta dhe veprimtaria revolucionare e militantit komunist, Vasil Shanto, njërit prej themeluesve të PKSH, është ngjitur në lartësinë e një shkolle të edukimit dhe veprimit komunist. Heroi i Popullit Vasil Shanto, jo njëherë u gjend ballas me armikun. Ballas dhe me automatik në dorë e dha jetën me 1 shkurt të vitit 1944. E dha jetën, sepse ai ishte jo vetëm Luftëtatr i Lirisë, por edhe Luftëtar i Idealeve Komuniste e Partizane, për të cilat, ashtu siç këndon Poeti i Popullit, Dritëro Agolli:
Ishte betuar vetëm njëherë,
Në Thirrjen e Parë, në vitin dyzet e një:
O ngremë Botën e Re, mbi gërmadha e skëterrë,
O s’mbetet nga ne, as hi e as zë!
. . .
Vasil Shanto me shokë e arritën objektivin. Ata e ngritën Botën e Re shqiptare, mbi gërmadhat e mesjetës. Në themele të kësaj bote ata vunë gjakun e tyre të pastër.
Ishte detyra e ne brezave që erdhëm pas tyre, ta ruanim e ta forconim këtë Botë të Re. Por paqa dhe liria që na dhuruan Heronjtë dhe Dëshmorët, për fat të keq na i lbyrën sytë, na e çoroditën mendjen, na e squllën trupin. Tradhëtia paska qenë shumë afër, dhe ne nuk arritëm ta dallojmë. Ndaj dhe jemi kthyer në vitet e errta, ku janë përmbysur vlerat, e ngritur në piedestal antivlerat; ku po baltosen Heronjtë dhe lartohen tradhëtarët. Këta myteberë antikombëtarë, në aleancë me armiqtë e përhershëm të Shqipërisë, u janë sulur dy Epokave më të ndrituira të Historisë shumshekullore të shqiptarëve, Epokës Lavdiplotë të LANÇ dhe asaj të Ndërtimit Socialist. Këto dy epoka vigane, të Udhëhequra nga PKSH (PPSH) dhe Shqiptari i Madh Enver Hoxha, janë dy epoka komplementare me njëra-tjetrën, të cilat, së bashku me epokën e ndritur të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, dhe shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, përbëjnë katër kollonat ku mbështetet e mbijeton Kombi Shqiptar. Mbrojtja e këtyre kollonave bazë të Kombit tonë është detyrë e Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të tyre, e Organizatës së dëshmorëve të Atdheut, e Organizatave dhe Shoqatave patriotike e atdhetare, dhe e gjithë shqiptarëve të vërtetë, të cilët këtë emër duan ta ruajnë me dinjitet në tokën që na kanë trashëguar të parët tanë.
Poeti komunist, Hysni Milloshi, Kryetari PKSH, duke folur në 60 vjetorin e rënies së Heroit të Popullit, Vasil Shanto, midis të tjerave do të thoshte:
“Ne komunistët e dimë se edhe Dielli ka njollat e veta, se nuk duhen krijuar idhuj artificial, se s’ka asnjë vlerë zbukurimi i sforcuar e i qëllimshëm i së vërtetës rreth një personi a disa personave. Por për hir të së vërtetës, duke shfletuar jetën dhe veprën e Vasil Shantos faqe më faqe, shohim qartë e më qartë artistin e përsosur në artin e tij me dimensione nacionale e internacionale; në artin e tij të humanizmit njerëzor e të revolucionit; në artin e tij si mjek i shpirtërave njerëzorë; në artin e tij si arkitekt i solidaritetit klasor; në artin e tij si vizionar të ideve e të aksionit; në artin e të qenit njeri e të vetmohimit për njerëzit. Sa më shumë të gërmosh e të meditosh në thellësitë e pafundme të këtij arti, aq më shumë bindesh se në jetën dhe veprën e Vasil Shantos, nuk ka asnjë njollë!”
LAVDI HEROIT TË POPULLIT, VASIL SHANTO!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/02/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk